Prokurori Klodian Braho, kandidat për SPAK, kalon Vettingun

Kandidati për Prokurorinë Speciale anti-Korrupsion, Klodian Braho ka kaluar shkallën e parë të Vettingut, pasi është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Braho është një nga kandidatët e përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për t`u zgjedhur anëtarët e SPAK. Në listën e KKLP, Klodian Braho është renditur i gjashti me pikë në listën e KLP.

Lidhur me vendimin për konfirmimin në detyrë si prokuror, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka gjetur probleme me pasurinë e prokurorit. Gjithashtu Klodian Braho është vlerësuar i përshtatshëm edhe në aspektin e profesionalizmit dhe të integritetit.

Megjithatë, që prokurori Braho të bëhet pjesë e strukturave të reja të drejtësisë, do të duhet të kalojë edhe vendimin e Komisionerit Publik, nëse do të apelojë vendimin e KPK-së apo do ta lërë në fuqi.

Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie apo si ekspert në Shkollën e Magjistraturës.

Kandidati i SPAK që heton Adriatik Llallën, drejt kalimit të Vettingut

Klodian Braho ka kaluar pa teleshe fazën dëgjimore, ose fazën e parë të Vettingut. Braho është aktualisht prokuror i Krimeve të Rënda dhe një ndër kandidatët e zgjedhur nga KLP për të qenë pjesë e SPAK. Për t’u emëruar nevojitet vendimi i formës së prerë nga institucionet e vetingut.  Braho njihet si prokurori i disa prej çështjeve më të nxehta si ajo e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, dhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Braho kaloi të enjten seancën dëgjimore dhe i vetmi problem që ju shfaq ishte një hua prej 5 mijë eurosh që i kishte marrë babait të tij në 2010. Problemi u ngrit nga relatori i çështjes, Roland Ilia duke argumentuar se kjo hua ishte e padokumentuar. Kjo vlerë është përdorur nga Braho për pagesën e një apartamenti.

Lidhur me kriterin e pasurisë, Komisioni verifikoi burimin e krijimit të një apartamenti me vlerë 29 428 euro në Yzberisht, blerjen e një automjeti me vlerë 400 mijë lekë si dhe vlerat e likujditeteve në cash dhe bankë. Komisioni nuk ka konstatuar probleme në blerjen e një autoveture në vitin 2016 në vlerën 400 mijë lekë dhe as në vlerat e likujditeteve dhe kursimeve në cash. KPK ka verifikuar edhe një pasuri të babait të bashkëshortes së prokurorit Braho, e cila sipas relatorit ka rezultuar ashtu siç është deklaruar.

Lidhur me pastërtinë e figurës, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ashtu edhe Komisioni nuk kanë identifikuar kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar. Prokurori Braho mori vlerësime pozitive edhe për profesionalizmin.

Apartamenti ka si burim të deklaruar një kredi bankare prej 2.8 milionë lekësh, huanë 5 mijë euro nga babai si dhe të ardhurat e tij nga puna. Prokurori Braho shpjegoi në fjalën e tij se babai i tij, i vetëpunësuar në bujqësi i kishte mundësitë për të krijuar shumën e 5 mijë eurove.

Në KPK kanë mbërritur edhe 9 denoncime nga publiku në adresë të Brahos, për të cilat relatori i çështjes, Roland Ilia tha se subjekti ka dhënë shpjegime, të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit më 26 korrik.

Procesi i vetingut u drejtua nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilian dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin dhe në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar Ferdinando Buatier.

Skip to toolbar