Shqipëria modeste, sfidon “205 mln euro” të Anglisë

Pas kombëtares A, që u bërballë mbrëmjen e të enjtes me Andorrën në sfidën kualifikuese, të premten në mbrëmje një tjetër sfidë është rezervuar për kuqezinjtë. Në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, kombëtarja U-21 e drejtuar nga Alban Bushi do të përballet me Anglinë, në sfidën eleminatore e vlefshme për Grupin 3.

Ndeshja në letër është shumë e vështirë për skuadrën tonë, pasi Anglia vjen në Shqipëri me shumë yje, talente që luajnë në ekipet e Premier League. Megjithatë, duket se të tilla ndeshje shërbejnë edhe si motivim për skuadrën tonë, duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarit. Aktualisht, kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi ndodhen në vendin e katër me 5 pikë.


Shanset për kualifikim ekzistojnë, pavarësisht sesa e vështirë është. Shqipëria ndodhet në grup me Kosovën, Turqinë, Andorrën, Austrinë dhe Anglinë, këto dy të fundit janë dhe skuadrat që kryesojnë grupin me nga 9 pikë secila.

Kombëtarja U-21 e Anglisë vlen 205 milion euro, pasi në skuadër kanë yje që kushtojnë deri në 35 milion euro, si Reyan Sessegnon, që aktivizohet për Tottenham. Ndërsa kombëtarja U-21 e Shqipërisë kushton rreth 3.8 milion euro, shifër e papërfillshme, ose thënë ndryshe sa lojtari më pak i kushtueshëm i Anglisë U-21. Ndërkohë, Kosova U-21 do të përballet mbrëmjen e të premtes me Austrinë.


Talenti i Chelsea i jep fitoren kombëtares U-21 ndaj Uellsit

Kombëtarja U-21, pas barazimit në ndeshjen zyrtare me Turqinë në transfertë, ka fituar ndaj Uellsit në takimin e parë miqësor, nga dy që ka të planifikuar me këtë përfaqësuese. Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi fitoi 2-1 falë dopietës së talentit 17-vjeçar Armando Broja, talentit shqiptar që aktivizohet me radhët e të rinjve te skuadra e Chelsea në Londër.

Me gjithëse, ka shënuar dy gola ndaj Uellsit, duke i dhënë fitoren ekipit tonë në ndeshje miqësore, Broja është ngatërruar me një tjetër futbollist shqiptar me të njëjtin emër, Rron Broja, që aktivizohet me Shkupin në Maqedoni, por që s`ka lidhje me kombëtaren.


Në fakt, Armando Broja është  vetëm 17-vjeç dhe është grumbulluar nga kombëtarja U-19. Ai spikati vetëm pak ditë më parë me ekipin e Nevil Dedes, pasi shënoi tre gola në ndeshje miqësore ndaj Kosovës. Për këtë arsye Alban Bushi e ka grumbulluar talentin shqiptar të Chelsea për dy ndeshjet miqësore ndaj Uellsit.

Dhe në fakt, duket se Broja e ka shpërblyer më së miri besimin e trajnerit, duke shfrytëzuar edhe njohjen mësëmiri të futbollit britanik, ai i ka shënuar dy gola Shpresave të Uellsit, duke i dhënë  fitoren kuqezinjëve të vegjël. Broja shënoi dy herë në minutat 48` dhe 60`, ndërsa miqtë realizuan në minutën e 80` golin e vetëm.


Kombëtarja U-21, Lleshi e Kola: Ndaj Turqisë duam pikët dhe… fatin

Nga ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”, gjatë ditës së sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy lojtarë të kombtares U-21. Klenadro Lleshi dhe Aristidi Kolaj, ishin dy futbollistët që kanë folur, në prag të ty ndeshjeve të muajit qershor, asaj zyrtare me Turqinë dhe 2 ndeshjeve miqësore me Uellsin.

Të dy lojtarët ishin pjesë e grumbullimit provizor me Kombëtaren A, e drejtuar nga Edy Reja, duke treguar emocioniet e grumbullimit për herë të parë në ekipin A. “Mikpritja e grupit ishte shumë e mirë, u ndjeva shumë komod. Të gjithë ishin me dëshirë dhe lojtarët shumë pozitivë”.


Sa i përket aktivizimit, i përket trajnerit unë kam për detyrë të stërvitem dhe të kryej detyrat që më takojnë, të tjerat ia lëmë kohës. Çdo gjë vjen me kohën, duke dhënë maksimumin tënd në çdo hap”, ka thënë futbollisti i Leganes B, që sezonin e ardhshëm pritet të debutojë në La Liga.

Shqipëria U-21 do të përballet me Turqinë në ndeshjen zyrtare, që do të zhvillohet në transfertë më 7 qershor. Mesfushori është shprehur se në këtë takim ekipi ynë do të synojë rezultat pozitiv. “Për ne ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme pasi duhet të marrim rezultat, kjo vjen për arsye se kemi luajtur 2 ndeshje në këto eliminatore dhe nuk kemi marrë atë qe duhet sa i përket rezultatit”.

“Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe shkojmë për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Futbolli luhet 11 ndaj 11, ne kemi dhënë maksimumin por nuk kemi pasur edhe fatin me vete”, ka thënë mesfushori.

Në fund ai ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke u shprehur se këtë sezon do të bashkohet me ekipin A të Leganes në La Liga. “Për momentin luaj me Leganes B por kontratën e kam me ekipin A, shpresoj shumë shpejt ti bashkohem, por është zgjedhje e trajnerit”, është shprehur Klenadro Lleshi.

Ndërsa futbollisti tjetër, Aristidi Kolaj u shpreh: “Ne jemi një skuadër kombëtare shumë e bashkuar dhe po shkojmë në ndeshjen e Turqisë, për të marrë një fitore. Në Itali luaj me ekipin e Sasuolos U-19, kam bërë mirë në kampionat dhe për tu stërvitur stërvitem me ekipin A. Jam grumbulluar edhe për ndeshje miqësore të kombëtares dhe jam ambjentuar me shokët e ekipit”.


Skip to toolbar