Ledian Memushaj “shënon” golin e jetës (foto)

Ledian Memushaj dhe e dashura e tij Francesca Cappai, kanë kurorëzuar me martesë lidhjen e tyre disa vjeçare.

Ledian Memushaj dhe e fejuara e tij Francesca Cappai kanë firmosur aktin e martesës para kryetarit të bashkisë së Pescaras, Marco Alessandrini.

“Ky është goli im më i mirë”, ka thënë shkurtimisht mesfushori i kombëtares shqiptare dhe Pescaras, para të afërmeve dhe miqve që kanë shoqëruar çiftin në ceremoninë e martesës.

Ledian Memushaj është duke kaluar një sezon të shkëlqyer në aspektin personal me Pescaran, duke vendosur rekorde asistesh për ekipin, teksa në ndeshjet e fundit ka shënuar dhe disa gola.

Kombëtarja miqësore me Katarin më 15 maj!

Federata Shqiptare e Futbollit po shfrytëzon të gjitha mundësitë, që ekipet e krijuara rishtazi këtë vit, përkatësisht ekipet kombëtare të moshave U-16, U-18 dhe U-20, të grumbullohen dhe zhvillojnë aktivitete sportive. Kështu, pas dy ekipeve të para U-16 dhe U-18, është radha e  kombëtares U-20 të zhvillojë grumbullimin dhe të zhvillojë një ndeshje miqësore.

Sipas një njoftimi të FSHF-së, është arritur marrëveshja që 20 vjeçarët e drejtuar nga Ilir Biturku, të zhvillojnë një takim miqësor me bashkëmoshatarët e tyre të shtetit të Katarit. Ndeshja është parashikuar të zhvillohet në Paris më datë 20 maj.

Shqipëria e 20 vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Ilir Biturku, do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Katarin U-20. Kjo miqësore vjen pas një ftese të ardhur nga Federata e Futbollit të Katarit në vazhdim të marrëdhënieve të mira të bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit”.

“Ndeshja miqësore do të zhvillohet më datë 15 Maj, në Marcoussis Center në Paris, në orën 18:00.  Ekipi i trajnerit Biturku do të grumbullohet më datë 13 maj në Paris ku do të zhvillojë dhe seancat stërvitore deri në ditën e ndeshjes. Për këtë ndeshjes miqësore do të vëzhgohen lojtarë të datëlindjeve 1999-2000, kryesisht nga kampionati shqiptar, për faktin se nuk është një datë zyrtare nga FIFA për ndeshje miqësore”, thuhet në njoftimin e federatës.

Guidolini tregon pse refuzoi stolin e Shqipërisë!

Francesco Guidolin ishte një nga emrat e përfolur si kandidat për tu emëruar trajner i Kombëtares së Shqipërisë, pas shkarkimit të Christian Panuccit.

63 vjeçari italian ka folur në një intervistë për “Calciomercato” në vendin përtej Adriatikut, duke zbuluar dhe arsyen pse e ka refuzuar ofertën e Armand Dukës për stolin e Shqipërisë.

“Ata zgjodhën Rejan dhe unë jam i lumtur për të, sepse e meriton dhe do të bëjë mirë atje. Më kërkuan dhe mua, u treguan shumë të sjellshëm. Presidenti Duka ishte shumë i sjellshëm por preferova të pres e të shoh se si do zhvillohen ngjarjet në këtë fazë të sezonit”, ka thënë trajneri i njohur italian.

Francesco Guidolini ka një karrierë të pasur si trajner klubesh brenda dhe jashtë Italisë, duke fituar disa trofe të rëndësishëm.

Mesfushori i QPR-së i jep fitoren Shqipërisë U-18 ndaj Maqedonisë!

Kombëtarja U-18, e grumbulluar rishtaz nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, e ka mbyllur me sukses provën e saj të parë.

Ditën e sotme, kuqezinjtë e vegjël kanë luajtur takimin e dytë miqësor me homologët e së njëjtës moshë të Maqedonisë së Veriut.

Pas barazimit 2-2, të tre ditëve më parë, skuadra e Nevil Dedes ka fituar me rezultatin 1-0 në miqësoren e dytë, me ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Sopoti” në Librazhd.

Kuqezinjtë luajtën me këtë formacion: Fatmir Ceka (C), Neshat Murati, Ergis Shala, Usni Ismaili, Omar Musai, Andri Stafa, Enes Kuka, Gledjan Pusi, Lion Cahani, Aldo Gjumsi, Fabian Shahaj.

Pjesa e parë e ndeshjes miqësore është mbyllur me rrjeta të paprekura 0-0. Në të dytën Shqipëria ka qenë më kërkuese për golin dhe ne minutën e fundit ’90 ka shënuar Armelindo Mema, golin e vetëm dhe të fitores për kuqezinjtë.

Kombëtarja U-18, portieri Çeka: Krenari të veshësh fanellën kuqezi!

Shqipëria U-18 është grumbulluar për herë të parë nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, për të luajtur dy ndeshje miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, ku deri tani është luajtur një nga dy takimet.

Së bashku me trajnerin Nevil Dede, ka folur sot në konferencë për shtyp në stadiumin “Elbasan Arena”, portieri i kombëtares së 18 vjeçarëve, Fatmir Çeka. Ja fjalët e portierit kuqezi.

“Të veshësh fanellën e kombëtares është një emocion i papërshkrueshëm dhe emocioni më i bukur në botë. Mendoj që të gjithë ata që e veshin këtë fanelë duhet të ndihen shumë krenar, pasi nuk prezanton veten por një komb të tërë”.

“Duke u stërvitur sa më shumë ia arrin me punë të arrish objektivat. E rëndësishme është të fitojmë dhe të bëjmë më të mirën edhe në miqësoren e dytë nesër ndaj Maqedonisë së Veriut.”

Kombëtarja U-18, Dede analizon kuqezinjtë dhe tregon takimin me Edi Rejën (video)

Trajneri i ekipit kombëtar U-18, Nevil Dede, ka folur në konferencë për shtyp një ditë pas ndeshjes miqësore me Maqedoninë e Veriut, ku 18 vjeçarët tanë barazuan me homologët e tyre maqedonas.

Nevil Dede u shpreh fillomisht se lojtarët e grumbulluar janë më të mirët e moshës së tyre, megjithëse, sipas trajnerit, për shkak se kjo gurpmoshë nuk rakordon me datat e UEFA-s dhe FIFA-s, disa lojtarë që kanë pasur ftesë nuk janë lejuar nga klubet të vijnë në grumbullim.

“Është një moshë delikate pasi janë 1 vit më të vegjël se mosha zyrtare, si numër lojtarësh është i madh. Ne jemi munduar të marrim pjesën më të mirë, por duhet theksuar se kjo moshë nuk rakordon me datat e UEFA-s dhe FIFA-s, kemi bërë disa ftesa në Gjermani dhe Itali por klubet nuk na janë përgjigjur pozitivisht pasi jane ende ne aktivitet. Pavarësisht këtyre fakteve, me grupin që kemi po mundohemi të krijojmë një bosht solid deri ne fund të vitit 2019 ku do mund ti shërbejnë ekipeve përfaqësuese me rradhë”, është shprehur ndër të tjera Dede.

Më tej ai ka analizuar ndeshjen miqësore të luajtur dje kundër Maqedonisë së Veriut, duke e vlerësuar pozitivisht paraqitjen e ekipit tonë.

“Unë gjykoj që deri diku bëmë një paraqitje të mirë sa i përket ndeshjes miqësore me Maqedoninë e Veriut, por është hera e parë që grumbullohen dhe futbollistët e kanë të vështirë që të japin më të mirën, duhet koha e duhur për të bërë paraqitjen e mirë. Për këto dy ndeshje 50% ishin nga Shqipëria dhe 50 % nga jashtë, me mbështetjen e federatës do të kryejme edhe një stejxh seleksionues dhe ne maj do të kemi grupin e plotë për turneun miqësor”, është shprehur trajneri.

Në fund ai ka treguar edhe takimin e zhvilluar me trajnerin e ekipit kombëtar A, Edi Reja, që pas prezantimit ka pasur dhe një takim me trajnerët e ekipeve zinxhir të kombëtares.

“Nga viti në vit shpresojmë të rritet cilësia në klube se ata janë faktori kryesor i rritjes së një lojtari. Një fëmijë mund të lind talent por varet sesa punohet dhe a zhvillohet sesi duhet lojtari. Pas emërimit trajneri Reja na takoi të gjithë ne trajnerët e moshave, për mua ishte shumë i vlefshëm, trajneri dontë informacion të saktë për U21 dhe U19.” – ka përfunduar Dede.

Miqësorja e U-18, Shqipëria barazon me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut!

Pas vendimit për krijimin e ekipeve të reja kombëtare të futbollit, për grupmoshat U-16, U-18 dhe U-20, kanë nisur dhe grumbullimet e para për këtë vit.

Pas ekipit U16, që mori pjesë në dy turne ndërkombëtar, radha ka qenë e ekipit U-18 të drejtuar nga Nevil Dede, që të nis grumbullimin për zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore me ekipin e Maqedonisë së Veriut.

Ndeshja e parë është luajtur sot në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, e cila ka përfunduar në barazim 2-2.

18 vjeçarët kuqezinj kanë zbritur në fushën e lojës me këtë formacion: Ceka; Murati; Pruti; Kuci; Ismaili; Zahi; Pusi; Sulollari; Mema; Gaxhia; Zaimi.

Në pjesën e parë u luajt një futboll i hapur, me një lojë shumë të mirë të kuqezinjve që edhe falë mbështetjes së publikut arritën të kalojnë në avantazh me anë të Muratit.

Me këtë gol nga mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës u mbyll dhe fraksioni i parë i lojës. Në pjesën e dytë u kryen shumë zëvëndësime nga trajneri Dede, që aktivizoi Hasanagollin, Stafën, Musain, Gjumsin, Cahanin dhe Memushajn.

Në minutën e 70-të miqtë arrijnë të barazojnë rezultatin me anë të numrit 7 Behar Feta. I menjëhershëm reagimi i Shqipërisë që 5 minuta më pas fiton një penallti që shndërrohet në gol nga Henri Sulovari.

Lojë e hapur nga të dy skuadrat që rrezikojnë në portat respektive, por maqedonasit tregohen më të saktë dhe arrijnë të barazojnë në minutën e 80-të me anë të Maksikov.

Kuqezinjtë kanë kërkuar me ngulm golin e fitores por nuk arrijnë ta shënojnë, duke e mbyllur këtë takim me rezultatin 2-2.

Ditën e enjte do të zhvillohet ndeshja e dytë miqësore, përsëri në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, duke filluar nga ora 13:00. Hyrja për tifozët është falas.

Naser Aliji tregon dramën: E vështirë të përshatesha pas humbjes së babait!

Naser Aliji e ka nisur mbarë vitin 2019, duke luajtur rregullisht me skuadrën e Dinamos së Bukureshtit. Ai ka bërë paraqitje të mira, të cilat e rikthyen mbrojtësin edhe në ekipin kombëtar të Shqipërisë në muajin mars.

Viti i kaluar ishte dramatik për Alijin, pasi humbja e babit, për shkak të një sëmundje të rëndë, bëri që futbollisti të luante në ekipe amatore në Zvicër, vetëm për të qëndruar pranë familjes së tij.

Tani ka ndryshuar gjithçka, dhe pas dëshpërimit të thellë ka ardhur dhe “lumturia”, të paktën në aspektin profesional, pasi ndarja nga jeta e babait, është humbje e madhr për mbrojtësin kuqezi.

Së fundi, Naser Aliji ka folur në një intervistë për “Gazeta Sportiluror”, 25-vjeçari tregon mësimet që ka marrë nga babi dhe momentet e kaluara me të.

“Gjëja më e vështirë ishte që të përshtatesha sërish me jetën pa babanë tim. E humba shtatorin e shkuar dhe akoma nuk e kam marrë veten, ishte goditja më e rëndë e jetës sime. Gjithmonë kam thënë se jetën duhet ta fillosh nga e para e të pranosh realitetin, pavarësisht sa mizor që është. Por cili person mund ta pranojë në mendje vdekjen e parakohshme të një prindi.

“Jeta ime vazhdon, por kurrë s’mund ta harroj babanë tim, gjithmonë do të ketë një vend në mendjen dhe zemrën time. Nuk ishte një vdekje që na erdhi si rrufe. Ai kishte kancer që s’mund të trajtohej. Edhe nëse e di që do të ndodhi, nuk mund të thuash se është më e lehtë. Thjesht isha i lumtur që isha pranë tij në ditët e fundit. Kjo më lehtësoi pak dhimbjet.

“Gjëja më e rëndësishme është që të respektosh prindërit e tu e të mësosh prej tyre. Dëgjojini sa më shumë të jetë e mundur që të mësoni diçka. Fëmijët e sotëm duhet t’i respektojnë më shumë prindërit dhe gjyshërit. Kur isha i vogël nuk kisha pajisje elektronike ose para, kisha vetëm një top dhe një ëndërr: Të bëhesha futbollist e të bëhesha dikush. Mendoj se në epokën e pajisjeve elektronike dhe rrjeteve sociale, respekti dhe ambicia për ndjekur ëndrrat e tua ka humbur.

“Babai më ka mbështetur gjithmonë. Më mësoi diferencën midis të mirës e të keqes, e kam dëgjuar gjithmonë. Është e trishtueshme që disa fëmijë nuk mësojnë nga prindërit e tyre. Ndihem me fat që nuk kam pasur pajisje elektronike, celularë e të tjera kur isha fëmijë. Gjithë këto gjëra të shpërqendrojnë e s’të lënë të mësosh diçka shumë të vlefshme”, – tha me dhimbje Aliji.

Berisha tregon pikat e forta të Edi Rejës!

Etrit Berisha është nga të vetmit lojtarë të Kombëtares, që ka pasur fatin të trajnohet nga Edi Reja në të kaluarën, kur ishte pjesë e Lacios në Serinë A.

Portieri kuqezi, që aktualisht luan me Atalantën në Itali, ka folur për Supersport, duke komentuar emërimin e Edi Rejës si trajner të ekipit tonë përfaqësues, duke u shprehur se 73-vjeçari ka shumë kualitete në mbrojtje.

“Kam pasur rastin të punoj me Rejën rreth 6 ose 7 muaj kur ishte trajner te Lacio. Ka shumë kualitete në pjesën e mbrojtjes. Në ato muaj kemi mësuar shumë, me ardhjen e tij ndryshuan shumë gjëra dhe u rikthyem te rezultatet pozitive”, ka thënë Berisha.

Më tej, portieri i Kombëtares ka folur edhe për ndeshjet e radhës, që kuqezinjtë do të luajnë në qershor. Berisha shprehet se një fitore do rriste moralin në ekip dhe do i ndihmonte të kualifikoheshin në Europian.

“Një fitore në ndeshjen e radhës do të na ndihmonte për moralin, por edhe për mundësitë tona për t’u kualifikuar në Europian. Jo vetëm për të përgatitur lojën, por Reja edhe të punojë nga ana psikologjike e të rikthejë harmoninë në ekip. Shpresoj të na ndihmojë në arritjen e objektivave tona”.

Turneu U-16, Shqipëria e mbyll me sukses, fiton dy ndeshje!

Kombëtarja U-16 e futbollit e ka mbyllur me fitore pjesëmarrjen në Turqi në “International U-16 Tournament”, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Elvin Beqiri kanë fituar 3-0 ndaj Lituanisë.

Në ndeshjen e fundit të luajrur dje, pjesa e parë u dominua e gjitha nga kuqezinjtë që sulmet e vazhdueshme i finalizuan në minutën e 26-të me Bajraktarin. Me rezultatin 1-0 u mbyll fraksioni i parë i ndeshjes.

Pjesa e dytë filloi ashtu si u mbyll dhe e para, me skuadrën e Beqirit që ka sulmuar portën e lituanesëve, duke gjetur menjëherë golin e dytë me anë të Adrian Nezirit, në minutën e 45-të.

Në fundin e ndeshjes, kapiteni Çereni shënoi golin e tretë, në minutën e 77-të, duke shënuar dhe rezultatin final të ndeshjes.

Ky është bilanci i Shqipërisë U-16, në këtë turne:

15 Prill, Shqipëri 1-0 Bjellorusi
17 Prill, Turqi 1-0 Shqipëri
19 Prill, Lituani 0-3 Shqipëri

Skip to toolbar