Kosovë, 5 kandidatë për një kryeministër

Kosova voton më 6 tetor në zgjedhjet e parakohshme për të formuar qeverinë e re. Në votime janë regjistruar 25 subjekte politike, nga të cilat kanë dalë 5 kandidatë për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

Kush janë ata?  Favoritja kryesore për kryeministre që shihet ën këto zgjedhje është Vjosa Osmani, e cila nëse zgjidhet do të jetë edhe kryeministrja e parë femër për Kosovën. Vjosa Osmani përfaqëson Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo voton në Fakultetin Teknik në Kosovë.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili kandidon për një tjetër mandat në krye të vendit. Partia e tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në koalicion me Partinë Socialdemokrate. Haradinaj hedh votën e tij në shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Kadri Veseli është kandidati për kryeministër i Kosovës nga Partia Demokratike, që ka vendosur të hyjë e vetme në zgjedhje. Veseli voton në shkollën “Faik Konica”.

Ndërsa Fatmir Limaj është kandidati për kryeministër nga Nisma Social Demokrate që është në koalicion me Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë. Edhe Limaj voton në shkollën “Faik Konica”.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje është Albin Kurti. “Vetëvendosja” hyri e vetme në zgjedhje pas dështimit të bisedimeve për të krijuar koalicion me LDK, pasi nuk pranoi si kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin.

Kosova voton për qeverinë e re

6 tetori shënon ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Qytetarët, me të drejtë vote, zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të plotësuar 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës, që do të përbejnë edhe qeverinë e re.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe 1 milionë e 937 mijë e 869 persona pritet të votojnë për 25 subjektet politike të regjistruara, mes të cilave 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.

Në gjithë territorin e Kosovës janë hapur 895 qendra votimi me 2,547 vendvotime.

Me hapjen e qendrave të votimit, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka bëri thirrje për mbarëvajtje të procesit, pasi çdo parregullsi dëmton Kosovën.

“I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që të kenë kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh se çdo gjë që ndodh gjatë ditës do t’i faturohet Kosovës”, tha Daka.

Zgjedhjet e parakohshme pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale e Hagës, për tu pyetur në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Bushi do “luftëtarë”, por dorëzohet vetë

Shqipëria U-21, do të përballet me Kosovën në 15 tetor në Elbasan, në ndeshjen e radhës kualifikuese të Europianit. Trajneri i kombëtare Shpresa, Alban Bushi foli në konferencë për mediat, duke u shprehur se Kosova është kundërshtar i fortë dhe pretendent për t`u kualifikuar.  “Kundërshtarin e njohim, është i fortë dhe pretedent për t’u kualifikuar. Ata kanë një grup të lidhur, ndryshe nga ne që bejmë shumë ndryshime, pasi furnizojmë Kombëtaren e parë. 3-4 lojtarë të Kosovës nuk dua të përmend emra, i kemi kontaktuar para dy vjetësh por, nuk kanë pranuar të vijnë me ne edhe pse për ne nuk është problem. Pika e tyre më e fortë është agresiviteti dhe deshira që kanë për të fituar, diçka që se kanë lojtarët tanë”, tha Bushi.  

Alban Bushi është i ndërgjegjshëm se Shqipëria është një hap pas Kosovës, ndonëse “Dardanët” janë një ekip i krijuar vonë.  “Ne mundohemi t’i motivojmë, por nuk e di pse nuk e kanë në gjak. Unë mendoj se Kosova është një hap më lart se ne. Po t’i shikosh lojtarët tanë, kanë më shumë cilësi se ata. Por, kjo grinta duket se e mposht cilësinë. Kosova i ka të gjithë lojtarët që luajnë titullar dhe marrin minuta. Tifozët na kanë mbështetur, ekipin kombëtar duhet ta mbështesin, pavarësisht orarit apo kohës së keqe. Unë mendoj se me Kosovën do të ketë tifozë”, tha Bushi.

Ndërkohë, lidhur me lojtarët e grumbulluar për këtë takim, Bushi shprehet se janë më të mirët për momentin, pasi kanë minuta në këmbë. Sipas tij, në ndeshjet e luajtura deri tani, gabimi i vetëm ishte në takimin me Andorrën. “Kemi bërë katër ndeshje dhe mendoj se gabimin e vetëm e kemi bërë vetëm me Andorrën. Me Turqinë kemi bërë mirë, ndërsa me Austrinë kemi bërë lojën më të dobët. Duhet të ishim më agresiv. Me Austrinë kishte gjëra pozitive, pasi kishte lojtarë që dhanë shumë. Objektivi i Shpresave është të futemi për fitore, por duhet të nxjerrim lojtarë për Kombëtaren A. Ka lojtarë si Bullari, Broja që nuk e kanë moshën për te ne. Ne i marrim, i japim minuta, por kjo ka kostot e veta, pasi ata luajnë me lojtarë tre vjet më të mëdhenj”, tha Bushi.

Në fund, Alban Bushi tregon se e vetmja gjë që i kërkon skuadrës është “lufta” në fushë, ndërsa qëllimi i tij është të nxjerri lojtarë për ekipin kombëtar A. “Ne ëndërrojmë Europianin dhe mundohemi të bëjmë maksimumin. Unë nuk kërkoj asgjë nga skuadra, përveçse faktit të luftojë. Në lojë duhet të luftosh 95 minuta. Duhet të pranojmë që këta janë lojtarët që kemi në dispozicion. Jemi të kënaqur, kur shohim lojtarët e Shpresave që bashkohen me ekipin A. Kjo na bën krenarë dhe shpresojmë që me Kosovën të fitojmë”, tha alban Bushi.

Lista e futbollistëve të grumbulluar:

Kosovë, nis fushata elektorale

25 shtatori ka startuar zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale në Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Edhe pse fushata ka nisur më herët nga partitë politike, sipas ligjit ato kanë në dispozicion 10 ditë për të prezantuar para qytetarëve kosovarë programet e tyre elektorale.

Në zgjedhje janë regjistruar 25 subjekte politike, ku 4 prej tyre janë koalicione. Në zgjedhjet e 6 tetorit  kandidojnë 1070 kandidatë për 120 vendet e parlamentit të Kosovës, ndërsa në listat e zgjedhësve rezultojnë 1 milionë e 900 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Bashkimi Evropian ka vendosur e një misioni prej rreh 100 vëzhguesve për zgjedhjet e 6 tetorit. Ndërsa policia e Kosovës ka marrë një plan masash për të siguruar një proces te qetë zgjedhor.

“Kërkojmë nga të gjithë bashkëpunim dhe të ketë raportim të rasteve eventuale që mund të paraqiten si gjatë fushatës ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve. Policia është e gatshme t’u përgjigjet gjitha situatave dhe e gatshme që të bashkëpunoj me gjithë aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor” thuhet në deklaratën e policisë së Kosovës.

Kosova fiton turneun e UEFA. Shqipëria e dyta

Të hënën janë luajtur ndeshjet e fundit të turneut “UEFA Development Tournament” për ekipet kombëtare të moshës U-15. Ndeshjet e këtij turneu u luajtën në Kamëz. Shqipëria si vend organizator, luajti kundër Estonisë, Kosovës dhe Taxhikistanit. Pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve, përfaqësuesja U-15 e Kosovës është shpallur fituese e turneut, duke fituar të gjitha ndeshjet me një bilanc prej 9 pikësh, 12 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar.

Në takimin e fundit të këtij turneu, Kosova luajti kundër përfaqësuese kuqezi të Shqipërisë, duke fituar me rezultatin 1:0, me golin e shënuar nga Elton Krasniqi. Ndërkohë, kombëtarja kuqezi e mbylli turneun në vendin e dytë me 4 pikë, ndërsa në vendin e tretë u rendit Estonia me 3 pikë dhe Taxhikistani në vendin e fundit me 2 pikë.

Në këtë turne, ekipi i Kosovës vendosi dhe një rekord, pasi fitoi kundër Taxhikistanit me rezultatin 8:0 në ndeshjen e parë, ndërsa në takimin e dytë mundi Estoninë me rezultatin 3:0. UEFA ia besoi Shqipërisë zhvillimin e këtij turneu, që organizohet për promovimin e talenteve të ekipeve kombëtare të moshave.

Renditja e FIFA/ Kosova vendos rekord, Shqipëria në vendnumëro

FIFA ka publikuar renditjen e përmuajshme të kombëtareve. Kreun e kësaj renditje  mban Belgjika, e cila vijojnë të jetë në formë të shkëlyqer në ndeshjet ndërkombëtare. Në “Top 10”
skuadrat e para ka pasur disa ndryshime, ku Franca është ngjitur në vendin e dytë, pas Belgjikës, ndërsa Brazili ka zbritur në vendin e tretë. Dhjetëshja e parë plotësohet me Anglinë në vendin e katërt, Prtugalinë, Uruguay, Spanjën, Kroacinë, Kolumbinë dhe Argjentinën.

Ndërkohë, kombëtarja jonë përfaqësuese mbetet në vendnumëro, pasi nuk ka ndryshuar pozicion. Kuqezinjtë mbajnë vendin e 64 në renditjen e FIFA-s edhe për këtë muaj. Ajo që ka pasur një tjetër përmirësim, është përfaqësuesja e Kosovës. Daradanët janë ngjitur në vendin e 119-të. Kosova është ngjitur me një vend në renditjen e FIFA-s, duke tërhequr vëmendjen e Qeverisë Botërore të Futbollit.

FIFA e ka promovuar  këtë rritje të Kosovës në faqen e saj zyrtare, duke shkruar “Kosova arrin rekordin  e lartë”. “Kosova, në vendin e 119) është shpërblyer për paraqitjet e tyre të mira në kualifikueset e UEFA Euro 2020, duke arritur pozitën e tyre më të mirë, të pasur ndonjëherë”, shkruhet në faqen zyrtare të FIFA-s.

Çekia qetëson Kosovën: Njohim pavarësinë

Deklaratat e bujshme dhe aspak miqësore ndaj Kosovës të presidentit çek Zeman, i ka hedhur poshtë ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček. Ministri Petříček tha se Çekia nuk ka aspak në plan të tërheq njohjen e shtetit të Kosovës, pasi nuk ka asnjë arsye ta bëj këtë. Me një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme e Çekisë ka deklaruar se tërheqja e njohjes së Kosovës nuk mund të ndodh dhe se mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie diplomatike e bashkëpunim dypalësh.

Qeveria e Republikës së Çekisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka dhënë pëlqimin për vendosjen e raporteve diplomatike. Është njohje ‘de jure’, pra është njohje e plotë dhe përfundimtare nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar. Republika e Çekisë asnjëherë nuk e ka tërhequr njohjen ndaj ndonjë shteti. Republika e Çekisë pa dyshim që ka një interes për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe obligimet që dalin nga bashkëpunimi dypalësh” thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë.

Ky reagim i qeverisë Çeke, vjen pas deklaratave të pazakonta të presidentit çek Milos Zeman, i cili tha para mediave gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç, se vendi i tij mund të rishikojë njohjen e Kosovës si shtet. Për shkak të këtyre deklaratave, Kosova bojkotoi pjesëmarrjen e saj në Samitin e Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor në Pragë.

Historia 22-vjeçare e kameramanit anglez për Kosovën: Nga Lufta te futbolli

Kosova luajti kundër Anglisë të martën në mbrëmje ndeshjen e radhës kualifikuese të Euro 2020. Dardanët bën një paraqitje të mirë në atë sfidë, pavarësisht rezultatit 5-3 në favor të Anglisë. Megjithatë, veç ndeshjes dhe spektaklit në fushë, vëmendjen e ka tërhequr edhe një tjetër detaj. Gjatë kohës që këndohej himni, kameramani që filmonte futbollistët duke kënduar ishte një person i quajtur Chris James.

Në fakt, deri këtu duket si gjithçka normale, pasi e njëjta gjë ndodhë në çdo stadium, ku një kameraman duhet të filmojë momentin e këndimit të himnit nga lojtrët duke kaluar me kamer përpara fytyrave të tyre.

Por, Chris James, aktualisht kameraman në ITV Sport, nuk ishte kaq i zakonshëm për tifozët e Kosovës. 22 vite më parë, pikërisht në vitin e largët 1997, Chris James ka xhiruar në Kosovë situatën e tensionuar dhe fillimet e luftës me Serbinë. Chris James ka qenë reporter në atë kohë, duke filmuar operacionet ushtarake ndërkombëtare dhe rolin e Britanisë së Madhe, ka treguar gazetari i ITV Sport, Garbiel Clarke.

22 vite më pas, kameramani që filmoi tmerrin në luftën e Kosovës, filmoi me kamerën e tij fytyrat e 11 lojtarëve të Kosovës që u përballën me kombëtaren e Anglisë. Ndonëse “Tre Luanët” triumfuan ndaj Dardanëve, tifozët e Kosovës në stadium nuk lanë pa shprehur mirënjohjen ndaj Anglisë, për rolin që ka pasur në pavarësinë e Kosovës. “Falë juve, tani ne luajmë kundër jush. Gjithmonë mirënjohës ndaj teje, Anglia jonë e dashur”, ka qenë një nga pankartat e shpalosura të martën në mbrëmje në stadiumit “St.Mary`s”, të Southamptonit.

Fitorja me Çekinë, gazetari i The Guardian: Kosova, Brazili i Ballkanit

Gazetari i The Guardian, Bryan Armen Graham, e ka cilësuar Kosovën si ‘Brazili i Ballkanit’ pas fitores 2-1 ndaj Republikës së Çekisë në ‘Fadil Vokrri’ dhe lojës së bukur që zhvilloi.

“Kosova është e 120-ta në botë, e pamposhtur në 15 ndeshje, gjatë një periudhe pothuajse dyvjeçare dhe tani e kryesojnë grupin e tyre në kualifikimet për EURO 2020 për të paktën disa orë. Brazili i Ballkanit”, shkruan Bryan Graham.

Kosova renditet e para në Grupin A me 8 pikë, për kualifikueset e euro 2020. Pas ndeshjes me Çekinë, Kosova pritet do të përballet me Anglinë në ‘St Mary’s Stadium’ të Southamptonit.

Fitorja me Çekinë, trajneri Challandes: Ishim të jashtëzakonshëm

Kosova fitoi ndaj Republikës Çeke 2-1, duke u ngjitur në krye të Grupit A me 8 pikë, për kualifikueset e euro 2020. Pas ndeshjes, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur në konferencën për shtyp, duke u shprehur i kënaqur me lojën e skuadrës së tij.  “Ishte stabiliteti i duhur, kemi parë një skuadër të jashtëzkonshme dhe kishim një kundërshtar shumë të mirë përballë. Duhet të jemi krenarë se kemi punuar shumë për këtë ndeshje, kemi luftuar, kemi parë mbrojtësit që larguar raste nga vija, kemi kërkuar të shënojmë”, tha Challandes.

Pa Rashicën në fushë, Challandes u shpreh se skuadra reagoi në grup, ndërsa tregon se kundërshtari ishte i fortë. “Unë nuk flas për një skuadër të dytë. Ne kemi lojtarë që mund të luajnë në mesfushë apo në sulm. Nëse na mungojnë një dy ose tre lojtarë, skuadra jep reagimin si skuadër. Problemi ishte kundërshtari i fortë, ne mundoheshim të mbanim topin, por në momentin që topi humbej ne duhej të mbroheshim dhe vetë të mbroheshim. Kundërshtari ishte kualitativ dhe ne duhet të mbroheshim”, ka thënë trajneri austriak.

Në fund ai ka folur dhe për problemet në skuadër, duke treguar se pavarësisht fitores, ekipi pati disa luhatje në aspektin individual. “Përdorëm situatën dhe e kuptova këtë situatë, ndryshova disa pozicione dhe kam thënë se vetëm një ndeshje kolektive mund të na shpëtoj. E di situatën dhe e kam pranuar këtë situatë, dikush e humbi përqëndrimin dhe dikush luajti më shumë. Normalisht ata kanë lojtarë të gjatë, kemi parë se si u shënua goli i tyre. Dy tre prekje dhe supergol, Por, ne me lojtarët tanë treguam që ditëm të përballëshim”, ka thënë trajneri i Kosovës

Skip to toolbar