Kurti në “Real Story”: Ndaj Serbisë, kam kërkesa, jo oferta

Lideri i Vetëvendosjes në Kosovë Albin Kurti, në intervistën dhënë gazetarit Sokol Balla për emisionin “Real Story”, foli edhe për marrëveshjen me Serbinë. Albin Kurti u shpreh se do t`i kërkojë Serbisë borxhin që i ka Kosovës. “E po, kështu, një farë mënyre Vuçiç ka kërkuar që ne shqiptarët të tregojmë se çka jemi në gjendje që të japim, në mënyrë që me të të diskutojmë për gjithçka. Jo jo, Unë, oferta ime për Serbinë është kërkesa e borxhit që na e ka. Pra oferta ime është kërkesë, do t`ja rendisim 10 mijë civilë të vrarë, 20 mije vajza e gra të dhunuara, 1500 të pagjetur, 1200 vepra kulturore të plaçkitura, depozita bankare, fondin pensional edhe degët e ndërrmarjeve tona shoqërore nëpër Serbi”, tha Kurti.

Albin Kurti u shpreh se ai do të jetë kryeministri i parë i Kosovës, që do t`i kërkojë zyrtarisht borxhin Serbisë, duke vënë në dijeni dhe partnerët ndërkombëtarë. “Kjo është fatura e Serbisë, minimale, ndoshta dhe Serbia ka faturë për neve duhet t`ja shoh, por unë nuk e kam ndërmend ta përfaqësoj askënd tjetër përveç Kosovës edhe shqiptarëve. Prandaj unë kam kërkesa jo oferta. Pse duhet ti bëj unë oferta Serbisë, a pak kemi paguar çmim ne tash e një shekull e gjysëm me Serbinë. Pra, unë mendoj që Serbia na ka borxh edhe unë do ta kërkoj borxhin. Jam kryeministri i parë që zyrtarisht Serbisë do tja kërkoj borxhin dhe Brukselit, Washingtonit, New Yorkut, Londrës, Parisit e Berlinit do tua dërgoj kërkesën për të na e kthyer Serbia borxhin”, tha Kurti.

Albin Kurti shprehet se kthimi i borxhit nga serbia, është detyrim ndaj të rënëve në luftë. “Sokol, dy shqiptarë; kur njëri ja ka borxh tjetrit 2000, euro s`ja fal. Unë jam për me e lënë atë borxhin 2 mijë euro, e këtë borxhin me miliarda që na e ka Serbia t`ja kërkojmë. E kemi obligim ndaj dëshmorëve, martirëve, ndaj mbi një mijë fëmijë të vrarë. Mbi një mijë fëmijë i kemi të vramë, 744 kufoma shqipëtare janë varrosur në Kosovë, janë zhvarrosur në Kosovë, janë dërguar në Serbi, janë varrosur në Serbi, janë zhvarrosur në Serbi, edhe aty është poligoni i qitjeve pa asnjë shenjë se ka qenë varrezë masive e shqiptarëve. E ndërkohë ata që i kanë vrarë janë dënuar në Hagë, disa prej tyre, dhe a e din ku janë tash, japi, mësim në akademinë ushtarake në Beograd”, tha Kurti./Realstory.al/

Kosova e Mali i zi nën hetim

UEFA nis hetimin ndaj Federatës Kosovare të Futbollit për ndeshjen e 14 tetorit kundër Malit të Zi, e vlefshme për kualifikueste e Euro 2020.

FFK do të hetohet për hedhjen e sendeve të ndaluara në fushën e lojës, sipas Rregullores Disiplinore të UEFA-s.

Në sfidën kundër Malit të Zi, që Kosova e fitoi me rezultatin 2-0, tifozët hodhën sende në fushën e lojës, të cilat janë të ndaluara nga rregulloret e UEFA.

Ndërkohë, nën hetim disiplinor është dhe Federata e Malit të Zi, e cila do të hetohet gjithashtu për hedhjen e sendeve të ndaluara në fushën e lojës dhe sjelljen e gabuar të tifozëve.

Në takimin e së hënës, në pushimin mes pjesëve, tifozët e Malit të Zi nisën një sherr me tifozët vendas, që fatmirësisht u shua shpejt pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë.

Vendimi për hetimin do të jepet në datën 21 nëntor në mbledhjen e radhës të Kodit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA.

Haradinaj jep dorëheqjen. Nuk pranon mandatin e deputetit

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk do të jetë deputet i Kuvendit kosovar në legjislaturën e ardhshme. Ndonëse fitoi mandatin në zgjedhjet e 6 tetorit, Haradinaj deklaron se nuk do të ulet në Kuvend, por vendin e tij do ta lërë atë për kolegët. Ai shprehet se tani e tutje do të vijojë të reformojë Aleancën për Ardhërminë e Kosovës, për ta rikthyer atë më të fuqishme.

“Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyertë e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis. Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Duke falënderuar 100 mijë votuesit e AAK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, Haradinaj bën thirrje për konstituimin e institucioneve sa më parë. Ndërkohë, Ramush Haradinaj shprehet se për interesin e Kosovës, ai do të jetë krah kundërshtarëve politik.

“Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi. Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës. Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njejtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor”, shkruan Haradinaj.

Pjesa e parë/ Shqipëria shkatërron Moldavinë. Kosova kryevepër ndaj Malit të Zi

Kombëtarja e ka mbyllur në avantazh 3-0 pjesën e parë ndaj Moldavisë. Pas golit të Cikalleshit, Shqipëria dyfishoi rezultatin ndaj Moldavisë në minutën e 34`. Mesfushori Keidi Bare, që në këtë ndeshje është aktivizuar në pozicion më të avancuar, gjeti rrjetën pas një gabimi të portierit kundërshtar. Gardiani i portës moldave humbi kontrollin e topit, dërsa Bare përfitoi duke e dërguar në rrjetë.

Ndërkohë, në minutën e 39` të sfidës erdhi dhe supergoli i Lorenc Trashit. Mbrojtësi i Partizanit gjeti rrjetën duke shënuar një gol fantastik me këmbën e majtë nga jashtë zonës.

Një gol që do ta kishte zili edhe një sulmues profesionist. Kështu kuqezinjtë e mbyllin në avantazh pjesën e parë ndaj skuadrës moldave, duke dominuar në gjithçka.

Edhe Kosova dyfishoi ndaj Malit të Zi në minutën e 34` me Muriqinin. Dardanët gjetën rrjetën me një gol spektakolar, pas dy tentativave dhe një gafe të portierit malazez. Kosova e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë me rezultatin 2-0 ndaj Malit të Zi duke bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Euro 2020.

Kosova në avantazh ndaj Malit të Zi

Kosovës i mjaftuan vetëm 10 minuta lojë për të gjetur golin ndaj Malit të Zi në ndeshjen kualifikuese që po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Një goditje nga këndi e ekzekutuar perfekt nga Besar Celina, gjen kokën e Amir Rrahmanit që shënon dhe kalon në avantazh “Dardanët”.

Nëse fiton, Kosova shkon në kuotën e 11 pikëve, duke siguruar vendin e tretë në Grupin A. Ndërsa mbetet ende në garë për kualifikimin në Euro 2020.

Kallaku: Vëllezër me Kosovën, pas ndeshjes

Sherif Kallaku do të mbajë shiritin e kapitenit të ekipit kombëtar U-21 të martën në përballjen ndaj Kosovës. Në konferencën për shtyp, Kallaku tregoi se ende nuk është në formë optimale pas dëmtimit, por beson se është gati për përballjen ndaj vëllezërve kosovarë. “Kalova një dëmtim njëmujor dhe tani të jem realist nuk mendoj se ndihem në formën time optimale, pasi kam shumë për të dhënë. Gjithsesi ndihem shumë mirë për ta luajtur këtë ndeshje dhe për të bërë një paraqitje të mirë”.

Ndonëse Kosova është më mirë se Shqipëri, të paktën në renditjen e kualifikueseve, Sherif Kallaku shprehet se kuqezinjtë janë më mirë në cilësi. Sipas tij, skuadra nuk duhet të jetë në presion dhe ta shohi si ndeshje të radhës. “Siç e tha edhe profesori, ata kanë më shumë pikë se ne. Dua të theksoj se kualiteti tek ne është pak më i madh se tek ata. Kemi punuar mirë në stërvitje dhe do ta përballojmë këtë ndeshje. Duhet ta shikojmë thjesht si një ndeshje të radhës, që duhet të marrim tre pikët. Për ne është detyrim. Të gjithë, të 11 lojtarët, jemi lider. Nuk është se jam vetëm unë lider”.

Për Kallakun, ndeshja ndaj Kosovës mund të quhet vëllazërore, por rëndësia e tre pikëve e bën atë të mos jetë e tillë. “Normalisht mund të quhet ndeshje vëllazërore, por janë kualifikuese dhe janë detyrim tre pikët. Nuk do futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Normalisht që është një derbi. Është një derbi ku gjëra të tipit “jemi vëllezër” nuk vlejnë brenda 90 minutave. Pas ndeshjes jemi vëllezër dhe rrimë sëbashku”, përfundoi fjalën e tij kapiteni 21 vjeçarëve kuqezi.

Schengen Ballkanik/ Ftesa për Kosovën, përplas analistin dhe zëvendësminsitrin

Analisti Arion Sulo është “përplasur” me zëvendës ministrin e Jashtëm Etjen Xhafaj, në lidhje me mini-Schengenin Ballkanik. Në studion e “Real Story”, Arion Sulo pyeti zëvendësministrin se pse Kryeministri Edi Rama nuk i kishte dërguar ftesë Kryeministrit të Kosovës për këtë takim.

“Nuk mund të kemi Shengen Ballkanik, në rast se Sebria nuk njeh Kosovën. Pse Shqipëria nuk i bëri ftesë Kosovës të marrë pjesë? Rama pse nuk i bëri ftesë kryeministrit të Kosovës?”, tha ndër të tjera Sulo.  Ndërkohë, Etjen Xhafaj u shpreh se organizatorë të tryezës ishin të tre vendet, ndërsa sipas tij, mënyra si shprehej Arion Sulo, ishte dashakeqësi ndaj vendit.

“Organizatorët ishin të tre. Është e qartë që ka probleme mes dy vendeve, kanë një proces dialogu. Ka vetëm një dokument ku thuhen vetëm qëllimet. Kështu e interpretoni ju. Jeni dashakeq ndaj vendit tuaj” tha Xhafaj. /Realstory.a/

Crvena Zvezda ndalohet të hyjë në Kosovë, për Kupën e Serbisë

Ekipi i Crvena Zvezdës, u ndalua të futet në territorin e Kosovës në pikën kufitare të Jarinjës. Klubi nga Serbia udhëtoi drejt pikës kufitare të mërkurën, pasi kishte planifikuar të zhvillonte një ndeshje me klubin e Trepçës serbe, e cila ishte e vlefshme për Kupën e Serbisë. Megjithatë, Federata e Futbollit të Kosovës nuk pranoi që kjo ndeshje të luhej, pasi sipas saj, të drejtën për të organizuar gara sportive në territorin e Kosovës e ka vetëm FFK.

Në këtë mënyrë, Federata Kosovare e Futbollit kërkoi nga Policia që të ndalonte futbollistët serbë që të futeshin në territorin e Kosovës, së bashku me tifozët që i shoqëronin. Ndërkohë, klubi serb reagoi duke u shprehur se për ndeshjen e të mërkurës, ata morën rekomandim nga FIFA.

“Ne erdhëm për të luajtur futboll, të luajmë futboll dhe të bëjmë sport, por kjo na u mohua. Përkundër faktit se e kishim rekomandimin nga FIFA për ta zhvilluar ndeshjen ndaj Trepçës në Mitrovicë, institucionet e Kosovës e injoruan këtë këshillë. Kur iu afruam pikës kufitare për të kaluar andej, Policia e Kosovës arriti dhe na tha se e kishim të ndalur të futeshim në territorin e Kosovës”, shprehej ndër të tjera klubi i Crvena Zvezdës.

Ndërkohë, së bashku me autobusin e futbollistëve, të pranishëm në pikën kufitare të Jarinjës ishin dhe shumë tifozë nga Serbia, të cilët do të mbështesnin lojtarët e tyre në takimin kundër Trepçës. Tifozët, të cilët u ndaluan të hynin në territorin e Kosovës, provokuan me thirrje anti-shqiptare, por nuk raportohet për incidente. Ndërsa në pikën kufitare ishin të pranishëm drejtues të klubit serb dhe kreu i Listës Serbe në Kosovë, Goran Rakiç. Ndeshja mes Crvena Zvezdës do të luhet të enjten, por në Serbi.

Harxhi në Real Story: Leksionet që na dha Kosova. E bindur për koalicion VV-LDK

Ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edith Harxhi, e ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, e cilësoi procesin zgjedhor në Kosovë si “votim skandinav”. Ajo vlerësoi lartë standardet e zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, duke u shprehur se i dhanë Shqipërisë disa leksione. “Vetëvendosja nuk është ajo që ka qenë më përpara. Ka evoluar shumë. Leksioni i parë është ai i qytetarisë në zgjedhjeve. Unë e kam quajtur “votim skandinav”. Ishin zgjedhjet që kishin numrin më të madh të votuesve. E dyta, është mënyra e pranimit të rezultatit, normalisht dhe numërimi aq i shpejt, tregon që KQZ funksionon shumë mirë atje, nuk mund të them që është e depolitizuar krejtësisht”, tha Harxhi.

Duke vlerësuar pranimin e rezultatit nga partitë politike në Kosovë, Edith Harxhi u shpreh se edhe në këtë aspekt ishte leksion për Shqipërinë. Ndërkohë, sipas Harxhit, diferenca e ngushtë mes dy partive fituese, e bën normale kontestimin e rezultatit. “PDK, Veseli doli e pranoi humbjen. Ishte mjaft e mirë për Kosovën dhe një leksion për Shqipërinë. Me një rezultat aq të ngushtë, i ndan vetëm 1 deputet, në çdo vend demokratik të botës do kishte një lloj kontestimi. LDK duhet ta kishte bërë që dje. Por nëse shihni kontekstin pse kërkuan për rinumërim, ishte për mënyrën e printimit të fletëve”, tha Edith Harxhi.

Më tej, diplomatja shqiptare, shprehet se LDK është në pozicion komod për negociatat e koalicionit qeverisës. Edith Harxhi vlerëson dy figurat kryesore të opozitës, që fituan zgjedhjet, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. “LDK është në pozicion komod për negociatat. Ajo që është më e rëndësishme është ardhja e dy të rinjve. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Një zonjë që ka kritikuar shpeshherë linjën kryesore të partisë së saj, por është pranuar si e tillë. Baza e LDK-së ishte ajo e vjetra, por Mustafa duhet përgëzuar”, tha Harxhi.

Në këtë kontekst, ajo bëri një analogji të LDK-së me simotrën e saj në Shqipëri, Partinë Demokratike. Duke krahasuar figurën e Isa Mustafës për ruajtjen e unitetit në parti, ajo kritikoi Berishën, që nuk bëri të njëjtën gjë në PD, duke i lënë dorë të lirë Bashës për largimin e kritikëve nga partia. “Ndonjëherë unë bëj dhe analogji me Shqipërinë, ndonjëherë është shumë e vështirë të ruash unitetin politik. Ajo që ndodhi me LDK, edhe ata që ishin kundër Vjosa Osmanit, u zgjodhën në krye të fushatës. Fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri. Në rastin aktual, për mua LDK është fituese morale e këtyre zgjedhjeve”, tha Harxhi.

Në fund, ajo u shpreh se sfida më e madhe për dy partitët fituese nuk do të jetë koalicioni qeveritar, por dialogu me Serbinë. “Albin Kurti, tregon një trend shumë pozitiv për gjeneratën e re të politikanëve. Dy vitet e fundit është maturuar shumë. Për mua sfida kryesore nuk është thjesht krijimi i qeverisë së Kosovës, është dialogu me Serbinë. Këto dy parti do të jenë ato që do të drejtojnë dialogun në Kosovë”, shtoi Edith Harxhi. Ajo shtoi se mbi të gjitha Kosova edhe pse nuk ka qenë shtet, nuk del mbi ligjet e shtetit dhe i respekton ato, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri. /Realstory.al/

Zaimi: Albin Kurti do drejtojë dialogun me Serbinë

Dialogu me Serbinë duket se ishte një nga arsyet kryesore, pse Ramush Haradinaj la postin e Kryeministrit dhe dërgoi Kosovën në zgjedhje. Ngërçi i krijuar prej kohësh, pirtet të jetë në krye të axhendës të qeverisë së re të Kosovës. I ftuar në “Real Story”, Koordinatori i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi sqaroi planin me katër pika që ka partia fituese e zgjedhjeve për të dialoguar me Serbinë.

“Politika e jashtme në Kosovë u bë politikë e brendshme. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë gjë, duke thënë se Presidenti nuk mund të drejtojë dialogun. Është kryeministri që e drejton këtë proces. Kurti do të jetë drejtuesi i dialogut. Ne kemi propozuar një plan për disa hapa për dialogun. Duhet ta nisim me marrëveshjet, të shohim sa janë zbatuar”.

“Pastaj, mbajtja e përgjegjësisë nga personat që kanë lidhur marrëveshje me kosto për Kosovën. Këta persona duhet të mbajnë përgjegjësi politike dhe ligjore. Hapi i tretë ka të bëj me përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare, për hartimin e një platforme parlamentare çfarë duam nga dialogu. Hapi i katërt është realizimi i grupit konkret”, tha Zaimi. /Realstory.al/

Skip to toolbar