Kurti: O unë kryeministër, ose zgjedhje të reja

Kryeministri i ri i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurti tha se sheh vetëm LDK-në si pjesë të koalicionit për të formuar qeverinë dhe nëse kjo marrëveshje nuk arrihet atëherë do të ketë zgjedhje të tjera. Albin Kurti, i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24, tha se Kryeministër do të jetë ai dhe në qeveri Vetëvendosja, ose vendi do të hyjë sërish në zgjedhje.

Është destin i yni që ne të qeverisim bashkë me LDK. Nuk ka mundësi tjetër. Ose Vetëvendosje në Qeveri dhe unë Kryeministër i ri, ose zgjedhje të parakohshme. Unë nuk kam frikë nga zgjedhjet. ” tha Kurti, i cili shtoi se ka një bashkëpunim shumë të mirë me LDK-në, e ka pasur që në opozitë dhe shpreson që ta reflektojë edhe në qeverisje. Ai shpreson se do të bëjnë një harmonizim të programeve të tyre për të formuar një koalicion të mirë qeverisës.

Në lidhje me Vjosa Osmanin Kurti shprehu vlerësimet e tij, por tha se ende nuk është arritur një dakordësi për ndarjen e posteve qeverisëse.

Kandidatura dhe fushata e Vjosa Osmanit i ka inkurajuar shumë vajza që të merren me politikë.  E falenderoj për këtë dhe dua të bashkëpunoj me të në çdo kapacitet që ajo dëshiron. Nuk kemi ende një harmonizim të programeve për të ndarë dhe detyrat e posteve qeverisëse. Me LDK-në deri më tani kemi dakordësuar që të kemi 12 ministri, që të kemi vetëm një ministër serb dhe që të kemi 30%  gra.” tha Kurti  / Real Story

Kosovë, Kurti-Osmani arrijnë paktin për qeverinë e re

Kosova arrit marrëveshjen për të krijuar një qeveri të re mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani zhvilluan takimin, ku u dakordësuan të krijoni një qeveri së bashku, më të tkurrur në numër ministrash, por me produktive në punë. Nuk është bërë ende një ndarje e posteve pasi marrëveshja finale pritet të kryhet pasi të mbarojë numërimi i votave në 303 qendra votimi dhe shpallja e rezultati final nga KQZ-ja.

Vjosa Osmani tha se të dy partitë treguan një vullnet të mirë për të krijuar një qeveri së bashku, por po presim numërimin e të gjithë votave për të arritur marrëveshjen finale.

“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë”, ka thënë Osmani.

Albin Kurti tha se dy partitë Vetëvendosja dhe LDK-ja do të ulen për të harmonizuar programet. Ai theksoi se qeveria e re do të jetë më e vogël dhe se 30 % e saj do të jetë nga femrat.

“Pazare politike keni parë me PAN-in. Transparencë do të ketë qeveria e re. Natyrisht që Kosova ka humbur shumë kohë, dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Dhe pa humbur kohë në filluam bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët për Qeveri sa më efikase dhe shtet sa më të fuqishëm. Ne duam që ti dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi e demokracia.

U dakordësua, që të kemi një qeveri prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor minimalisht do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zëvendësministrave. Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet e projektet tona. Ne kemi diskutuar se si do t’i zvogëlojmë bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar. Porsa ta kemi rezultatin konkret  ne do të ju njoftojmë për emrat e përveçqë në qeverinë e ardhshme” tha Kurti

Mero Baze: Leksionet Kosovare, që s’vlejnë për ne

Nga Mero Baze

Ka një entuziazëm fals për disa aspekte të zgjedhjeve në Kosovë, siç është numërimi i shpejtë i votave, (në fakt jo dhe aq i shpejtë se akoma s’kanë mbaruar), pranimi i humbjes nga partia në pushtet,  mungesa e incidenteve, apo sistemi elektoral.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, numërimi i shpejtë i votave bie vërtetë në sy për mirë, por problemi nuk është as te KQZ e Shqipërisë, as te ndonjë mekanizëm vjedhjeje, por te një ndryshim dramatik i ligjit elektoral në zgjedhjet e vitit 2003, i cili imponon numërimin në qendër të KZAZ, të gjithë qendrave të votimit.

Ndryshimi u bë pas këmbënguljes dhe vetos së Sali Berishës në reformën e atëhershme zgjedhore, pasi kishte pretendimin, se votat që numërohen në qendrën e votimit, siç numërohen në gjithë botën, janë nën presion dhe mund të vidhen.

Në rrethant e zgjedhjeve të Ilir Metës të vitit 2001, që ishin të dhunshme dhe ku u përdorën policë e banditë për t’i vjedhur votat, kërkesa kishte kuptim.

Në vitin 2019 është një situatë krejt tjetër. Votat mund të  numërohen lirshëm në çdo qendër votimi dhe Shqipëria në orën 20:30 ka rezultatin e votimit në gjithë vendin. Nuk ka nevojë për numërues, nuk ka nevojë për para shtesë, por për pak komisionerë dhe nga një smartphone në çdo qendër votimi që raporton.

E ka pasur këtë më 91, 92, 94 , 96, 97, 2000 e 2001. Prandaj këta të habiturit nga përfundimi i shpejtë i zgjedhjeve në Kosovë, që në fakt akoma s’kanë mbaruar, duhet të shikojnë arsyen pse ndodh kjo, dhe jo të bëjnë hartime patetike duke krahasuar dy sisteme, që nuk janë të njëjta.

Mungesa e incidenteve në këto zgjedhje në Kosovë ishte vërtetë arritje dhe kjo ka ardhur nga fakti, se gara ishte e copëzuar, kishte shumë parti që garuan vetëm dhe nuk kishte protagonizëm blloqesh të sigurta.

Në zgjedhjet e mëparshme në Kosovë ka pasur “vjedhje industriale” votash, siç i ka përshkruar ambasadori amerikan zgjedhjet e vitit 2012, apo incidente pa fund më 2017, pasi blloqet politike ishin të pozicionuara mes tre palëve. Në këto zgjedhje Vetëvendosja ishte vetëm, LDK vetëm, dhe ish-partitë në pushtet në tre pjesë.

Nëse do të kishim koalicionet parazgjedhore të vitit 2017, siç ishte PAN, zgjedhjet do kishin tjetër rezultat. Me aq vota sa kanë marrë partitë e ish PAN, sot do kishin marrë 37 për qind dhe do ishin fituese të zgjedhjeve. Ndarja e tyre në tre pjesë ka ulur PDK në 22 për qind dhe ka lënë parti të parë Vetëvendosjen, e cila po ashtu ka rënë me 2 për qind nga 2017. E vetmja parti që është rritur në këto zgjedhje është LDK, falë Vjosa Osmanit.

Mungesa e përballjes së koalicioneve të forta e ka bërë më qytetare fushatën, pasi dhe protagonizmi ka qenë shumë i shpërndarë në disa parti.

Lidhur me pranimin e rezultatit e vetmja shenjë ishte deklarata e Kadri Veselit dhe Haradinajt për pranimin e humbjes, por nuk është se kanë pasur ndonjë mundësi tjetër. Në rastin e Haradinajt, kur merr 10 për qind, nuk ke çfarë pret të kontestosh.

Në rastin e Veselit deklarata ishte një shenjë ç’tensionuese, por ishte personale dhe jo e PDK. Partia e tij PDK, nuk e pranoi rezultatin dhe kërkoi rinumërim kombëtar të votave, pasi diferenca 3 për qind me fituesin, i ka futur në dyshime për manipulime. Kërkesa i është hedhur poshtë nga Paneli zgjedhor për ankesa.

Pra dhe në këtë rast nuk është se kemi ndonjë pranim të rezultatit me aq dëshirë.

Në Shqipëri kultura e mospranimit të rezultatit është kulturë e Sali Berishës. Ai nuk ka njohur asnjë palë zgjedhje që ka humbur, ndërsa Edi Rama ka njhur dhe zgjedhjet që ia vodhën live në TV me dhjetë vota. Sali Berisha nuk ka njohur as referendumin për kushtetutën e vitit 1998, që më vonë e “mbronte”. Por dhe ky nuk është se ka shqetësuar njeri me këtë zakon, pasi është shumë i llogaritur në këtë pikë. Të gjithë e dinë që nuk e pranon humbjen dhe aq. Ai ka pas qenë zemëruar keq me Besnik Mustafaj dhe Sokol Olldashin që pranuan me mendje të tyre humbjen me Ramën dhe u ka mbajtur qëndrim për këtë. Biles tani siç e shikoni nuk pranon as humbjen e Lulit me mandatet që dogji dhe e ka shpallur fitore, shkatërrimin e PD.

E vetmja gjë që duhet diskutuar me përgjegjshmëri nga përvoja e Kosovës, është sistemi zgjedhor.

Kosova ka propocional kombëtar, me preferencë për 5 kandidatë. Pra nuk janë lista të hapura, por preferenciale. Ti ke të drejtë të zgjedhësh pesë më të mirët, nga 100 që ka lista.

Greqia ka sistem më afër natyrës sonë, pra një sistem propocional rajonal, me preferencë, por me një “primë” për partinë fituese, që merr mbi 29 për qind, duke e çuar në 50 për qind. Sistemi grek është sistem antikrizë, që nuk të lë në duar të partive gjobvënëse, dhe që respekton fituesin. Ai është më afër realitetit shqiptar dhe ka funksionuar prej tre dekadash. Listat tërësisht të hapura, në një sistem propocional kombëtar, siç kërkojnë disa parti të vogla, është derë e hapur për çdo biznesmen apo bandit që mund të sigurojë aq vota, sa për vete duke u kthyer pastaj në faktorë politikë.

Nëse ka sistem kombëtar propocional, duhet deomos të ketë një “primë” për të çliruar fituesin nga gjobvënësit e vegjël. Në të kundërt, ky sistem që është, me preferencë deri në pesë përqind të listës  për çdo qark, do ishte i mjaftueshëm.

Për mua më rëndësi ka aspeti teknik i reformës, numërimi i shpejtë në qendër votimi, depolitizimi i komisioneve duke vendosur nëpunës publikë, si për shembull 3 mësues në çdo KZV dhe tre gjyqtarë në KZAZ dhe kështu partitë shpëtojnë nga shpenzime dhe stresi i komisionerëve. Një përpjekje për numërim elektronik do të ishte dhe më e mirëpritur, por dhe numërimi me dorë në qendra votimi e zgjidh situatën.

Shqipëria i ka pasur të gjitha sistemet zgjedhore. Më 31 Mars të 1991, e kemi nisur me mazhoritar të pastër, kemi vazhduar me mazhoritar me korrektim propocional, pastaj me korektim mazhoritar, e në fund me sistem propocional rajonal. I kemi provuar të gjithë leksionet e sistemeve dhe nuk na e ka fajin sistemi, por kultura politike brenda partive, mungesa e demokracisë brenda tyre, dhe pamundësia për të reformuar partitë që janë teknikisht të gjitha të paligjshme pasi në fillim kanë vjedhur zgjedhjet e tyre, pastaj votat e popullit. E para gjë që duhet bërë këtu, është që zgjedhjet brenda partive t’i bëjë KQZ dhe t’i certifikojë gjykata.

Nga këtu mund të fillojë një revolucion i ri, pasi do të zgjohet gara e vërtetë brenda partive dhe nuk mund të bëhen zgjedhje si ato Basha-Olldashi, ku fletët ishin me numër rendor për të identfikuar votën, listat në dorë të Bashës, dhe numëruesit badigardë të Berishës. Nuk mund të ketë demokraci dhe zgjedhje të lira në Shqipëri, pa demokraci dhe zgjedhje të lira në partitë shqiptare, ku kryetarët nuk humbasin prej 30 vitesh dhe ankohen pastaj për sistemet zgjedhore.

Mediat e huaja: Politikanët e rinj mundën gjeneratën e vjetër

Zgjedhjet në Kosovë tërhoqën vëmendjen edhe të mediave të huaja, duke pasqyruar rokadën që krijoi opozita, e cila doli fituese, ndërsa politika e vjetër për herë të parë doli në opozitë pas më shumë se një dekadë.

“Partitë e opozitës pretendojnë numrin më të madh të votave në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës. Vetëvendosja parti e qendrës së majtë dhe Lidhja Demokratike parti e qendrës së djathtë (LDK) pritet që secili të fitojë rreth 25% të votave. Të dy palët premtojnë të trajtojnë papunësinë dhe të luftojnë krimin dhe korrupsionin. Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se do të “trokiste në derën e LDK” të hënën për të filluar negociatat.” shkruan ndër të tjera BBC në artikullin e saj.

Ndërsa Deutche Welle, në edicionin e saj në gjuhën serbe, në një artikull me titull “Zotërinjtë e Luftës mposhten bindshëm”, i bën jehonë suksesit paraprak të opozitës në Prishtinë. DW thotë se kjo është hera e parë që qeveria e re do të mund të projektohet pa politikanët që kanë qenë pjesë e UÇK-së.

Ndërkohë, “Euronews” ka shkruar se mes shqetësimeve më të mëdha të vendit janë korrupsioni i rrënjosur thellë dhe një marrëveshje paqeje me Serbinë që mund të shtrojë rrugën për një anëtarësim të Kosovës në OKB. “Sipas sondazheve, pakënaqësia publike me arritjet e Haradinajt në krye të koalicionit trepalësh ka rritur mbështetjen për partitë opozitare”.

“Vetëvendosja” fiton! Albin Kurti kryeministër, ftesë LDK-së për koalicion

Lëvizja Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin kryeson zgjedhjet në Kosovë duke u bërë kështu kryeministri i ardhshëm i vendit. KQZ njofton se janë numëruar 95,79 % të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 që janë gjithsej.

Nga votat e numëruara kryeson LVV me 25,05%  ose 197,966 vota dhe më pas vjen LDK, me një rezultat të ngushtë 25,05%, apo 192,300 vota.

Në vend të tretë është renduar partia e Kadri Veselit PDK me 21.15 %  ose 162,342 vota. Ndërsa Ramush Haradinaj pësoi një humbje të thellë duke u rendur në vend të katër me 11,63% ose 89,287 vota nga koalicioni i AAK dhe PSD.

Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti ka pranuar rolin e tij si kryeministër i Kosovës, ndërsa deklaroi se do i bëj ftesë LDK-së për të krijuar koalicionin qeverisës. Gjatë fjalës së tij para mbështetëse dhe qytetarëve në sheshin e Prishtinës, Kurti premtoi se do krijoj një qeveri të qëndrueshme dhe do të mbajë të gjitha premtimet e dhëna. Kurti përgëzoi edhe rivalen  e tij, kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani për fushatën që ka bërë, dhe shtoi se ajo dha një model për shumë gra dhe vajza shqiptar.

Sigurisht se ne gjithmonë i kemi konsideruar LDK-në si partnerë në opozitë. Kemi bërë hapa të bashkërenduar. Fatkeqësisht nuk arritëm ta shndërrojmë në projekt të përbashkët si deshëm. Së bashku do t’i kemi 60 deputetë. Unë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës preferoj një qeveri stabile dhe patjetër e shoh si partnerë LDK-në. Nesër do ta ftoj LDK-në për të krijuar koalicionin.”- tha Kurti.

Partië e tjera PDK dhe AAK pranuan humbjen dhe daljen e tyre në opozitë duke vlerësuar procesin e zgjedhjeve për frymën demokratike që mbajti.

Veseli pranoi humbjen dhe tha se “PDK ka një rol të ri pas 12-vjetësh atë të opozitës”, ndërsa Ramush Haradinaj u shpreh se “bëri mirë që dha dorëheqjen  dhe se vendimi i tij për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, u vërtetua që ishte veprim i drejtë.”

Zgjedhjet demokratike në vend u vlerësuan si nga politikanët e Kosovës, duke e njohur si meritë të të gjithë partive, ashtu edhe nga ndërkombëtarët për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt, të lirë dhe demokratik.

Kosovë, votuesja e veçantë

109 vjeçe dhe kërkon që të shpreh fjalën e saj përmes votës. Kjo është Xhemile Susuri, me origjinë nga Shqipëria. 109-vjeçarja është shfaqur e shoqëruar nga nipi në qendrat e votimit për të hedhur votën e saj.

Edhe pse e moshuar, Susuri nuk ka nguruar që në 6 tetor të japë kontributin e saj në këtë historik për vendin e Kosovës dhe të ardhmes së tij.

Prania e saj në votime, është mesazhi më i mirë që mund t’i jepet të gjithë qytetarëve dhe rinisë, që duhet të shkojnë të thonë fjalën e tyre përmes votës dhe të ndihmojnë në një të ardhme sa më të mirë të vendit.

Voton politika: Sot le të fitojë Kosova

“Dilni votoni”, “votoni për fatin e Kosovës dhe të ardhmen tuaj”, apo “ sot le të fitojë Kosova” janë disa nga thirrjet që politika i ka bërë qytetarëve të saj për të marrë pjesë në votime e 6 tetorit në Zgjedhjet e parakohshme në vend. Qendrave të votimit i janë drejtuar liderët e partive kryesore në vend dhe përfaqësuesit e lartë të shtetit në Kosovë, ku të gjithë bënë thirrje për pjesëmarrje aktive në votimeve të qytetarëve.

I pari që u drejtua në qendrën e votimit ishte kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili hodhi votën e tij në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, për hajër na qoftë të gjithëve”, ka thënë Veseli.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Alin Kurti është drejtuar godinës së Fakultetit Juridik për të hedhur voton. Kurti bëri thirrje për qytetarët që të dalin në votime dhe të thonë fjalën e tyre.

“Sot është një ditë e veçantë, të gjitha partive u përgjigjet populli. Nuk ka rëndësi nëse je i pasur, i varfër, nga qyteti ose jo, të gjithë jemi të barabartë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve  ta shfrytëzojnë këtë shans unik për karakterin dhe të jashtëzakonshëm për nga pesha. Të presim në orët e mbrëmjes që votimin masiv ta shndërrojmë në një festë masive”,-tha Kurti.

Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi iu drejtua qendrës së votimit, duke e cilësuar këtë si një ditë të mbarë për të ardhmen e popullit të Kosovës. Më herët, Thaçi bëri thirrje për pjesëmarrje në votime duke shtuar se sot duhet të fitojë Kosova.

“Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara.

Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë dhe të lirë. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova.” tha Thaçi.

Kryeministri në detyre Ramush Haradinaj, pasi hodhi voton e tij, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime, në mënyrë që qytetarët të vendosin fatin e tyre.

“I lus të gjithë qytetarët të votojnë. Vetëm me votë vendosim vetë. Është sukses për Kosovën një demokraci kaq  e mirë. Urime këto zgjedhje, urime të gjithëve. Jemi në proces të rëndësishëm. Të gjithë duhet të vendosim si është e drejta për vendin tonë. Ata që votojnë vendosin për fatin e tyre.”,-u shpreh Haradinaj.

Kutive të votimit iu drejtua edhe kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani e cila bëri thirrje që qytetarët të lihen të votojnë të lirë dhe të mos indimidohen. Osmani la të kuptohet se në disa qendra votimi mund të ketë incidente, për të cilën paralajmëroi se do të flitet në një konferencë për shtyp.

“Thirrja është për të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij vendimi historik dhe vendimmarrëse për Kosovën. Përmes një procesi të lirë dhe demokratik, Kosova do të ketë arsye për të festuar. Qytetarët të jenë të lirë të hedhin votën e tyre dhe të mos indimidohen.” tha Osmani

I fundit nga kandidatët për kryeministër që ka hedhur votën për zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë, ishte kreu i NISMA, Fatmir Limaj. Ai tha se votimi është një mundësi e jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapa të rëndësishme përpara dhe duhet shfrytëzuar nga qytetarët.

“Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që ka do qytetar. Pres që vota sot do ti japë perspektivë dhe mundësi të jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapat e duhur.”.-tha Limaj.

Cakaj e Shahini, votë në Kosovë

Për herë të parë një funksionar i lartë i Shqipërisë ka votuar në Kosovë. Ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj, më 6 tetor, hodhi votën e tij si qytetar i Kosovës për të zgjedhur qeverinë e re në vend në zgjedhjet e parakohshme.

Pas votimit, Cakaj tha për gazetarin Thimi Samarxhiu se ai ushtron në mënyrë aktive detyrat dhe të drejtat e tij si qytetar i Kosovës ashtu edhe i Shqipërisë. Cakaj vlerëson se vota është ushtrimi më i frytshëm i demokracisë.

Unë nuk jam thjesht një shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, por jam edhe një qytetar aktiv i cili beson që fati këtyre dy vendeve është i pandashëm. Qoftë zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, qoftë zgjedhjet e tetorit tani pavarësisht dallimeve të dy vendeve kanë diçka të përbashkët, janë shprehje e vullnetit të përgjithshëm politik.” shprehet Cakaj.

Si qytetar i Kosovës, Cakaj vlerëson traditën e zgjedhjeve demokratike në vend si shembull në rajon. Në lidhje me përparësitë e Kosovës,  Cakaj tha se si ekonomia ashtu edhe integrimi dhe forcimi i marrëdhënieve në arenë ndërkombëtare janë mjaft të rëndësishme për vendin dhe duhet të ecin paralelisht.

Kosova ka ndërtuar një traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe kjo është për t’u vlerësuar sepse shërben si shembull në rajon. Kosova po ballafaqohet me dy grupime sfidash në periudhat që po vijnë, konsolodimin e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë, si dhe nga ana tjetër konsolidimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Këto duhet të ecin së bashku” tha Cakaj

Pas Gent Cakaj, erdhi dhe vota e ministres së Arsimit, Besa Shahini.

Ministrja Shahini ka votuar në qendrën e votimit në Dardan Molliqaj në Prishtinë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj.

Serbët përplasen në veri për votimet

Një orë pas hapjes së qendrave të votimit shënohet incidenti i parë në Kosovë. Incidenti ndodhi në veri të Kosovës, në komunat me shumicë serbe, përkatësisht në Zveçan dhe Leposaviç.

Përplasja nisi mes komisionerëve serbë, ku disa përmes provokime kërkuan të votojnë me letërnjoftim serb, ndërsa të tjerët kërkuan të respektohet vendimi i KQZ-së dhe votimi të kryhet me letërnjoftimin kosovarë.

Ky incident solli nisjen me vonesë të procesit të votimit, ndërsa situata u vendos shpejt në normalizim.

Në Komunën e Mitrovicës janë hapur 28 qendra votimi me 104 vendvotime, për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Aksident i rëndë në Kosovë, vdesin dy persona nga Tirana

Dy shtetas nga Shqipëria, banues në Tiranë humbën jetën në një aksident rrugor në Autostradën “Ibrahim Rugova”. Sipas mediave në Kosovë, mësohet se aksidenti ndodhi gjatë ditës së shtunë.

Një furgon pasagjerësh u përplas me një kamion, dhe për pasojë në aksident vdiqën dy shtetas nga Shqipëria, ndërsa janë në gjendje të rëndë 3 të tjerë, të cilët ishin me orgjinë nga Kukësi, Tropoja dhe Durrësi.

Furgoni ishte duke lëvizur nga Prishina në drejtim të Durrësi, kur u përfshi në aksident me kamionin. Ende nuk jepen detaje në lidhje me shkaqet e aksidentit. Gjithashtu, emrat e personave që humbën jetën nuk dihen.

Ndërkohë, të lëndurit, janë dërguar në spitalin e Prizrenit, ndërsa njëri prej tyre është dërguar me urgjencë në qendrën universitare klinike në Prishtinë, pasi ndodhet në gjendje të rëndë. Policia nisi hetimet për të zbardhur  shkaqet e aksidentit, që i kushtoi jetën dy personave.

Skip to toolbar