Voton politika: Sot le të fitojë Kosova

KOSOVA


“Dilni votoni”, “votoni për fatin e Kosovës dhe të ardhmen tuaj”, apo “ sot le të fitojë Kosova” janë disa nga thirrjet që politika i ka bërë qytetarëve të saj për të marrë pjesë në votime e 6 tetorit në Zgjedhjet e parakohshme në vend. Qendrave të votimit i janë drejtuar liderët e partive kryesore në vend dhe përfaqësuesit e lartë të shtetit në Kosovë, ku të gjithë bënë thirrje për pjesëmarrje aktive në votimeve të qytetarëve.

I pari që u drejtua në qendrën e votimit ishte kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili hodhi votën e tij në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.


“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, për hajër na qoftë të gjithëve”, ka thënë Veseli.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Alin Kurti është drejtuar godinës së Fakultetit Juridik për të hedhur voton. Kurti bëri thirrje për qytetarët që të dalin në votime dhe të thonë fjalën e tyre.

“Sot është një ditë e veçantë, të gjitha partive u përgjigjet populli. Nuk ka rëndësi nëse je i pasur, i varfër, nga qyteti ose jo, të gjithë jemi të barabartë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve  ta shfrytëzojnë këtë shans unik për karakterin dhe të jashtëzakonshëm për nga pesha. Të presim në orët e mbrëmjes që votimin masiv ta shndërrojmë në një festë masive”,-tha Kurti.

Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi iu drejtua qendrës së votimit, duke e cilësuar këtë si një ditë të mbarë për të ardhmen e popullit të Kosovës. Më herët, Thaçi bëri thirrje për pjesëmarrje në votime duke shtuar se sot duhet të fitojë Kosova.

“Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara.

Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë dhe të lirë. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova.” tha Thaçi.

Kryeministri në detyre Ramush Haradinaj, pasi hodhi voton e tij, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime, në mënyrë që qytetarët të vendosin fatin e tyre.

“I lus të gjithë qytetarët të votojnë. Vetëm me votë vendosim vetë. Është sukses për Kosovën një demokraci kaq  e mirë. Urime këto zgjedhje, urime të gjithëve. Jemi në proces të rëndësishëm. Të gjithë duhet të vendosim si është e drejta për vendin tonë. Ata që votojnë vendosin për fatin e tyre.”,-u shpreh Haradinaj.

Kutive të votimit iu drejtua edhe kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani e cila bëri thirrje që qytetarët të lihen të votojnë të lirë dhe të mos indimidohen. Osmani la të kuptohet se në disa qendra votimi mund të ketë incidente, për të cilën paralajmëroi se do të flitet në një konferencë për shtyp.

“Thirrja është për të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij vendimi historik dhe vendimmarrëse për Kosovën. Përmes një procesi të lirë dhe demokratik, Kosova do të ketë arsye për të festuar. Qytetarët të jenë të lirë të hedhin votën e tyre dhe të mos indimidohen.” tha Osmani

I fundit nga kandidatët për kryeministër që ka hedhur votën për zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë, ishte kreu i NISMA, Fatmir Limaj. Ai tha se votimi është një mundësi e jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapa të rëndësishme përpara dhe duhet shfrytëzuar nga qytetarët.

“Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që ka do qytetar. Pres që vota sot do ti japë perspektivë dhe mundësi të jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapat e duhur.”.-tha Limaj.




Skip to toolbar