Mero Baze: Leksionet Kosovare, që s’vlejnë për ne

#NËRADAR


Nga Mero Baze


Ka një entuziazëm fals për disa aspekte të zgjedhjeve në Kosovë, siç është numërimi i shpejtë i votave, (në fakt jo dhe aq i shpejtë se akoma s’kanë mbaruar), pranimi i humbjes nga partia në pushtet,  mungesa e incidenteve, apo sistemi elektoral.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, numërimi i shpejtë i votave bie vërtetë në sy për mirë, por problemi nuk është as te KQZ e Shqipërisë, as te ndonjë mekanizëm vjedhjeje, por te një ndryshim dramatik i ligjit elektoral në zgjedhjet e vitit 2003, i cili imponon numërimin në qendër të KZAZ, të gjithë qendrave të votimit.

Ndryshimi u bë pas këmbënguljes dhe vetos së Sali Berishës në reformën e atëhershme zgjedhore, pasi kishte pretendimin, se votat që numërohen në qendrën e votimit, siç numërohen në gjithë botën, janë nën presion dhe mund të vidhen.

Në rrethant e zgjedhjeve të Ilir Metës të vitit 2001, që ishin të dhunshme dhe ku u përdorën policë e banditë për t’i vjedhur votat, kërkesa kishte kuptim.

Në vitin 2019 është një situatë krejt tjetër. Votat mund të  numërohen lirshëm në çdo qendër votimi dhe Shqipëria në orën 20:30 ka rezultatin e votimit në gjithë vendin. Nuk ka nevojë për numërues, nuk ka nevojë për para shtesë, por për pak komisionerë dhe nga një smartphone në çdo qendër votimi që raporton.

E ka pasur këtë më 91, 92, 94 , 96, 97, 2000 e 2001. Prandaj këta të habiturit nga përfundimi i shpejtë i zgjedhjeve në Kosovë, që në fakt akoma s’kanë mbaruar, duhet të shikojnë arsyen pse ndodh kjo, dhe jo të bëjnë hartime patetike duke krahasuar dy sisteme, që nuk janë të njëjta.

Mungesa e incidenteve në këto zgjedhje në Kosovë ishte vërtetë arritje dhe kjo ka ardhur nga fakti, se gara ishte e copëzuar, kishte shumë parti që garuan vetëm dhe nuk kishte protagonizëm blloqesh të sigurta.

Në zgjedhjet e mëparshme në Kosovë ka pasur “vjedhje industriale” votash, siç i ka përshkruar ambasadori amerikan zgjedhjet e vitit 2012, apo incidente pa fund më 2017, pasi blloqet politike ishin të pozicionuara mes tre palëve. Në këto zgjedhje Vetëvendosja ishte vetëm, LDK vetëm, dhe ish-partitë në pushtet në tre pjesë.

Nëse do të kishim koalicionet parazgjedhore të vitit 2017, siç ishte PAN, zgjedhjet do kishin tjetër rezultat. Me aq vota sa kanë marrë partitë e ish PAN, sot do kishin marrë 37 për qind dhe do ishin fituese të zgjedhjeve. Ndarja e tyre në tre pjesë ka ulur PDK në 22 për qind dhe ka lënë parti të parë Vetëvendosjen, e cila po ashtu ka rënë me 2 për qind nga 2017. E vetmja parti që është rritur në këto zgjedhje është LDK, falë Vjosa Osmanit.

Mungesa e përballjes së koalicioneve të forta e ka bërë më qytetare fushatën, pasi dhe protagonizmi ka qenë shumë i shpërndarë në disa parti.

Lidhur me pranimin e rezultatit e vetmja shenjë ishte deklarata e Kadri Veselit dhe Haradinajt për pranimin e humbjes, por nuk është se kanë pasur ndonjë mundësi tjetër. Në rastin e Haradinajt, kur merr 10 për qind, nuk ke çfarë pret të kontestosh.

Në rastin e Veselit deklarata ishte një shenjë ç’tensionuese, por ishte personale dhe jo e PDK. Partia e tij PDK, nuk e pranoi rezultatin dhe kërkoi rinumërim kombëtar të votave, pasi diferenca 3 për qind me fituesin, i ka futur në dyshime për manipulime. Kërkesa i është hedhur poshtë nga Paneli zgjedhor për ankesa.

Pra dhe në këtë rast nuk është se kemi ndonjë pranim të rezultatit me aq dëshirë.

Në Shqipëri kultura e mospranimit të rezultatit është kulturë e Sali Berishës. Ai nuk ka njohur asnjë palë zgjedhje që ka humbur, ndërsa Edi Rama ka njhur dhe zgjedhjet që ia vodhën live në TV me dhjetë vota. Sali Berisha nuk ka njohur as referendumin për kushtetutën e vitit 1998, që më vonë e “mbronte”. Por dhe ky nuk është se ka shqetësuar njeri me këtë zakon, pasi është shumë i llogaritur në këtë pikë. Të gjithë e dinë që nuk e pranon humbjen dhe aq. Ai ka pas qenë zemëruar keq me Besnik Mustafaj dhe Sokol Olldashin që pranuan me mendje të tyre humbjen me Ramën dhe u ka mbajtur qëndrim për këtë. Biles tani siç e shikoni nuk pranon as humbjen e Lulit me mandatet që dogji dhe e ka shpallur fitore, shkatërrimin e PD.

E vetmja gjë që duhet diskutuar me përgjegjshmëri nga përvoja e Kosovës, është sistemi zgjedhor.

Kosova ka propocional kombëtar, me preferencë për 5 kandidatë. Pra nuk janë lista të hapura, por preferenciale. Ti ke të drejtë të zgjedhësh pesë më të mirët, nga 100 që ka lista.

Greqia ka sistem më afër natyrës sonë, pra një sistem propocional rajonal, me preferencë, por me një “primë” për partinë fituese, që merr mbi 29 për qind, duke e çuar në 50 për qind. Sistemi grek është sistem antikrizë, që nuk të lë në duar të partive gjobvënëse, dhe që respekton fituesin. Ai është më afër realitetit shqiptar dhe ka funksionuar prej tre dekadash. Listat tërësisht të hapura, në një sistem propocional kombëtar, siç kërkojnë disa parti të vogla, është derë e hapur për çdo biznesmen apo bandit që mund të sigurojë aq vota, sa për vete duke u kthyer pastaj në faktorë politikë.

Nëse ka sistem kombëtar propocional, duhet deomos të ketë një “primë” për të çliruar fituesin nga gjobvënësit e vegjël. Në të kundërt, ky sistem që është, me preferencë deri në pesë përqind të listës  për çdo qark, do ishte i mjaftueshëm.

Për mua më rëndësi ka aspeti teknik i reformës, numërimi i shpejtë në qendër votimi, depolitizimi i komisioneve duke vendosur nëpunës publikë, si për shembull 3 mësues në çdo KZV dhe tre gjyqtarë në KZAZ dhe kështu partitë shpëtojnë nga shpenzime dhe stresi i komisionerëve. Një përpjekje për numërim elektronik do të ishte dhe më e mirëpritur, por dhe numërimi me dorë në qendra votimi e zgjidh situatën.

Shqipëria i ka pasur të gjitha sistemet zgjedhore. Më 31 Mars të 1991, e kemi nisur me mazhoritar të pastër, kemi vazhduar me mazhoritar me korrektim propocional, pastaj me korektim mazhoritar, e në fund me sistem propocional rajonal. I kemi provuar të gjithë leksionet e sistemeve dhe nuk na e ka fajin sistemi, por kultura politike brenda partive, mungesa e demokracisë brenda tyre, dhe pamundësia për të reformuar partitë që janë teknikisht të gjitha të paligjshme pasi në fillim kanë vjedhur zgjedhjet e tyre, pastaj votat e popullit. E para gjë që duhet bërë këtu, është që zgjedhjet brenda partive t’i bëjë KQZ dhe t’i certifikojë gjykata.

Nga këtu mund të fillojë një revolucion i ri, pasi do të zgjohet gara e vërtetë brenda partive dhe nuk mund të bëhen zgjedhje si ato Basha-Olldashi, ku fletët ishin me numër rendor për të identfikuar votën, listat në dorë të Bashës, dhe numëruesit badigardë të Berishës. Nuk mund të ketë demokraci dhe zgjedhje të lira në Shqipëri, pa demokraci dhe zgjedhje të lira në partitë shqiptare, ku kryetarët nuk humbasin prej 30 vitesh dhe ankohen pastaj për sistemet zgjedhore.