Partitë politike në Kosovë janë hedhur në
përpjekje për të siguruar koalicionet parazgjedhore para mesnatës së të premtes
kur edhe kalon afati i paraparë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari i
Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i lëvizjes Vetëvendosje
Albin Kurti u takuan të enjten për të vazhduar diskutimet rreth një mundësie të
tillë. Lutfi Haziri, që është udhëheqës i fushatës së Lidhjes Demokratike, tha
se këto dy parti janë afër bashkimit me njëra tjetrën.
“Takimet janë të rregullta dhe të punës, nga
këto ditë e fundit keni njoftime më shumë ma herët nuk i keni pasur, kemi
punuar në nivele të grupeve të punës tash ka ardhur niveli politik. Kryetarët e
partive janë duke punuar për të finalizuar marrëveshjen parazgjedhore në mes dy
subjekteve. Ky është vullnet i LDK-së dhe ky vullnet nuk ndryshon deri në
minutën e fundit përkundër që LDK-ja mundet t’i fitoj zgjedhjet vet, është e
gatshme me i fitu zgjedhjet vet”,tha zoti Haziri.
Zoti Haziri shprehu besimin për bashkimin e
dy subjekteve politike rreth një koalicioni të përbashkët.
“Në politikat sektoriale i kemi definuar dhe
jemi pajtuar, nuk kemi dallime, tash jemi duke punuar në politika kadrovike dhe
natyrisht LDK-ja e ka kandidatin e vet për kryeministre, jo kandidatën e
mundshme por kandidate për kryeministre, ne dëshirojmë ta bëjmë kryeministre të
Republikës. Ata de fakto e kanë liderin e tyre, zoti Kurti ka qenë gjithmonë i
nominuari i vetëm i Vetëvendosjes për kryeministër, nuk kanë pasur plan të
dytë”,tha zoti Haziri.
Ndonëse caktimi i kandidates për kryeministre
nga Lidhja Demokratike u duk se dëmtoi këto negociata, meqë lëvizja
Vetëvendosje kërkonte që ajo të kandidonte kryetarin e saj Albin Kurti, janë
hedhur ide për mundësinë e një marrëveshjeje që do të mundësonte një rotacion
në drejtimin e qeverisë në rast se krijohet një koalicion i tillë dhe fiton në
zgjedhje.
Deri më tash janë krijuar dy koalicione
parazgjedhore ,në njërën anë Nisma Socialdemokrate e Kosovës dhe Aleanca Kosova
e Re, ndërsa tjetra ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë
Socialdemokrate. Tani për tani, Partia Demokratike nuk ka hapur negociata me
ndonjërën prej partive tjera.
Kosova do të votojë më gjashtë tetor, pas
shpërndarjes së parlamentit të Kosovës javën e kaluar dhe mese një muaj pas
dorëheqjes të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në
pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime
lufte dhe të pasluftës në Kosovë.
Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për
Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re,
posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e
bisedimeve te pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet
dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre. /VOA/