“Mediat holandeze e kanë nxirë Shqipërinë pa fakte”

POLITIKË


Holanda kërkoi rikthimin e vizave për Shqipërinë për shkak të rekordeve të larta kriminale dhe emigrantëve të shumtë që hynin ilegalisht në atë vend. Mirëpo sipas një investigimi të Top Story, në fakt në një raport të paraqitur nga vetë qeveria holandeze për kriminalitetin në vend gjatë 5 viteve të fundit, shqiptarët zënë më pak se 0.2 %, që është një shifër e papërfillshme dhe për më tepër bëhet fjalë kryesisht gjëra të vogla. Madje Shqipëria nuk hyn as në 10 kombësitë me kriminalitetin dhe arrestimet më të mëdha në Holandë.

Ish ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch ishte nga ata holandezë që u çudit me miratimin e mocionit për rikthimin e vizave. Bosch tha se mediat ia kanë nxirë emrin Shqipërisë të pabazuar në fakte, ose në fakte tërësisht të gabuara.


“Statistikat holandeze tregojnë që krimi nga shqiptarët është vetëm 0.2%. Edhe më pak se 0.2%. Pra, nuk është asgjë me rëndësi. Dhe nuk janë as vetëm krimet e rënda, por të gjitha, edhe të voglat. Nga këto 0.2%, krimet e rënda duhet të jenë edhe më pak. Sigurisht që është problem, por problem shumë i vogël. Po të shohësh kombësitë e para në listë, shqiptarët nuk dalin fare aty. Si mund të thuash që po destabilizojnë vendin, pa u bazuar në asgjë. Nëse je një deputet normal në Holandë, sigurisht që mund të trembesh. I besojnë më shumë gazetës sepse nuk duan të shihen si të dobët kundër krimit. Prandaj njerëzit që nuk ishin dhe aq të bindur për ta votuar, votuan gjithsesi. Por gazeta të tjera, sidomos Telegraf, ka bërë shumë propagandë kundër shqiptarëve, prej kohësh.” – tha Robert Bosch.




Skip to toolbar