Këtë të martë, Peter Zingraf ka dorëzuar letrat kredenciale te Presidenti Ilir Meta, duke marrë zyrtarisht detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Zingraf vjen në këtë detyrë për të zëvendësuar Susanne Schütz, që la detyrën pasi i mbaroi mandati në muajin korrik. Po kush është Peter Zingraf? Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, ka publikuar të martën në faqen zyrtare në internet, një përshkrim të shkurtër të Peter Zingraf. Ambasadori Zingraf, ka studiuar për romanistikë, histori letërsie frënge dhe italiane në Agjen, Poiteiers në Francë dhe në Firence në Itali.
Ai ka punuar për disa kohë si bashkëpunëtor në universitetin e Aachen dhe Freiburg im Breisgau. Peter Zingraf është i martuar dhe ka dy vajza. Pjesë e politikës dhe diplomacisë, ai është bërë në vitin 1993 kur u bashkua me Shërbimin e Jashtëm, në Bonn, ku ndenji deri në vitin 1994. Në vitin 1995 ai ishte nëpunës i deleguar pranë Ministrisë së Jashtme në Itali, ndërs në vitin 1996 ai emërohet ambasador i Gjermanisë në Varshavë.
Në vitin 1999 ai rikthehet pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, duke u bërë pjesë Departamentit të Kulturës. Në vitin 2002 Peter Zingraf merr drejtimin e amabasdës gjermane në Daressalam në Tanzani. Në vitin 2005 ai rikthehet përsëri si i punësuar pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, ndërsa në vitin 2010, ai emërohet ambasador në Dublin të Irlandës. Në vitin 2013 rikthehet si këshilltar i Presidentit Federal, në departamentin e politikës së jashtme, ndërsa në 2016 rikthehet përsëri në Ministrinë e Jashme, detyrë që ka mbajtur deri në momentin që është emëruar amabasdor i Gjermanisë në Tiranë.
Duke u nisur nga CV e pasur, Gjermania duket se ka zgjedhur një personalitet në fushën e diplomacisë, për të bërë politikat e saj në Shqipëri. Vendi ynë është prej më shumë se gjysmë viti në një krizë të paprecedent politike, me Gjermaninë dhe vendet e tjera të Quintit, që kanë kërkuar vazhdimisht zgjidhjen e saj brenda kornizës ligjore.
Peter Zingraf vjen me një mision të vështirë, por të qartë në vendin tonë, mbështetjen për thellimin e reformave, dhe padyshim futjen e politikës në rrugën e zgjidhjes së krizës. Tashmë pritet që pas Gjermanisë, Senati në SHBA të miratojë kandidaturën e Yuri Kim, e përzgjedhur nga Donald Trump, (lexo këtu) si ambasadore e SHBA-së në Tiranë.