Kupa, Kukësi mund Skënderbeun, por gjithçka mbetet e hapur!

Kukësi mundi 2-1 Skënderbeun në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen e luajtur në stadiumin e Kamzës.

Një ndeshje plot emocione, me të dyja skuadrat që prodhuan shumë raste, ashtu sikundër shënuan tre gola e shpërdoruan mundësi të arta.

Për ekipin e Ernest Gjokës shënuan Reginaldo dhe Shkurtaj, ndërsa për Skënderbeun ngushtoi rezultatin i rikthyeri nga dëmtimi, Dejvi Bregu.

Goli i parë i verilindorëve erdhi në minutën e 21′, me Reginaldo që brenda zonës mposht portierin kundërshtar.

Shkurtaj dyfishoi në të 55′ pas një rreshtimi skandaloz të mbrojtjes mike për 2-0. Skënderbeu vazhdon të çalojë në mbrojtje.

Gjërat po shkonin si duhet për Kukësin, derisa në minutën e 62′, Stivi Frashëri i krijon mundësinë Dejvi Bregut të ngushtonte rezultatin 2-1, që mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.

Valdet Rama shmang operacionin, sulmuesi gati më 11 maj!

Kukësi ndodhet në një moment delikat të sezonit, pasi lufton në dy drejtime, për të mbajtur vendin e dytë në kampionat dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë.

Mungesat kanë qenë një problem shqetësuses për ekipin verilindor, aq sa sot skuadrës të drejtuar nga Ernest Gjoka, do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm, mes tyre dhe sulmuesi Valdet Rama.

Ky i fundit ka dëmtuar meniskun, çka më herët bëri të flitej për një operacion. Nëse gjërat shkonin kështu, Valdet Rama mbyllte sezonin para kohe me skuadrën e Kukësit.

Mirëpo për fatin e mirë të tij dhe ekipit, futbollisti ka gjetur një zgjidhje në kohë rekord.

Është fizioterapisti i njohur sportiv, Ervin Kapaj, ai që ka marrë përsipër të rikthejë në fushë Valdet Ramën, duke nisur prej javës së ardhshme.

“Nuk operohet Valdet Rama, gati për javën e ardhshme”, ka shkruar ditën e sotme fizioterapisti i njohur duke publikuar një foto në rrjetet sociale.

Sulmuesi pritet të jetë gati për trajnerin Gjoka për ndeshjen e ardhshme ndaj Luftëtarit më 11 maj.

Kupa, Gjoka: Me Skënderbeun vendos përvoja, mungesat janë problem!

Kukësi do të përballet me Skënderbeun në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke synuar përsëritjen e suksesit të disa sezoneve më parë.

Ernest Gjoka ka folur në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, duke theksuar se skuadra është penalizuar nga mungesat e shumta.

Megjithatë, ai shprehet optimist dhe beson shumë në kualitetet e skuadrës, përfshi sulmuesit, që sipas Gjokës, ka dyshen më të mirë të kampionatit.

Ndeshja më e rëndësishme? – E vërtetë, shumë e rëndësishme për objektivat e klubit. Vendi i parë në kampionat është larg, ndaj kupa merr rëndësi të dyfishtë. Do të mundohemi të bëjmë mirë dhe të vazhdojmë përpara.

Mungesat? – Problem shumë i madh, Shameti, William Cordeiro, Valdet Rama, Dzaria, Maliqi, Musolli. Jemi të penalizuar, kaq shumë mungesa do i krijonin probleme kujtdo. Gjithsesi, kam besim, sepse këto ndeshje janë përmbledhja e një viti më sakrifica. Janë të gjithë lojtarë titullarë, janë shumë mungesa dhe e pranoj që na prishin shumë punë. Kam shpresë të madhe se nëse do jemi kompaktë pas, duke pasur lojtarët që kemi përpara mund të shënojmë gjithnjë.

Marrëdhënia me Gjicin? – E dini që ai kërkon gjithnjë sukses dhe na kërkon të kualifikohemi. Ai priste të luftonim për titull, është i bindur se duhet të luftojmë deri në fund edhe në kampionat. Pak zhgënjim ka pasur, por nëse fitojmë Kupën kjo skuadër ka të ardhme të rëndësishme dhe pak përforcime do i duhen.

Kupa? – Duhet kujdes, për të mos pësuar gol në radhë të parë, sepse janë ndeshje specifike, duhet të mendojmë edhe për kthimin.

Ndryshimet në skemë? – Do të bëjmë, jemi të detyruar, por kam besim tek të gjithë lojtarët.

Skënderbeu? – Klub i madh, me skuadër cilësore dhe eksperiencë e mentalitet fituesi, por edhe ne nuk mbetemi pas në këtë drejtim.

Skënderbeu me i dobët? E vërtetë, por ka ende disa lojtarë me eksperiencë e shumë cilësi. Këto janë ndeshje ku vendos përvoja, ndaj duhet vlerësim maksimal.

Luhet në Kamzë? – Sigurisht kam folur me ekipin dhe skuadrën. Na duhet shtëpi, Kamza është zgjedhja ideale. Tifozët nuk vijnë dot në Elbasan e Shkodër, Kamza është e vetmja alternativë ku kemi tifozët më vete. Natyrisht, fusha nuk është super, por do ta kompensojnë tifozët.

Presioni mbi ekipin? – Trajneri këtë detyrë ka, të bëjë urën lidhëse mes ekipit e presidentit. Unë e kam për detyrë të ul presionin mbi ekipin, sepse jo gjithnjë mund të fitohet në futboll. Unë jam i hapur të përballem me presidentin për çdo diskutim, pa lënë që skuadra të përballet me kritikat. Te Kukësi luhet për titull, këtë e di unë dhe e dinë mirë edhe lojtarët, që nuk kanë qetë të qetë, por janë përshtatur shumë shpejt me atë që dua.

Rexhinaldo e Shkurtaj, çfarë ka ndryshuar? – Unë kërkoj të luaj me 2 sulmues. Është fat i madh që kam gjetur këtu Rexhinaldon, që e doja që kur isha herën e fundit të Kukësi, dhe Shkurtaj, dy sulmuesit më të mirë në Shqipëri. Janë lojtarë me tipare të ndryshme, dinë të përshtaten dhe do mundohem t’u marr maksimumin, duke luajtur bashkë. Janë dy shënuesit më të mirë, janë sulmuesit më të mirë, më thoni kush janë mbi ta. Do ta shihni që shumë shpejt do kemi një sulm edhe më të fortë.

Garancia për të ardhmen? – Vetëm suksesi, çdo trajner është me çantën gati dhe varet nga rezultatet.

Reginaldo: Gjoka na ndryshoi, ai flet shumë me ne!

Artur Reginaldo ka shoqëruar trajnerin Ernest Gjoka në konferencën për shtyp, mbajtur një ditë para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut.

Reginaldo është pyetur nga gazetarët për shumë tema, ndërsa sulmuesi mozambikas ka treguar situatën në skuadêr, duke theksuar faktin se ardhja e Ernest Gjokës në krye të Kukësit ka ndryshuar mabientin në ekip.

Sezoni me Kukësin?- “Kam luajtur me Luftëtarin, më pas me Laçin dhe tani jam në një ndër ekipet më të mëdha në Shqipëri. Kukësi do të fitojë gjithçka, por tani titulli është i vështirë, ndaj duhet të përqendrohemi sidomos të kupa.

Ardhja e Ernest Gjokës?- Jam i lumtur, mentaliteti ka ndryshuar dhe skuadra është shumë kompakte. Trajneri flet shumë me ne, çdo lojtar po jep maksimumin e vet dhe jemi të e kënaqur.

Rinovimi me Kukësin?- Së pari duhet të mendojmë për Kupën, duam sukses dhe më pas do të mendojmë për të ardhmen.

Golat e shënuar? – Shënova me shumë vjet, por ndihem mirë, po mundohem të jap maksimumin dhe duam Kupën.

Ardhja e Shkurtaj? – Futbolli është garë, secili mundohet të japë maksimumin dhe duam fitore, duke ndihmuar gjithë ekipin, nuk ka rëndësi kush pason e kush shënon. Rëndësi ka të fitojë Kukësi.

Përballja me Skënderbeun?- Ekip i fortë, dihet, por unë dua të fitoj diçka në Shqipëri dhe trajneri është fitues, ndaj do të japim maksimumin.

Goli me Kukësin vjet?- Unë jap maksimumin për çdo ekip ku luaj, tani jam i Kukësit dhe dua të bëj të njëjtën gjë, duke shpresuar këtë radhë ta fitojmë trofeun dhe unë të dal golashënuesi më i mirë

Tirana drejt greminës, Shkurtaj dopietë për kukësin

Tirana vijon të pësojë humbje, duke i shtuar telashet vetes në luftën për mbijetesë, pasi është mundur edhe këtë të shtunë nga Kukësi me rezultatin 0-2.

Mungesa e tifozëve ka qenë faktor i rëndësishëm në ecurinë bardheblu në javët e fundit, duke pësuar disa rezultate negative radhazi, pavarësisht se ndaj Kukësit u rikthye Ngoo.

Kukësi kaloi në avantazh në minutën e 33′, kur Doka dhe reparti i mbrojtjes u kapën në befasi, me Vasil Shkurtajn qê nuk fal në të tilla raste, ndonëse Tirana pak më herët pati një mundësi të shkëlqyer për të kaluar në avantazh.

Në krahun tjetër Tirana u mundua të reagonte dhe të shënonte, por fati dhe traversa i mohuan barazimin skuadrës vendase gjatë kohës së rregullt, ndërsa në shtesë Shkurtaj dyfishon për verilindorët dhe i jep fitoren ekipit të tij me dygolësh.

Pas kësaj disfate, në kuotën e 36 pikëve dhe me 6 ndeshje të mbetura deri në përfundim të kampionatit, Tirana ndjen presionin e Kastriotit që ndodhet në vend të parafundit të klasifikimit, me vetëm pesë pikë më pak se bardheblutë.

Kukësi vijon të mbajë vendin e dytë në klasifikim me 51 pikë, 10 më pak se Partizani që u ndal në barazim me Kastriotin në ndeshjen e luajtur në Fushë-Krujë.

Gjoka flet para Tiranës: Detyrë të mbajmë vendin e dytë!

Ernest Gjoka e mori drejtimin e Kukësit në një moment delikat, kur skuadra verilindore doli nga objektivi për fitoren e titullit kampion dhe shfaqi rrezik për pozitat në vendin e dytë të renditjes. Megjithatë, ndeshjet e mbetura janë të gjitha në dorë të Kukësit dhe qëndrimi në vendin e dytë varet po nga skuadra verilindore. Gjatë konferencës së sotme për shtyp, trajneri Ernest Gjoka, ka analizuar skuadrën e tij në prag të sfidës me Tiranën. Ai ka theksuar se ekipi tani ka për detyrë të ruajë vendin e dytë në renditje.

Gara në javët e mebtura- “Sa po vijnë e vështirësohet gjërat. Ne objektivat tona i kemi përcaktuar më përpara. Tashmë duhet të blindojmë vendin e dytë dhe të shkojmë deri në finalen e Kupës së Shqipërisë”.

Tirana kundërshtari i radhës- “Tirana është në një moment të vështirë dhe kjo e bën edhe ndeshjen mjaft të vështirë. E dimë që do jenë agresive nesër dhe do kërkojnë gjithçka. Kjo do të rrisë më shumë adrenalinën e ndeshjes. Edhe ne kemi objektivat tona, na duhen patjetër rezultate pozitive për të arritur objektivat që kemi. Nesër shkalla e vështirësisë është maksimale”.

Humbja me Flamurtarin- “Futbolli prandaj është i bukur, pasi është i paparashikueshëm. Kur menduam se e kishim ndeshjen nën kontroll, kur po luanim mirë, po krijonim dhe po humbnim raste, atëherë na goditi kundërshtari në një moment që loja ishte nën kontrollin tonë. Në analizën që kemi bërë me ekipin u kam thënë djemve që ajo ndeshje duhet të na bëhet mësim. Duhet të jemi më cinikë. Nëse shënonim, ndoshta do ishte ndryshe. Pësuam një humbje që nuk duhej, pasi do i shërbente skuadrës për moralin. Do kishim bërë nja hap më të sigurt për vendin e dytë. Shohim përpara”.

Kalendari – “I kam thënë skuadrës që këto tetë javë janë sa një vit për objektivat. Kështu që për ne nuk ka më e diel e mërkurë. Të gjitha janë ndeshje të rëndësishme. Problemi janë dëmtimet, madje të parikuperueshme dhe që zgjatin. Kështu që do shtrëngohem dhe kam besimin që çdo lojtar që do të jetë në fushë do të japë maksimumin”.

Mungesa e rezultateve – “Edhe kur isha jashtë Kukësit, thuhej që kjo skuadër ka cilësi. Kjo pranohet nga të gjithë. Një nga faktorët që ka ndikuar është stadiumi, ekipi ka luajtur ashtë. Akoma nuk kanë gjetur një ekuilibër për të luajtur. Ky është një nga problemet. Skuadra kurrë nuk ka dhënë maksimumin për cilësitë që ka. Ka pasur kohë shumë, por edhe pak. Në janar prurjet nuk e kapën mentalitetin e Kukësit. Ata duhet ta kuptojnë që janë skuadra elitare. Kur vjen te Kukësi, vjen për të dalë kampion. Këtu nis presioni dhe kush nuk e kupton bie moralisht seria të kape ritmin. Disa nga këto faktorë kanë ndikuar që Kukësi të bëjë disa hapa fals. Sigurisht edhe Partizani ka bërë një kampionat shumë të mirë, por edhe Kukësi e ka ndihmuar pa dashje të shkëputet kaq shumë”.

Stadiumi – “Sigurisht që do të jetë e vështirë. Presidenti po mundohet që tani që të sigurojë një shtëpi për Kukësin, që të jetë një stadium i përhershëm për gjithë vitin tjetër. Kjo gjë do të ishte shumë pozitive për Kukësin. Një vend që po mendohet nga presidenti të marrë stadium me qira është një stadium që ka shumë banorë nga Kukësi. Në Kamëz? Sigurisht.”

Cuculi: Ndaj Tiranës duam tre pikë për vendin e dytë!

Ardian Cuculi ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, duke shoqëruar trajnerin Ernest Gjoka. Mbrojtësi i skuadrës verilindore ka folur për disa tema i pyetur nga gazetarët. Ai është shprehur se ndaj Tiranës do synohen tre pikët për të ruajtur vendin e dytë në renditje, ndërsa tregon se për Kukësin do ishte mirë që në fund të ngrinte një trofe, siç është Kupa e Shqipërisë.

Humbja ndaj Flamurtarit– “Normalisht kur luan me ekipe të nivelit të lartë, që janë në tabelën e renditjes lart normalisht që presioni është më i lartë. Shpresonim të bënim mirë, por nuk ja arritëm. Tani e kemi obligimin ndeshjen me Tiranën dhe Kupën.”

Takimi me Tiranën– “Tragjedi nuk është, pasi futbolli i tillë është. Do të luftojmë maksimalisht për të qëndruar në vendin e dytë dhe për të parë sa më shumë përpara. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Tirana lufton për mbijetesë. Dihet emri i madh që ka Tirana. Do të jetë dhe një sfidë për ne, pas ndeshjes zhgënjyese ndaj Flamurtarit, në aspektin e rezultatit.”

Kupa si objektiv– “Do të ishte një gjë e mirë, pasi çdo futbollist në fund të sezonit kur ngre një trofe, qoftë kupë qoftë kampionat është gjë e mirë. Kukësi e ka dëshmuar që çdo vit është pretendent dhe ngre nga një kupë. Do të ishte gjë e mirë, si për ne si për klubin për të vazhduar ecurinë e ngritjes së trofeve.”

Presioni – “Ekipet që pretendojnë për titull normalisht që te të tre ekipet presioni është shumë i lart. Te të tre ekipet presioni është zjarr.”

Aspekti personal – “Deri para dëmtimit kam pasur bilanc pozitiv, por pas dëmtimit nuk kam qenë i kënaqur. Ndoshta edhe për arsyen se kam nisur të aktivizohem shumë shpejt, kjo edhe nga dëshira për të ndihmuar ekipin, mbase i kam bërë edhe dëm.”

Gjysmëfinalet e kupës, finale e parakohshme mes Kukësit dhe Skënderbeut!

Skënderbeu dhe Kukësi ritakohen në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë pas katër vitesh.

Pas hedhjes së shortit në Federatën Shqiptare të Futbollit për gjysmëfinalen e kupës, shorti ka rezervuar përballjen Kukësi-Skënderbeu, takim që nuk përsëritej prej vitit 2015.

Në atë përballje ishte skuadra verilindore që kualifikohej në finale, pasi fitonte takimin e parë në “Zeqir Ymeri” me rezultatin 1-0, ndërsa takimin e kthimit barazonte 1-1.

Ndërsa Tirana dhe Luftëtari e kanë për herë të parë që përballen në gjysmëfinale. Bardheblutë janë 16 herë fitues të Kupës, pra rekordmenë të këtij trofeu.

Për Luftëtarin kjo është hera e tretë që merr pjesë në turin gjysmëfinal, ndërsa nuk ka qenë asnjëherë në finale.

Gjoka debuton nesër, Kukësi me mungesa ndaj Laçit

Mbrojtësi Gëzim Krasniqi ka këputur tendinën

Kukësi do të përballet me Laçin në takimin e parë të fazës së katërt të kampionatit. Tashmë në stolin e skuadrës verilindore është ulur Ernest Gjoka, trajner që zuri vendin e Ramazan Ndreut, pasi ky i fundit u shkarkua në fund të takimit të humbur me Kastriotin.

Mirëpo lajmet nuk janë shumë të mira për skuadrën verilindore, pasi një nga mbrojtësit kryesor të ekipit, Gëzim Krasniqi, nuk do të jetë më i gatshëm për skuadrën deri në fund të sezonit.

Krasniqi u dëmtua gjatë ndeshjes me Kastriotin, duke lënë fushën e lojës me barrelë. Pas vizitave mjekësore është mësuar se Krasniqi ka këputur tendinën dhe nuk mund të luajë për disa kohë.

Foto: Gëzim Krasniqi duke dalë me barrelë nga fusha e lojës në takimin Kastrioti Kukësi!

Mediat raportojnë se dhe disa futbollistë të tjetër në ekipin e Kukësit kanë probleme, siç është rasti i Irakli Dzarias, që sipas “Vipsport”, ka shfaqur probleme shëndetësore. Për këtë arsye gjeorgjiani ende nuk dihet nëse do të jetë gati për trajnerin Gjoka.

Ernest Gjoka rikthehet në krye të Kukësit pas dy vitesh, që nga koha kur ekipin verilindor e shpalli kampion të vendit në sezonin 2016-2017. Tashmë, trajneri kryeqytetas, merr përsipër një aventurë të re, për të mbajtur Kukësin në kupat e Europës, mision i cili do të jetë i vështirë deri në fund të kampionatit.

Çështja e titullit kampion duket e mbyllur, pasi skuadra verilindore është 9 pikë larg Partizanit kryesues. Në nëntë javët e mbetura të Superligës do duhej një mrekulli që gjërat të ndryshonin, ndonëse matematika lejon gjithçka.

Eurogol i Limajt, Gjoka debuton me fitore (video)

Ernest Gjoka ka debutuar me fitore me Kukësin, ekip të cilin rikthehet për ta drejtuar pas dy sezonesh. Këtë të mërkurë, në javën e parë të fazës së katërt të kampionatit, Kukësi ka mundur në transfertë Laçin e drejtuar nga Sulemjan Starova.

Goli i vetëm dhe i fitores për Kukësin është shënuar nga Vesl Limaj në minutën e 87` të takimit. Ka qenë një aksion spektakolar, që rrallë shihet në kampionatin tonë, me 29 pasime mes lojtarëve verilindor dhe në fund goditja e shkëlqyer e Limajt nga jashtë zone.

Kukësi shkon në kuotën e 48 pikëve pas fitores së sotme, vetëm 6 pikë më pak se Partizani që kryeson renditje dhe përballet me Skënderbeun sot pasdite. Nëse të kuqtë bëjnë një tjetër hap falas si ai i një jave më parë, çështja e titullit kampion mund të rihapet.

Ndëkohë, Laçi mbetet në kuotën e 41 pikëve dhe mban vendin e pestë në renditjen e përgjithshme të kampionatit. Skuadra kurbinase përballet me Luftëtarin javën e ardhshme ndërsa Kukësi do të luajë kundër Flamurtarit.

Skip to toolbar