Dështon ëndrra evropiane e ekipeve shqiptare, Kukësi, Teuta dhe Laçi largohen me turp nga Europa League

CHAMPIONS LEAGUE


Teuta, Laçi dhe Kukësi i kanë dhënë fund me turp aventurës në Europa League për këtë sezon, duke treguar dhe njëherë nivelin e dobët të futbollit shqiptar. Skuadra durrsake, e rikthyer në Europë pas shumë sezonesh mungesë, është eleminuar nga letonezët e Ventspils, pasi ka humbur me rezultatin e përgjithshëm 1-3. Teuta fitoi të enjten ndeshjen e kthimit në shtëpi ndaj skuadrës së Ventspils me një gol të Sherif Kallakut, por kaq nuk ka mjaftuar, pasi miqtë fituan ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 3-0.

Me rezultatin përfundimtar 1-4 (për të dyja ndeshjet), edhe Kukësi është eleminuar nga Europa League nga hungarezët e Debrecen. Në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”, skuadra e Ernest Gjokës nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1, duke mos arritur të bënte mrekullinë. Ka qenë Valon Ethemi ai që ka shënuar golin e vetëm për verilindorët në Europa League në dy ndeshjet e turit të parë kualifikues, por që nuk mjaftoi kundër 4 golave të Debrecen.


Laçi është mundur nga Hapoel Beer Sheva në Izrael me rezultatin 1-0, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë luajtur në shtëpi. Skuadra e Sulejman Starovës ka tentuar të bëj më të mirën në Izrael, por një gol i Sabag i shënuar në minutën e  69` të takimit, ka prishur ëndrrën e kurbinasve.

Në këtë mënyrë, të treja skuadrat shqiptare, Teuta, Kukësi dhe Laçi, i japin fund aventurës në kupat e Europës shumë herët, duke humbur mundësinë për të vijuar më tej, e njëkohësisht për të arkëtuar shuma të konsiderueshme të ardhurash. I vetmi ekip që vijon ende në Europë, është Partizani, që pas eleminimit në Champions, tashmë do të luajë në Europa League.




Skip to toolbar