Me anë të një videomesazhi, Lulzim Basha e
akuzonte kryebashkiakun e ri të Lezhës, Pjerin Ndreu, si person i “futur në
listën e zezë të përtnerëve prej vitit
2003. I larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjimet e
manipulimit zgjedhor në dosjen 184, nuk dënohet por kandidohet”, shkrunte ndër
të tjera kreu i PD. Pas kësaj akuze, ka reaguar Pjerin Ndreu, i cili është
shprehur se me Lulzim Bashën do të ballafaqohet në gjykatë për akuzat e
ngritura në drejtim të tij.
“Për Lulzim Bashën: Zoti kryetar i opozitës të
pres për një vizitë në Bashkinë e Lezhës, ku të diskutojmë për zgjidhjen e
problemeve dhe zhvillimin e qytetit. Sa për inkriminimin tim së shpejti do të
shihemi në gjykatë. As ti e as perëndia në qiell nuk ka shansin të më gjej qoftë
një element sado të vogël inkriminimi”, shprehej ndër të tjera Pjerin Ndreu.
Pas ftesës për të shkuar në Lezhë, dhe përgjigjes
se për akuzat do të përballeshin në gjykatë, PD ka reaguar përsëri kundër Pjerin Ndreut. Sekretari
për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, u shpreh se “Basha patjetër do të vijë
në Lezhë, ku ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të saj, për të drejtuar
vendin dhe për t`u hapur rrugë planeve të zhvillimit të Lezhës dhe në të gjithë
Shqipërinë”, shprehet Ivi Kaso.
Gjithashtu në deklaratën e Ivi Kasos shtohet
se “si fillim, bashkia e Lezhës do të çlirohet nga trafikanti që e ka uzurpuar
atë dhunshëm! Pjerin Ndreu dhe çdo anëtar tjetër i bandës së Edi Ramës, me të
cilët ai mban pushtetin e tij kriminal, do të dalin nga politika dhe do të
shkojnë para drejtësisë me pranga në duar. Zgjedhjet e paligjshme të 30
Qershorit dhe vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në
flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen!Rrugët e Perëndisë për të bërë
drejtësi janë të pafundme”, përfundon deklarata.