Dosja “tërmeti” dhe SPAK, SHBA-BE mbështesin Çelën

Pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela priti në takim ambasadorin e BE, Luigi Soreca dhe të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, zbardhi edhe temat e diskutuara me Prokurorin e ri të Përgjithshëm Olsian Çela.

Sipas ambasadorit të BE, në takim u diskutua për përparsitë kryesore të Prokurorit të Përgjithshëm, duke përfshirë dhe hetimin financiar proaktiv të zyrave të prokurorisë për tërmetin. “Së bashku me Leyla Moses-Ones, sot takova Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur, Olsian Çela. Ne diskutuam për përparësitë kryesore të zyrës së tij të re, përfshirë rolin kryesor të hetimeve financiare proaktive, veprimin e zyrave të prokurorisë pas tërmetit dhe për fazën kalimtare drejt krijimit të SPAK ”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ambasadorit Soreca.

Gjithasht, dy drejtuesit e ambasadave të SHBA dhe BE në Tiranë, kanë diskutuar me Prokurorin e Përgjithshëm edhe për fazën kalimtare të krijimit të SPAK, ndërsa shprehen se zgjedhja e Olsian Çelës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme është një hap përpara zbatimit të reformës në drejtësi.

“Zgjedhja e Z. Çela paraqet një hap tjetër të rëndësishëm përpara në zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila është një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”, thotë Soreca.

Ndërkohë, me një reagim të Ambasadës së SHBA, lidhur me takimin e Leyla Moses-Ones me Prokurorin e Përgjithshëm, thuhet se “e Ngarkuara me Punë përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit”./Realstory.al/

🇦🇱️ | E Ngarkuara me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones dhe Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca u takuan sot me…

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Mittwoch, 11. Dezember 2019

Soreca: Shqipëria të mos humbë shpresat, vazhdoni reformat

“Bashkimi Europian mbetet i palëkundur në integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane, familje të cilësi i përket” ishte premtimi dhe mesazhi që ambasadori i BE Luigi Soreca ka dhënë për shqiptarët dhe klasën politike. Ky mesazh i ambasadorit vjen pas vendimit negativ dhe zhgënjyes për shqiptarët, për mos hapjen e negociatave. Ambasadori i BE nuk shuan shpresat dhe vijon inkurajimin e shqiptarëve dhe klasës politike që të vijojë punën me reformat, pasi është e vetmja rrugë që do e afrojë atë me BE .

Ambasadori Soreca theksoi se forcimi i demokracisë dhe zbatimit të ligjit do u shërbejë fillimisht shqiptarëve dhe vendit, e më pas do të forcojë edhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe aspiratat e saj për integrim.

Angazhimi i BE për integrimin e Shqipërisë mbetet i palëkundur. BE do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm rrugën evropiane të Shqipërisë, për të sjellë popullin shqiptar në familjen, që i përket. Autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë të përqendrohen në procesin e reformave, e vetmja rrugë që do ta çojë Shqipërinë drejt destinacionit të saj. Jo për BE, por për Shqipërinë dhe për të gjithë qytetarët e saj, për përparimin e vendit drejt standardeve më të larta sa i përket demokracisë dhe ligjit”, shkruan Soreca në Twitter.

Mesazhi i ambasadorit të BE vjen si mbështetje dhe inkurajuese që Shqipëria të mos humb besimin tek Unioni Europian, pavarësisht zhgënjimit që pësoi. Vetoja e vendosur nga Franca për bllokimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mori kritika të shumta nga vetë liderët e BE duke arsyetuar se dëmtoi besueshmërinë e saj dhe i hapi rrugë aktorëve dashakeq në rajon. Madje PE miratoi një rezolutë duke u distancuar nga vetoja e Francës dhe kërkon që për të dy vendet të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë.

Soreca: Miq mos hiqni dorë, një ditë do anëtarësoheni

Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë fajtor për mos hapjen e negociatave. Soreca tha se të dy vendet nuk duhet të dorëzohen, pasi një ditë do të bëhen anëtarë të plotë të BE-së.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë fajtorë për këtë … Sot do të doja t’u dërgoja një mesazh miqve tanë: ju lutem mos hiqni dorë … Unë nuk kam asnjë dyshim absolutisht se një ditë do të bëheni anëtarë të plotë të BE-së”, shkruan Soreca në Twitter

Pas dy ditëve, 17 dhe 18 tetor, intensive diskutimi mes vendeve anëtare te BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Këshilli i Europës nuk arriti dot të kishte një vendim unanim pozitiv për vendet, duke i shtyrë ato për maj të 2020.

Vasili si Meta, sulmon Sorecën: Po mbyllni sytë

Nënkryetari i LSI Petri Vasili sulmoi të dielën Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. Në një postim në rrjetet sociale, duke iu referuar deklaratave të ambasadorit se “Gjermania nuk ka vendosur kushte shtesë për negociatat”, Vasili shkruan: “Gjermania thotë kushte, Soreka i përkthen elemente, kush e ngatërroi? Kryesuesi i Delegacionit Europian në Tiranë Soreka dje duke folur në media për Rezolutën e Bundestagut gjerman “çuditërisht u ngatërrua” dhe tha se kushtet e qarta gjermane sipas tij qenkan elemente. Kushtet gjermane janë dhe mbeten të tilla dhe këtë nuk e luan topi”.

“Kushtet gjermane jane dhe mbeten te tilla dhe këtë nuk e luan topi…që disa ndërkombëtarë kanë mbyllur sytë përpara zhbërjes së shtetit të së drejtës, të zgjedhjeve të lira të lulëzimit të krimit, të trafiqeve dhe të parave të pista, janë fakte që nuk i luan as topi”, shkruan ndër të tjera Vasili.

Po çfarë tha Ambasadori Luigi Soreca të shtunën? Ai u shpreh se Gjermania nuk vendosi kushte shtesë: “Çelja zyrtare e negociatave do të ndodhë në këtë konferencë ndërqeveritare. Ndërkohë kemi dhe disa elementë të tjerë që i gjejmë në rezolutën e Bundestagut, natyrisht janë elementë që janë quajtur kushte të përgjithshme, që janë elementë që duhen përmbushur pikërisht përpara hapjes së kapitujve të caktuar gjatë negociatave”, është shprehur ambasadori Soreca. Në fakt, Ambasadori Soreca citoi pjesë nga Rezoluta e Bundestagut, që përcakton tre kërkesa kryesore për marrjen e datës për negociatat: Krijimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore.

Soreca: Reforma Zgjedhore nis dialogun qeveri-opozitë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka bërë thirrje për nisjen e dialogut qeveri-opozitë si mënyrën e vetme për të kapërcyer krizën politike që ka përfshirë vendin. Ambasadori Soreca tha se ky dialog mund të ketë si nisje specifike Reformën Zgjedhore ku të gjitha palët të ulen dhe të krijojnë një Kod Elektoral sa më përfaqësues dhe duke respektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si një reformë mjaft të nevojshme jo vetëm për krijimin e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe si një sinjal pozitiv për të ndihmuar në çeljen e negociatave.

Ju e dini që ne u kemi kërkuar të gjitha partive që të përfshihen në dialog dhe të marrin pjesë në dialog. këtë e kemi bërë nga hera, janë të shumta thirrjet që kemi bërë për dialog. Më lejoni që të them se dialogu duhet të fillojë nga diçka specifike, dhe kjo mund të jetë reforma zgjedhore, që është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë shumë të rëndësishme për shqiptarët. Kjo të bëhet në një mënyrë të drejtë dhe me standardet ndërkombëtare. Çelja e negociata do të ndihmonte edhe për sa i përket dialogu” tha Soreca, thirrje të cilën e ka përsëritur disa herë që pas djegies së mandateve të opozitës duke dalë nga Kuvendit dhe zhvillimit të protestave të dhunshme si pjesë e aksionit të saj politik.

Për hapjen e negociatave, Soreca tha se tani është momenti që për Shqipërinë të jepet një “PO” dhe se shumica e vendeve anëtare janë pro çeljes së tyre në muajin tetor. Megjithatë, Soreca bëri edhe një thirrje për autoritete shqiptare që të punojnë me lobimin pranë atyre vendeve që janë ende skeptike dhe po reflektojnë ende në lidhje me hapjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Ambasadori i BE Soreca komentoi edhe takimin e Ramës me kancelaren Merkel duke e cilësuar si mjaft të rëndësishme dhe mjaft motivues për Shqipërinë dhe institucionet shqiptare.

Janë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së që do të vendosin. Gjermania është shprehur qartë, por edhe shtete të tjera, se tani ka ardhur koha të çelen negociatat me Shqipërinë. Edhe ne besojmë që ka ardhur koha, dhe duhet të jetë tetori momenti. Ka shtete që po reflektojnë dhe autoritet shqiptare duhet të bëjnë të pamundurën që deri në tetor të kenë gjithçka në rregull për këtë vendim. Kontaktet duhet të vijojnë në pesë javët në vijim dhe këto gjëra po ndodhin. Rama ndodhet në Gjermani për një takim shumë të rëndësishëm me Merkel, dhe jemi të bindur se do të jepet një motivim shtesë për institucionet shqiptare.” u shpreh Soreca për gazetarët ndërsa theksoi se dhënia e një drite jeshile nga BE nuk është fundi i negociatave, por fillimi i një procesi të gjatë që do të çojë në krijimin e një shteti demokratik, larg korrupsionit dhe në shërbim të qytetarëve të saj. “ Çelja e negociatave nuk do të jetë fundi, por fillimi i një procesi që do të na çojë përpara, që në tetor të çojë në dhënien e dritës jeshile“.

Ky mesazh i ambasadorit Soreca vjen në një kohë kur qeveria ka nisur një proces lobimi pranë vendeve anëtare të BE-se më qëllim mbështetjen dhe dhënien e një sinjali pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë në tetor. Në 17 dhe 18 tetor pritet të vendoset për integrimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj në drejtim të reformave, sidomos të saj në drejtësi, një reformë e thellë dhe mjaft e vlerësuar deri në këto momente nga ndërkombëtarët. Gjatë të premtes edhe Kryeministri Rama ndodhet në një vizitë në Berlin pikërisht për të marrë një “PO” nga Gjermania, një vendim domethënës që do të ndikojë edhe në procesin e reflektimit të vendeve të tjera skeptike.

Sulmet ndaj medias, Soreca: Liria e shprehjes, pikë referimi për demokracinë

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, ka dhënë mesazhe të forta për lirinë e mediave dhe gazetarinë investigative në Shqipëri. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Shtëpinë e Europës, ku u dhanë çmimet për gazetarinë investigative, Soreca është shprehur se BE mbështet fortë lirinë e fjalës në Shqipëri, ndërsa ka thënë se ‘liria e mediave është pikë referimi për demokracinë’.

“Ne jemi sot këtu për të dhënë mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për lirinë e mediave dhe gazetarinë investigative në Shqipëri. Në Ballkanin Perëndimor dhe më konkretisht në Shqipëri, BE-ja e konsideron lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave si pikë referimi për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjshmërinë politike. Aspirimi për t’u bërë një Shtet Anëtar i Bashkimit Evropian nënkupton që këto dy shtylla kryesore janë të vendosura mirë dhe respektohen”, ka thënë Soreca.

Ky mesazh i ambasadorit të BE në Tiranë, vjen vetëm pak ditë pasi në media u publikua një qarkore e Partisë Demokratike, ku shpallej portali Realstory.al dhe emisioni Real Story i gazetarit Sokol Balla, si media ‘armike’. Ndonëse në fjalën e tij Soreca është treguar i kujdesshëm dhe i rezervuar, mesazhi i lë të kuptohet se BE nuk pranon sulme ndaj ‘lirisë së fjalës dhe medias’, duke i konsideruar shtylla kryesore që duhet të respektohen. Megjithatë, mesazhet nuk mungojnë as për qeverinë, për të cilën kërkon që të bëjë kujdes me zgjerimin e kompetencave të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

“Komisioni Evropian ndan shqetësimet e organizatave të tjera ndërkombëtare, që lidhen me mungesën e sigurisë juridike dhe zgjerimin e fushës së kompetencës së Autoritetit të Mediave Audiovizive për të përfshirë rregullimin në internet të mediave – pasi kjo mund të çojë në efekt negativ mbi lirinë e shprehjes”, është shprehur Soreca.

Gjatë fjalës së tij, Soreca ka folur dhe për ‘fake news’, duke u shprehur se ky fenomen ka zbehur besimin e publikut te media. “Lajmet e rreme dhe dezinformimi gërryejnë besimin e publikut në gazetari dhe në institucionet publike, gjë që nga ana tjetër pengon që e gjithë shoqëria të ecë përpara. Kur bëhet fjalë për trajtimin e dezinformimit, ndërsa ndajmë shqetësimet e autoriteteve shqiptare në lidhje me dezinformimin, Komisioni rekomandon qasje që janë më pak të ashpra, bazuar në një qasje të vetërregullimit. Kjo është qasja që Komisioni Evropian propozon në Komunikimin e tij mbi “Trajtimin e dezinformimit në internet”, ka thënë Soreca.

Soreca sqaron artistët: KE nuk ka thënë kurrë që çështja e teatrit është politizuar

“Për ne, siç e thashë, është e rëndësishme të respektohet sundimi i ligjit. Procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE, tenderi është i hapur deri në shtator, e rëndësishme është çështja e konkurrencë së lirë dhe të drejtë dhe ai të jetë i hapur deri në 19 shtator”-u shpreh Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i pytur gjatë të hënës në lidhje me çështjen e teatrit. Megjithatë, kjo deklaratë, është interpretuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit si “Fatkeqësisht, Ambasadori ka zgjedhur të rreshtohet në krah të Edi Ramës e Shkëlqim Fushës, dhe kundër artistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të ndershëm të Tiranës dhe Shqipërisë”.

Menjëherë pas këtij reagimi, ka ardhur një tjetër qëndrim i ambasadorit Soreca, i cili i ka sqaruar qëndrimin e tij gjatë të hënës, në lidhje me çështjen e Teatrit. Luigi Soreca i kujton Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, se ajo që ai kishte thënë ishte “respektimi i procedurave për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë”.

“Vrej me shqetësim se përgjigja ime sot në një pyetje mbi çështjen e Teatrit Kombëtar është paraqitur jashtë kontekstit. Prandaj është e dobishme të theksohet se sot kam përsëritur qëndrimin e shprehur tashmë në shtatorin e kaluar nga Komisioni Evropian, kur autoritetet kompetente shqiptare u ftuan për të ndjekur pajtueshmërinë me parimet e prokurimeve publike të BE-së dhe për të siguruara qasje jodiskriminuese në treg. Unë gjithashtu deklarova sot se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë”, shkruan Soreca.

 Ndërkohë, më tej, ambasadori ka sqaruar se gjatë deklaratës së tij, ka shtuar se duhet t`u jepet koha procedurave ligjore, për të marrë një vendim për mosmarrëveshjet që kanë lindur për këtë çështje. “Unë shtova, se është e nevojshme që të jepet kohë për procedurat institucionale për të marrë një vendim për çdo mosmarrëveshje ligjore që ekziston në këtë çështje, në respekt të plotë të sundimit të ligjit. Në fund përfundova duke kujtuar se Delegacioni i BE-së është plotësisht i angazhuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes si e drejtë themelore themelore dhe është e gatshme të vazhdojë dialogun me artistët dhe qytetarët e përfshirë”, shprehet ndër të tjera Soreca.

Në përfundim, duke u shprehur falënderimin artistëve, ai ngre dhe një pyetje retorike, se në cilën deklaratë të Komisionit të Europian thuhet se çështja e teatrit është politizuar. “Por a do të ishte mirë sa të na tregontit se ku thuhet në opinionin e Komisionit Evropian se çështja e Teatrit Kombëtar është politizuar? Nuk ka? Askund? Unë nuk mendoj kështu!”, shkruan Soreca.

Soreca: Gjykata e Lartë sa më parë funksionale

Çdo ditë e më shumë ndërkombëtarët po kërkojnë me ngut plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe vënien e saj në punë.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka zhvilluar një takim të dytë me kryetaren e KLGJ-së, Naureda Llagami me të cilën ka biseduar në lidhje me hapat që po ndërmerren në plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë.

Ky takim është i dyti brenda një kohe shumë të shkurtër, dhe tregon rëndësinë që ka funksionimi i Gjykatës së Lartë për ndërkombëtarët.

“Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami më përditësoi sot me punën intensive të Këshillit të Lartë Gjyqësor në veçanti për vendet vakante në Gjykatën e Lartë për të cilën janë miratuar aktet rregulluese. Kjo është e rëndësishme që së shpejti të kemi një Gjykatë të Lartë funksionale dhe gjithashtu për të balancuar shpejtësinë dhe cilësinë e punës”, shkruan ambasadori i BE-së në Tëitter.

Dy ditë më herët kryetarja e KLGJ-së, Llagami tha në Komisionin e Ligjeve se Gjykata e Lartë do të jetë funksionale në shtator.

“Në shtator do të jemi gati që të kemi vendimet e para të kësaj Gjykate”, tha Llagami.

Llagami i ktheu përgjigje edhe kritikave të presidentit Meta se sipas tij, ka tejkaluar afatet për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën e Lartë. Llagami tha në komision se KLGJ nuk mund të lejonte emërimin në Gjykatën e Lartë të kandidatëve që nuk kanë kaluar procesin e vettingut. Ajo tha se vettingu është pjesë shumë e rëndësishme e Reformës në Drejtësi ndaj dhe ka pasur vonesa në drejtim të plotësimit të vendeve bosh në gjykatë.

Soreca-Metës: Reforma në Drejtësi, e pakthyeshme. Së shpejti ngrejmë SPAK

Ndërsa presidenti Meta sulmon Ramën dhe ndërkombëtarët për Reformën në Drejtësi, përgjigjen e merr menjëherë nga ambasadori i BE-së, në Tiranë, Luigi Soreca.

Ai shkruan të mërkurën se Reforma në Drejtësi vazhdon dhe është e pakthyeshme, ndërsa i kujton se fokusi tani është tek ngritja e SPAK dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ambasadori i BE-së bën thirrje që partitë politike, opozita dhe qeveria të nisin sa më parë dialogun për të kapërcyer krizën politike.

“Është koha që qeveria, opozita dhe institucionet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në një dialog politik për të kapërcyer situatën aktuale.

Është gjithashtu koha për të ecur përpara me reformat e sundimit të ligjit. Zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe është e pakthyeshme. Fokusi tani është krijimi i SPAK dhe sjellja e Gjykatës Kushtetuese në funksionalitetin e saj. Pasi të përfundojë rigorozisht verifikimi i kandidatëve, SPAK do të përmirësojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa Gjykata do të jetë në gjendje të sqarojë të gjitha çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me të drejtat kushtetuese, duke përfshirë çështjet e zgjedhjeve”, shkruan Soreca në twitter.

Ai nxit prokurorinë në hetimin e  krimeve elektorale por edhe në mbylljen e dosjeve të rëndësishme që lidhen me krimin e organizuar.

“Lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë në baza ditore. Prokuroritë duhet të hetojnë çdo formë të pohuar korrupsioni, duke përfshirë krimet elektorale dhe blerjen e votave, në zbatim të legjislacionit ekzistues.

Për të konfirmuar se cikli i drejtësisë penale punon në mënyrë efektive, është gjithashtu e rëndësishme që dënimet përfundimtare të dorëzohen nga gjykatat për aktakuzat e pazgjidhura për rastet serioze të krimit të organizuar”, shkruan ambasadori i BE.

Në përfundim ai kërkon që partitë të nisin sa më parë punën për realizimin e Reformës Zgjedhore si kusht për hapjen e negociatave në tetor, ndërsa garanton mbështetjen e plotë të BE.

“Për më tepër, puna ndërpartiake duhet të rifillojë me shpejtësi për Reformën Zgjedhore.

Të gjitha Institucionet dhe liderët politikë duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në këto objektiva në pikëpamje të vendimit përfundimtar të KE-së në tetori.

BE do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët besojnë fuqishëm në të ardhmen evropiane të vendit të tyre”, shkruan Soreca.

Ambasadori i BE ia bën të qartë presidentit se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas ndërsa i kujton SPAK dhe BKH, dy struktura të rëndësishme që do të merren veçanërisht me politikanët e korruptuar. Një përgjigje kjo për të gjitha akuzat e së martës të presidentit,  i cili akuzonte Ramën se së bashku me një grup diplomatësh kanë bërë përpjekje për një “deep state”, ose krijimin e një shteti paralel, përmes zbatimit ndër të tjera edhe të reformës në drejtësi. Siç duket ndërkombëtarët e kanë seriozisht zbatimin e kësaj reforme ndaj dhe s’ka kthim pas. Deri në tetor Shqipëria duhet të japë prova konkrete që drejtësia funksionon e barabartë për të gjithë.

Soreca gjithashtu i kujton Metës edhe Gjykatën Kushtetuese e cila merr një rëndësi të veçantë, pasi çështjen e parë që do të shqyrtojë do të ketë kërkesa e PS për shkarkimin e Presidentit. Pritet që GJK të ngrihet brenda muajit korrik dhe brenda verës Meta do të jetë një ish-president.

Soreca entuziast: Vendimi, vullnet i mirë i KE. Tani mos humbni kohë!

Pas raportit të publikuar nga Këshilli Europës, ku konfirmohet përmbushja e të gjitha detyrimeve nga Shqipëria për çeljen e negociatave, dhe pavarësisht shtyrjes së marrjes së vendimit, që duket se do të jetë formalitet në tetor, ka ardhur dhe reagimi i ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca. Ai ka shkruar në Twitter duke përshëndetur vendimin e KE-së duke u shprehur se në tetor do të jetë një vendim i qartë dhe substancial për Shqipërinë.

“Këshilli i Europës ka ripohuar sot angazhimin e tij për zgjerimin dhe për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në tetor do të jetë “vendimi i qartë dhe substancial” nga Këshilli. Tani është koha që të gjitha institucionet të vazhdojnë të përqëndrohen në procesin e reformës, dhe në veçanti në mënyrë të drejtëpërdrejtë në Reformën në Drejtësi”, shkruan ndër të tjera Soreca.

Më tej, ai u bën thirrje palëve politike në Shqipëri që të ulen për të vijuar punën me reformat. “Duhet nisur urgjentisht një dialog me të gjitha partitë për të kaluar situatën e tanishme politike, dhe për të siguruar që Shqipëria do të mund të vazhdojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Nuk ka kohë për të humbur”, shkruan Soreca.

Skip to toolbar