Vendimi i Metës, Rama kërkon mbështetjen e ambasadorëve

Kjo e hënë nisi me zhvillime të rëndësishme vetëm pak pasi lindi dielli. Presidenti i Republikës Ilir Meta doli siç kishte parashikuar në konferencë për shtyp në orën 08:00, duke folur për më shumë se 40 minuta, kur renditi, sipas tij, argumentet kushtetues dhe moral, për shfuqizimin e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Direkt pas kësaj lëvizje, Kryeministri Rama, që gjithashtu ditën e ka nisur më herët se zakonisht këtë fillim jave, mblodhi në selinë Rozë Kryesinë e Partisë Socialiste, ku ndër pikat e diskutuara ishte pikërisht mbajtja e një seance të jashtëzakonshme paralamentare të enjten, ku do të diskutohet dhe nis procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Lajmin për këtë vendim e dha zëdhënsja e Qeverisë Elisa Spiropali, e cila konfirmoi se Ilir Meta nuk e meriton më të jetë në zyrën që ka. Më tej, Kreyministri Rama ka planifikuar një takim me ambasadorët e vendeve partnere, i cili do të mbahet në orën 11:00 në Kryeministri, ku padyshim, fokus do të jetë kriza politike në vend dhe lëvizja e paparashikuar e Ilir Metës. Sakaq, ambasadorët e vendeve anëtare të BE, do të zhvillojnë një takim paraprak me ambasadorin e BE Luigi Soreca.

Si ndërkombëtarët “qetësuan” Bashën para protestës

Pak para nisjes së protestës së 8 qershorit,  ambasada e Bashkimi Europian në Tiranë ka reaguar duke bërë thirrje që nuk do të tolerojnë asnjë lloj të dhunës apo përdorim të mjeteve që janë projektuar për të lënduar. Në një deklaratë për mediat, BE cilëson se nëse ka dhunë në protestë përgjegjës do të jenë vetëm drejtuesit e saj, ndërsa ka bërë thirrje për një dialog urgjent për të kapërcyer situatën aktuale politike.

“Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësi për të vepruar me përmbajtje, edhe nëse provokohen.

Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.” shkruhet në deklaratën e BE.

Të njëjtën retorikë mbajti edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, ku bëri thirrje që drejtuesit e protestës të siguroheshin që nuk do të kishte përdorim dhune, ndërsa theksuan nevojën urgjente për tu ulur në tryezën e dialogu.

Deklaratë në prag të protestës së sotme, 8 qershor 2019Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të…

Gepostet von European Union in Albania am Samstag, 8. Juni 2019

Soreca: Përgjimet duhet të faktohen, po shqyrtojmë pretendimet e opozitës

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka vlerësuar arritjet që Shqipëria ka bërë që nga qershori 2018 duke vënë një theks të fortë te reforma në drejtësi. “Kemi të bëjmë me një reformë të pashembullt të reformimit të gjyqësorit në Shqipëri, që nuk është parë në Europë e në botë” ka thënë Soreca në një intervistë për Euronews. “Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm që nga qershori 2018. Së pari progres ka pasur në fushën e drejtësisë, ku janë bërë hapa me rëndësi. Këtu vlen të përmendet edhe reforma në drejtësi, si kryereformë e vendit.”

Ambasadori ka folur edhe për protestat e opozitës duke thënë se “kërkesat e saj janë duke u shqyrtuar”, ndërsa rastin e publikimi të përgjimeve për dosjen 339 i cilësuar si “kompromentuese“.

Opozita duhet ta dëshmojë me fakte se kemi të bëjmë me shkelje ligji e nëse vërtetë ka thyerje ligjore, atëherë BE mbështet tërësisht zbatimin e ligjit. I bëj thirrje të gjitha partive politike që të kapërcejnë ngërçin aktual dhe të marrin në konsideratë interesin kombëtar të shqiptarëve si drejtimin më të mirë për vendin” – tha Soreca

Soreca: Të gjitha palët duhet të tejkalojnë ndasitë për sa i përket integrimit

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka dorëzuar raportin progresin e KE-së, komisionit parlamentar të Integrimit, ndërsa bëri apel që partitë politike në Shqipëri të tejkalojnë ndasitë që kanë për sa i përket objektivit parësor që është integrimi në BE.

“Është kënaqësi që kam mundësi të takohem me komisionin e integrimin evropian. Jam i lumtur që komisioni do të ketë mundësi të shqyrtojë elementët e raportit. raporti është për tu nxjerrë masat dhe për tu zbatuar më pas elementët e nevojshëm për përmbushjen e tij.

Jam i lumtur që japim këtë rekomandim pozitiv për Shqipërinë, i cili është pa kushte, topi është në fushën e këshillit që duhet të marrë një vendim lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Të gjitha palët duhet të tejkalojnë ndasitë dhe të jenë në një drejtim të përbashkët sa i takon integrimit”, tha Soreca, teksa i dorëzoi raportin kryetares së komisionit, Rudina Hajdarit.

Rama “kopjon” Kukan: Lul mendo për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kanë komentuar vendimin e Komisionit Europian për rekomandimin e hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Rama u shpreh se ky raport nuk ishte suprizë, ndërsa shtoi se kjo tregon se qeveria i ka bërë detyrat.

“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces. Kjo nuk është një surprizë, por afirmimin i faktit që i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë me përpikmëri dhe pse i kemi bërë të gjitha. KE ka konfirmuar rekomandimin pozitiv pa kushte për Shqipërinë”.

“Vitin e shkuar Shqipëria mori një rekomandim pa kushte dhe KE vendosi që në qershorin e 2019, që po troket, të zyrtarizojë çeljen e negocitatave dhe në dhjetor të nisë procesi me konferencën ndërqeveritare, çka është e rëndësishme për ne, për të gjithë është se përsëri Komisioni konfirmoi progres dhe bazuar në fakte në shifra ka rirekomanduar çeljen e negociatave dhe ndryshe nga sa ka ndodhur në të shkuarën Shqipëria ka filluar procesin screning që për vendet e tjera ka nisur pas çeljes së negociatave”.

Më tej, Kryeministri Edi Rama u shpreh se hapi i dytë, pas rekomandimit, është miratimi nga Këshilli i Europës. Megjithatë, Rama në këtë pikë u ndalë, duke u shprehur se ky është një vendim politik, ndaj, që Shqipëria të marrë dritën jeshile në qershor, Kryeministri i kërkon bashkëpunim opozitës.

“Përkthyese mos përkthejë asgjë në gjuhë të huaj për mua për opozitën. Këtë e kam apel për Bashën dhe atë pjesë të opozitës që është rrugëve, deri në momentin e vendimmarrjes është mirë të mendojnë për Shqipërinë jo për partinë, të mendojmë për gjeneratën tjetër, jo zgjedhjet, që të mos furnizojmë ata që janë të lëkundur apo në kërkim të arsyeve për të thënë jo, me pamje të gënjeshtra që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana protestash partiake dhe jo popullore”.

Më tej, i pyetur nga gazetarët, nëse do të pranonte një ndërhyrje të Presidentit Ilir Meta për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, Kryeministria Rama tha se: “Por PS-ja shumica nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, të prerë dhe të qartë në 30 qershor nuk është çështja kush do të fitojë por duhet të fitojë Shqipëria institucionale që nuk mund ti nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë. Në raport me Presidentin kam qenë dhe mbetem i bindjes se i duhet Çezarit ajo që i takon, e vlerësoj gatishmërinë e Presidentit dhe jam i bindur që nuk e keqkupton reagimin në raport me këtë pyetje se nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi Kushtetutë për të anashkaluar. E sigurt është që në 1 Qershor PS do të fillojë fushatën në një betejë që nuk është thjesht kush do të zgjidhet por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes” tha Rama.

Soreca: Është koha që partitë të gjejnë kompromisin

Në një intervistë për Deutsche Wellen, Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca flet për fokusin e Javës Evropiane, procesin e reformës në drejtësi, krizën politike si edhe perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit BE-Shqipëri.

DW: Z. Ambasador, nisët Javën e Evropës 2019 dhe slogani i saj është “Fuqia e Rinisë”. Pse kjo zgjedhje sivjet?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Mendoj se nuk kishte zgjedhje tjetër të mundshme, në një vend ku 40% e popullsisë është më e re se 30 vjeç. Të rinjtë janë të pranishëm, të rinjtë janë e ardhmja e vendit dhe ata janë gjithashtu qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Dhe ata po bëjnë thirrje që të kontribuojnë në hartimin e politikave, por gjithashtu për të pasur nevojat themelore, prandaj mendoj se është detyra jonë, para së gjithash e autoriteteve shqiptare, por gjithashtu edhe e BE-së që të mos e lejojmë këtë thirrje të bëhet një thirrje e humbur.

DW: Gjithsesi ka një numër në rritje të të rinjve që duan të largohen nga Shqipëria për disa arsye. Cilat janë mënyrat më të mira për të ndërhyrë dhe për ta parandaluar këtë dukuri?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Ka masa që duhet të ndërmerren në periudhën afatgjatë, afatmesme dhe afatshkurtër. Natyrisht që nuk do t’i rendis të gjitha, por punësimi dhe arsimi është për të rinjtë nevoja më e rëndësishme në programin afatgjatë, por ata kanë nevojë për këtë tani, për këtë arsye ne duhet të vemë në dispozicion të tyre infrastrukturën dhe fondet e nevojshme. Ne mund të ndihmojmë, por kjo është kryesisht një nevojë shqiptare. Pika tjetër është, dhe dua që me të vërtetë ta theksoj, të rinjtë kërkojnë të dëgjohen, duan të marrin pjesë, duan të përfshihen. Dhe kjo është e vetmja mënyrë që ata të jenë pjesë e sistemit shqiptar dhe për këtë arsye të mos largohen, sepse vetëm nëse kanë një punë, por edhe nëse dëgjohen nga institucionet publike ata ndjehen pjesë e asaj ku ata tashmë janë pjesë. Për ndonjë arsye nuk ka hapësirë për dialog mes tyre dhe sistemit shqiptar dhe Java e Evropës ka për objektiv krijimin e këtij dialogu. Tani është një dialog për shkëmbimin e ideve, por një nga rezultatet që ne dëshirojmë të kemi nga Java është krijimi i një dialogu të strukturuar dhe lejimi i të rinjve dhe fëmijëve që janë kaq të angazhuar, kaq të zgjuar, të marrin pjesë në hartimin e politikave, të shprehin idetë e tyre dhe pastaj të jenë pjesë e përhershme e Shqipërisë plotësisht dhe kjo me siguri do t’i ndihmojë ata të qëndrojnë aty ku e kanë vendin.

DW: Ju paraqitët një sondazh mbi perceptimin e qytetarëve shqiptarë lidhur me Bashkimin Evropian në Shqipëri. Cilat janë gjetjet që janë më të rëndësishme në pikëpamjen tuaj?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Ne jemi shumë të kënaqur të shohim se populli shqiptar ende është shumë pranë Bashkimit Evropian. Pothuajse 93% e qytetarëve shqiptarë, siç tregohet në sondazh, beson se anëtarësimi në BE është objektivi i tyre më i rëndësishëm. 79% e tyre gjithashtu besojnë se reforma e drejtësisë është gjëja e duhur për të bërë. Dhe vetëm 13% e qytetarëve shqiptarë besojnë se reforma e drejtësisë nuk po shkon në drejtimin e duhur. Dhe mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme, reforma e drejtësisë ka qenë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga Shqipëria. Duhet kohë, është një reformë gjigante, po ecën në mënyrë të qëndrueshme.

DW: Por ka një vakuum të madh në sistemin gjyqësor. Për shembull, një Gjykatë Kushtetuese që nuk funksionon. Si mund të mbështesë Bashkimi Europian për të normalizuar situatën?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Po diskutoja me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi javën e kaluar dhe ai më tha se e ka finalizuar listën e kandidatëve për t’ia dorëzuar Presidentit dhe pastaj Parlamentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Shpresojmë se në muajt e ardhshëm Gjykata Kushtetuese do të rifillojë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për ndikimin që kjo periudhë ka pasur në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe ata kanë të drejtë, por në fakt 79% e tyre ende mbështesin reformën e drejtësisë dhe na tregojnë se sa e rëndësishme është ajo për qytetarët shqiptarë. Elementi përfundimtar që dua të shoh nga sondazhi është fakti se qytetarët shqiptarë duan që ne të kujdesemi më shumë për faktorët ekonomikë dhe socialë. Këto janë elemente që nuk janë medoemos në agjendën e diskutimit politik, por këto janë nevojat e përditshme të shqiptarëve dhe ata po i bëjnë thirrje politikës dhe rrjedhimisht edhe bashkësisë ndërkombëtare që të kujdesen edhe më shumë për anën ekonomike të jetës. Dhe ne jemi shumë të kënaqur që programi ynë, që do ta zbatojmë dhe që po e zbatojmë tashmë, përqendrohet aq shumë tek përfshirja sociale dhe zhvillimi ekonomik.

DW: Por z. Ambasador, ka një perceptim se reforma gjyqësore po ecën shumë ngadalë dhe askush nuk po shkon në burg. Kur do t’i ndjejnë qytetarët shqiptarë efektet e kësaj reforme?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vetingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës. Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme. Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë.

DW: Pavarësisht disa reformave të ndërmarra, procesi i hapjes së negociatave me BE-në ka një shtyrje për në muajin shtator. A ka ndikuar kriza politike në këtë shtyrje?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Shqipëria duhet të besojë në atë që bëri gjatë vitit të kaluar. Komisioni Evropian do të nxjerrë një raport në fund të këtij muaji dhe më pas Këshilli – ju e dini dallimin mes Komisionit dhe Këshillit – do të marrë një vendim jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për afatin kohor. Dhe kjo varet tërësisht nga Presidenca Rumune e Këshillit. Kam dëgjuar ashtu si dhe ju, se ka disa shtete anëtare që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar raport-progresin e Komisionit Evropian duke pasur parasysh se ka vetëm tri javë kohë ndërmjet miratimit të raportit dhe vendimit të Këshillit. Por kjo ende nuk është vendosur, ndaj derisa të vendoset i ftoj autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të përqendrohen në këtë afat. Nëse ky afat do të shtyhet për më vonë këtë vit, shpresoj vërtet që qeveria shqiptare ta përdorë mirë këtë kohë. Dhe në muajt e ardhshëm SPAK-u do të funksionojë, Gjykata Kushtetuese do të rikthehet dhe ndoshta do të kemi edhe një zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR mbi ligjin zgjedhor.

DW: Z.Ambasador, cili është mesazhi juaj për qytetarët shqiptarë dhe partitë politike shqiptare, në këtë situatë që po kalon Shqipëria?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Sigurisht që kemi luajtur një rol në këtë vend dhe ne vazhdojmë të luajmë një rol të rëndësishëm. Siç thashë më parë, ne kemi një mandat të fortë nga qytetarët shqiptarë, 93% prej të cilëve duan të hyjnë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe një përgjegjësi të fortë. Dhe tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat. Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara.

Java e Europës, Soreca: Rinia të bëhet pjesë e vendimmarrjes

“Të rinjtë janë e ardhmja e vendit dhe ajo e ardhme është në Bashkimin Evropian.” Ky ishte mesazhi që ambasadori i BE, Luigi Soreca dha gjatë përgatitjes për Javën e Europës.

Soreca tha se janë përgatitur hapësira dialogu në shkolla e universitete në mënyrë që të rinjtë të përfshihen sa më shumë në vendimmarrje dhe të njihen me politikë-bërjen e BE.

“Me 40% të popullsisë më të re se 30 vjeç, Shqipëria është një nga vendet më të reja në Evropë. Të rinjtë janë e ardhmja e vendit – dhe ajo e ardhme është në Bashkimin Evropian. Të rinjtë duhet të jenë pjesë e vendimeve që ndikojnë tek ta. Për ne, kjo do të thotë të bëjmë më shumë për t’i përfshirë të rinjtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Për të përgatitur Javën e Evropës 2019, ne jemi angazhuar me shkollat, universitetet dhe organizatat rinore për të krijuar hapësira dialogu. Hapësira ku mund të diskutohen prioritetet, ndjenjat rreth Bashkimit Evropian, shpresat dhe shqetësimet e të rinjve. Në vitin 2019, u prezantua një Strategji e re Evropiane për Rininë që të rinjtë të artikulonin prioritetet e tyre dhe të merrnin pjesë në politikë-bërjen e BE-së. Java e Evropës 2019 shënon fillimin e këtij dialogu të strukturuar me BE-në në Shqipëri.

Çdo ditë unë takoj të rinj shqiptarë të cilët janë aktivë, të përkushtuar dhe plot iniciativë. Java e Evropës 2019 është për ata. Ne duhet t’u njohim meritat të rinjve që dalin vullnetarë për të mbështetur njerëzit në nevojë, për të ruajtur natyrën ose, thjesht, që janë të përkushtuar për të ndihmuar komunitetin e tyre. Demokracia lulëzon përmes vullnetarizmit dhe altruizmit.

Gjatë Javës së Evropës 2019, të rinjtë do të jenë në zemër të integrimit të Shqipërisë në BE. Le ta çlirojmë Fuqinë e Rinisë!” – shkruan Soreca

Asgjë s’ka ndryshuar. BE e thotë qartë: Shqiptarët udhëtojnë pa viza

Megjithëse parlamenti holandez propozoi që Shqipërisë t’i kthehet regjimi i vizave, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka sqaruar njëherë e mirë se asgjë s’ka ndryshuar dhe se shqiptarët do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza.

Madje, Soreca ka theksuar se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat në lidhje me vizat dhe se qeveria holandeze nuk është shprehur qartë.

“Asgjë nuk ka ndryshuar deri në këtë moment, vijon udhëtimi pa viza në zonën Shengen. Më lejoni që të them që kemi ftuar qeverinë shqiptare që të rrisë bashkëpunimin me Holandën për emigracionin e pa ligjshëm dhe lufta kundër krimit. Udhëtimi pa viza është një arritje fantastike për Shqipërinë, që do të thotë ka pasur një progres që prej vitit 2010. Ju e dini që kam qenë në krye të këtij procesi dhe jam i sigurt që Shqipëria do të marrin masat e duhura që të ruhet kjo arritje fantastike”, është shprehur ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. 

Skip to toolbar