Lëvizja “Basha ik”, Elezi: PD si PPSH, Basha ta provojë lëkurën në zgjedhje

Pas publikimit në Realstroy.al të lajmit se në shtator ‘nis lëvizja “Basha ik”, nga Selia e PD janë intensifikuar sulmet në drejtim të demokratëve, që kanë shprehur hapur qëndrimin kundër Lulzim Bashës. Sulmet më së shumti janë përqëndruar ndaj Jozefina Topallit, ish-deputetes së PD dhe një prej figurave më të rëndësishme të kësaj partie në kohën e Berishës. Na mediat pranë opozitës deri te figura pranë kreut të PD, Lulzim Basha, kanë sulmuar javët e fundit Topallin, por edhe personalitete të tjerë të lëvizjes “Basha ik”. Ibzen Elezi, pjesë e kësaj lëvizje, kritik i hapur i kryedemokratit Basha, ka bërë një reagim mbrëmjen e së martës, ku i përgjigjet kritikëve të zërave kundër Bashës. Elezi shprehet se argumenti “kritikët e Bashës i shërbejnë Ramës”, është i vetmi argument që ka mbetur në PD. Madje, sipas ish-kryedemokratit të Kukësit, Partia Demokratike ka rënë nën standardet e Partisë Komuniste të dikurshme, që shprehej se “kritika me baza të shëndosha e forcon Partinë”.

“Kritkët e Bashës po i shërbejnë Ramës! Argumenti i vetëm i mbetur. Teorikisht kritika kur është me baza dhe argumenta i shërben gjithmonë çështjes, në rastin korrekt t`i thuash Bashës apo Ramës se e kalon problemin nga diskutimi mbi çështje individi, e trashëguar kjo kryesisht nga sistemi komunist. Po pse nuk merreni me thelbin e kritikave dhe nëse keni argumenta rrëzojini ose përmirësojeni, a e kuptoni se po bëheni qesharak se në kohë e partisë punës, kur dikush thoshte “s`ka buk” i kthenin përgjigjen “armik i partisë” dhe e rrasnin brenda për agjitacion e propogandë. Po as në standardet e PPSH nuk ngriheni do mor të mbaruar, ata të apktën e thonin: “kritika me baza të shëndosha e forcon Partinë”, shkruan ndër të tjera Elezi.

“Po si s`ju vjen turp, për këtë formim mediokër apo servilizëm bajat. Po a e dinë se një ekip futbolli i kategorisë së dytë apo tretë pas ndeshjes bën analizë, si-qysh-tek, e jo një Parti Politike për aksione politike të dështuara apo rezultate katastrofike. Shtatori do të jetë muaj i rëndësishëm, anëtarët duhet të shprehin vullnetin për analizën me debat dhe zgjedhje të reja në PD, a kandidon Basha, patjetër duhet dhe të provojë garë të vërtetë dhe jo me Selamat e Soros për fasadë. Do jenë zgjedhje kur për së pari herë do ketë kandidat të djathtë me pikëpamje të djathta, gjë që i munon PD dhe skenës politike. Aty do shohim se sa i vlen lëkura secilit, përballë votës së anëtarësisë”, shkruan ndër të tjera Elezi.

Përsëritja e ngrefosjes së Lulit, si i “fortë”

Nga Mero Baze

Rihpaja e debatit për kryetarin e ri të Bashkisë së Shkodrës ka zgjuar për të disatën herë një ves burracak të disa elementëve të Partisë Demokratike, që nuk dihet pse e kanë caktuar veten të “fortë” dhe mendojnë që u ka hije kërcënimi.

I pari i tyre është gjithmonë Lulzim Basha. Ky ka kohë që kërcënon për çdo gjë me dhunë, me tërheqje zvarrë, me përmbysje, por deri tani i vetmi njeri dhe lider politik, që është tërhequr zvarrë nga kundërshtari i vet, është ai.

Pas 7 mujash protesta të dhunshme, ai arriti të prishë vetëm “kërpudhën” tek kryeministria dhe të plagosë rreth 20 policë, pa llogaritur dhe Sahit Dollapin. As e rrëzoi, as i ndaloi zgjedhjet, as i ndaloi konstituimet, as i mbajti dot në zyrë kryebashkiakët.

Dhe nuk është se kishte mundësi ta bënte, e nuk e bëri dot. Nuk kishte mundësi ta bënte. Problemi është pse ngrefoset kot me diçka që nuk ka mundësi ta bëjë.

Tani të njëjtën gjë banale po bën për konstituimin e Këshillit Bashkiak në Shkodër. Bën si i fortë, nxjerr ca palaço që janë vetëshpallur të “fortë”, dhe paralajmëron dhunë si Mihali Qeparoit kur i kërkon ushqim.

Nuk e di se çfarë fiton politikisht nga kjo betejë idiote përveçse të shtyjë këto dy javët e fundit të gushtit, por ajo që është bërë banale këtu e një vit, kërcënimi i përditshëm për dhunë dhe pastaj zbythja si legen në shtëpi, është mirë të mos përsëritet, se është bërë bajate.

Këshilli Bashkiak i Shkodrës është legjitim, i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk e ndal dot askush. Kjo është një betejë e humbur pa nisur.

Beteja për kryetarin e ri të Bashkisë së Shkodrës nuk ka nisur ende. Duhet të shpallen zgjedhjet e pjesëshme të parakohshme në Shkodër dhe duhet të bëhen për 45 ditë sipas Kodit zgjedhor. Basha mund ta fillojë sërisht nga e para retorikën e tij, mund të thotë nuk do t’i lejojmë, nuk do t’i pranojmë, nuk do t’i njohim, nuk do ta lëshojmë…e të tjera broçkulla, por nuk bën dot asgjë.

E vetmja gjë e mirë që mund të bëjë për vete dhe PD, është të mos flasë fare për këto çështje që i ka humbur një herë, se do turpurohet përsëri. Më mirë të vazhdojë luftën me Jozefinën, Patozin, Imamin, Ristanin, apo dhe me Rudina Hajdarin e Myslym Murrizin, se mos i rrezikojnë karrigen.

I vetmi njeri i rrezikuar nga ajo që ka ndodhur më 30 Qershor dhe ajo që do ndodh në Shkodër, është Basha. Ai është humbësi i madh i gjithë historisë së politikës shqiptare, pasi ka marrë një parti me 65 deputetë dhe 16 bashki, dhe e ka lënë pa asnjë deputet dhe pa asnjë këshilltar. Dhe tani ka vendosur të derdhë gjak për Voltanën.

Pas LSI dhe Basha politikë me të vdekurit: Rama urren shqiptarët

Pas më shumë se 24 orë nga aksidenti fatal, që ndodhi të premten ku humbën jetën dy punëtor dhe mbetën 3 të tjerë të plagosur, nga shembja e një skele në një pallat në kryeqytet, ka reaguar kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Me një fjali në rrjetin social Tëitter, Basha, bën politikë me dy viktimat e aksidentit fatal të cilët humbën jetën gjatë kohës që po punonin në lartësi në një pallat.

Kryedemokrati akuzon kryeministrin Edi Rama se është “arrogant dhe i pshpirt me shqiptarët të cilët i urren”. “Artisti i mashtrimit, arrogant dhe i pashpirt me shqiptarët të cilët i urren, asnjë fjalë për 2 viktimat e makutërisë mafioze në zemër të Tiranës”, shkruan Basha.

Aksidenti i shembjes së skelës ku humbën jetën dy punëtor të dy kompanive të ndryshme, dhe mbetën të plagosur rëndë tre të tjerë, ndodhi të premten pas mesdite.

Për këtë ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik, Policia e Shtetit ka arrestuar dy inxhinier të dy firmave që po punonin në pallatin ku ndodhi ngjarja, ndërsa ka shpallur në kërkim administratorin e njërës prej firmave.

Nën hetim janë vënë dhe inspektorët e inspektoratit të punës. Pavarësisht kësaj, opozita, më herët LSI, dhe tashmë Basha, reagojnë duke e përdorur ngjarjen e rëndë për përfitime politike.

Ndreu, Bashës: Shihemi në gjyq. PD: Drejtësi nga Perëndia!

Me anë të një videomesazhi, Lulzim Basha e akuzonte kryebashkiakun e ri të Lezhës, Pjerin Ndreu, si person i “futur në listën  e zezë të përtnerëve prej vitit 2003. I larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjimet e manipulimit zgjedhor në dosjen 184, nuk dënohet por kandidohet”, shkrunte ndër të tjera kreu i PD. Pas kësaj akuze, ka reaguar Pjerin Ndreu, i cili është shprehur se me Lulzim Bashën do të ballafaqohet në gjykatë për akuzat e ngritura në drejtim të tij.

“Për Lulzim Bashën: Zoti kryetar i opozitës të pres për një vizitë në Bashkinë e Lezhës, ku të diskutojmë për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e qytetit. Sa për inkriminimin tim së shpejti do të shihemi në gjykatë. As ti e as perëndia në qiell nuk ka shansin të më gjej qoftë një element sado të vogël inkriminimi”, shprehej ndër të tjera Pjerin Ndreu.

Pas ftesës për të shkuar në Lezhë, dhe përgjigjes se për akuzat do të përballeshin në gjykatë, PD ka  reaguar përsëri kundër Pjerin Ndreut. Sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, u shpreh se “Basha patjetër do të vijë në Lezhë, ku ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të saj, për të drejtuar vendin dhe për t`u hapur rrugë planeve të zhvillimit të Lezhës dhe në të gjithë Shqipërinë”, shprehet Ivi Kaso.

Gjithashtu në deklaratën e Ivi Kasos shtohet se “si fillim, bashkia e Lezhës do të çlirohet nga trafikanti që e ka uzurpuar atë dhunshëm! Pjerin Ndreu dhe çdo anëtar tjetër i bandës së Edi Ramës, me të cilët ai mban pushtetin e tij kriminal, do të dalin nga politika dhe do të shkojnë para drejtësisë me pranga në duar. Zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit dhe vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen!Rrugët e Perëndisë për të bërë drejtësi janë të pafundme”, përfundon deklarata.

Thellohuni edhe pak, kush ua solli “shtrigën” Jozefinë!

Nga Mero Baze

Në PD më shumë janë mërzitur që nuk ka ikur Jozena, se sa që ka ikur Valdrini. Partia e cila ka të drejt të festoj, pasi ka vrarë një kryebashkiak, ende pa marrë detyrën, është në hall, se si të bëj gurë më të urryer për demokratat Jozenën, se sa Valdrinin. Dega e PD në Shkodër e ka akuzuar se ka mbështetur Valdrinin për drejtor në kohë të Berishës, pastaj me  rradhë, aq shumë akuza, sa vetëm për “Gërdecin”, “Rrugën e Kombit” dhe “21 Janarin” nuk dilte e implikuar.

Pastaj gjithë të zezat e tjera të PD në pushtet i kishte bërë Jozena. Bile dhe për Ciljetën dhe Greta Kocin kjo paska qenë sponsore. Kot thonë që nuk i do gratë dhe akoma më kot i paskemi rënë më qafë Flamur Nokës si sposor i tyre, pasi e kemi fut në sherrë dhe me gruan. Duket qartë që është një fushatë e orkestruar nga Basha, por është shumë e paqartë përse i duhet armike Jozena Topalli tani dhe pse do të shpjegoj të gjithë idjotësitë e PD në të shkuarën, me Jozenën.

Jozena Topalli shkoi në PD, kur PD i kishte të gjitha dhe vetëm pas gjashtë muaj, nuk kishte asgjë. Ajo është pjesë e një memorie historike të PD, nga ato që u desh të përballej me një opozitë të egër dhe të identikohej me një luajlitet shpesh të padurueshëm me Berishën. Kjo e bëri atë gurë politike në PD. Lulzim Basha ja ndërpreu karrierën me brutalitet, dhe për këtë duhet cmuar si njeri që di të identikoj rreziqet. Bashkë me të, Basha hoqi cdo politikan të para vitit 2005 dhe një pjesë të atyre të 2005, që i bënin hije.

Pasi i hoqi, pasi u ndërpreu karrierën politike me rregulla antidemokratike, pasi tentoi të bëj pazar me Edi Ramën më 2017, për të shpëtuar nga efektet e heqjes së tyre dhe pasi e pësoi me 240 mijë vota më pak, nga ky akt , tani rruga më e mirë do ishte ti merrte me të mirë dhe ndoshta dhe ti gënjente Jozenën dhe të ngjashmit e saj. Demonizimi I Jozenës në sytë e demokratëve, është qesharak. Akoma më qesharak është identifkimi I gabimeve të PD me Jozenën.

Me këtë kriter na del që Berisha paska qenë një kukull dhe Jozena kishte gjithë pushtetin. Jo se fyhet Berisha në këtë rast, por minimumi kur i kërkoni llogari Jozenës pse ka mbështetur Valdrinin në PD dhe Edi Ramës pse e ka mar Valdrinin dhe e ka ribër drejtor dhe kryetar bashkie, duhet ti  kërkoni llogari dhe Berishës pse u ka sjell Jozenën, që qenka kaq kriminele. Pale pastaj kur të vij ora të shani Lulin për këto që bën. Do tu duhet ti këkroni llogari Argitës pse ua solli

Basha ‘gëzon’ për largimin e Pjetrit (harron që e promovoi PD)

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas lajmit për dorëheqjen e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se tashmë ka “një kriminel më pak në politikë”, ndërsa shton se nuk ndryshon asgjë deri sa të largohet Edi Rama.  “Një kriminel më pak në politikë; një uzurpator më pak në pushtetin vendor. Asgjë nuk ndryshon deri sa të largojmë Edi Ramën, kokën e krimit politik”, shprehet Basha.

Ky reagim i Lulzim Bashës vjen vetëm pak pas njoftimit në rrjetet sociale të Valdrin Pjetrit, ku lajmëronte se nuk do të merrte mandatin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Megjithatë, edhe pse e quan “kriminel” Valdrin Pjetrin, Lulzim Basha harron se ishte partia e tij që e promovoi në politikë në vitin 2010, kohë kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike.

Madje, në atë kohë, PD i besoi Valdrin Pjetrit në krye të pasurive të konfiskuara nga trafiku i drogës. Madje po në kohën e PD, kryebashkiaku i dorëhequr i Shkodrës, ende pa marrë detyrën, mori dhe çertifikatën e sigurisë. Ndaj, Basha duket se e harron këtë fakt, ndonëse e kujtoi indirekt një ditë më parë, kur sulmoi Jozefina Topallin, duke e akuzuar ish-deputeten e PD, si personi që “promovoi Valdrinin në politikë”.

Basha trembet nga Topalli, PD e Shkodrës: Valdrinin e promovoi Jozefina

Pas reagimit të gjatë të ish-deputetes demokrate të Shkodrës, Jozefina Topalli, që shprehej se “Bashën nuk e njohin më demokratët”, kreu i PD-së ka gjetur një rrugë indirekte  për të sulmuar Topallin. Ka qenë dega lokale e Partisë Demokratike në Shkodër, që ka reaguar në Facebook kundër Jozefina Topallit, duke u shprehur se sa herë që Rama është në pozitë të vështirë, “shfaqet Jozefina Topalli për të sulmuar Lulzim Bashën”.

“Rastësi apo shërbim ndaj Ramës, këtë e gjykojnë vetë qyetarët e Shkodrës dhe të Shqipërisë! Çudia është se s`kishte asnjë fjalë për Valdrinin, si trafikant i dënuar droge. Asnjë fjalë për Ramën që përdhosi dinjitetin e qytetarëve të Shkodrës me kandidatin e dënuar për trafik droge! Me gjasa është kujtuar, që duke injoruar kontributin e çdo demokrati të ndershëm, gjatë kohës që qeveriste PD, për hatër të Luigjit, babait të Valdrinit dhe mikut të saj, e promovojë Valdrinin në poste drejtuese, edhe pse pa asnjë kontribut në Partinë Demokratike”, shkruan ndër të tjera PD e Shkodrës duke sulmuar dhe akuzuar drejtpërdrejt Jozefina Topallin si personi që “promovoi Valdrin Pjetrin në struktura drejtuese në institucionet shtetërore kur PD ishte në pushtet”.

Por ky reagim ndaj Jozefina Topallit, më shumë se sa një përgjigje për reagimin e saj këtë të mërkurë ndaj Lulzim Bashës (lexo këtu), duket si një mbrojtje e kryedemokratit ndaj lëvizjes “Basha ik” (lexo lajmin e Realstory.al), që tashmë ka nisur dhe Topalli do të jetë një prej figurave kyçe të këtij procesi. Pra, Lulzim Basha duke përdorur PD-në e Shkodrës hidhet në kundërsulm ndaj Jozefina Topallit dhe figurave të tjera të Partisë Demokratike, që kanë shprehur qëndrime kritike ndaj tij dhe kanë kërkuar publikisht largimin nga drejtimi i PD.  

Pas Frrokajt, edhe Kapllanaj e ka me Bashën: S`na la të kandidonim

Të martën ka rënë dhe një tjetër bashki e drejtuar nga PD katër vitetet që shkuan. Në Mallakastër ka marrë fund mandati i Agron Kapllanajt, ndërsa është bërë betimi i kryebashkiakut të ri Qerim Ismailaj, që fitoi në zgjedhjet e 30 qershorit. Konstituimi i këshillit të ri bashkiak dhe betimi i kryetarit të bashkisë u bën në një shkollë në qytetin e Ballshit, pasi në ambientet e bashkisë ndodhej ish-kryebashkiaku Kapllanaj, që ka zhvilluar një mbledhje me këshillin e vjetër të bashkisë.

“Është një nder i madh të përfaqësosh në detyrën e kryetarit të bashkisë Mallakastrën tonë. Do bëjmë të mundur që Mallakastra të ndryshojë në të gjithë sektorët e saj. Më lejoni të falenderoj të gjithë të ftuarit e sotëm. Unë shpresoj dhe besoj që bashkë me këshillin e ri bashkiak do bëjmë të mundur që në fund të mandati 4-vjeçar që Mallakastra të ketë pësuar ndryshim të dukshme në të gjitha fushat. Mallakastra ka nevojë për kontributin e të gjithëve. në do të krijojmë një forum konservativ ku do jenë pjesë të gjithë anëtarët e partive politike që kanë dhënë kontribute për Mallakastrën. Nga sot e në vazhdim Bashkia i thotë të gjithëve të majtë e të djathtë se do jemi në shërbim të qytetarëve të Mallakastrës”, u shpreh Qerim Ismailaj pas betimit si kryetar i Bashkisë së Mallakastrës.

Mbarime Isufi do të jetë kryetarja e re e këshillit bashkiak të Mallakastrës, ndërsa ndihmësit e saj do të jenë Nezhmi Sula dhe Gençi Malaj. I pranishëm në këtë mbledhje ka qenë dhe nënkryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Socialiste të Qarkut të Fierit. Ndërkohë, pas mbledhjes së këshillit të ri bashkiak, ka volur kryertari i vjetër i bashkisë së Mallakastrës Agron Kapllanaj. Ai është shprehur se ishte i ndërgjegjshëm që mandati i ka mbaruar, duke u shprehur se në 30 qershor nuk pati mundësi të kandidonte.

“Unë nuk kam lidhje fare e mbledhjen e këshillit bashkiak të dalë nga votimet. Unë kam lënë një takim. Unë jam koshient që mandati im ka mbaruar. Në 30 qershor nuk pata mundësinë të kandidoja. Duhet të bëja një takim të fundit për të bërë një analizë të shkurtër të punës tonë. Unë do doja ta prisja pasardhësin tim por nuk ka një të tillë. Nuk mund të pres një kryetar të dalë nga votimet e 30 qershorit. Nuk dua të bëhem pjesë e paligjshmërisë. Ky është një emërim politik që do t’i ketë ditët e shkurtra. Pas pak muajsh Mallakastra do ketë mundësi të zgjedhë përmes zgjedhjeve të vërteta. Nga politika nuk më largon askush. Nuk ia jap kënaqësinë askujt që të largohem nga Mallakastra. Unë do jem këtu për të punuar me ta, për të bërë më të mirën për ta”, deklaroi Kapllanaj.

Ndërkohë, pas përfundimit të mbledhjes ku u bë konstituimi i këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri të bashkisë, Qerim Ismailaj është futur në zyrën që do të drejtojë për katër vitet e ardhshme. Edhe pse dera ka qenë e mbyllur e bashkisë ka qenë e mbyllur, ajo është hapur me forcë, ndërsa nga PD nuk ka pasur militantë për të bërë rezistencë.

Lëvizja “Basha Ik” dhe presioni i aleatëve, tërhiqet Basha: Koha të zgjidhim krizën

Gjatë një takimi me banorët  e Fushë-Arrëzit, Lulzim Basha u ka thënë demokratëve të kësaj zone, se “Partia Demokratike i fiton zgjedhjet, kurdo që të mbahen ato”. Kreydemokrati e ka cilësuar, sipas tij, “refuzimin që shqiptarët i bën Edi Ramës në 30 qershor, si një aleancë të madhe politike, që ka njohur ndonjëherë Shqipëria”.

“Përmes 6 muajsh protestash i kemi dhënë kurojo çdo shqiptari, kemi vetëdijësuar çdo shqiptar dhe sot pas 30 qershorit, nuk janë vetëm sondazhet ato që tregojnë PD dhe aleatët fitues të zgjedhjeve të ardhshme, të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato, por është vetë përmasa e 30 qershorit. Janë 85 përqind e shqiptarëve të cilët ushtuan me refuzimin e tyre në 30 qershor, thirrjen kombëtare: “Rama ik” dhe vulosën kësisoj aleancën më të madhe politike që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët që nga vitit 1992″, është shprehur Basha, sipas një komunikate shpërndarë nga zyra e shtypit e Selisë Blu.

Duke folur për 30 qershorin, Lulzim Basha pretendon se rezultati i zgjedhjeve ka treguar që Edi Ramën e kanë ‘braktisur dhe socialistët’. “Me 30 qershor Edi Ramën dhe regjimin e tij e kanë braktisur edhe socialistët e ndershëm. 30 qershori është dita e bashkimit më të madh “Rama ik”, por është edhe një klithmë, një kushtrim për ndryshim”, është shprehur Basha.

Në fund, të mesazhit të shpërndarë nga PD, mësohet se Lulzim Basha ka është shprehur se tani ka ardhur koha që t`i jepet zgjidhje krizës, që sipas tij është e tmerrshme. “Prej nesh shqiptarët kërkojnë më shumë se denoncime, më shumë se përballje, kërkojnë më shumë siguri për të nesërmen dhe rrugën e ndryshimit të vërtetë ku gjithkush do të jetë më mirë. Tani ka ardhur koha ti ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo krizë e tmerrshme dhe ta shndërrojmë shumicën 85 përqind  “Rama ik”, në shumicën e re qeverisëse që do ti prijë transformimit ekonomik dhe politik të vendit”, ka thënë Basha.

Por, kjo është hera e parë, që Lulzim Basha shprehet se ‘ka ardhur koha që t`i ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza’. Pasi, në qëndrimet që ka mbajtur deri më sot, Lulzim Basha është shprehur i vendosur se “nuk ka zgjidhje të krizës pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe pa Edi Ramën”. Ky qëndrim i ndryshuar i kryedemokratit vjen vetëm pak ditë, pasi Realstory.al (lexo shkrimin) publikoi një shkrim për lëvizjen “Basha ik”, që pritet të fillojë në fund të muajit gusht apo fillim të shtatorit, nga demokratë që kanë shprehur qëndrimin kritik të Lulzim Bashës.

Gjithashtu, ky qëndrim, i kreut të PD-së, vjen edhe pas presionit të aleatëve të tij, që ndryshe nga Basha, kanë kërkuar dialog me Edi Ramën dhe zgjidhje të krizës. Ndërkohë, kujtojmë, se këtë të diel, dekreti i Ilir Metës për zgjedhjet e 13 Tetorit, bie zyrtarisht edhe për shkak të djegies së afateve kushtetuese për regjistrimin e subjekteve politike në garë.

Basha premton ‘luftë’ ndaj oligarkëve (kur të vijë në pushtet)

Lulzim Basha beson se lufta kundër informalitetit e nisur nga qeveria, bëhet për të grabitur paratë e  tyre dhe për të financuar, sipas Bashës, “lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”. Kryedemokrati shprehet se kryeministri Edi Rama është ‘përfitues ndaj informalitetit’, duke e akuzuar atë se “po vjedh gjithë buxhetin e shtetit”. Me një reagim në rrjetet sociale, kreu i opozitës, ka sulmuar qeverinë dhe aksionin ‘anti-informalitet’ ndaj biznesit në vend.

“Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre për të financuar grykësine dhe lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij milionerë. Si hajdut psiqik që është, vodhi të gjithë buxhetin e shtetit me kontrata dhe koncesione kriminale, por nuk do ndalet deri sa të vjedhë edhe pikën e fundit të mundit dhe gjakut të shqiptarëve. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare”, shprehet Basha.

Ndonëse aksioni kundër informalitetit në ekonomi ka pasur rezultate konkrete deri më tani, ku ndëshkimet nuk kanë qenë selektive ndaj biznesit, siç shpesh ka ndodhur në qeverisjet e shkuara, për kryedemokratin Basha, qeveria favorizon ‘oligarkët’ e vetë. “Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa dhe tarifa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme”, shprehet Basha.

Duke akuzuar qeverinë për PPP-të, Basha shprehet se kur Partia Demokratike të vij në pushtet, këto marrëveshje do të anulohen. Ndërkohë, premton se biznesit do t`i anullohen të gjitha politikat fiskale, duke ndëshkuar abuzuesit. “Do të anullojmë të gjitha politikat fiskale që janë me emër biznesi, do të lehtësojmë barrën fiskale për gjithë sipërmarrjen. Mbi të gjitha do të marrim masa për të ndëshkuar mafian që fshihet pas oligarkisë. Me parimin “ndiq paranë” do të bëjmë të mundur që biznesi i ndershëm të punojë dhe të ndëshkohen abuzuesit”, përfundon Basha

Skip to toolbar