Përsëritja e ngrefosjes së Lulit, si i “fortë”

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Rihpaja e debatit për kryetarin e ri të Bashkisë së Shkodrës ka zgjuar për të disatën herë një ves burracak të disa elementëve të Partisë Demokratike, që nuk dihet pse e kanë caktuar veten të “fortë” dhe mendojnë që u ka hije kërcënimi.


I pari i tyre është gjithmonë Lulzim Basha. Ky ka kohë që kërcënon për çdo gjë me dhunë, me tërheqje zvarrë, me përmbysje, por deri tani i vetmi njeri dhe lider politik, që është tërhequr zvarrë nga kundërshtari i vet, është ai.

Pas 7 mujash protesta të dhunshme, ai arriti të prishë vetëm “kërpudhën” tek kryeministria dhe të plagosë rreth 20 policë, pa llogaritur dhe Sahit Dollapin. As e rrëzoi, as i ndaloi zgjedhjet, as i ndaloi konstituimet, as i mbajti dot në zyrë kryebashkiakët.

Dhe nuk është se kishte mundësi ta bënte, e nuk e bëri dot. Nuk kishte mundësi ta bënte. Problemi është pse ngrefoset kot me diçka që nuk ka mundësi ta bëjë.

Tani të njëjtën gjë banale po bën për konstituimin e Këshillit Bashkiak në Shkodër. Bën si i fortë, nxjerr ca palaço që janë vetëshpallur të “fortë”, dhe paralajmëron dhunë si Mihali Qeparoit kur i kërkon ushqim.

Nuk e di se çfarë fiton politikisht nga kjo betejë idiote përveçse të shtyjë këto dy javët e fundit të gushtit, por ajo që është bërë banale këtu e një vit, kërcënimi i përditshëm për dhunë dhe pastaj zbythja si legen në shtëpi, është mirë të mos përsëritet, se është bërë bajate.

Këshilli Bashkiak i Shkodrës është legjitim, i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk e ndal dot askush. Kjo është një betejë e humbur pa nisur.

Beteja për kryetarin e ri të Bashkisë së Shkodrës nuk ka nisur ende. Duhet të shpallen zgjedhjet e pjesëshme të parakohshme në Shkodër dhe duhet të bëhen për 45 ditë sipas Kodit zgjedhor. Basha mund ta fillojë sërisht nga e para retorikën e tij, mund të thotë nuk do t’i lejojmë, nuk do t’i pranojmë, nuk do t’i njohim, nuk do ta lëshojmë…e të tjera broçkulla, por nuk bën dot asgjë.

E vetmja gjë e mirë që mund të bëjë për vete dhe PD, është të mos flasë fare për këto çështje që i ka humbur një herë, se do turpurohet përsëri. Më mirë të vazhdojë luftën me Jozefinën, Patozin, Imamin, Ristanin, apo dhe me Rudina Hajdarin e Myslym Murrizin, se mos i rrezikojnë karrigen.

I vetmi njeri i rrezikuar nga ajo që ka ndodhur më 30 Qershor dhe ajo që do ndodh në Shkodër, është Basha. Ai është humbësi i madh i gjithë historisë së politikës shqiptare, pasi ka marrë një parti me 65 deputetë dhe 16 bashki, dhe e ka lënë pa asnjë deputet dhe pa asnjë këshilltar. Dhe tani ka vendosur të derdhë gjak për Voltanën.




Skip to toolbar