Pas shkrimit të Realstory, Basha kujton 30 qershorin, harron oligarkët

Të premten pasdite, Realstory.al publikoi një shkrim, ku cilësohej se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prej disa ditësh, në komunikimet e tij publike, kishte lënë në heshtje deklaratat për zgjedhjet e 30 qershorit. Basha, në turin e takimeve me simpatizantët e PD në qytete të ndryshme të vendit, sipas deklaratave të shpërndara nga zyra e shtypit në Selinë Blu, ishte fokusuar te komentet për situatën ekonomike në vend, duke bërë fushatë kundër oligarkëve. Disa orë më pas publikimit të këtij shkrimi në Realstory.al, Partia Demokratike nisi një tjetër deklaratë të Lulzim Bashës, e cila flet për një takim që ka zhvilluar në Rrogozhinë. Kjo deklaratë, duket si një kundërpërgjigje e shkrimit të Realstory.al, pasi nga fillimi i saj deri në fund, citohet Lulzim Basha që flet vetëm për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i quan “farës antikushtetuese”.

 “30 Qershori ishte një farsë antikushtetuese që u zhvillua në dhunim flagrant të dekretit të Presidentit, kur me Kushtetutë, i vetmi që cakton datën e zgjedhjeve është Presidenti. Po me Kushtetutë, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi dekretet e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese e cila nuk ekziston, sepse e shkatërroi me zell dhe me mburrje Edi Rama për t’i marrë ai pushtetet e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Basha. Më tej, Basha, duke folur për 30 qershorin, shprehet se PD-së iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe komisione e qendra votimi.

 “30 qershori është i paligjshëm dhe kriminal që në themel, sepse modeli shqiptar i kontrollit të zgjedhjeve, balanca politike, u shkatërrua, opozitës iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe Komisione e qendra votimi. I paligjshëm dhe kriminal sepse në gjysmën e rasteve u kthyem në votimet e diktaturës me një kandidat. Aty ku nuk kishte një  kandidat, kandidati tjetër ishte i paligjshëm, siç ishte e paligjshme paterica që krijoi Edi Rama një ditë para ditës së zgjedhjeve, me mercenarë të shitur të Edi Ramës”, është shprehur Basha

Dhe në fund, të deklaratës me 3 paragraf, përsëri flitet vetëm për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa si për ironi, nuk citohet asnjë fjalë për ekonominë dhe oligarkët.  “Pavlefshmëria e 30 qershorit ka marrë vulën që nuk e ka asnjë proces politik në 30 vite pluralizëm. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e 30 qershorit, refuzuan regjimin dhe u bënë pjesë e shumicës “Rama ik”. 30 qershori është nul. Uzurpimi i dhunshëm i pushtetit vendor është kriminal. Shumë shpejt do ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Rrogozhina nga Kavaja, Durrësi, Elbasani dhe nga gjithë Shqipëria” është shprehur Lulzim Basha, pikërisht nga bashkia që ishte e drejtuar na opozita, por që pushteti u dorëzua në mënyrë paqësore.

Basha harron 30 qershorin, fushatë kundër oligarkëve

Pasi goditjen “de jure” ia dhanë gjykatat në vend, duke i refuzuar kërkesën për të mos njohur mandatet e kryebashkiakëve të rinj, Lulzim Basha harron ‘de facto’ 30 qershorin. Kryedemokrati ka qenë në Peqin, ku ka zhvilluar një takim me simpatizantët e kësaj partie. Sipas një komunikate të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjithë fokusin e fjalës së tij para banorëve të Peqinit, e ka pasur tek ekonomia dhe probleme të tjera në vend, që sipas tij, janë shkaktuar për shkak të keqqeverisjes.

 “Nga mëngjesi deri në darkë plani i Edi Ramës është grabitja, vjedhja. Kjo është arsyeja pse Shqipëria është e papunë. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria lëngon në krizën më të thellë ekonomike. Kjo është arsyeja pse shëndetësia, arsimi dhe gjithçka tjetër janë në kolaps. Kjo është arsyeja pse po përjetojmë emigracionin më gërryes dhe më të rrezikshëm se ai i fillim viteve ’90.”, ka thënë Basha.

Gjithashtu, po në deklaratën e shpërndarë nga PD, sipas Lulzim Bashës, ekonomia e vendit është “përqëndruar në dorën e një grupi të vogël njerëzisht, të cilët po e grabisin Shqipërinë”. “Shqiptarët po varfërohen, sepse po grabiten. Shqipëria po plaçkitet dhe po shkatërrohet nga Edi Rama me një grusht biznesmenësh grabitqarë, që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri tjetrin. Këta janë një grusht njerëzish të pamëshirshëm, biznesmenë parazitarë dhe grabitqarë, që nuk prodhojnë, nuk krijojnë por vetëm vjedhin dhe grabisin djersën, pronat e shqiptarëve, në bashkëpunim me Edi Ramën.”- u shpreh Basha.

Edhe në paragrafin e tretë të deklaratës së shpërndarë nga PD, citohet vetëm fjala e Bashës në lidhje me ekonominë. Ndërsa në fund, me vetëm një fjali (koment), PD thotë se “Duke iu referuar 30 qershorit si një referendum popullor për ndryshim, kreu i opozitës u shpreh se ky ndryshim  do të vijë vetëm përmes largimit të Edi Ramës, duke i dhënë fund, bashkë me të, edhe bandës së oligarkëve dhe hajdutëve”. Në fakt, edhe në këtë fjali, Basha nuk flet as për zgjedhje të parakohshme, as për vjedhjen e votës, as për zgjedhje të lira, por cilëson vetëm “largimin të Edi Ramës”.

Megjithatë, nga dita në ditë, Lulzim Basha, gjatë takimeve që ka zhvilluar me simpatizantët e tij në të gjithë vendin, (sipas komunikatave të shpërndarë nga PD), ka lënë jashtë axhendës së diskutimit zgjedhjet e 30 qershorit. Duke nisur nga mesi i kësaj jave, gjatë takimeve të zhvilluara me simpatizantët e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur shumë pak ose aspak për 30 qershorin (gjithmonë sipas komunikatave të shpërndara nga PD).

Ekonomia dhe kriza kanë qenë fokusi i ligjërimeve retorike të Lulzim Bashës në takimet me simpatizantët e tij. Të premten Realstory.al zbuloi se në shtator merr jetë lëvizja “Basha ik”, nga një grup të demokratësh që kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kritik ndaj kreut aktual të PD. Në fakt, ky zhvillim, si dhe ai i aleatëve që kërkojnë dialog me Ramën dhe zgjidhje të krizës, kanë shtuar presionin ndaj kreut të PD.

Në fakt, ky ndryshim i kursit të ligjërimit politik me simpatizantët dhe asaj që shpërndahet në publik, ka ardhur fill pas dy momenteve. I pari ishte rrëzimi i kërkesës së PD-së nga gjykatat e shkallëve të para në vend për të mos njohur mandatet e bashkiakëve të rinj, dhe e dyta, disa ditë më parë, Realstory.al zbuloi ekskluzivisht një shkresë të brendshme të PD-së, që jepte udhëzimet se për qëndrimin që duhet të mbanin drejtues dhe anëtar të Partisë Demokratike në publik në lidhje me 30 qershorin. Në këtë udhëzim, shkruhej se “edhe kur t`ju pyesin për motin, thoni që 30 qershori ishte nul”. Dhe fill pasi realstory.al publikoi këtë shkresë, PD duket se ka lënë në hije deklaratat për 30 qershorin, duke nisur nga vetë kryedemokrati Basha.

“Toyota Yaris”, policia belge shpall në kërkim kushërinjtë Vladi

Autoritetet e policisë në Belgjikë kanë shpallur zyrtarisht në kërkim dy kushërinjëve Alfred dhe Elvis Vladi, për dosjen “Toyota Yaris”. Të dy këta persona (Alfred Vladi 33 vjeç dhe Elvis Vladi  39 vjeç), janë shpallur në kërkim, pasi kanë dijeni për gjetjen e 3.5 milionë eurove në dy automjetet “Toyota Yaris”, të cilat u bllokuan qershorin e vitit të kaluar në portin e Durrësit. Sipas lajmit të publikuar në mediat Belge, mësohet se policia i cilëson dy kushërinjtë si “persona shumë të rrezikshëm”.

 “Si pjesë e një hetimi juridik në lidhje me zbulimin e afro 3.5 milionë € nga autoritetet shqiptare në pjesën e brendshme të dy makinave të përdorura, policia federale belge po kërkon dy shqiptarë. Sot, autoritetet kanë shpërndarë mesazhin e hetimit për Alfred dhe Elvis Vladin. Të dy mund të jenë shumë të rrezikshëm”.

“Në 24 qershor të 2018, autoritetet e rendit në Shqipëri zbuluan 3.5 milionë €dhe 80 mijë frangave zvicerane në dy automjete. Policia belge po heton faktet për dy persona: Alfred Vladi (33 vjeç) dhe Elvis Vladi (39 vjeç). Të dy kushërinjtë me kombësi shqiptare dhe mund të jenë shumë të rrezikshëm”, shkruhet në njoftimin e policisë Belge.

 Qershorin e vitit të kaluar, në portin e Durrësit u gjetën të fshehura në dy mjetet tip “Toyota Yaris”, 3.5 milion euro si dhe  80.00 franga zvicerane. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri dhe organet hetimore në Belgjikë. Katër prokurorë belgë erdhë disa ditë më parënë Tiranë, të cilët morën në pyetje Lulzim Bashën, si person që kishte dijeni (pasi dha i pari lajmin një vit më parë për gjetjen e eurove në makinat “Toyota Yaris”).

Basha pret SPAK-un për zgjidhjen e krizës (të arrestohen politikanët)

Lulzim Basha u ka thënë banorëve të Cërrikut, sipas një materiali dërguar nga zyra për shtyp e PD, se “kriza politike do të zgjidhet vetëm kur të arrestohen politikanët e korruptuar”. Kryedemokratik ka zhvilluar një takim me simpatizantët e tij në Cërrik, ku mësohet t`u ketë thënë se kriza nuk do të mbyllet, pa çuar para drejtësisë, sipas Bashës, politikanët që janë kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve.

“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar.”- tha Lulzim Basha.

Në këtë kontekst, Lulzim Basha duket se nuk do të ulet në tryezën e dialogut, pa plotësuar kushtin e tij të ri, që është “Pranga politikanëve”. Në fakt, ngritja e SPAK, parashihet si mundësia e vetme që politikanë të korruptuar dhe zyrtarë të lartë të vihen para drejtësisë. Kjo strukturë pritet të jetë funksionale në fund të muajit shtator, ndërsa në fillim të tetorit priten të hapen dhe dosjet e para që do të hetohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

Bashës i vijnë “mend”, kupton që: Rama largohet me votë

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorët e Prenjasit, qytet nga i cili ka deklaruar se PD nuk futet në zgjedhje me Ramën Kryeministër. Megjithatë, në fjalën e tij, sipas njoftimit të shpërndarë nga PD, Basha shprehet se “Rama largohet me votë të lirë e të ndershme”. “Ne e dimë që në fund të kësaj rruge nuk do të kemi vetëm rrotacion politik por do të kemi fundin e tranzicionit dhe Partinë Demokratike në krye të alenacës sonë qeverisëse për të hapur rrugën e standardit të vërtetë europian, për të bërë realitet Shqipërinë e standartit europian në çdo fushë. Largimi i Edi Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm. Vetëm një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër mund të garantojë votën e qytetarët. Ne e dimë se me votë të lirë dhe të ndershme, Rama është larguar, PD është në krye të qeverisjes së ardhshme të vendit, – u shpreh Basha

Sipas Lulzim Bashës, së bashku me 85% të shqiptarëve, PD do largojë Ramën nga pushteti, ndërsa ka pohuar se nuk do të lejojë, sipas Bashës, uzurpimin e pushtetit vendor në mënyrë të dhunshë. “Ne do të qendrojmë së bashku, me të gjitha format dhe mënyrat, në krah të qytetarëve, për të kundërshtuar me të gjitha format dhe mënyrat uzurpimin e dhunshëm të pushtetit vendor.  Ne nuk pranojmë kurrë këtë uzurpim antikushtetues dhe antiligjor. Aty ku pushteti i paligjshëm, i lindur nga vota e blerë me paratë e drogës dhe të krimit, përpiqet të uzurpojë pushtetin e ligjshëm, pushtetin legjitim të qytetarëve, aty, çdo lloj forme rezistence është legjitime, është e përligjur, dhe ne jo vetëm nuk do ta frenojmë, por do ta inkurajojmë”, – deklaroi kreu i opozitës.

Në fund të fjalës së tij, sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga zyra e shtpit e PD-së, Basha është shprehur para qytetarëve të Prenjasit, se PD do të hap mijëra vende pune dhe do të rrisë pagat. “Jemi të vendosur që shumicën “Rama ik” të 30 qershorit ta kthejmë në forcën e ndryshimit që kërkon çdo shqiptar, që do t’i japë fund braktisjes së vendit për t’u larguar në emigracion, politikave të shpunësimit, shkatërrimit të ekonomisë. Ne do të mundësojmë hapjen e mijëra vende pune në sektorë të pashfrytëzuar deri më sot, me paga dinjitoze për rininë shqiptare dhe zhvillimin ekonomik.” – vuri theksin në fjalën e tij Basha.

Lista e zezë e DASH, Kulluri-Bashës: Mos u gëzo për Dakon, mund të jesh dhe vetë

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Lulzim Bashës për shpalljen ‘non grata’ të Vangjush Dakos nga SHBA. Kulluri, i drejtohet Bashës duke u shprehur se “nuk duhet të gëzohet”, pasi në listën e zezë të Departamentit  Amerikan të Shtetit, mund të jetë dhe vetë kryedemokrati. “Mos u gëzo shumë për Dakon në Listën e Zezë të SHBA, se mund të jesh dhe vetë, jo për gjë, po nuk e zgjidh dot me një gënjeshtër tjetër po të doli emri”, shkruan Kulluri  në rrjetet sociale.

Të martën Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi vendimin e Sekretarit të Shtetit, për t`i ndaluar përfundimisht hyrjen në SHBA Vangjush Dakos dhe familjes së tij, pasi sipas DASH, Dako është i përfshirë në afera korruptive. Pas këtij vendimi, në mbrëmjen e së martës, reagoi dhe Lulzim Basha, i cili e quajti “lajm të mirë dhe të keq”, vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Vangjush Dakon.

Megjithatë, Edvin Kulluri, nëpërmjet statusit në Facebook, sjell në kujtesën e kryedemokratit deklararat që bëri Zëvëndës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matheë Palmer, që dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, u shpreh se “nëse PD dhe LSI do të kryenin akte dhune gjatë procesit zgjedhor, ato do të futeshin në listën e zezë të SHBA, duke ndërprerë marrëdhëniet me amerikanët”.

Deklarata e fortë e Ibsen Elezit: Basha ka plan të fundosë PD, nuk ia falim

Ibsen Elezi është një nga zërat më kritikë brenda të djathtës kundër Lulzim Bashës. I ftuar në një studio televizive, Elezi ka treguar, se sipas tij, Lulzim Basha ka në plan të fundosë Partinë Demokratike. Çdo veprim i kryedemokratit, sips ish-kreut të PD Kukës, bëhet me qëllim rrënimin e kësaj force  politike.

“30 qershori katastrofë për PD. E dija që në fillim, mungesa e forcës për të transformuar PD brenda, mbështetur nga doktori, e dija që do lëvizte në mënyrë kaotike. Ajo që u ndërtua në Kuvendin e fundit të PD-së u ndërtua një parti pa rregulla dhe norma, duke vazhduar gafat e mëparshme. Basha i bën me qëllim këto gabime. Tallja më e madhe me PD-në. Basha ka qëllim që të fundosë PD. Kur dorëzon mandatet, ke dy javë për të rrëzuar qeverinë, kur nuk e bën dot ik në shtëpi. 10 protestat, gafë e madhe”, tha Ibsen Elezi.

Sipas tij, kuksianët dhe të gjithë demokratët, nuk do ia falin Lulzim Bashës. Sipas Ibzen Elezit praktika e ndjekur nga Basha nuk është e besueshme për të sulmuar Ramën, dhe se nuk ka një strategji për atë që po bën.

“Kuksianët nuk do ia falin, jo vetëm Bashës, por kujtdo që i ka futur hundët në shkatërrimin e PD-së, është një kastë. Kjo gjë ka ndodh në PD do ketë një analizë, del tani Basha, lufton Ramën për gjërat që i  vuan vetë. Flet për zgjedhje të lira, kur nuk i organizon dot vetë në partinë e tij. Praktika që Basha po bën në PD, është shumë e vështirë që të jesh i besueshëm për të sulmuar Ramën.  Nuk ka një strategji Basha. Ai po bën show që “ja bëmë përpjekjet tona, por faji është i Edi Ramës”. Kur u thua duhet të dorëzoni mandatet, por duhet të keni planin se si duhet rrëzuar kjo qeveri”, tha Elezi.

Bar west/ Vladrin Pjetri falënderon Bashën: Pa ty s`do bëhesha kurrë kryetar bashkie

Tashmë që zgjedhjet e 30 qershorit janë duke marrë verdiktin përfundimtar nga gjykatat e shkallëve të para në vend, në rrejtet sociale “shfrenohet” fantazia me memet për politikën. Në fokus këtë fundjavë ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas marrjes së mandatit nga Gjykat e Shkodrës, në rrjetet sociale është postuar një foto meme, ku shihet Valdrin Pjetri, kryetari i ri i bashkisë së qytetit verior.

Në foto, ku Pjetri shfaqet duke votuar, “artistët” e memeve, i kanë shtuar mbishkrimin: “Faleminderit Lulzim Basha, pa ndihmën tënde nuk do të isha kurrë kryetar i Bashkisë Shkodër”. Mesazhi është ironik por dhe shumë i vërtetë. Basha, ashtu sikundër kanë shprehur qëndrimin publik shumë prej figurave të së djathtës, ‘i dorëzoi 61 bashkitë e vendit të majtës’ në 30 qershor.

Në këto kushte, humbja e Bashkisë së Shkodrës pa garë, është një dorëzim i një prej bastioneve historike të së djathtës në këto gati tre dekada pluralizëm politik. Por nuk mbetet me kaq, Realstory.al sjell disa nga fotot më pikante të kësaj jave të publikuara nga rrjetet sociale nga artistët e memeve, ku në fokus është kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Marrëveshja teatrale, e një lideri që nuk e besojnë

Nga Mero Baze

Në Teatrin antik, kur nuk gjenin zgjidhje reale të tragjedisë, zbrisnin Zotin në skenë dhe kjo me vonë u quajt “Deus ex machina” .

Tragjedia e PD-së teatrore, që në fakt është komedi për shumë të tjerë, sa herë që nuk gjejnë zgjidhje për tragjedinë e tyre e mbyllin tragjedinë duke thirrur “Basha, Basha” si një “Deus ex machina” për kryetarin, dmth, aktorin kryesor të tragjikomedise së tyre.

Kjo skenë u përsërit sot në godinën e rrënuar të Teatrit Kombëtar ku pasi folën

Budina, Basha dhe ca te tjerë, anëtarë të panjohur të PD, teatri përfundoi me thirrjet, “Basha”, “Basha”…

Marrëveshja teatrale mes Lulzim Bashës dhe seksionit të kulturës të PD në ish Teatrin Kombëtar, do të vlente politikisht të konsumohej si një ide e Partisë Demokratike kur të vinte në pushtet, rreth cështjes së zhvillimit të kulturës në Shqipëri, nëse në të do të kishte ndonjë ide.

Por në fakt marrëveshja, jo vetëm që nuk ka ndonjë ide, por i ngjan një titulli egzekutiv, nga ato që borxhlinjtë e këqinj, firmosin me huadhënësit, të tipit që “po nuk ma ktheve borxhin të marrë shtëpinë”.

Lulzim Basha ka firmosur një marrëveshje si një lider që nuk e besojnë, pa ja marrë me shkrim, atë që duan mbështetësit e tij. Është një rast i pashembullt i mungesës së besimit të mbështetësve tek kryetari, dhe një skenë tragjiokomike, ku ushtarët detyrojnë komandantin të firmos që nuk do ti tradhëtoj në luftë.

Në fakt është një poshtërim, që Lulzim Basha e meriton për mënyrën se si ka formuar identitetin e tij si politikan gënjeshtar. Duke tradhëtuar gjithmonë dhe të gjithë, dhe duke gënjyer sic ka pas thënë Ilir Meta, edhe kur e pyet për orën, Lulzim Basha sot më shumë se sa në rolin e garantit, ishte në rolin e të pabesushmit dhe gënjeshtarit, që nuk i besojnë të vetët.

Kjo nuk ka të bëj fare e tekstin e marrveshjes, pasi ai është një problem më vete, ku autorët para se ti gënjej Basha gënjejnë veten.

Ajo që ngjit në publik, është se disa punonjës teatri që mbështesin PD dhe që kanë një kontribut politik për të bërë betejë kundër planit të qeverisë për teatrin e ri, nënshkruajnë akt noterial me kryetarin e opozitës, pasi nuk i besojnë më paktit moral me opozitën dhe kryetarin e saj.

Kështu si e ka nisur Lulzim Basha duhet të nënshkruaj kontratë me fermerët që ta besojnë se do ndryshoj skemën e rimbursimeve, kontratë me shoqatën e biznesit që do ul tvsh, kontratë me ndërtuesit, që do tu ul taksën e infrastrukturës, e kështu me rradhë. Pastaj kontratë me kandidatët për deputëtë, që të mos i gënej më si më 2017, ku 5 vetëve u kishte premtuar “i dyti në Lezhë”.

Ky do të jetë rasti i parë në historinë e politikës botërore, ku shoqëria e trajton kryetarin e opozitës si një mashtrues dhe para se të bëj pazar me të, do një kontratë të nënshkruar.

Në një nga shfaqjet e “Rikardi i Tretë”, tragjedi e Shekspirit, tregojnë se një aktor që luan mbretin, thërret: një kal, për një kal fal gjithë mbretërinë”.

Një nga salla i thote me ironi: doni një gomar? Dhe aktori mbret i përgjigjet; po, ngjitu në skenë…

Lulzim Basha sot u ngjit në skenë, në mungesë të një kali për të cilën vuan opozita, i detyruar nga aktorët e vet. Dhe nënshkroi një marrëveshje teatrale, sic mund ta bëj një gomar.

“Toyota Yaris”, Basha kërkoi arrestimin, Balla: Kujtesë, paguajë gjobën e shpifjes

Mëngjesin herët të së enjtes, Lulzim Basha u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar rreth informacioneve që dinte, në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”. Basha, pasi doli nga prokuroria për mediat deklaroi se duhet të arrestohet Tulant Balla.

Pas këtyre deklaratave, ka ardhur reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka publikuar një vendim të Gjykatës së Tiranës, ku Basha duhet të paguajë gjobën ndaj Taulant Ballës, pasi deputeti socialist ka fituar gjyqin për “shpifje” ndaj Bashës.

“Don Kishotit që mori në qafë Partinë Demokratike, e që sot për turp gënjeu e shpifi përsëri, kujtesë të paguajë gjobën”, shkruan Balla në Facebook, ku publikon dhe vendimin e gjykatës. Vendimi për akuzën e “shpifjes” në favor të Taulant Ballës është marrë në 21 janar të këtij viti nga Gjykata e Tiranës, e cila e shpall fajtor Lulzim Bashën, duke e dënuar me 50 mijë lekë gjobë.

Vetëm disa ditë më parë, Taulant Balla fitoi një gjyq ndaj dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha, ku Taulant Balla dëmshpërblehej me 3000 euro. Ato para, Balla u shpreh se do t`i përdorte për ndërtimin e një çerdheje në Librazhd.

Don Kishotit që mori në qafë Partinë Demokratike, e që sot për turp gënjeu e shpifi përsëri, kujtesë të paguajë gjobën!

Gepostet von Taulant Balla – Faqja Zyrtare am Donnerstag, 25. Juli 2019
Skip to toolbar