Basha 90 minuta para prokurorëve belgë, asnjë detaj se kush e informoi për paratë në “Toyota Yaris”

AKTUALITET


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka dhënë dëshminë e tij për rreth 90 minuta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku është marrë në pyetje nga prokurorë belgë në lidhje me çështjen e 3.4 milionë eurove të drogës në “Toyota Yaris”.

Basha mbërriti në prokuri me 20 minuta vonesë dhe qëndroi mbi 1 e 30 minuta përpara prokurorëve. Por pasi doli nga prokuroria nuk dha asnjë detaj në lidhje me çështjen. Ai tha vetëm se ka dhënë informacion të bollshëm për prokurorët ndërsa deklaroi se Taulant Balla sot duhet të ishte në pranga për pastrim parash.


“Dhashë informacionet që kisha për këtë çështje. Edhe më shumë se kam bëre të njohura në publik. Sot në pranga duhet të ishte Taulant Balla. Pastrimi i parave të drogës dhe krimit është rreziku kryesor që i kanoset sot Shqipërisë. Është rrezik politik, ekonomik, shoqëror dhe për stabilitetin e vendit. Edi Rama dhe qeveria e tij janë vënë në shërbim të pastrimit të parave të pista të krimit. Të gjitha koncesionet dhe projektet e qeverisë janë pastrim parash të drogës dhe të krimit.

Ne do të ndalim. Ne do të ndjekim paratë dhe do gjurmojmë çdo qindarkë që Edi Rama dhe kriminelet po mundohen të futin në ekonomi.

Çdo koncesion, çdo ndërtim, çdo kontratë do të gjurmohet për çdo qindarke, si për ata që e kanë dhënë edhe ata që e kanë marrë. Lufta kundër pastrimit të parave do jetë prioritet kombëtar”, tha kreu i PD-së.

I pyetur nga gazetarët se kush ia dha informacionin Bashës për paratë në Toyota Yaris, kreu i PD-së nuk ktheu përgjigje.

Katër prokurorë belgë erdhën posaçërisht në Shqipëri për të marrë në pyetje kreun e PD-së dhe një ndër pyetjet që kërkonte përgjigje ishte se si u informua Basha i pari për sasinë prej 3,4 milionë Euro? Cilat ishin informacionet ekzakte? Kush ia dha zotit Basha këtë informacion?

Por kreu i PD-së, refuzoi ta ndajë këtë informacion me mediat.

Aksioni për bllokimin e 3.4 mln eurove u finalizua me 24 qershor të vitit të kaluar, ndërsa eurot me prerje të ndryshme ishin fshehur në “Toyota Yaris” pa targa. Për këtë ngjarje janë arrestuar 4 persona dhe janë shpallur në kërkim kushërinjtë, Alfred e Elvis Vladi, për të cilët dyshohej se ishin personat që kanë porositur makinat Toyota Yaris.  Katër të arrestuarit në Shqipëri  janë Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri.

Lulzim Basha ishte personi i parë që e denoncoi këtë ngjarje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Më herët Basha ka akuzuar se të përfshirë në pastrim parash janë Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja. “Prokuroria ka kërkuar dëshminë time për hetimet që ka hapur lidhur me nxjerrjen e sekretit shtetëror sa i takon veprës kriminale të futjes së parave të krimit me Toyota Yaris. Ky veprim dëshmon se denoncimet e mia publike për përfshirjen e Taulant Ballës janë të vërteta. Në këtë aferë janë përfshirë dhe Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja”, tha Basha pasi doli nga prokuroria në tetor të 2018.




Skip to toolbar