“Pas tre tërmetesh, politika të ndryshojë lëkurë”

Ministri i Diasporës Pandeli Majko i bëri thirrje klasës politike të jetë më e përgjegjshme, në një kohë që Shqipëria është goditur nga tre tërmete të fuqishme brenda një viti. Majko u shpreh koshient se ajo që po bën qeveria nuk është gjëja më e zgjuar që mund të bëhet në këto momente, por sipas tij, qeveria po bën atë që mundet.

“Nuk mendoj të them që ajo që po bën qeveria është gjëja më e zgjuar që mund të bëhet në këto momente, por një gjë e them me bindje, qeveria po bën atë që mundet”, tha Majko. Këto deklarata, Majko i bëri pas konferencës “Itali dhe Shqipëri, një portë e hapur në Ballkan”, e cila nisi me një minutë heshjte në nderim të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. Majko u shpreh gjithashtu se politika duhet të “ndryshojë lëkurë”, pasi sipas tij historia e pasojave të tërmetit nuk do të mbyllet brenda disa muajve.

 “Nuk bëhet thjesht për të realizuar një fotografi. Është shumë e rëndësishme edhe për njerëzit e traumatizuar që të gjitha palët sipas parimit shumë mendje janë më shumë sesa disa mendje. Prandaj në këto kushte kur Shqipërinë e kanë goditur tre tërmete brenda një viti është e nevojshme që politika të ndryshojë pak lëkurë nëse ka mundësi. Nuk bëhet fjalë për një histori që do mbyllet brenda disa muajve do të duhet një kohë relativisht e gjatë. Do të duhen shpenzime shumë të mëdha për të tejkaluar dëmet e tre tërmeteve”, u shpreh Majko.

Skip to toolbar