Pas sulmit ndaj SHBA, Manjani kërkon shkrirjen e Ministrisë së Brendshme!

Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka propozuar shkrirjen e ministrisë së Brendshme dhe kalimin e policisë nën varësinë  e prokurorisë. Përmes një statusi në facebook ish ministri i LSI-së, që mbështetet hapur nga presidenti Meta i cili shpeshherë i bën repost mesazheve të tij, veçanërisht atyre që lidhen me sulmet ndaj ambasadës së SHBA-së dhe Reformës në Drejtësi; shkruan të hënën se ministria e brendshme duhet të shkrihet pasi prodhon vetëm anti-kushtetutshmëri. Ai propozon që të ngrihet një ministri Rendi, por edhe në këtë rast sugjeron që policia të mos bëjë hetime dhe kontrolle në banesa, por të jetë e varur nga prokuroria.

“Reforma tjetër themelore që duhet të eleminojë menjëherë shkeljen masive të lirive dhe të drejtave Kushtetuese në vend, duhet të jetë shkrirja e Ministrisë së Brendshme.

Edhe si strukturë por edhe si mentalitet duhet shkulur ky çiban që prodhon vetëm anti-kushtetutshmëri.

Ministria e Brendshme në Shqipëri ka emër dhe traditë shumë të keqe sepse ajo lehtësisht shndërrohet si mjeti kryesor i dhunës politike në vend.

Një ministri përgjegjëse politikisht për rendin publik do mjafton, shumë e vogël në numër dhe me detyra thjesht drejtimi civil dhe auditi performance do mjaftonte.

Kjo çon menjëherë tek nevoja për transformimin e thellë, por të thellë fare të policisë së Shtetit. Ajo duhet të jetë thjesht një ruajtëse e rendit publik dhe e gjitha e varur nga Prokuroria e Shtetit për gjurmimin dhe hetimin e çështjeve.

Policia nuk mund të hetojë e aq më pak të proçedojë penalisht siç njofton çdo ditë! Kjo praktikë nuk ka lidhje me Kushtetutën e zbatimit korrekt të Lirive themelore.

Sigurisht i gjithë ky tranformim rrënjësor do të duhet të shoqërohet me ndryshime ligjore domethënëse ku me përparësi do të duhet të: përmbysen ligjet e arrestimit pa prova, ndalimit të policisë të bëjë hetime në kuptimin proçediral penal dhe, kufizimin e të drejtës së shoqërimit në polici.

Pa harruar procedurën e ekzekutimit të masave të sigurisë dhe të ndalimit të dhunimit të banesës natën.

Pra, pikpamja ime është një Ministri Rendi që kryen detyrat civile dhe politike por që nuk ka asnjë rol mbi Policinë. Kjo e fundit ruan rendin nga çdo kërcënim dhe vihet e gjitha nën hyqmin funksional të Prokurorisë.

Prokuroria ka përgjegjësinë kushtetuese para publikut për të luftuar krimin. Edhe zëdhënien në publik e bën Prokuroria dhe jo policia. Kështu siç është sot ka qenë dhe në rregjimin komunist!”, shkruan Manjani.

Kohët e fundit ai është shprehur në facebook kundër aksionit të qeverisë ndaj informalitetit duke shkruar më herët se “ku i gjen ligjet pushteti që urdhëron policinë të pastrojë plazhet, të nxjerrë njerëz nga shtëpitë e tyre, të bllokojë biznese, të urdhërojë sekuestro llogarish bankare, të mos njohë akte zyrtare e noteriale?!”, duke dalë në këtë mënyrë kundër nismës së qeverisë për të respektuar ligjet.

Manjani gjithashtu është një nga zërat më të ashpër kundër reformës në drejtësi. Madje ai ka gjetur edhe mbështetjen e presidentit Meta i cili i bëri repost një mesazhi të tij në facebook, mesazh në të cilin Manjani shkruante se SHBA ia fuste kot duke mbështetur Raportin Paraprak të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR.

Por edhe propozimi për shkrirjen e ministrisë së Brendshme dhe heqjen e të drejtës së policisë për të mos bërë hetime dhe kontrolle në banesa bie kryekëput ndesh me propozimet e ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi. Një nga kompetencat kryesore të SPAK do të jetë hetimi, kontrolli i banesës dhe arrestimi i deputetëve dhe zyrtarëve të lartë pa përfshirë këtu kërkesën e prokurorit të përgjithshëm. Pra ndërkombëtarët kërkojnë hetime, arrestime dhe ashpërsim të luftës kundër korrupsionit, nga ana tjetër ish ministri i LSI-së kërkon shkrirje të ministrisë së Brendshme dhe zhvlerësim të kompetencave të policisë.

Meta mendon si Manjani: SHBA ja ka futur kot gjithmonë

Ilir Meta nuk e ka kapërdirë dot deklaratën e Ambasadës së Shteve të Bashkuara, që shprehu mbështetjen ndaj gjetjeve të Raportit Paraprak të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR, ndërsa u shpreh se kush ishte kundër zgjedhjeve, të presë Gjykatën Kushtetuese për ankimim. Në fakt, Meta nuk ka bërë asnjë reagim në emër të tij, por ka zgjedhur një shkrim të bërë nga Ylli Manjani, ku sulmon hapur SHBA, për të shprehur atë që mendon. Kështu, Ilir Meta shpërndan në faqen e tij zyrtare në facebook shkrimin e Manjanit, pa i hequr as pikë e as presje, duke konfirmuar se dhe vetë kreu i shtetit mendon në të njëjtën mënyrë.

Ja çfarë shkruan Manjani:

Shumë faleminderit ambasadës se USA për deklaratën mbi votimet një partiake.

Si gjithmonë edhe këtë herë, nuk ngurroi tja fuste kot!

Po kot fare!

Se si do ti gjykojë Gjykata Kushtetuese legjitimitetin e këtyre votimeve një dreq e di!

Nuk po them se kur do të mund të gjykonte se kjo dihet që ska për të ndodhur shpejt. Nuk e di a e di Ambasada që nuk ka ende gjykatë në këmbë dhe sikur nesër të fillojë puna për ringritjen e saj do të duhen të paktën 2 muaj, për të bërë një gjysëm gjykate.

Se gjykata e plotë nuk bëhet dot pa u ngritur më parë gjykata e Lartë.

Pastaj, një dreq e di sa muaj do të duhen për të shqyrtuar një padi eventuale, padi të cilën vetëm po e paraqiti prap Idajet Beqiri se ska kush tjetër. Opozita është përjashtuar me vendim kolegji nga këto zgjedhje.

Le pastaj që legjitimitetin e votimeve, ka kohë që nuk e shqyrton Gjykata Kushtetuese, që pas ndryshimeve të vitit 2003 në Kodin Zgjedhor.

Legjitimitetin e votimeve e gjykon Kolegji Zgjedhor, në terma shumë strikte ligjore dhe përsëri me ndonjë padi të zotit Idajet.

Të vetmen gjë që mund të gjykojë gjykata Kushtetuese, pas ngritjes së saj,qoftë dhe gjysmake janë dekretet e Presidentit. Gjykimi mbi këto dekrete do të fokusohet strikt në nevojën për ti dhënë një interpretim përfundimtar me efekt në të ardhmen dhe jo me efekte për këto votimet e partisë shtet.

Edhe këtë gjykim do të mund ta bënte nëse Edi Rama çon deri në fund marrëzinë e shkarkimit të Presidentit. Pra do jetë një gjykim indirekt.

Ndërkohë, deri sa të ndodhin këto gjëra Edi Rama ka konsumuar plotesisht rrëmbimin e pushtetit lokal pa vota.

Kështu që mesazhi i ambasadës nuk ka vlerë as deri nesër në mëngjes, jo më për kohë më të gjatë.

Nëse janë të gënjyer nga pushteti monist se do ju krijojë gjykatën, nuk mund të gënjehemi dot ne që jemi përfitues direkt prej asaj gjykate. Gjykatë e cila NUK DUHEJ MBYLLUR PËR ASNJË MINUTË!

Ndaj duke i falenderuar pa masë, i lutem që të paktën të mos tallen me ne!

Boll më!

P.S. nuk po ndalem fare tek vlerësimi tepër i lartë, që Ambasada i bën numërimit të votave ku po bëhet kërdia duke vjedhur!!!!

Dhe meqë ra fjala ODIHR nuk kishte ende informacion për këtë çështje…

Manjani: “Kolegji s’mund të shqyrtojë ankesat e partive”. (Që janë subjekte zgjedhore?)

Ndërkohë që Kolegji Zgjedhor e ka rrëzuar me vendim unanim 5 me zero dekretin e Metës, ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka nxjerrë një teori të re. Ai thotë se Kolegji s’mund të shqyrtojë ankesat e subjekteve politike jashtë procesit zgjedhor.

Këtë gjë Manjani e thotë pasi e cilëson të ligjshëm dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve. Sipas tij, aktualisht vendi nuk ndodhet në një proces zgjedhor dhe për këtë arsye Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë ankesa të partive jashtë procesit zgjedhor.

“Formalisht pas Dekretit të Presidentit ne nuk jemi në proces zgjedhor. Ndaj debati ka apo jo të drejtë një subjekt të largohet apo të rrijë në zgjedhje nuk ekziston përsa kohë që s’ka zgjedhje.

Fakt është se nuk ka ende një datë zgjedhjesh. Fakt është gjithashtu se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në fuqi.

Fakt është se fuqinë e këtij dekreti e anulon ose vetë Presidenti ose Gjykata Kushtetuese.

Përsa kohë dekreti është në fuqi, Kolegji Zgjedhor nuk ka juridiksion të shqyrtojë mosmarrëveshje që lidhen me një proces inekzistent”, shkruan Manjani i cili më pas sugjeron që partitë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin përfundimtar është apo jo Kushtetues Dekreti i Presidentit.

Deklarata e Manjanit u bë të dielën. Të hënën Kolegji Zgjedhor nuk e dëgjoi. Por dëgjoi ankesën e një partie që është subjekt zgjedhor. Dhe zgjidhi një dilemë ligjore. tashmë do kemi zgjedhje në 30 qershor.

Skip to toolbar