Franca i pret shpresat Shqipërisë, “JO” në BE

Partia aleate e Macron, “La République En Marche” e Nathalie Loiseau gjatë një interviste siguron se do të votojë kundër hapjes së negociatave për hyrjen në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Unë isha ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.” tha Loiseau, e cila shtoi pyetjen e saj “A duhet të hyjë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në Bashkimin Evropian?” Loiseau shtoi se dhe kreu i partisë “Les Républicains”, François-Xavier Bellamy është gjithashtu kundër.

“Ai që ka qenë për zgjerim, për vite me radhë është Laurent Wauquiez. Ai ka ndryshuar mendim dhe beson se njerëzit nuk kanë kujtesë”. Loiseau shton gjithashtu: “Unë shkova në Maqedoninë e Veriut për të thënë jo, sepse nuk jeni gati, sepse ne nuk jemi gati. Nuk do të ketë negocime në qershor. Ne do të jemi kundër, do të vazhdojmë të jemi kundër. Ata janë gjeografikisht në Europë, ne duhet t’i ndihmojmë ata, por jemi kundër zgjerimit të BE.”

“Do jem president i të gjithëve”. Në Maqedoni fiton Pendarovski

Stevo Pendarovski është zgjedhur President i Maqedonisë së Veriut ndërkohë që kanë qenë votat e shqiptarëve që kanë përcaktuar rezultatin e fituesit.

Pendarovski është kandidat i partisë Social-Demokrate të kryeministrit, Zoran Zaev. Ai fitoi bindshëm kundër rivales së opozitës, Gordana Siljanovska.

Sipas rezultateve zyrtare, Pendarovski fitoi 51.71 për qind të votave, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori 44.68 për qind.

Pas fitorës, Stevo Pendarovski tha se do të jetë president i të gjithëve.  “Do të jem president i të gjithëve, i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, romëve, vllahëve, boshnjakëve. Do të jem president i shtetit që nuk do të turpëroheni. Do të punojmë për të mirën e vendit, për procesin e integrimit euroatlantik. Misioni im do të jetë uniteti e jo ndarja mes popullit, që krenar të gjithë të ecim para drejt synimit kryesor, zhvillimit të vendit dhe anëtarësimit në strukturat euroatlantike”, ka deklaruar Pendarovski.

Ndërsa kryeministri Zaev tha se “Maqedonia zgjodhi një president evropian”.

Miqësorja e U-18, Shqipëria barazon me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut!

Pas vendimit për krijimin e ekipeve të reja kombëtare të futbollit, për grupmoshat U-16, U-18 dhe U-20, kanë nisur dhe grumbullimet e para për këtë vit.

Pas ekipit U16, që mori pjesë në dy turne ndërkombëtar, radha ka qenë e ekipit U-18 të drejtuar nga Nevil Dede, që të nis grumbullimin për zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore me ekipin e Maqedonisë së Veriut.

Ndeshja e parë është luajtur sot në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, e cila ka përfunduar në barazim 2-2.

18 vjeçarët kuqezinj kanë zbritur në fushën e lojës me këtë formacion: Ceka; Murati; Pruti; Kuci; Ismaili; Zahi; Pusi; Sulollari; Mema; Gaxhia; Zaimi.

Në pjesën e parë u luajt një futboll i hapur, me një lojë shumë të mirë të kuqezinjve që edhe falë mbështetjes së publikut arritën të kalojnë në avantazh me anë të Muratit.

Me këtë gol nga mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës u mbyll dhe fraksioni i parë i lojës. Në pjesën e dytë u kryen shumë zëvëndësime nga trajneri Dede, që aktivizoi Hasanagollin, Stafën, Musain, Gjumsin, Cahanin dhe Memushajn.

Në minutën e 70-të miqtë arrijnë të barazojnë rezultatin me anë të numrit 7 Behar Feta. I menjëhershëm reagimi i Shqipërisë që 5 minuta më pas fiton një penallti që shndërrohet në gol nga Henri Sulovari.

Lojë e hapur nga të dy skuadrat që rrezikojnë në portat respektive, por maqedonasit tregohen më të saktë dhe arrijnë të barazojnë në minutën e 80-të me anë të Maksikov.

Kuqezinjtë kanë kërkuar me ngulm golin e fitores por nuk arrijnë ta shënojnë, duke e mbyllur këtë takim me rezultatin 2-2.

Ditën e enjte do të zhvillohet ndeshja e dytë miqësore, përsëri në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, duke filluar nga ora 13:00. Hyrja për tifozët është falas.

Pendarovski kryeson zgjedhjet presidenciale në Maqedoni

Është zhvilluar dje në Maqedoninë e Veriut raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në garë merrnin pjesë 3 kandidatë, Stevo Pendarovski i ndjekur nga Gordana Siljanovska dhe Blerim Reka i vetmi kandidat shqiptar.

Raundin e parë të zgjedhjeve e ka kryesuar Stevo Perandovski që është kandidat i partive LSDM, BDI dhe rreth 30 parti të tjera me 42,68%, ndërsa pas tij u rendit Siljanovska e VMRO-DPMNE, e cila arriti të grumbullojë 42,55% të votave. Ndërkohë kandidati shqiptar Blerim Reka mori gjithsej 10,43 % të votave të numëruara.

Reka u shpreh i kënaqur me rezultatet në komunat shqiptare ku tha se ishin bindshëm triumfues por edhe në komunat maqedonase duke thënë se kishte marrë vota në çdo komunë. Ai nuk la pa hedhur akuza lidhur me procesin zgjedhor duke thënë se elektorati ishte i kapur dhe votuesit kanë qenë nën kërcënim.

Sipas medieve maqedonase raundi i dytë zgjedhor do të zhvillohet më 5 maj dhe kandidati favorit është Stevo Pendarovski.

Skip to toolbar