Kulluri ngre pyetjen: A luftohen gënjeshtrat e Ramës me të Bashës, apo varja të vërtetës?!

Partia Demokratike është shfaqur shpesh si mbajtës e ‘flamurit të së vërtetës’, teksa ka denoncuar raste të korrupsionit qeveritar. Në këtë linjë, PD ka ‘shitur’ si të vërteta edhe disa deklarata të bëra nga Martin Hënze, një lobit gjerman, të cilin Selia Blu e quan herë si ‘këshilltar të Anglea Merkel’, kancelares gjermane, dhe herë si ‘eskpert i CDU’, partisë së kancelares (lexo shkrimin në Realstory.al).

Duke u nisur nga ky fakt, që Martin Hënze nuk është as këshilltar dhe as ekspert i Merkel dhe CDU, ish anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, pjesë e lëvizjes “Basha ik”, ka ironizuar me kryedemokratin duke ngritur pyetjen, “nëse luftohen gënjeshtrat e Ramës me ato të Bashës”.

Duke iu drejtuar disa gazetarëve dhe aktivistëve të djathtë, Kulluri shkruan: “Martin Hënze sipas mediave dhe bashkëpunëtorëve pranë Bashës citohet njëherë si kryekëshilltar i Kancelares Merkel e pastaj “zyrtar i CDU”. Ndërkohë nja dy media kanë cituar burime zyrtare dhe persona pranë CDU që konfirmojnë se zotëria në fjalë nuk është as krye as këshilltar i Kancelares apo i ndonjë organi drejtues të CDU!”.

“Mund të jetë lobues ose ekspert i pavarur. Tani nëse kjo e mediave është e vërtetë, a luftohet gënjeshtra e Ramës me një gënjeshtër të mediave dhe njerëzve të Bashës?! Apo mjafton që të jetë Basha me shokë në pushtet po varja të vërtetës?! Se jemi dhe në mes të luftës dhe e vërteta ka rëndësi”, shkruan Kulluri duke ironizuar Lulzim Bashën.

Opozita e PD me Martin Henze, reagon anëtari i CDU: Është askushi

Mediat pranë PD-së por edhe organi zyrtar i kësaj partie, Rilindja Demokratike vazhdon të bëjë opozitë me deklaratat e Martin Henze, të cilin e cilëson si Ekspert të CDU-së për zhvillimet politike dhe ekonomike.

“Eksperti i CDU-së, për zhvillimet ekonomike dhe politike, Martin Henze, në një prononcim për zhvillimet e fundit politike në vendin tonë, duke u përqendruar tek rasti i Valdrin Pjetrit, ka paralajmëruar zhvillime të forta në Shqipëri.

Sipas tij pas Valdrin Pjetrit në javët në vijim priten zbulime të forta edhe për rrethin familjarë të kryeministrit Edi Rama”, shkruan Rilindja Demokratike.

Shkrimi i Rilindjes Demokratike

Pak kohë më herët u zbulua se Martin Henze të cilin Basha e shiti si këshilltar të Merkelit, nuk kishte asnjë lidhje me të dhe me CDU-në.

Ndërsa gjatë ditës së mërkurë ka reaguar  Kolë Gjoka, një biznesmen dhe sipërmarrës i suksesshëm në Gjermani, i cili është pjesë e strukturave të CDU.

Biznesmeni me origjinë nga Repsi i Mirditës, që ka emigruar në Gjermani prej kohësh, jep këtë sqarim:

“Don Kishoti Martin. Lobist i dështuar dhe këshilltar i askujt. Kush jua solli këtë “dhuratë“ nuk po kuptoj???  Konrad Adenauer do të ishte rrotulluar në varr po të dëgjonte për bëmat e tij! Kam lexuar në shtypin shqiptar për një “këshilltar“ gjerman, me emrin Martin, që endet nëpër Shqipëri dhe na prezantohet herë si këshilltari kryesor i kancelares Merkel dhe herë si këshilltar i CDU.

Miqtë e mi, Martin Henze, vetëm këshilltar i CDU nuk është, dhe aq më pak i kancelares Merkel!

Ju jam drejtuar miqëve dhe kolegëve të mi këtu, por edhe drejtuesve kryesor të CDU Deutschland, për të ditur se kush është ky person që flet në emër të CDU. Përgjigjia është e shkurtër: no body! (askushi)

Ky person nuk mundet kurrsesi të ndihmoje opozitën, ndihem i shokuar se si disa eksponent të opozitës gënjehen nga të tillë lobistë. Por a ka nevojë opozita për të tillë persona? Jo! Mendoj se të tillë persona vetëm dëmtojn imazhin e opozitës përpara partnerve tanë. Unë e kuptoj që Martin i ka “pëlqyer“ Shqipëria, por unë nuk mund të rrija pa e bërë këtë sqarim”, shkruan biznesmeni Gjoka.

Më herët Partia Demokratike zhvilloi disa tryeza ku shpalosi programin ekonomik që sipas saj është hartuar nga këshilltari ekonomik i Merkel, duke iu referuar gjithmonë Martin Henze. Megjithëse më vonë CDU reagoi përmes Annegret Kramp-Karrenbauer e cila tha se Martin Henze është i panjohur për Unionin Kristian Demokrat; PD dhe mediat pranë saj vijojnë ta shesin atë si përfaqësues të lartë të partisë së Merkelit në Gjermani.

Kole Gjoka, kandidat per Bundestag bashke me Angela Merkel

Javanews: Këshilltari fallco i CDU që shet gënjeshtra në Tiranë

Tetë muaj më parë, Dr. Martin Henze do të zhvillonte një tryezë të rrumbullakët në Tiranë me Partinë Demokratike. Në krye të tryezës qëndronte mysafiri nga Berlini dhe kryetari Lulzim Basha. Ai u prezantua para publikut si Kryetar i Komisionit të Transportit në Këshillin Ekonomik të CDU. Bëhet fjalë për partinë kryesore gjermane, Unionin Kristian Demokrat të Angela Merkel.

Zoti Henze do të bëhej i njohur sërish për publikun shqiptar vetëm tri ditë më parë. Duke komentuar situatën politike në Shqipëri, ai u shpreh se Edi Rama do të jetë së shpejti para gjykatave ndërkombëtare si i akuzuar.

Ky postim, por dhe marrëdhënia e tij e ngushtë më Partinë Demokratike, do të mjaftonin që media pranë opozitës joparlamentare t’i bënin jehonë ‘lajmit të fortë’.

Por kush është Dr. Martin Henze? Përmes kërkimeve në gjuhët gjermane dhe angleze, JavaNews.al nuk gjeti asnjë rezultat në internet, ku ai të figuronte si anëtar i CDU, aq më tepër kryetar i ndonjë forumi zyrtar të partisë në fjalë apo këshilltar i tyre.

Nisur nga të dhënat e pakta, JavaNews.al komunikoi përmes postës elektronike me partinë CDU, e cila sot drejtohet nga zonja Annegret Kramp-Karrenbauer.

Përgjigja ishte shokuese!

Nën/zëdhënësi i CDU, zoti Bülend Ürük bëri kërkimet e nevojshme dhe u përgjigj për JavaNews.al se Dr. Martin Henze është i panjohur për Unionin Kristian Demokrat.

“I nderuar zotëri,

Ju falenderojmë për kërkesën tuaj. Zoti Martin Henze është i panjohur për CDU Gjermani.

Ai nuk është një këshilltar i CDU, aq më pak i Annegret Kramp-Karrenbauer, liderë e Unionit Kristian Demokrat, apo i Presidiumit, apo i Bordit Kombëtar Federal të CDU.

Ne nuk e njohim këtë person” – është përgjigja e CDU në Berlin ekskluzivisht për JavaNews.al

Për ta konfirmuar qartësinë e identitetit, zyrtari gjerman telefonoi pranë JavaNews.al duke kërkuar edhe njëherë emrin e saktë të zotit Henze.

Për t’i ardhur në ndihmë, redaksia jonë i dërgoi profilin e Twitter ku Henze ka bërë deklaratën si dhe disa shkrime me foton e tij, të publikuara në portalet shqiptare.

Përgjigja zyrtare e CDU ishte e njëjtë duke theksuar se ai mbetet i panjohur për ta.

Arsyet përse zoti Henze është paraqitur nga Partia Demokratike si këshilltar i Angela Merkel janë të qarta, por pozicioni i tij i rremë tashmë ka dalë në dritë pas kontakteve që JavaNews.al pati me zyrat e CDU.

Skip to toolbar