Merkel dhe Conte kërkojnë zgjidhjen e problemeve me migrantët

Kancelarja Merkel dhe kryeministri italian, Giuseppe Conte kërkuan bashkëpunim më të ngushtë në çështjen e shpërndarjes së migrantëve. Krerët e qeverive u takuan për herë të parë në Romë.

Evropa ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete për migrantët e shpëtuar në deti, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës në Romë. Pas takimit me kryeministrin italian Conte ajo tha se disa vende kanë bërë hapin e parë në takimin e fundit në Maltë, që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme dhe jo vetëm “zgjidhje ad-hoc”. “Por ka mbetur edhe shumë për t’u bërë, deri në arritjen e zgjidhjes definitive për shpërndarjen e migrantëve dhe refugjatëve në mbarë Evropën. Kërkohet më shumë vullnet tek vendet anëtare, për pjesëmarrje në këtë shpërndarje”, tha Merkel.

Conte mendon se vendet e BE duhet t’i plotësojnë obligimet

“Qëllimi përfundimtar është që vendet e Bashkimit Evropian të punojnë së bashku”, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte. Gjermania po angazhohet shumë dhe ajo e ka mbështetur shumë Italinë në këtë drejtim, theksoi Conte, i cili e falënderoi Gjermaninë për këtë mbështetje. Në shtator të këtij viti, ministri i Brendshëm Horst Seehofer deklaroi në Malta se Gjermania dhe Franca duhet të respektojnë marrëveshjet për marrjen e njerëzve të shpëtuar nga anijet. Por kjo nuk ka ndodhur gjithmonë. Ndaj anijet me migrantë me ditë të tëra detyrohen të presin për hyrje në portet bregdetare.

Si një strategji afatgjatë ai theksoi nevojën e luftimit të shkaqeve për ikjen e refugjatëve dhe migrantëve nga vendet e tyre. Për këtë kërkohet stabilitet politik dhe ekonomik në Libi dhe vendet tjera afrikane. Conte do të marrë pjesë në një konferencë që do të organizohet javën që vjen në Berlin, me përfaqësues të vendeve afrikane. Qëllimi është ndër tjera të vendosja e paqes së plotë dhe stabilizimi i Libisë.

Merkel: “Jemi duke punuar në këtë drejtim”

Merkel kërkoi një bashkëpunim më të mirë me rojet bregdetare të Libisë. Në këtë vend afrikan kërkohet të punohet shumë për përmirësimin e gjendjes. Përgatitja e njerëzve në Libi është e një rëndësie të madhe, theksoi Merkel. Këtu duhet të aplikohen standardet e nevojshme, të cilat nuk aplikohen në të gjitha rajonet e vendit. Jemi duke punuar në këtë drejtim, për përmirësimin e gjendjes, theksoi Merkel duke shtuar se njerëzit duhet të shpëtohen nga rreziku i udhëtimeve tepër të rrezikshme ku mund të humbasin edhe jetën./DW/

Merkel: Marrëdhëniet me Francën do forcohen

Takimi Merkel-Macron shihet si mundësia e vetme që kancelarja gjermane të arrijë të bind Francën skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pasi Gjermania ka dhënë “po” e saj për të dy vendet, Franca duket se kërkon ta shtyjë vendimin edhe me një vit, pasi për të BE nuk është ende gati për të kryer një proces tjetër zgjerimi. Pak orë para nisjes së kancelares në Francë, Merkel deklaroi se marrëdhëniet franko-gjermane do të vazhdojnë të forcohen, si në marrëdhënien dypalëshe edhe në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Kjo duket si një shenjë pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shpresuar se Merkel do të arrijë të bindë presidentin Macron të japi “po” për zgjerimin e BE-së.

Në marrëdhëniet dypalëshe si dhe në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, Gjermania dhe Franca punojnë ngushtë dhe duan që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Pas nënshkrimit të traktatit Aachen, bashkëpunimi ynë duhet të bëhet akoma më i fortë”, deklaroi Merkel.

Takimi i kancelares në Francë nis të dielën, ndërsa pritet të zhvillojë një takim të gjatë me Presidentin Macron. Më datat 17 dhe 18 tetor do të vendoset për hapjen apo jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Merkel pro Shqipërisë (por vendos Bundestagu)

Kancelarja Merkel ka “vulosur” hapjen  e negociatave për Shqipërinë duke deklaruar se qeveria e saj ka dhënë një rekomandim pozitiv me disa specifika. Megjithatë Merkel tha se pavarësisht rekomandimit pozitiv të qeverisë, gjithçka pritet të vendoset në Bundestag më 26 shtator. Këto deklarata kancelarja gjermane i bërë kur u pyet në lidhje me vendet skeptike për hapjen e negociatave për Shqipërinë, si Franca dhe Holanda. Mergel zgjodhi që në vend të saj të fliste për vendimin e qeverisë gjermane që inkurajon hapjen e tyre. Pavarësisht moskomentimit të Merkel, dihet se një rekomandim pozitiv nga Gjermania do të ndikonte edhe në vendimin e vendet skeptike.

Nuk mund të flas​ për vendet e tjera pasi ato vendosin vetë, por së pari mund të them për pozicionin gjerman, i cili lidhet me Bundestagun gjerman. Qeveria ka dhënë një rekomandim pozitiv për të dy vendet me specifikat e veta, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu dhe për Shqipërinë, por është Bundestagu ai që do të vendosë, dhe besoj së shpejti do të kemi një vendim,” deklaroi Merkel gjatë një konferencë për shtyp me kryeministren e Serbisë.

Një inkurajim pozitiv për hapjen e negociatave e ka dhënë dhe Kryetari i Komisionit parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve në parlamentin gjerman Patrick Ernest Hermann Sensburg. Gjatë një takimi në Shkollën e Magjistraturës në Tiranë, Sensburg tha se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme dhe për këtë meriton hapjen e negociatave. Ai u shpreh se asnjë vend nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet 100 % që i janë kërkuar, por Shqipëria është në rrugën e duhur duke punuar për përmirësimin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit në nivele të larta. Shteti i së drejtës është esenca e gjithçkaje u shpreh  Sensburg dhe Shqipëria ka një Reformë në Drejtësi të pambushur dhe një proces vettingu për tu vlerësuar.

Jemi në mes të procesit për anëtarësimin për në BE nuk jemi në fund të rrugës, por jemi në rrugën e duhur. Shqipëria nuk ka përmbushur 100% të gjitha kushtet, por asnjë shtet nuk i ka përmbushur ato që shkruhen nëpër dokumentet. Por drejtimi është 100% i rregullt. Kolegët e mi janë të bindur se Shqipëria është partner perfekt për ne, jeni në rrugën e duhur shteti i së drejtës është esenca e gjithçkaje. Ju duhet një proces Vettingu për të pasur gjykatën e drejtë në fund. Mendoj se Komisioni Europian do ti gjykojnë përpjekjet. Ne po ecim shpejt, dhe po bëjmë një punë shumë të mirë. Është e vërtetë që Gjykata duhet të funksionojë dhe do të funksionojë me gjyqtarë të mirë”. u shpreh Sensburg

Rama nis takimet në Berlin: Bisedime pozitive për negociatat në Gjermani

Kryeministri Edi Rama ka nisur të premten vizitën zyrtare në Gjermani. Ai ka postuar në facebook një foto gjatë takimit në në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut, ku shkruan se ndodhet aty për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë.

“Në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë. Bashkëbisedim i hapur dhe pozitiv”, shkruan Rama duke dhënë shpresë se vendimi i Bundestagut gjerman do të jetë pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë me të cilët do të bisedojë për mundësinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë, përmbushjen e detyrimeve nga qeveria, por edhe ndonjë kërkesë apo kusht të ri që mund të kenë ndërkombëtarët. Në axhendën e Kryeministrit është parashikuar një takim me kancelarin gjermane Merkel. Më herët Rama është pritur ngrohtë nga Merkel dhe ka marrë mbështetjen e saj për procesin integrues të Shqipërisë.

Deutsche Welle raportoi pak ditë më herët se një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”. Vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Qëndrimi i CDU/CSU-së duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD. Kjo e fundit, dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qendrimet e tyre, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut.

Vendimi që Gjermania do të marrë për Shqipërinë është mjaft i rëndësishëm, dhe pritet të ndikojë edhe tek vendet e tjera skeptike, siç janë Franca dhe Holanda. Më 18 tetor Këshilli i Europës do të thotë fjalën e fundit në lidhje me çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Rama, të premten në Berlin për negociatat. Gjermania ndez dritën jeshile

Duket se Gjermania do t’i ndezë dritën jeshile Shqipërisë për të vijuar në rrugën e gjatë të integrimit evropian që nis me çeljen e negociatave më 18 tetor të këtij viti, kur pritet që Këshilli i Evropës të miratojë propozimin e Komisionit Europian që vendi ynë të nisë negociatat për anëtarësim në BE.

Pritet që të premten e javës së ardhshme, më 13 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të zhvillojë një vizitë zyrtare punë në Berlin ku do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë me të cilët do të bisedojë për mundësinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë, përmbushjen e detyrimeve nga qeveria, por edhe ndonjë kërkesë apo kusht të ri që mund të kenë ndërkombëtarët. Nuk dihet ende nëse në axhendën e Kryeministrit është parashikuar një takim me kancelarin gjermane Merkel. Më herët Rama është pritur ngrohtë nga Merkel dhe ka marrë mbështetjen e saj për procesin integrues të Shqipërisë.

Ndërkaq po gjatë javës së ardhshme Tiranën zyrtare do ta vizitojë një delegacion nga grupi parlamentar CDU/CSU, që i përkasin partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel. Delegacioni i Bundestagut gjerman do të drejtohet nga nënkryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së Johann David Wadephul dhe do të zhvillojë takim me krerët më të lartë të politikës shqiptare ku në fokus do të jetë pikëtisht tema e çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Deutsche Welle raporton se një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”, por ka edhe një pakicë të vogël, që mendon se Shqipëria nuk është ende gati as për këtë. Përveç kushteve të formuluara edhe më parë në lidhje me reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drogës, reformën zgjedhore, pritet të shtohen edhe kushte të tilla si, zqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të qershorit 2019, si edhe sqarimi i akuzave për shitblerjen e votave në disa zona. Vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Qëndrimi i CDU/CSU-së duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD. Kjo e fundit, dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qendrimet e tyre, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut.

Vendimi që Gjermania do të marrë për Shqipërinë është mjaft i rëndësishëm, dhe pritet të ndikojë edhe tek vendet e tjera skeptike, siç janë Franca dhe Holanda. Më 18 tetor Këshilli i Europës do të thotë fjalën e fundit në lidhje me çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Merkel takon Johnson, për të shmangur katastrofën e Brexit

Anglea Merkel beson se “në 30 ditët e ardhshme”, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe mund të gjejnë një marrëveshje, për të shmangur një katastrofë, në rast se Boris Johnson do vendisë që Britania të dalë nga blloku pa një marrëveshje me Bashkimin Europian. Kancelaria gjermane ka shprehur optimizmin për ‘mundësinë’ e nje kompromisi për Brexit, gjatë takimit që pati me homologun e saj britanik, Boris Johnson në Berlin.

“E shkuara ishte një mundësi për të arritur gjetjen e zgjidhjes për këto probleme. U tha që me do të gjendjen një zgjidhje brenda dy viteve. Por ne gjithashtu mund të gjejmë një zgjidhje për 30 ditët e ardhshme, pse jo?”, ka  thënë Merkel për gazetarët, gjatë takimit që pati në Berlin me Boris Johnson.

Ndërkohë, kryeministri britanik është shprehur se Brexit do të ketë ‘pasoja të rënda’, por duhet të bëhet, pasi sipas Johnson, “sapo të shpëtojmë prej tij, ekziston perspektiva për një ringritje të shpejtë. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu”, ka thënë kryeministri i Britanisë së Madhe.

Angela Merkel ka mbajtur qëndrim me tone më të zbutura lidhur me vendimin e Anglisë për t`u shkëputur nga blloku, ndryshe nga Parisi dhe vende të tjera anëtare. Megjithatë, disa terma janë ende të paqartës, siç është rasti i marrëdhënieve mes Irlandës dhe Anglisë. Boris Johnson është shprehur se ‘nuk do të ketë kontrolle në kufi për shtetasit irlandez’, ndërsa ka shtuar se do të respektohen të gjitha ‘të drejtat e shtetasve të BE-së që jetojnë në Angli”.

Merkel mesazh skeptikëve të BE: Europa nuk është e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor

Kancelarja gjermane Angela Merkel riafirmon përkushtimin dhe vendosmërinë e saj për zgjerimin e Bashkimit Europian. Merkel tha se “Europa do të bashkohet vërtet kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE” duke u dhënë një mesazh të qartë të gjitha vendeve në BE që janë skeptik ndaj zgjerimit të unionit duke përfshirë këtu edhe presidentin francez, Macron.

Nëse i shikoni gjërat gjeostrategjike, por edhe hartën, atëherë do të ketë vetëm një Evropë të bashkuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Merkel

Këto komente Merkel i bëri gjatë një aktiviteti të hënën ku shënohej 30-vjetori i piknikut paneuropian, një ngjarje e vlerësuar si një moment kryesor në rënien e Perdes së Hekurt dhe në bashkimin e Evropës Perëndimore dhe Lindore.

Ky është një sinjal pozitiv për Shqipërinë, e cila pret që në tetor të vendoset për hapjen ose jo të negociatave. Aktualisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi janë vende kandidatë zyrtarë për anëtarësimin në BE, ndërsa Bosnja-Hercegovina dhe Kosova klasifikohen si “kandidatët e mundshëm”.

Avionët qeveritarë shfaqin avari, turpërohet Merkel dhe ministrat e saj

Në Gjermani ndodh herë pas here, që avionët qeveritarë të mos startojnë për shkak të avarive. Së fundmi duhej të udhëtonte me vonesë në Nju Jork, ministri i Jashtëm Heiko Maas.

Edhe një vonesë tjetër që të turpëron për shkak të një avioni me defekt: Fillimisht ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas duhet të ndërronte avionin për shkak të problemeve të Airbus A321 para fluturimit në Nju Jork, por edhe Airbus 319 solli vonesa, sepse duhej të furnizohej me urgjencë në Islandë. Por kjo nuk është avaria e parë, që e prish programin e një politikani të nivelit të lartë gjerman. Një arsye për këtë është, se kancelarja, ministrat e shoqëruesit nuk fluturojnë me linjat ajrore të pasagjerëve, por me flotën ajrore federale.

Çfarë është shoqata luftarake e fluturimit?

Krerët më të lartë të qeverisë gjermane, si kancelarja Merkel apo ministri i Jashtëm, Maas fluturojnë me “Flugbereitschaft” të Ministrisë së Mbrojtjes, një shoqatë ushtarake e aviacionit luftarak, e cila krahas ushtarëve dhe materialeve luftarake kryen edhe fluturime të politikanëve të nivelit të lartë. Kësaj instance të Ministrisë së Mbrojtjes i përkasin edhe dy avionë të tipit Airbus, A340 që njihen si avionë qeveritarë, e që përdoren për fluturime të gjata. Njëri mban emrin “Theodor Heuss”, tjetri “Konrad Adenauer”. Krahas një duzine avionësh më të vegjël, aty bëjnë pjesë edhe tre helikopterë.

Avionët Airbus janë marrë nga rezervat e Bundesëehrit. Ata janë të baravlersshëm me avionë të rinj, e kanë avantazhin e çmimit më të leverdisshëm. Para se të fluturojnë qeveritarët e lartë, ata përshtaten për funksionin e ri. Personat përgjegjës thonë, se avionët teknikisht janë të kontrolluar më së miri. As vjetërsia e tyre nuk luan ndonjë rol. E megjithatë shfaqen rregullisht avari.

Lista e gjatë e avarive

Lista e avarive është e gjatë, por nga një përzgjedhje mund të kujtosh avarinë e Majit 2019, kur ministri i Jashtëm, Heiko Maas, për shkak të një avarie mbërriti me 70 minuta vonesë në Bullgari. Në shkurt, po Heiko Maas në fund të një vizite në Afrikë, duhej të qëndronte në kryeqytetin e Malit, Bamako, dhe mundi të udhëtonte vetëm pas 20 orësh.

Në janar 2019, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier duhej të qëndronte në Adis Abeba për shkak të një defekti.

Në nëntor 2018, avioni me të cilin, duhej të udhëtonte kancelarja Merkel për në samitin e G20-s në Buenos Aires pati defekt. Avioni rezervë nuk mund të përdorej, sepse nuk ishte e mundur të krijohej një ekip i përshtatshëm kaq shpejt. Prandaj Merkel-it i duhet të kalonte natën në një hotel në Bonn, dhe të fluturonte në mëngjes me një avion tjetër qeveritar në Madrid e prej aty me linjën e pasagjerëve Iberia të fluturonte në Buenos Aires. Pasagjerët e tjerë në business class duhet të jenë habitur, kur në krah të tyre kanë parë një nga gratë më të fuqishme të botës.

Lista vazhdon me korrikun e vitit 2018, kur udhëtimi i presidentit Steinmeier shtyhet me disa orë, për shkak të një defekti hidraulik në avion. Por këtë herë ishte gati një avion tjetër për në Bjellorusi. Defektet vazhdojnë, edhe në maj 2006, para udhëtimit në samitin e Amerikës Latine të Steinmeier, atëherë ministër i Jashtëm, avioni tregoi një rënie kërcënuese presioni. Piloti vendosi zbritjen në kryeqytetin austriak, Vjenë./DW/

Financimet ruse, alarmi i Merkel: mbështetje populistëve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur e shqetësuar në lidhje me financimet ruse ndaj partive populiste. Këto shqetësime, Merkel i bëri publike gjatë një konferencë për shtyp në Berlin.

“Kemi vënë re se partitë e orientuara nga e djathta, partitë populiste, janë mbështetur vazhdimisht në një formë apo në një tjetër nga Rusia. Kjo është arsye për t’u shqetësuar”. – tha Merkel

Në lidhje me akuzat e fundit që i japin bërë partisë Lega të Mateo Salvinit, Merkel ia ka drejtuar çështjen institucioneve në Itali për të zbardhur rastin.

 “Kam dëgjuar të flitet, por i takon Italisë të hedhë dritë mbi këtë çështje. Sigurisht, kjo çështje ngre pyetje mbi praktikat e ndjekura në përgjithësi nga Rusia. “- tha kancelarja Merkel

Ministri italian i Brendshëm Mateo Salvini po përballet së fundi me akuzat se ai ka përfituar financime nga kompani ruse për fushatën zgjedhore. BuzfeedNeës ka publikuar një video në të cilën është filmuar Gianluca Savoini, ish ndihmës i Salvinit teksa qëndronte në një hotel në Moskë tetorin e kaluar duke diskutuar kushtet e një marrëveshje për naftën me pesë persona të tjerë, tre rusë dhe dy italiane, e ndërsa Partia Lega do të përfitonte 65 milionë dollarë për një vit. Sipas BuzfeedNeës kjo video tregon se partia e Salvinit “Lega” ka përfituar financime të jashtëligjshme për fushatë zgjedhore.

Vetë ministri italian i ka mohuar këto akuza: “Kurrë nuk kam marrë asnjë rubël, apo euro apo dollarë, madje as edhe një letër vodka nga rusët”, tha Salvini në një deklaratë, ndërsa shtoi se do të padiste këdo që e akuzonte atë për një krim të tillë.

Ursula dhe 7 fëmijët: Gjermanja njerëzore, që pason “pijanecin” Juncker

Me 383 vota ‘pro’, 327 ‘kundër’ dhe 22 ‘abstenim’, Ursula von der Leyen është zgjedhur nga deputetët e Parlamentit Europian  në postin e Presidentetes së Komisionit Europian. Në këtë detyrë, Ursula von der Leyen pason Presidentin aktual të KE, Jean-Claude Juncker. 60-vjeçarja, që aktualisht mban postin e Ministres së Mbrojtjes së Gjermanisë, është e para femër që do të drejtojë Komisionin Europian, që pas krijimit të tij.

Kush është Ursula von der Leyen?!

Aktualisht ajo mban postin e Ministrses së Mbrojtjes së Gjermanisë, pozicion në të cilin u emërua në vitin 2013 nga Kancelarja gjermane Anglea Merkel. Von der Leyen do të vendoste gjithashtu një standard të ri në politikën gjermane, pasi u bë e para femër në 2013 që pranoi postin e Ministrses së Mbrojtjes. 60-vjeçarja e lindur në Bruksel, është një nga aleatet e afërta të kancelares Merkel, dhe për shumë kohë, ajo është menduar se do të ishte pasardhësja e Merkelit në Gjermani.

Megjithatë, Ursula von der Leyen ka hyrë vonë në politikë, por për të, politika nuk është diçka e panjohur. Babai i saj, Ernst Albercht, ka qenë ish-Kryeministër për rajonin e Saksonisë dhe ish drejtor në Komisionin Europian. Në moshën 13-vjeçare Von der Leyen u  shpërngul nga Brukseli në Gjermani me familjen e saj. Ajo vazhdoi studimet në fushën e ekonomisë, në Shkollën Ekonomike të Londrës, ndërsa më pas ka ndjekur dhe një shkollë në fushën e mjekësisë, Gjinekologji, në Hanover. Shefja e re e Komisionit Europian ka gjuhë amtare frëngjishten dhe atë gjermane (të parën e ka mësuar gjatë kohës që ka jetuar në Bruksel), ndërkohë që është e martuar dhe ka 7 fëmijë.

Në fakt, kjo është diçka e rrallë për një femër evropiane në një vend si Gjermania, ku lindshmëria mestare është 1.59 fëmijë për grua. Ursula von der Leyen hyri në politikë në moshën 43 vjeçre, dhe ka qenë anëtare e Partisë Konservatore të Kristian Demokratëve të Merkel (CDU) që prej nisjes së karrierës së saj politike. Ajo ka mbajtur poste të ndryshme politike në rajonin e Hanoverit midis viteve 2001 dhe 2004, ndërsa më pas u zgjodh në parlamentin e Saksonisë së Ulët, përpara se të bëhej ministër për çështjet sociale, gratë, punët e familjes dhe shëndetin.

Von der Leyen u katapultua në skenën politike gjermane në vitin 2005, kur Merkel e emëroi ministre federale për çështjet e familjes, të moshuarit, gratë dhe të rinjtë. Katër vjet më vonë, ajo u zgjodh në Bundestag, ose parlamenti federal. Ajo ishte ministre federale e punës dhe çështjeve sociale deri në vitin 2013, kur u bë ministre e mbrojtjes. Megjithatë, Von der Leyen ka pasur shpesh kritika në Gjermani, për lidhjen e kontratave të dyshimta me dy firma konsulence, gjë të cilën e ka pranuar më vonë. Në vitin 2015, ndaj saj janë ngritur dhe akuza për plagjiaturë në tezën e doktoraturës, por ajo e refuzoi duke kërkuar që doktoratura e saj të rishqyrtohej nga një komision i pavarur.

Një ditë para votimit të kandidaturës së saj për presidente e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Jam e përkushtuar në fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim të ardhshëm në BE. Ballkani Perëndimor duhet të kuptohet më seriozisht” , u shpreh Von der Leyen në përgjigjen që i ktheu deputetëve të Parlamentit Europian, pas një kërkese të tyre në lidhje me mendimin e saj për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor.

Skip to toolbar