Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të
premten se Bashkimi Evropian synon të mbështesë partnerët në Ballkanin
Perëndimor në ardhmërinë e tyre evropiane dhe të lehtësojë përparimin e tyre
drejt integrimeve, sepse kjo është përgjegjësi strategjike e bllokut.
Ajo i bëri këto komente në përfundim të
takimit të kryeministrave nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me kolegët
e tyre nga vendet anëtare të Bashkimit evropian në Poznan të Polonisë, për të
diskutuar mbi procesin e anëtarësimit në bllok.
Takimi në Poznan është në vazhdën e atij që
është quajtur procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela
Merkel, në vitin 2014, për të demonstruar përkushtimin e Bashkimit Evropian
ndaj aspiratave të rajonit për anëtarësim.
“Pra kjo nuk është një ngjarje që e bëjmë për të tjerët, por kjo është edhe në interesin tonë. Nëse e shihni peizazhin më të gjerë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rrethuar me vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe këtë e shohim si përgjegjësi strategjike”, tha zonja Merkel, sipas së cilës janë shënuar përparime në rajonin e Ballkanit, por vështirësitë mbeten aty.
Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia,
Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, po kërkojnë garanci se rruga e
anëtarësimit është e hapur, pasi që disa udhëheqës evropiane ngritën mëdyshjet
për gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar.
Të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron,
tha se “do të refuzoj çfarëdo zgjerimi para se të kryhen reforma të thella në
funksionimin institucional të Bashkimit Evropian”. Zgjerimi kërkon mbështetje
të njëzëshme të vendeve anëtare.
“Pajtohem me pikëpamjet e presidentit
Macron se mekanizmat e BE-së duhet të përmirësohen”, tha kancelaria Merkel.
“Nuk e shoh këtë si braktisje të negociatave për zgjerim”.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, e
kritikoi sot Bashkimin Evropian për shtyrjen hapjes së negociatave për
anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje bllokut që
t’iu ofrojë vendeve të Ballkanit një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në
Bashkimin Evropian.
Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian shtyu për
në vjeshtë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e
Veriut, për shkak të mëdyshjeve të disa vendeve anëtare përfshirë Francën dhe
Holandën.
Serbia dhe Mali i Zi, llogariten si favorit
ndërsa Maqedonia e Veriut shpreson që marrëveshja me Greqinë rreth emrit të saj,
do t’i hapë dyert e BE-së.
Serbia megjithatë, nuk mund të përparojë në
proces pa një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,
pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha
të premten në Poznan se dallimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse janë të
mëdha mund të zgjidhen por ekziston një rrafsh më i gjerë politik, ku duhet të
merren vendime të guximshme, tha ai duke theksuar se duhet një kuadër i një
marrëveshjeje mbi bisedimet për njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve në
kufijtë ekzistues të tyre.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se
nuk e kupton “çka do të thotë njohje e ndërsjellë, sepse për ne nuk është e
domosdoshme njohja nga Prishtina”.
Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar
procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me vendosjen e tarifave
prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në nëntorit të vitit të kaluar dhe kërkon
heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim
bisedimesh.
Qëndrimet e pandryshuara të palëve bënë që të dështojë edhe një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris në fillim të këtij muaji për ripërtëritjen e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. /VOA/