Pse s’ka rrezik rus apo kinez në Ballkan, nga dështimi i Europës?

Nga Mero Baze

Vetoja franceze kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, po shoqërohet me një lum paralajmërimesh për pasojat që mund të ketë kjo për Ballkanin dhe raportet me Europën, me shpresë se mund ta lëvizi Francën nga pozicioni i saj.

Por duket se nuk do të ndodhë.

As Franca nuk do bëhet një vend i dashur për shqiptarët dhe maqedonasit, dhe as këto dy vende, nuk do bëhen anti-perëndimore.

Por brenda Europës natyrisht diçka do të ndodhë. Do të ndodhë, pasi këto janë kushte të Francës kundër Europës, dhe jo kushte të Europës kundër Shqipërisë e Maqedonisë.

Efekti pozitiv për dy vendet është se ato kanë ndarë Europën në një shumicë dhe pakicë kundër tyre. Sot 25 vende të Bashkimit Europian, përfshi dhe drejtuesit e Bashkimit Europian, po luftojnë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, si për një betejë të tyre.

Presidenca e BE, kancelarja Merkel, grupet parlamentare të Brukselit dhe krerët e 25 shteteve anëtare, kanë bërë kalë beteje të trye, hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Përballë tyre, presidenti Macron, me ambicjen e një politikani që do të nënshtrojë Europën, për t’i imponuar projektin e tij, ka gjetur një pikë delikate, ku Europa i duket shumë e interesuar, për të promovuar idenë e tij. Nuk e ka kundër Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, më shumë se sa kundër një Europe që nuk i duket e tij.

Nga ana tjetër, efekti i kësaj maratone të Europës për të hapur negociatat me dy vendet e fundit në Ballkan që nuk iu janë hapur ende, është ekspozimi i problemeve të Ballkanit.

Kryeminstri Zaev përmendi zhvlerësimin e “Marrëveshjes së Prespës”, që është medalja e arit e Maqedonisë në rrugën drejt negociatave, përmendi rrrezikun e dështimit të bisedimeve Serbi- Kosovë, si shembull i keq shpërblimi që mori Maqedonia me Greqinë, apo dhe rënien e mundshme të qeverisë.

Edi Rama nuk ka folur për rreziqe gjeopolitike apo rajonale nga Shqipëria, se në fakt nuk ka, por një dozë e re dëshpërimi padiskutim që do t’i bëjë më keq Shqipërisë, e cila dhe ashtu është në një krizë të zgjatur politike.

Ekspozimi i këtyre rreziqeve, është një rast i mirë për Europën, për të kuptuar se çfarë mund të kthejë pas ky vendim, sidomos në Maqedoni, ku beteja politike ka qenë e pozicionuar mes forcave pro perëndimore dhe atyre pro ruse.

Dhe akoma më shumë, një shuplakë për gjithë ata që qortojnë SHBA pse merret me problemin Serbi- Kosovë më shumë se Europa. Ndërkohë që SHBA ka emëruar brenda muajit, dy të dërguar specialë për Ballkanin, Europa është ndarë 25 me 2, kundër një procesi bisedimesh, i cili në fakt duhet të ishte automatik pas marrjes së statusit vend kandidat për në BE.

Me këtë ndarje të Europës, asnjë marrëveshje në Ballkan nuk ecën dot përpara pa SHBA. Ndaj më shumë se sa një boshllëk që mund të mbushet nga Rusia apo Kina, Ballkani perëndimor është një vend që do të besojë më shumë tek SHBA dhe vendimet e saj.

Pafuqia e Europës për t’u bashkuar rreth një vendimi, për problemet e veta, do të ulë pritshmëritë e Europës në këtë rajon, por nuk do të ndryshojë orientimin perëndimor të tyre.

Në fund të fundit, vendimet e mëdha në Ballkan i ka marrë SHBA, pasi siç ka thënë Kisingeri, “kur ke punë me SHBA i bie një telefoni, ndërsa në Europë nuk di kujt t’i telefonosh”.

Dhe faktet provuan që SHBA bënë shtet Maqedoninë, ata bënë “Dejtonin”, pasi holandezët i lanë boshnjakët në Srebenicë në dorë të kasapëve duke pirë wisky, ata bënë Kosovën shtet të pavarur, përkundër përçarjes europiane në këtë pikë.

Po të ishte për Europën, Rusia e Kina do ta kishin marrë me kohë Ballkanin. Ndaj nuk duhet mbivlerësuar boshllëku që lë Europa në Ballkan. Boshllëku perëndimor nuk mund të mbushet me “mall lindor”.

Çfarë është perëndimore në Ballkan, do mbetet perëndimore, edhe pse jo doemos europiane. E ka lënë me kohë këtë boshllëk Europa, por për fat e ka mbushur SHBA.

Mero Baze: Rruga e gabuar, e ikjes nga rruga

Nga Mero Baze

Lulzim Basha duket se po kërkon një shteg të rikthehet në sistem. Partia e mbetur rrugëve nga revolucioni i pranverës, me djegie mandatesh dhe bojkot zgjedhjesh, tani duket se shikon “të vetmen rrugë”, siç thotë Basha, reformën zgjedhore. Kjo nuk ja vlen të merret seriozisht si një rrugëzgjidhje, por më shumë si një rrugëdalje e Bashës nga spiralja ku ka hyrë. Ai do doemos një shteg për të ikur nga rrugët. Por pasojat e daljes së partisë në rrugë dhe e plotësimit të Kuvendit me deputetët e listës së tij rezervë, kanë krijuar një realitet të ri.

Lulzim Basha duhet të përballet me këtë realitet, se është përgjegjësi e tij. Depuetët e listës së PD nuk janë deputetë të Edi Ramës, por Lulzim Bashës. Ai i ka përzgjedhur, ai i ka futur në listë dhe ai nuk i ka ndalur dot të hyjnë në Parlament. Tashmë ata janë një realitet me të cilin nuk mund të sillesh sikur nuk ekzistojnë. Rruga më e sinqertë është që Lulzim Basha dhe PD të njohë praninë e tyre në Parlament, përmes një procesi të brendshëm në PD, i cili nxjerr prioritet, siç thotë Basha, reformën zgjedhore.

Njohja e këtij grupi nga PD, është një test për të kuptuar nëse PD e ka seriozisht reformën zgjedhore dhe reformat e tjera që nevojiten për t’u rikthyer në sistem. Njohja kërkon guxim për të pranuar gabimet, autokritikë për nivelin e listës rezervë të PD dhe mbi të gjitha, bashkëpunim real me ta, që të përfaqësojë votën parlamentare të tyre. Kjo rrugë do të ishte një dëshmi se Basha ka reektuar dhe po korrigjon gabimet e tij.

Rruga tjetër, ajo që po tenton tani, duke afruar disa deputetë që të krijojë përçarje brenda grupit dhe të shmangë Rudina Hajdarin si bashkëkryetare e Komisionit të reformës, është test i kundërt, i mungesës së vullnetit për të bërë reformën zgjedhor dhe për ta dështuar atë, me qëllim që të gjejë një justikim për të mbetur rrugëve. Bashës nuk i duhen delnët e tij në opozitën parlamentare, por i duhet të pranojë ekzistencën e tyre dhe të bashkëpunojë me ta.

Natyrisht që e kuptoj vështirësinë e të punuarit me ta pas aq shumë balte që ka hedhur, por ky është çmimi që duhet të paguajë për gabimet e veta. Përpjekja për të përçarë grupin dhe për të krijuar disa deputetë në Parlament pro Bashës, e të tjerë kundër tij, nuk prodhon asgjë politike, përveçse mund të gjejë ndonjë arsye për të mos bashkëpunuar për reformën zgjedhore.

Kjo do ta detyrojë shumicën që të formatojë një reformë tërësisht teknike, bazuar vetëm mbi vërejtjet e ODIHR në raport, dhe ta mbyllë atë teknikisht, duke mos prodhuar asgjë politike nga kjo tryezë. Për të prodhuar diçka me politike dhe më të gjerë, Basha duhet të ketë një ofertë serioze bashkëpunimi për reofrmën zgjedhore, dhe jo një ofertë për të “reformuar” disidentët e tij në Parlament, kundër reformës.

Mos e fyeni Albinin si çlirues të Kosovës nga Shqipëria

Nga Mero Baze

Ka një përpjekje nga një rreth opinionistësh të fushatës pro Kurtit, për të konsideruar fillimin e qeverisjes së tij, si një qeverisje kundër ndikimit të Shqipërisë në Kosovë. Për mua ky është një lajm i mirë dhe do t’ia dëshiroja çdo kryeministri të Kosovës. E vetmja mënyrë që Kosova të bëhet shtet serioz, i pranueshëm dhe i besueshëm, është të zhvillojë një identitet shtetëror e administrativ ndarazi me Shqipërinë, për t’i bindur të gjithë, se ja ka vlejtur njohja dhe pranimi si shtet. Kjo ka qenë idea e themeluesit të shtetit të Kosovës, presidentit të parë të saj, Ibrahim Rugova.

Rugova e kishte distancimin nga Shqipëria një diemension natyral. Ai e donte Shqipërinë, e çmonte atë, por nuk e përziente me Kosovën. Berishën e mbajti larg deri sa vdiq dhe nuk e priti në Kosovë, ndërsa socialistët i shikonte si njerëz në punë të tyre, me të cilët nuk donte të kishte punë. Dhe nuk e bënte se e bezdisnin si personalitete, por kishte bindjen se Kosova do të mund të formonte personalitetin e saj shtetëror ndarazi Shqipërisë. Për këtë u mallkua shumë, u fye, u poshtërua, dhe pse jo, disa herë dhe u tentua të eleminohej fizikisht.

Ndër ata që ka tentuar ta poshtërojë për këtë prirje të tij, ka qenë dhe Albin Kurti. Duke tentuar të formojë personalitetin e tij si politikan pro bashkimit me Shqipërinë dhe si një njeri që e bezdiste trendi i një identeteti të ri shtetëror të Kosovës, Albin Kurti e ka pasur target sulmesh Rugovën, pikërisht për këtë identitet të tij politik. Dhe e kishte këtë me gjeste konkrete, me mospranim të Rambujes, mos pranim të pavarësisë, mos pranim të flamurit, mos pranim të ekipit të futbollit etj. Nuk mund ta gjykosh për këtë gjë, se është zgjedhje politike dhe duhet pranuar siç është.

Dhe 25 për qind e Kosovës,  e pranuan kështu Albinin. Tani lexova një ditë më parë një koment të Berat Buzhalës, që befas na paraqet një Albin tjetër, një Albin që “do t’i vërë kufirin tek thana” Shqipërisë dhe Edi Ramës, që do tregojë personalitetin e Kosovës ndaj Shqipërisë, dhe ca gjëra entuziaste rreth formimit të tij kulturor, të cilat nuk ja vlen të debatohet. Ky është një lajm i mirë, nëse Albini ka vendosur të ndryshojë kauzë e të bëhet politikan kosovar, që do të zhvillojë një identitet të Kosovës dhe të mos lejojë varësi të Kosovës nga Shqipëria.

Thjesht duhet korrigjuar, që nëse ka vendosur ta bëjë këtë, nuk është i pari, por është idhtar i Ibrahim Rugovës. Kjo mund t’ia forcojë dhe më shumë besimin në bashkëpunimin me LDK, që ende po mëdyshet. Nëse është i vërtet opinioni i Buzhalës dhe e besoj që është i vërtetë, se ka qenë mbështetës i tij në fushatë, atëhere Kurti duhet ta nisë kauzën e tij të re, duke shkuar tek varri i Rugovës, qysh i kanë adetet politikanët në Kosovë, duke vënë aty një tufë lule, e duke u betuar se do ta ndjekë veprën e tij. Me këtë rast është i mbrojtur dhe nga pikëpamja kulturore me Shqipërinë, se Rugova ka mbaruar Sorbonën dhe jo shkolla lulishtesh e bodrumesh.

I vetmi problem është të sqarojë mbështetësit e tij, se nuk ka më kauzë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por çlirimin e Kosovës nga Shqipëria dhe Edi Rama. Nuk ka nevojë të bëjë luftë për këtë, se e ka të tuar brenda ditës pa hedhur asnjë armë. Boll ta kërkojë. Por nëse Albini nuk ka ndërruar ende kauzë dhe mendje, mos e fyeni, se duket si budalla që e përdorni dhe për komplekset tuaja të inferioritetit me Edi Ramën. Ka boll të vetat dhe mund t’i nxjerrë vetë. S’ka nevojë të keqpërdoret për të hequr komplekset e dikujt ndaj Shqipërisë, Edi Ramës, Sali Berishës, apo kujtdo ndaj të cilit ndjehet inferior përtej kurit

Mero Baze: Leksionet Kosovare, që s’vlejnë për ne

Nga Mero Baze

Ka një entuziazëm fals për disa aspekte të zgjedhjeve në Kosovë, siç është numërimi i shpejtë i votave, (në fakt jo dhe aq i shpejtë se akoma s’kanë mbaruar), pranimi i humbjes nga partia në pushtet,  mungesa e incidenteve, apo sistemi elektoral.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, numërimi i shpejtë i votave bie vërtetë në sy për mirë, por problemi nuk është as te KQZ e Shqipërisë, as te ndonjë mekanizëm vjedhjeje, por te një ndryshim dramatik i ligjit elektoral në zgjedhjet e vitit 2003, i cili imponon numërimin në qendër të KZAZ, të gjithë qendrave të votimit.

Ndryshimi u bë pas këmbënguljes dhe vetos së Sali Berishës në reformën e atëhershme zgjedhore, pasi kishte pretendimin, se votat që numërohen në qendrën e votimit, siç numërohen në gjithë botën, janë nën presion dhe mund të vidhen.

Në rrethant e zgjedhjeve të Ilir Metës të vitit 2001, që ishin të dhunshme dhe ku u përdorën policë e banditë për t’i vjedhur votat, kërkesa kishte kuptim.

Në vitin 2019 është një situatë krejt tjetër. Votat mund të  numërohen lirshëm në çdo qendër votimi dhe Shqipëria në orën 20:30 ka rezultatin e votimit në gjithë vendin. Nuk ka nevojë për numërues, nuk ka nevojë për para shtesë, por për pak komisionerë dhe nga një smartphone në çdo qendër votimi që raporton.

E ka pasur këtë më 91, 92, 94 , 96, 97, 2000 e 2001. Prandaj këta të habiturit nga përfundimi i shpejtë i zgjedhjeve në Kosovë, që në fakt akoma s’kanë mbaruar, duhet të shikojnë arsyen pse ndodh kjo, dhe jo të bëjnë hartime patetike duke krahasuar dy sisteme, që nuk janë të njëjta.

Mungesa e incidenteve në këto zgjedhje në Kosovë ishte vërtetë arritje dhe kjo ka ardhur nga fakti, se gara ishte e copëzuar, kishte shumë parti që garuan vetëm dhe nuk kishte protagonizëm blloqesh të sigurta.

Në zgjedhjet e mëparshme në Kosovë ka pasur “vjedhje industriale” votash, siç i ka përshkruar ambasadori amerikan zgjedhjet e vitit 2012, apo incidente pa fund më 2017, pasi blloqet politike ishin të pozicionuara mes tre palëve. Në këto zgjedhje Vetëvendosja ishte vetëm, LDK vetëm, dhe ish-partitë në pushtet në tre pjesë.

Nëse do të kishim koalicionet parazgjedhore të vitit 2017, siç ishte PAN, zgjedhjet do kishin tjetër rezultat. Me aq vota sa kanë marrë partitë e ish PAN, sot do kishin marrë 37 për qind dhe do ishin fituese të zgjedhjeve. Ndarja e tyre në tre pjesë ka ulur PDK në 22 për qind dhe ka lënë parti të parë Vetëvendosjen, e cila po ashtu ka rënë me 2 për qind nga 2017. E vetmja parti që është rritur në këto zgjedhje është LDK, falë Vjosa Osmanit.

Mungesa e përballjes së koalicioneve të forta e ka bërë më qytetare fushatën, pasi dhe protagonizmi ka qenë shumë i shpërndarë në disa parti.

Lidhur me pranimin e rezultatit e vetmja shenjë ishte deklarata e Kadri Veselit dhe Haradinajt për pranimin e humbjes, por nuk është se kanë pasur ndonjë mundësi tjetër. Në rastin e Haradinajt, kur merr 10 për qind, nuk ke çfarë pret të kontestosh.

Në rastin e Veselit deklarata ishte një shenjë ç’tensionuese, por ishte personale dhe jo e PDK. Partia e tij PDK, nuk e pranoi rezultatin dhe kërkoi rinumërim kombëtar të votave, pasi diferenca 3 për qind me fituesin, i ka futur në dyshime për manipulime. Kërkesa i është hedhur poshtë nga Paneli zgjedhor për ankesa.

Pra dhe në këtë rast nuk është se kemi ndonjë pranim të rezultatit me aq dëshirë.

Në Shqipëri kultura e mospranimit të rezultatit është kulturë e Sali Berishës. Ai nuk ka njohur asnjë palë zgjedhje që ka humbur, ndërsa Edi Rama ka njhur dhe zgjedhjet që ia vodhën live në TV me dhjetë vota. Sali Berisha nuk ka njohur as referendumin për kushtetutën e vitit 1998, që më vonë e “mbronte”. Por dhe ky nuk është se ka shqetësuar njeri me këtë zakon, pasi është shumë i llogaritur në këtë pikë. Të gjithë e dinë që nuk e pranon humbjen dhe aq. Ai ka pas qenë zemëruar keq me Besnik Mustafaj dhe Sokol Olldashin që pranuan me mendje të tyre humbjen me Ramën dhe u ka mbajtur qëndrim për këtë. Biles tani siç e shikoni nuk pranon as humbjen e Lulit me mandatet që dogji dhe e ka shpallur fitore, shkatërrimin e PD.

E vetmja gjë që duhet diskutuar me përgjegjshmëri nga përvoja e Kosovës, është sistemi zgjedhor.

Kosova ka propocional kombëtar, me preferencë për 5 kandidatë. Pra nuk janë lista të hapura, por preferenciale. Ti ke të drejtë të zgjedhësh pesë më të mirët, nga 100 që ka lista.

Greqia ka sistem më afër natyrës sonë, pra një sistem propocional rajonal, me preferencë, por me një “primë” për partinë fituese, që merr mbi 29 për qind, duke e çuar në 50 për qind. Sistemi grek është sistem antikrizë, që nuk të lë në duar të partive gjobvënëse, dhe që respekton fituesin. Ai është më afër realitetit shqiptar dhe ka funksionuar prej tre dekadash. Listat tërësisht të hapura, në një sistem propocional kombëtar, siç kërkojnë disa parti të vogla, është derë e hapur për çdo biznesmen apo bandit që mund të sigurojë aq vota, sa për vete duke u kthyer pastaj në faktorë politikë.

Nëse ka sistem kombëtar propocional, duhet deomos të ketë një “primë” për të çliruar fituesin nga gjobvënësit e vegjël. Në të kundërt, ky sistem që është, me preferencë deri në pesë përqind të listës  për çdo qark, do ishte i mjaftueshëm.

Për mua më rëndësi ka aspeti teknik i reformës, numërimi i shpejtë në qendër votimi, depolitizimi i komisioneve duke vendosur nëpunës publikë, si për shembull 3 mësues në çdo KZV dhe tre gjyqtarë në KZAZ dhe kështu partitë shpëtojnë nga shpenzime dhe stresi i komisionerëve. Një përpjekje për numërim elektronik do të ishte dhe më e mirëpritur, por dhe numërimi me dorë në qendra votimi e zgjidh situatën.

Shqipëria i ka pasur të gjitha sistemet zgjedhore. Më 31 Mars të 1991, e kemi nisur me mazhoritar të pastër, kemi vazhduar me mazhoritar me korrektim propocional, pastaj me korektim mazhoritar, e në fund me sistem propocional rajonal. I kemi provuar të gjithë leksionet e sistemeve dhe nuk na e ka fajin sistemi, por kultura politike brenda partive, mungesa e demokracisë brenda tyre, dhe pamundësia për të reformuar partitë që janë teknikisht të gjitha të paligjshme pasi në fillim kanë vjedhur zgjedhjet e tyre, pastaj votat e popullit. E para gjë që duhet bërë këtu, është që zgjedhjet brenda partive t’i bëjë KQZ dhe t’i certifikojë gjykata.

Nga këtu mund të fillojë një revolucion i ri, pasi do të zgjohet gara e vërtetë brenda partive dhe nuk mund të bëhen zgjedhje si ato Basha-Olldashi, ku fletët ishin me numër rendor për të identfikuar votën, listat në dorë të Bashës, dhe numëruesit badigardë të Berishës. Nuk mund të ketë demokraci dhe zgjedhje të lira në Shqipëri, pa demokraci dhe zgjedhje të lira në partitë shqiptare, ku kryetarët nuk humbasin prej 30 vitesh dhe ankohen pastaj për sistemet zgjedhore.

Mero Baze: Vetëvendosja dhe vetëndjerja në pushtet

Nga Mero Baze

Euforia e Vetevendosjes pas renditjes e para në listën e partive me 0,7 për qind më shumë se LDK, ka prodhuar një klimë izolimi për fituesit e zgjedhjeve në rrugën drejt të qenit fitues të pushtetit. Triumfalizmi që demonstron enturazhi i Albin Kurtit dhe vet ai me 25.7 të votave (nga 27,49 që kishin në zgjedhjet e shkuara), do t`ia vlente sikur Albini të kishte aspirata vetëm të tregonte se është faktor politik i rëndësishëm në Kosovë, por jo në kontekstin e dëshirës së tij të shprehur, për të qenë kryeministër i Kosovës.

Nga mënyra se si po e përjeton triumfin e të qenit në krye të listës së garuesve më 6 tetor, Albin Kurti dhe Vetvendosja po e trajtojnë LDK, si humbëse të zgjedhjeve dhe gati gati kanë tone gjykuese ndaj viskozitetit të tyre dhe deklaratave të rralla që dalin nga selia e tyre.

Isa Mustafa kryetari zyrtar i LDK, pak orë më pare, sqaroi se do të pres rezultatin final të zgjedhjeve dhe pastaj do të vendos se çfarë do të bëhet për të respektuar vullnetin e popullit, një qëndrim tipik i tij në situata të ngjashme.

Ky qëndrim do ta ndërlikoj rrugën e tyre drejt koalicionit, pasi ka bërë të kundërtën e asaj që duhet të bënte.

Para se të krijojnë një koalicion të qëndrueshëm, liderët duhet të punojnë për të krijuar një klimë besimi mes tyre, mes partive, mes elektoratit dhe opinionbërsve, ndërsa Vetvendosja po bën të kundërtën me LDK. Shumica e komenteve adresuar LDK janë gjithë helm, a thua se meqë këta kanë marrë 4 mijë vota më shumë janë heronjë dhe të tjerët duhet tu bien në gjunjë. Ndërkohë  më 2017 Vetvendosja ka qenë 27.5 për qind, gati  2 për qind më shumë se sa sivjet. Në kushte normale Vetvendosja është zvogëluar dhe jo rritur, por rënia e fort e PDk e bën atë fituese të zgjedhjeve por jo të pushtetit

Dhe si fituese ajo duhet të sillet me modesti dhe përgjegjshmëri. Fitues i vërtet, është ai që di të ndërtojë një koalicion afatgjatë, një klimë besimi mes palëve dhe që të krijonë ndjesinë e sigurisë se nuk po punojnë kundër njëri tjetrit.

Albin Kurti nuk duhet ta ndante nga goja Vjosa Osmanin qysh në daljen e parë në mbrëmje më 6 tetor, duke thënë që “Unë dhe Vjosa Osmani kemi fituar”. Duhet ta bënte këtë për të qenë i vërtet dhe i besueshëm, pasi ai realisht nuk ka fituar pushtetin, por thjesht ka dal i pari i zgjedhjeve mes pesë partive.

Për të formuar një koalicion fitues, shpesheherë lider edhe më të fort se Albini, u është dashur të bëjnë thyerje të mëdha. Ibrahim Rugova kishte dyfishin e votave të Albinit më 2004, por bëri kryeministër Haradinaj, për të siguruar shumicën për president. Sali Berishës i duhej vetëm një votë më 2009 në Shqipëri dhe i dha Ilir Metës 30 për qind të pushtetit, e kështu me radhë. Fuqia për të bërë një koalicion qeverisës, është një betejë që kërkon pjekuri, por dhe përgjegjshmëri, jo teatër partizanësh e militantësh.

Ata vlejnë vetëm nëse do të vazhdosh në opozitë, me shpresë se herën tjetër rritesh më shumë e merr pushtetin vetëm. Kosova nuk është Vetëvendosje, dhe nëse Vetëvendosja do të qeverisë Kosovën duhet të pranojë partnerët në koalicion, duke qenë e detyruar të bëj kompromise të mëdha.

Pa kompromise rrihet vetëm në opozitë. Në pushtet duhet të zhvishesh nga demagogjia dhe patetizmi i simbolikave populiste. Ja për shembull ishte në kohën e duhur tërheqja nga referendumi për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por ishte aq qesharake ideja e bashkimit të Akademive të Shkencave, sa të bën të qeshësh e të qash, kur mendon se fitutesi i zgjedhjeve këtë e quan ide.

E vërteta është se pushteti i takon Vetvendosjes dhe LDK, njëra me 31 deputetë, e tjetra me 30 deputetë. Ky është verdikti i popullit dhe këtë tani e ka në dorë ta çoj dëm vetëm Albin Kurti dhe papjekuria e partizanëve të tij.

Mero Baze: Një fushatë frikacakësh

Nga Mero Baze

Kosova mbylli fushatën për zgjedhjet në parlamentin e ri të Kosovës, provokuar nga kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, pas përpjekeve të tij për të rritur frymën populiste në vend, ndërkohë që një thirrje nga Gjykata Speciale në Hagë, mbriti në zyrën e tij. Haradinaj dha dorëheqje formale nga posti i kryeministrit duke porositur duartrokitje, pa u larguar kurrë nga ai post dhe duke rikandiduar për kryeministër, në përpjekje për tu heroizuar para zgjedhjeve të reja. Shpresa e tij se fushata për taksën 100 për qind kundër Serbisë, e cila ndërpreu nismën amerikane për bisedimet Serbi Kosovë, kishte rritur popullaritetin e tij, duket se e motivoi për të provokar zgjedhjet.

Por edhe pse zgjedhjet u provokuan si një mënyrë për të sabotuar bisedimet, tema e bisedimeve Serbi Kosovë, u shmang tërësisht nga fushata duke mos u përballur asnjë lider me të. Vjosa Osmani, një nga favoritet kryesore për kryeministër, ka shprehur luajalitetin e saj ndaj SHBA dhe Bashkimit Evropian dhe vullnetin për të vazhduar bisedimet, përmes një gjuhe të drunjtë nga frika e sulmeve populiste. Megjithëse, ajo duket se është e gatshme të jetë luajale me Perëndimin, ajo nuk guxoi ta bëj temën e bisedimeve, betejë në fushatën e saj, edhe pse zgjedhjet u provokuan për atë shkak.

Albin Kurti, i cili shpreson se “i ka ardhur dita” të bëhet kryeministër, nuk ka lëvizur shumë nga pozicionet e tij skeptike ndaj marrëveshjes së ofruar nga SHBA dhe BE, dhe ende nga pozitat e një lideri që është për ndryshim të kufijëve të Kosovës, duke u bashkuar me Shqipërinë, çfarë mund të jetë një premisë e rrezikshme për të folur haptazi për temën e ndryshimit të kufijëve edhe për Serbinë. Ramush Haradinaj ka pas fatin e keq të ishte yll i politikës së Kosovës, kur dha dorëheqje dhe thuajse në hije gjatë gjithë fushatës, i zbehur nga shkëlqimi i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.

Ndryshe nga të tjerët, ai duket më i shqetësuar nga vendmi i para dy ditëve të Shtëpisë së Bardhë, që emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, një diplomat i stilit të Presidentit Trump, si të dërguar special për Marrëveshjen Serbi Kosovë. Në deklaratën e tij “përshëndetëse”, Haradinaj foli për një marrëveshje në kufijtë egzistues, duke lënë të kuptohej se indikatorët janë, që opsioni i ndryshmit të kufijëve është ende në tryezë. Fraksioni socialdemorkatë i shkëputur nga Kurti, i është bashkangjitur Harandiajt, pa ndonjë entuziazëm për të qenë faktorë në këto si fitues, por me shpresë se e kanë dobësuar Albin Kurtin.

Fatmir Limaj shpreson të bëhet i dobishëm me një pakicë të artë për koalicionin e madh, ndërsa Pacolli ngjan i pashpresë të hyj sërisht në parlament. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, parti e të cilit shpreson të rezistojë si parti kryesore edhe pse është nën goditje, si parti e dërrmuar nga skandalet e pushtetit, ishte i vetmi që shpreu entuziazëm të qartë për lajmin e të dërguarit special për Marrëveshjen Serbi Kosovë, duke e përshëndetur atë pa rezerva dhe duke u angazhuar personalisht në mbështetje të shqetësimit amerikan për këtë çështje.

Partitë fituese të së djelës në Kosovë, do ta kenë Marrëveshjen Serbi-Kosovë, dosjen e parë në tavolinën e punës, edhe pse në fushatë nuk e patën kurrë temë të fjalimeve të tyre nga frika e populizmit agresiv dhe paqartësisë që kanë mbi kushtet që do shoqërojnë marrëveshjen. Edhe pse Osmani ka elaburuar fort temën se nuk do të bëj koalicion të madh me partinë e Thaçit, nëse LDK del parti e parë, diplomatët ndërkombëtarë e shikojnë këtë koalicion si më të dëgjueshmin për të ecur përpara axhenda e bisedimeve, ndërkohë që zgjedhjet u dominuan nga retorika antikorrupsion ndaj partisë në pushtet. Në rast se Vetvendosja del parti e parë, aleati i saj i mundëshëm është LDK, por qeveria pritet të jetë një bashkim artficial politikash, edhe pse të dy liderët e rinj  janë të angazhuar kundër sistemit të ngulitur të korrupsionit dhe klaneve kriminale në vend.

Një qeveri e tillë e mundëshme, natyrisht ka pak shanse të angazhohet për marrëveshjen Serbi Kosovë dhe akoma më pak gjasa të ketë mbështetje afatgjatë, por mund të shërbej si një leksion i fort kundër liderëve tradicionalë në Kosovë dhe metodave të tyre antidmeokratike për të mbajtur pushtetin, përfshi dhe lidershipin e vjetër të LDK.

Sido që të dal rezultati, është e dukshme se liderët kryesorë që kandidojnë për kryeministër, nuk patën guxim të bëjnë pjesë të fushatës së tyre, temën e bisedimeve Serbi Kosovë, edhe pse mbi bazë të saj do të formatohen koalicionet dhe akoma më shumë që për shkak të tyre, ata hynë në zgjedhje të parakohëshme. Dhe kjo mungesë guximi mund të prodhojë pasiguri të re dhe mungesë stabiliteti, edhe pas zgjedhjeve, nëse nuk kanë kurajo të përballen me këtë të. Ikja nga ky debat në fushatë, si struci duke futur kokën në rërë, nuk i bën më patriotë, por më frikacakë. Patriotë janë ata liderë që përballen me problemin dhe ja dalin ta udhëheqin shoëëriën drejt një rrugëzgjidhje.

Baze: Refuzimi i Perëndimit për t’u përfshirë në pazaret e Lulzim Bashës

Në fillim OSBE dhe më pas Bashkimi Europian, kanë refuzuar publikisht propozimin e Partisë Demokratike për aktorët që duhet të jenë në tryezën e bisedimeve për Reformën Zgjedhore. Propozimi i PD, që bisedimet të jenë një pazar mes PS, PD-së së Lulzim Bashës dhe një përfaqësuesi ndërkombëtar, në fakt më shumë se sa një formulë që zgjidh problemin e reformës elektorale, është një përpjekje e Lulzim Bashës për t’i vënë vetes një çmim para se të ulet në tryezë.

Ai kërkon të ulet në tryezë me kusht që Perëndimi dhe PS të marrin pjesë në eleminimin e gjithë kundërshtarëve të tij dhe të njohin vetëm atë, si përfaqësues të opozitës.

Në thelb, Lulzim Basha kërkon të përdorë bisedimet për reformën, si një rast për të eliminuar paraprakisht opozitën parlamentare dhe kundërshtarët e tjerë të tij. Ai kërkon që tryeza, më shumë se sa me Reformën Zgjedhore, të jetë një garanci për legjitimitetin e tij në krye të opozitës.

Por këtë garanci realisht nuk e ka në dorë as PS, dhe as Perëndimi, por vetë realiteti që ka prodhuar Lulzim Basha në opozitë.

Opozita parlamentare nuk është produkt i Perëndimit dhe as i PS, por i Lulzim Bashës. Ajo lindi falë një vendimi fatalisht të gabuar të tij, duke mos respektuar demokracinë brenda partisë dhe duke diktuar një rrugë qorre në emër të një basti të tij personal, për të humbur ose fituar gjithçka. Lista plotësuese e PD dhe LSI, nuk ju përgjigj këtij vendimi dhe shkuan në Parlament.

Tani çdo reformë elektorale që kërkon 84 vota, kërkon doemos votën e opozitës parlamentare.

Reforma nuk është as në dorë të Ramës, as të Bashës, as të Perëndimit, por të pakicës parlamentare opozitare, e cila me gjithë fuqinë që ka, po tregohet tepër e matur dhe konstruktive në qëndrimet e veta.

Nëse Shqipëria merr hapjen e negociatave më 18 tetor, çfarë ka gjasa të ndodhë, Lulzim Basha e kompleton humbjen e tij spektakolare të këtij viti, dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër për të rimëkëmbur opozitën, përveçse të ketë një fillim të ri me opozitën parlamentare dhe gjithë faktorët e tjerë opozitarë. Për t’u ritkhyer në sistem, ai ka nevojë për atë pjesë të opozitës që është brenda sistemit dhe duhet ta pranojë atë me përulësi.

Ai ka pranuar pas 30 qershorit humbjen dhe marrjen e bashkive nga PS. Ka pranuar tryezën e bisedimeve pa ikur Edi Rama nga kryeministër. Ka pranuar me dhimbje dështimin në bllokimin e hapjes së negociatave, duke shpresuar tek Holanda deri në fund. Këto janë shumë herë më të forta dhe më me peshë për të, se sa të pranojë opozitën parlamentare, të cilën e ka prodhuar vetë.

Refuzimi i Perëndimit për t’u përfshirë në pazarin që kërkon Basha, nuk vjen nga dëshira për t’i dhënë atij leksione demokracie, por mbi të gjitha nga realiteti i ri i krijuar pas 30 qershorit dhe ulja e rëndësisë institucionale e opozitës jashtë parlamentare.

Pas raportit të Komisionit të Venecias pritet dhe shkarkimi i Ilir Metës, dhe  Lulzim Bashës i ngelet në pushtet vetëm Avokatja e Popullit dhe nënkryetari i AMA, ndaj është mirë të mendojë si të rikthehet pak nga pak kokëulur dhe duke kërkuar ndjesë në sistem.

Ajo që ai nuk kupton, është se tani nuk ka shumë rëndësi dhe nuk është faktor për të penguar asgjë. Nesër do të jetë edhe më pak.

Ai nuk ka më, asnjë armë për të luftuar.

Djegia e mandateve u zhvlerësua qysh ditën që ato u plotësuan nga lista që vetë Lulzim Basha ka dorëzuar në KQZ.

Bojkoti u çaktivizua si bombë tymuese që përdorej prej tij çdo dy vjet, sa herë kishte zgjedhje, duke kërkuar pazar. 30 qershori e skaliti në histori se bojkotuesit mbeten rrugëve dhe nuk shpërblehen.

Revolucioni u ndëshkua mes të tjerash, si një anarki e sponsorizuar me paga bashkiakësh dhe pa forcën e një revolte popullore.

E vetmja fuqi që ka ende Lulzim Basha, është të dorëzohet dhe të pranojë dështimin. Pas kësaj, demokratët e kanë në dorë ta falin, apo të flakin.

Por ai nuk ka më në dorë asgjë, përveçse t’u kërkojë mëshirë dhe paqe të gjithëve. Fillimisht, atyre që tentoi t’i zbonte dhe vazhdon t’i ketë armiq më të rëndësishëm se Edi Ramën.

Mero Baze: Venecia shpalli të ligjshme zgjedhjet e 30 qershorit

Nga Mero Baze

Ndërsa fati i mëtejshëm i Ilir Metës si President tani e tutje do të jetë në dorë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese, pasi Komisioni i Venecias ka provuar se ka shkelur Kushtetutën, çështja e legjitimitetit të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit është një çështje që është mbyllur nga Komisioni i Venecias, duke çertifikuar legjitimitetin jurdik të tyre, çka është një nga 9 kushtet e Bundestagut.

Në opinionin e tij, Komisioni i Venecias, gjithë arsyetimin për shkeljet kushtetuese të Presidentit, tejkalimin e kompetencave të tij dhe bojkotin e opozitës, e mbështet vetëm mbi faktin se zgjedhjet e 30 Qershorit ishin legjitime, dhe se ato nuk mund të shtyheshin për arsyet që paraqiti Presidenti dhe opozita. Madje opinioni i “Venecias”, e konsideron sukses faktin që përpjekja e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet, si një përpjekje për të ndërprerë rendin kushtetues të vendit, dështoi.

Komisioni i Venecias, e ka parë 30 qershorin në të gjitha aspektet.

E ka parë si një datë zgjedhjesh kushtetuese, që nuk mund të shtyhej, pasi prishte kontratën civile të partive në garë me aktorë të tjerë, e ka parë si datë besimi të qytetarëve shqiptarë për të votuar, e ka parë si një kufi legjitimiteti pushteti për të zgjedhurit në detyrë dhe mbi të gjitha, përpjekjen për shtyrje e ka parë si përpjekje për të bllokuar rendin kushtetues në vend.

Të gjitha arsyetimet e opinionit të Komisionit të Venecias, mbështeten mbi legjitimitetin e 30 qershorit.

Kështu që tanimë, nga 9 kushtet e Bundestagut, ajo e verfikimit të legjitimitetit juridik të 30 qershorit, për të cilën është gëzuar më shumë opozita, praktikisht ka rënë, pasi është vërtetuar nga një prej institucioneve më prestigjioze europiane për të drejtën kushtetuese, tek e cila duhet të referohet dhe Gjykata jonë Kushtetuese.

Duke marrë fund debati mbi legjitimitetin e 30 qershorit, nga ana tjetër duhet të bjerë edhe konsiderimi prej opozitës i këtyre zgjedhjeve si të papranueshme dhe kërkesat për përsëritjen e tyre. Ashtu sië e ka thënë qartë opinioni i “Venecias”, bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve, nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Zgjedhjet e 30 qershorit kësisoj nuk mund të jenë më, as objekt bisedash në tryeza partiake dhe as ofertë për kompensim politik për opozitën.

Ato duhet të mbeten ashtu siç u zhvilluan, një betejë mes atyre që deshën të ndalnin rendin kushtetues përmes bojkotit dhe atyre që donin të mbronin atë, duke u kthyer kështu në një precedent historik për Shqipërinë, ku për fat të mirë, ka fituar rendi kushtetues.

Ky shembull do të shërbejë në një periudhë afatgjatë, e ndoshta të përjetëshme në Shqipëri, që askush më, të mos guxojë të përdorë bojkotin si shantazh politik dhe si kërcënim për rendin kushtetues. Do të na shpëtojë mes të tjerash nga oferta për pazar për Lulzim Bashën një herë në dy vjet.

Ata që  tentuan bojkotin, sot janë jashtë sistemit dhe nuk mund të rikthehen në sistem duke zhbërë humbjen e tyre më të madhe zgjedhjet e 30 qershorit, por duke pranuar çmimin e hidhur të bojkotit dhe duke e nisur nga zero.

Opinioni i Komisionit të Venecias për 30 qershorin është historik, dhe është një rishkruajtje me gërma të mëdha i ndëshkimit, që duhet të marrin të gjithë ata, që pafuqinë politike duan ta zëvendësojnë me minim të sistemit dhe dhunim të rendit kushtetues.

Komisioni i Venecias kur ka deklaruar shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti, e ka bërë duke gjykuar për legjitimitetin e 30 qershorit. Dhe këtë e ka bërë duke qenë qartazi, haptazi dhe me shumë vendosmëri në anën e 30 qershorit. Kjo është një humbje më e rëndë për opozitën, se sa humbja e Ilir Metës si President. Se në fund të fundit Ilir Metën aty nëpër këmbë do ta kenë, por 30 qershorin e kanë humbur përgjithmonë, jo vetëm si shans politik, por dhe si shantazh elektoral. Ky është dhe lajmi më i keq për opozitën nga Komisioni i Venecias. Dhe këtë e kanë bërë me duart e tyre.

Mero Baze: Venecia dënoi, nuk fali Presidentin

Nga Mero Baze

Opinioni i Komisionit të Venecias ende nuk është bërë zyrtar, por përpjekja mediatike e Ilir Metës, për ta zhbërë atë, është në kulmin e saj. Nuk kam ndërmend të polemizoj me zyren presidenciale, që e quan atë paturpësisht “trakt”, biles dua të them që ia mirëkuptoj hallin.

Deklaratën e Ilir Metës, se do jepte dorëheqjen nga posti, nëse Venecia do ia quante çdekretimin e zgjedhjeve shkelje të Kushtetutës, zyra e tij e shtypit mund ta neutralizojë, vetëm duke quajtur trakt, dokumentin më të rëndësishëm ndërkombëtar për krizën politike shqiptare, ose duke folur për përjetimet e presidentit rreth divorcit të Sokol Ballës.

Nga këndvështrimi i përplasjeve të brendshme politike, opinioni i Venecias është më i rëndësishëm se sa vendimi i Bundestagut për hapjen e negociatave, më i rëndesishëm nga rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e tyre, më i rëndësishëm se vendimet e Parlamenteve te Francës, Holandës dhe të gjithë shteteve anëtare të BE-se, biles edhe më i rëndësishem se vendimi i Këshillit te Ministrave të BE-së për hapjen eventuale të negociatave.

Te gjitha këto vendime politike, kanë lidhje me vlerësimin e Shqipërisë si vend, me meritat dhe dështimet tona si popull. Përpara tyre, ne jemi të gjithë “Një”.

Kurse tek opinioni i Venecias, hesapet janë të ndara. Kush është me të drejtën ka emër, dhe kush është shkelës dhe dhunues i Kushtetutës, gjithashtu ka emër. Venecia e tregon me gisht të mirin dhe të keqin, për çdo rast dhe për çdo episod të konfliktit tonë politik.

Fakti që i keqi, shkelësi dhe dhunuesi i Kushtetutës në shumicën dërrmuese të analizës, është Ilir Meta, presidenti i Republikës së Shqipërisë, i vënë me vetëdije në shërbim të strategjisë së PD-së dhe LSI-së për “ndërprerjen e funksionimit kushtetues dhe ligjor të shtetit”, nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme për median dhe opinionistët, që ta lexojnë me “tolerancë”, “keqardhje”, “mirëkuptim” e “shpirtmadhësi”, proçkën presidenciale.

Venecia nuk ka thënë në asnjë rresht të opinionit të vet, se “presidenti nuk duhet të shkarkohet, sepse shkelja kushtetuese e tij nuk është shkelje e rendë”, siç e kanë shpikur mercenarët e presidentit.

Në opinionin e Venecias thelbi qëndron tek prova e shkeljes, jo tek sugjerimi për “tolerancë”, që po theksojnë fort gjthë ditën grupi i gatshëm i shtypit i Presidencës.

A thua opinioni i Venecias ka dalë që të shërbejë si “dekret për falje dënimi” për presidentin, apo është “autorizim” që ai dhe Berisha të vazhdojnë të hedhin në erë shtetin, sikurse bënë me zgjedhjet e 30 qershorit!!!

Për ata që dinë, apo kanë lirinë të lexojnë opinionin, Venecia nuk ka thënë se shkeljet e presidentit nuk janë të rënda, sepse ky gjykim nuk mund të jetë veçse gjykim sovran i Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

Që Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese shqiptare ta japin këtë gjykim, ato duhen lejuar të merren me çështjen, të shqyrtojnë shkeljet, t’i çmojnë ato, në kontekstin e zhvillimeve konkrete historike, si dhe te vleresojnë saktësisht dhe me baza, rreziqet dhe dëmet që mund t’i vinin rendit kushtetues nga shkeljet presidenciale.

Ka sens të thuhet fjala vjen, që Venecia sugjeron që Parlamenti “ta falë” presidentin, sepse dëmi qe ai u përpoq te shkaktonte nuk erdhi, zgjedhjet u zhvilluan dhe asgjë e keqe nuk ndodhi. Por Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese janë të detyruar të analizojnë më thellë dhe më në detaje se kaq.

Presidenti sigurisht që mund të falet, por për këtë të paktën duhet një argument në favor të tij, p.sh dikush nga Presidenca të thotë se ai u përpoq të korrigjonte “gabimin” që bëri, se “ai ka kontribut në eleminimin e pasojave ndaj rendit kushtetues”, apo se “ai tregoi apo po tregon pendesë të thellë për veprimtarinë e tij kundër rendit kushtetues, aq sa kjo krijon bindjen se ai nuk do të jetë më në të ardhmen kërcënim për interesat kushtetuese të shtetit dhe funksionimin e ligjshëm të institucioneve të tij.

Por Ilir Meta aktualisht mbron dhe shkeljen kushtetuese, dhe të drejtën për t’u falur. Kjo nuk funksionon bashkë kurrë.

Venecia është marrë vetëm me shkeljen kushtetuese të çdekretimit, jo me historikun e shkeljeve të Kushtetutës nga ana e Ilir Metës, presidentit. Ndaj Venecia kujdeset që t’i sugjerojë Parlamentit se, kur të kryejë procedurat e shkarkimit, të ketë kujdes të provojë, se presidenti është përsëritës në shkelje, sepse Kushtetuta kërkon më shumë se një shkelje të rëndë, për të kryer impeachment-in.

Venecia është neutrale në trajtimin e rastit, sikurse është edhe profesionale. Sa kohë që në mandatin e saj, nuk bënin pjesë analiza e konflikteve të hapura me ekzekutivin dhe Parlamentin për dekretimin e ministrave, ajo nuk mund të merrej me analizën e tyre.

Por per Parlamentin nuk është e vështirë të analizojë nëse mosdekretimi i ministrit të Brendshëm, apo mos dekretimin e shkarkimit të ministrit të Jashtëm është tejkalim i ngjashëm i kompetencës kushtetuese, sikurse ishte ç’dekretimi i zgjedhjeve, se mosdekretimet e ministrave bëheshin në sintoni me përpjekjet e opozitës për të penguar funksionimin kushtetues dhe ligjor te institucioneve, bëheshin për të sjellë destabilitet kushtetues, apo për të penguar funksionimin normal të qeverisjes, apo jo.

Nëse Parlamenti gjykon se ngjarjet kanë qenë të ngjashme dhe i kanë shërbyer të njëjtit qëllim politik, atëhere shkelja e rëndë dhe e përsëritur e Kushtetutës është provuar, dhe konteksti kushtetues i shkarkimit është ezauruar.

Venecia i sugjeron Parlamentit që të ushtrojë diskrecion në ushtrimin e kompetencës që ka.

Parlamenti mund të provojë shkeljen e rëndë të Kushtetutës, por ai ka kompetencë të peshojë midis interesave kushtetuese dhe, nëse gjykon se shkarkimi i presidentit mund të shkaktojë “kapjen” e institucionit nga maxhoranca, atëherë Parlamenti mund edhe “ta falë” Metën, sepse kapja e presidentit nga maxhoranca, në kushtet kur ajo ka fituar kaq shumë pushtet, mund të bëhet i dëmshëm për sistemin e “checks and balances” të Kushtetutës.

Mbrojtja e “checks and balances” mund të jetë një interes më madhor, sesa nevoja për ndëshkimin e presidentit dhunues.

Edhe ky sugjerim racional i Venecias mund të trajtohet vetëm në kontekstin e zhvillimeve historike. “Checks and balances” është vërtet interes madhor kushtetues, që mund të “falë” edhe presidentin dhunues, por falja mund të bëhet vetëm nëse presidenti tregon pendesë dhe reflektim të thellë, nëse ai jep garanci publike, se nuk do abuzojë më me kompetencen kushtetuese.

Ne rast të kundërt, Parlamenti duhet të vijojë me shkarkimin, sidomos në emër të parimit “checks and balances”. Kontrolli dhe balancimi kanë vlerë vetëm nëse ushtrohen në përputhje me Kushtetutën. Po u përdorën në kundërshtim dhe në shkelje te saj, atëhere ato kthehen në armikun më të rrezikshëm të Kushtetutës.

Tani qe opinioni i Venecias është bërë publik dhe shkelja e Kushtetutës nga presidenti i Republikës është faktuar, opinioni publik nuk ka nevojë të bëhet viktimë e çoroditjes mediatike. Njerëzit kanë nevojë të dijnë ca të vërteta tepër të thjeshta, jo nga opinionistët, por nga aktorët e çështjes:

A është penduar Ilir Meta për shkeljen e rëndë të Kushtetutes?

A e pranon që është bërë vegël në një lojë të rrezikshme “për të ndërprerë funksionimin kushtetues dhe ligjor të shtetit”, siç thotë opinioni i Venecias?

A është gati t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe të premtojë se nuk do të dhunojë më Kushtetutën?

A do ta çojë maxhoranca deri ne fund procedurën e shkarkimit, me transparencë dhe duke dhënë llogari publike për vendimmarrjen e saj?

Nese po, a është e gatshme shumica që procedurën e shkarkimit ta zhvilloje në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e Kushtetutës, me paanësi, gjakftohtësi, transparencë dhe llogaridhënie?

Nese po, a është ajo e gatshme të japë garanci, se nuk do ta shfrytëzojë vakancën për të kapur edhe këtë institucion?

Nese po, a është e gatshme ajo që të mbështesë kandidaturën që kënaq më mirë parimin “zgjedhim kandidatin që jep më shumë garanci për funksionimin e “cheks and balances”?

Opinioni i Venecias është një ngjarje e madhe për politikën shqiptare, sepse është i kthjellët, i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i saktë.

Mos lejoni tua shkatërrojne mercenarët!

Dhe akoma më keq, mos lejoni të konsolidohet e drejta e presidentit për të poshtëruar vendin duke shkelur Kushtetutën për një axhendë politike, që synoi rrëzimin e rendit kushtetues.

Mero Baze: Venecia e trajton Metën si komplotist ndaj Republikës

Thelbi i analizës së Komisionit të Venecias është se presidenti i Republikës ka vepruar në koordinim të plotë politik me opozitën, për të ndalur rendin kushtetues dhe për të penguar zbatimin e Kushtetutës në vend. Opinioni i Venecias e trajton Ilir Metën si pjesë e një plani politik të opozitës, në dispozicion të një revolucioni të dështuar.

Komisioni i Venecias ka konsideruar se çdekretimi i zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pastaj përpjekja për t’i shtyrë ato nga presidenti i Republikës, jo vetëm që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, por janë akte që mbështeten tek përpjekja e opozitës për të ndalur me dhunë funksionimin e shtetit dhe rendit kushtetues.

Në paragrafin 71 thuhet se:

“Bojkotimi i zgjedhjeve nga disa parti, është gjithashtu i ndryshëm nga një situatë kur palët e interesuara politike përdorin fuqitë, ose mundësitë e tyre politike posaçërisht për të parandaluar funksionimin e ligjshëm të institucioneve të tjera ose – çfarë është më keq – për të penguar funksionimin e tyre kushtetues. Nëse një përpjekje e tillë do të ishte e suksesshme, ajo do të ndërpriste të paktën përkohësisht funksionimin ligjor, ose kushtetues të Shtetit.”

Ky konstatim i heq bazën morale dhe politike presidentit, për çdekretimin e 30 qershorit, pasi ai e bazoi vendimin tek fakti që opozita kishte bojkotuar zgjedhjet.

Biles është më keq se kaq. Kjo tregon se presidenti e ka bazuar vendimin e tij si mbështetje për një veprimtari anti-kushtetuese të opozitës, që tentonte të ndërpriste funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Komisioni i Venecias ka prekur thelbin e çështjes, që është bojkoti i zgjedhjeve dhe zanafilla e problemit. Dhe sipas saj, bojkoti i zgjedhjeve nuk është bërë në kushtet e kërkesave për barazi elektorale, por për të dhunuar procesin kushtetues të zgjedhjeve, dhe për të ndalur funksionimin e shtetit.

Presidenti i Republikës e ka bazuar vendimin e tij tek akti i opozitës, pra tek një një akt që synon të dhunojë Kushtetutën e vendit, duke u kthyer kështu nga garant të unitetit të kombëtar, në një dhunues të Kushtetutës, për interes të një pale që tenton të ndalë funksionimin e shtetit.

Kjo është përgjegjësia bazike që presidenti i Republikës ka, lidhur me 30 qershorin. Ai ka marrë vendimin për të çdekretuar 30 qershorin, jo vetëm në mënyrë të paargumentuar nga kuadri kushtetues i vendit, por edhe më keq akoma, për të mbështetur një veprimtari anti-kushtetuese politike të opozitës.

Në fund, Komisioni konstaton se dekreti i presidentit prek të drejtat elektorale të qytetareve shqiptarë, të cilat hyjnë tek të drejtat themelore të njeriut, dhe si i tillë, ai është më shumë se sa shkelës Kushtetute, është një dhunues i të drejtave themelore të shqiptarëve.

Opinioni e lë fatin e Ilir Metës në dorë të Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, pasi konstaton shkeljet më shumë se kushtetuese që ai ka bërë.

Ilir Meta, i cili pat qenë zotuar se do të japë dorëheqje nëse Venecia thotë se ka shkelur Kushtetutën, sot ndërroi mendje dhe e quajti opinionin e Venecias një trakt. Kjo do të thotë se ai do të vazhdojë të rezistojë në postin e tij deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, që duhet të certifikojë opinionin e Venecias për të si dhunues i Kushtetutës dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë.

Dhe tani mos më thoni që Ilir Meta e Sali Berisha mezi presin të përmbushim kushtet e Gjermanisë, se një nga ato është Gjykata Kushtetuese, e cila është “gijotina” e presidentit.

Skip to toolbar