Si Real Story lajmëroi në verë se Meta po bën parti të re

Real Story parashikoi më 9 korrik të 2019 se kreu i shtetit Ilir Meta po planifikon krijimin e një partie të re nacionaliste, pasi LSI nuk është më ambicia e tij.  Meta ka dhënë sinjale të qarta se ai po planifikon të ardhmen e tij pas karriges së presidentit dhe ajo lidhet me krijimin e një partie të re, ku modeli i saj është ajo e “Partisë Radikale” të politikanit italian Marco Pannella, bazë e së cilës janë referendumet, të cilat Meta i ka kërkuar me ngulim në mënyrë “që vendimmarrja t’i kthehet popullit” apo një partie nacionaliste si ajo e Victor Orban, një parti presidenciale si AKP e Erdogan apo një parti anti-Soros si e Trump. Krijimin e një partie të re nacionaliste nga Ilir Meta, RealStory.al e paralajmëroi që në verë të vitit të kaluar.

Lexoni shkrimin e Real Story më 9 korrik 2019

META NË BOSNJE, THYEN BOJKOTIN SHQIPTAR. KRIJON NJË PARTI TË RE?

Presidenti Ilir Meta ka thyer bojkotin e shqiptarëve ndaj samitit të SEECP për shkak të mospjesëmarrjes së Kosovës. Qeveria shqiptare njoftoi se nuk do të merrte pjesë në këtë samit në shenjë solidariteti me Kosovën. Por krejt ndryshe nga ky qëndrim zyrtar i qeverisë shqiptare, ka vepruar presidenti Ilir Meta i cili ka shkuar në Bosnje për të marrë pjesë në samit, si i vetmi shqiptar atje.

I dëshpëruar për kontakte ndërkombëtare, Meta është takuar me Erdogan, me të cilin ka shpeshtuar bisedimet. Erdogan është i njohur për mbështetjen që i jep formacioneve të njerëzve të fortë politikë. A po siguron LSI një suport për erën post presidencë të Metës? Burime shumë konfidenciale i thonë realstory.al se nuk është ky rasti, megjithëse Meta në samitin e SEEPC është shfaqur në krah të presidentit të Turqisë, Erdogan.

Kryemadhi ka deklaruar se Metës që të marrë sërish partinë (LSI) i duhet të futet në garë me të.

Por si duket në kokën e Metës është diçka tjetër: një parti politike, nëse gjithçka dështon dhe ai largohet. I ndërgjegjshëm se LSI e ka kryer misionin e vet; i ndërgjegjshëm se nuk mund të bëhet qesharak dhe të sfidojë bashkëshorten në garë partiake, ose më saktë qëllimisht duke dhënë këtë ide. Ilir Meta nëse nuk arrin të kapet pas karriges së presidentit, do kërkojë një sfidë të re politike. E pat paralajmëruar këtë në fakt kur i dorëzoi Petrit Vasilit partinë: “Nëse nuk ecni mirë, do kthehem në politikë si Ariel Sharon, do krijoj parti të re dhe e sigurt që do ju mund”, pat thënë atëherë me shaka.

Po si duket nuk paska qenë ashtu. Dhe modeli është i gatshëm. Një parti presidenciale si AKP e Erdogan. Një model i ngjashëm me çiftin Milosheviç-Markoviç që kishin dy parti, njëri nacionaliste tjetra “liberale” me objekt të rinjtë (të preferuarit e Kryemadhit) , por më shumë modeli turk. Ndaj dhe takimet e tij me Erdogan, qoftë dhe me koston të duket si grevëthyes e të marrë pjesë në një samit të bojkotuar nga shqiptarët, si ai i Bosnjes.

Fundja, më mirë shok me Erdogan, sesa dashnor i heronjve sovjetikë.

Më herët, para se të takonte Erdogan, Meta publikoi një foto me dorën në Kushtetutë dhe shkruante “Shqipëria e para”, njëlloj si slogani i Trump. Mos ndoshta ka në mendje krijimin e një partie anti-Soros si e Trump? Një parti nacionaliste, e ngjashme me Firdez të Orban, të cilin e lavdëroi aq shumë në konferencën e famshme për shtyp.

A ishte pjesë e çmendjes së qëllimshme të presidentit, mesazhi ndaj ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve për krijimin e një Firdezi, një AKP, apo një lëvizje anti-Soros nacionaliste në Shqipëri?

Meta beson se PO. Se e majta e LSI është pragmatiste dhe si e tillë ajo shuhet larg pushtetit. Se e djathta e PD po shuhet nën Bashën dhe se Doktori është mjaftueshëm i vjetër për t’i dhënë asaj një dorë për ringritje. Dhe këtu ai rihyn në lojë. Si Anteu pas rënies në Toke, si Feniksi pas djegies, ai pas ikjes nga presidenca formon partinë e re. Jo me Monikën por me Klajdën, jo me Petritin, por me Tur Zhejin, jo me Balliun por me Fahriun. Dikush mund të thotë, siç thonë francezët: Një gjellë e vjetër në pjata të reja. Por Meta është njeri i surprizave. Me ingredientët e duhur, sidomos financiare mund të jetë një gjellë e re në pjata të vjetra. Diçka mes gulashit dhe imam-bajalldisë, mes qetësisë dhe dalldisë. Një surprizë, si Ilir Meta./Realstory.al

Përplasja Meta-Dvorani për Kushtetuesen, Venecia pranon 5 pyetjet e Kuvendit për opinion

Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën e dërguar nga Kuvendi i Shqipërisë që lidhet me 5 pyetjet që janë përgatitur nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit (që zgjeroi objektin e hetimit), nëse Ilir Meta ka bërë shkelje me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Socialistët pretendojnë se kreu i shtetit është sërish në shkelje të Kushtetutës me mosdekretimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit.

Ndërkohë që edhe Presidenti i Republikës ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së anëtareve të Gjykatës Kushtetuese. Përplasja e ashpër mes Presidentit Meta dhe kryetarit të KED-së Dvorani përfundoi me padi nga Meta, çështje që aktualisht pritet të gjykohet nga SPAK.

5 Pyetjet e Kuvendit të Shqipërisë për Komisionin e Venecias

1) A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai apo ajo në kuptim të ligjit konsiderohen, të emëruar? Në këtë rast a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari Kushtetues të ushtrojë detyrën?

2) Emërimi i një gjyqtari Kushtetuese tej afatit ekskluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të organit kompetent të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, a e cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? A e cenon kjo vendimmarrjen së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve të rregullt ligjor? A bie ndesh me mekanizmat zhbllokues ne emërimin e organeve Kushtetuese?

3) A është në përputhje me standardet mekanizmi zhbllokues pas mosveprimit të Presidenti për të mos emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar ky gjyqtar?

4) Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të Gjyqtarit Kushtetues  nisur nga solemiteti i betimit, çfarë mekanizmi të përdoret për të zhbllokuar këtë situatë.  A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari konsiderohet i emëruar në detyrë për efekt të ligjit?

5) Cilat mund të ishin zgjidhjet për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërras për betim gjyqtarin përkatës?

Përplasjet me Metën për Kushtetuesen, Dvorani kërkon ndryshime ligjore

Viti që lam do të mbahet mend për përlasjet midis Presidentit Ilir Meta dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Shkak u bë procedura për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Përplasjet arritën në pikën kulmore, aq sa Ilir Meta ngriti padi ndaj Dvoranit. Ndërkohë, KED publikoi këtë fillim viti raportin e punës për vitin 2019.  Në një pjesë të konsiderueshme, raporti flet edhe për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë raport KED sqaron se procesverbalet e mbledhjeve nuk janë zbardhur për mungesë stafi.  “Kishim tre punonjës me kohë të pjesshme nga gjykata e lartë, dhe kjo ka pamundësuar zbardhjen e procesverbaleve të mbledhjeve të KED e cila është një proces dëgjimi, e më pas transkiptimi”, shprehet Dvorani në raportin e tij.

Më tej, KED, duke u nisur nga përplasjet me Ilir Metën për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, i kërkon Kuvendit ndryshime ligjore me qëllim shmangien e këtyre përplasjeve në të ardhmen. Më konkretisht, KED specifikisht kërkon “për të qartësuar procedurat që ndiqen nga organet e emërtesës dhe nga KED-ja për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese, ekzistencën, rastet, kuptimin dhe mënyrën e zbatimit të rregullit të paraqitjes së dy listave me gjyqtarë dhe jo gjyqtarë kur ka më shumë se një vend vakant në shqyrtim nga i njëjti organ emërtese lidhur me afatet, hapat proceduralë, komunikimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të emërtesës në procesin e plotësimit të vendeve vakante si edhe për të harmonizuar në tërësi gjuhën dhe rregullat materiale dhe procedurale të këtij ligji të posaçëm me ato të ligjit të 2016 që përmban rregullime të natyrës më të përgjithshme”, thuhet në raportin e firmosur nga Ardian Dvorani. /Realstory.al/

Për më tepër lexoni raportin e plotë të KED

Dvorani i përgjigjet “sqaruesit” të Metës: Fola shqip, nuk bllokohet KED

Kreu i KED, Ardian Dvorani ka reaguar pas akuzave dhe sulmeve nga presidenca në lidhje me deklaratën e tij të djeshme dhënë për mediat pas dëshmisë në prokurori. Dvorani tha se ai nuk ka lënë aspak të kuptohet se nëse do vihej në hetim, do bllokohej funksionimi i KED. Përmes një reagimi për mediat, Dvorani theksoi edhe një herë se e vetmja gjë që ka thënë dhe vërtetohet qartë me zë dhe figurë duke folur shqip (Meta më herët zgjodhi që videon me akuzat ndaj Dvoranit t’i jepte dhe në gjuhën angleze) ishte se “nëse ndiqem penalisht nuk mund të ushtroj më funksionin në KED dhe do jetë KED 2020 që do vlerësoj situatën” duke shprehur qartë se ka zgjidhje edhe për këtë lloj situate. Ky reagim i Dvoranit erdhi pas sulmit të radhës të presidencës, ku deklaronte se KED nuk bllokohet me largimin e tij pasi në krye vinte anëtari më i vjetër i Gjykatës Kushtetuese, që në këtë rast është Vitore Tusha.  

Dvorani ka folur edhe për akuzat e Presidencës për mungesë përgjegjshmërie dhe transparence duke njoftuar dy rende dite të ndryshme gjatë mbledhjes së mërkurë. Kreu i KED tha se “sqaruesi”, duke iu drejtuar Tedi Blushit, zëdhënësit të Metës, duhet të kuptojë se çështjet e rendit të ditës në një mbledhjeje “nuk janë kokrra mollësh që vetëm numërohen, por janë çështje që kuptohen dhe dallohen në përmbajtjen e tyre.”

Dvorani tha se nuk ka dëshirë të bëhet pre e lojërave mediatike, ndryshe nga disa “funksionarë publikë që i kanë shumë përzemër këto lojëra, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji” duke iu referuar presidentit Meta, i cili përmes interpretimit apo “leximit” të ndryshëm të Kushtetutës emëroi Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese jashtë çdo afati ligjor dhe një emër jashtë liste, dhe shmangu njohjen e Arta Vorpsin e emëruar sipas ligjit.

Deklarata e Ardian Dvoranit:

KED, sikurse gjatë gjithë këtij viti kalendarik vijon me intensitet punën e tij për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Edhe në mbledhjen e gjatë të ditës së djeshme, për të cilën njoftimi publik gjendet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, KED mori disa vendime të rëndësishme dhe zhvilloi intervistat me kandidatët për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Në ditët e ardhshme, ky KED do të miratojë edhe Listën Përfundimtare me renditjen e kandidatëve, e cila së bashku Raportin e Arsyetuar dhe aktet përkatëse, menjëherë do t’i përcillet Kuvendit për të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Ndërkohë, nëpërmjet medias, vij në dijeni të një “sqarimi” të zëdhënësit të Presidentit të Republikës i cili, me këtë rast, paska vendosur pikat mbi “i”, duke qetësuar opinionin publik dhe këdo të interesuar se “alibia” ime në komunikimin e djeshëm me median që nëse ndiqem penalisht bllokohet edhe veprimtaria e KED, nuk mund të ndodhë sepse ligji e ka të zgjidhur këtë situatë.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam zgjedhur të jem i përmbajtur në komunikimin publik dhe të mos përfshihen në lojërat mediatike të cilat jo pak funksionarë publikë i kanë shumë përzemër, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji, si edhe pritshmërinë e publikut. Kështu do të vazhdoj, të ushtroj deri në fund kompetencat, pa u shpërqendruar nga të tilla fenomene.

Ushtrimi i detyrës dhe dinjiteti i funksionit që kam, më kërkon të mos i përgjigjem këtyre lloj lojërave, nëse nuk është e domosdoshme për të mbrojtur autoritetin kushtetues të KED, të anëtarëve në përbërje të tij dhe figurën e dinjitetin tim në cilësinë e gjyqtarit.

Edhe në këtë rast mund të mos përgjigjesha, nëse nuk do të shikoja të njëjtën sjellje prej recidivësh në shfaqjen publike të të pavërtetave dhe gjysmë të vërtetave, me të cilat së paku vetëm transparencë nuk mund të bëhet.

Ndryshe nga sa paraqitet në këtë “sqarim”, unë jo vetëm nuk kam deklaruar, por as edhe nuk kam lënë të kuptohet se KED bllokohet nëse i nënshtrohem ndjekjes penale. Përkundrazi, në përgjigje të pyetjes së gazetares jam shprehur qartë, në gjuhën shqipe, se nëse ndiqem penalisht nuk mund të ushtroj më funksionin (në KED).

I ndërprerë nga pyetja tjetër e gazetares, jam përgjigjur se KED, pra edhe ai i vitit 2020, do të vlerësojë situatën, duke u shprehur qartë se ka zgjidhje edhe për këtë lloj situate. Pa u menduar gjatë, kushdo e kupton se nuk bëhet fjalë për bllokim të KED. Kjo nuk mund të ndodhë.

Në ditët që jetojmë, për të qenë të përgjegjshëm dhe të sinqertë, teknologjia na ndihmon për gjithçka, edhe për të verifikuar veten dhe që të mos nxitohemi për të folur pa u menduar. Opinioni dhe kushdo i interesuar, për të vërtetën, nuk ka përse të më besojë as mua dhe as “sqaruesin”. Mjafton të shikojë dhe dëgjojë atë që çdo media ka përcjellë ditën e djeshme, të cilën për lehtësi e kam bashkëlidhur këtij komunikimi (në fund të këtij materiali mund të gjeni videon me deklaratën përkatëse).

Së dyti, “sqaruesi” evidenton “papërgjegjshmërinë” time përkundrejt transparencës duke njoftuar publikisht një rend dite të mbledhjes së KED, të ndryshëm nga ai dërguar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në mbledhjet e tij.

Edhe për këtë “papërgjegjshmëri” të evidentuar nga “sqaruesi” nuk do të përpiqem të shpjegohem gjatë. Në të vërtetë, në të dy rastet kanë qenë 5 çështje në rendin e ditës, ndryshon vetëm numërtimi. Sigurisht kalimet e procesverbaleve, si në veprimtarinë e çdo institucioni tjetër publik kolegjial nuk klasifikohen e vendosen si çështje të rendit të ditës. Përsëri, edhe në këtë rast, teknologjia na ndihmon për të verifikuar të vërtetën.

Prandaj dy aktet e “papërgjegjshmërisë” time po ia bashkëlidh këtij komunikimi për t’i vlerësuar kushdo që mund të jetë i interesuar. Vetëm se i sjell në vëmendje “sqaruesit”, që çështjet e rendit të ditës së një mbledhjeje nuk janë kokrra mollësh që vetëm numërohen, por janë çështje që kuptohen dhe dallohen në përmbajtjen e tyre.

Meta tradhton Besnikun: Ik nga Kushtetuesja, pres shpalljen e vakancës

Ndërkohë që Besnik Muçi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë një rivlerësim të çështjes së tij dhe të dilte me një vendim për përfundimin e mandatit të tij, duket se Meta ka vendosur “të hedh në rrugë” të zgjedhurin e tij të parë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë takimit të mbajtur në Presidencë, Meta ka kërkuar nga Muçi, të rivlerësojë kërkesën që i është drejtuar Kushtetueses duke i lënë të kuptohet se tashmë është shkarkuar nga vettingu dhe nuk njihet më. Madje Presidenti Meta ka theksuar rëndësinë për të rishpallur menjëherë këtë vakancë për aplikim. Shkarkimi i Muçit nga KPA ditën e enjte, solli një reagim të ashpër e sulmues të Presidenti Meta, i cili tha se këtë gjë e priste pasi vettingu dhe e gjithë drejtësia po tenton të kapet nga Rama dhe disa ambasadorë që shkojnë pas tij duke i cilësuar si “palaço”, ndërsa sot kërkon që Muçi të lirojë zyrën e tij dhe të nisin aplikimet për vakancën e lënë nga ai.

Presidenti Meta falenderoi Besnik Muçi që pranoi të ushtronte detyrën e Gjyqtarit të Gjykatësit Kushtetues, si kandidatura e parë e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës. Meta i kërkoi zotit Muçi që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues. Presidenti Meta ndërkohë është në pritje të njoftimit nga Gjykata Kushtetuese për të rishpallur menjëherë këtë vakancë për aplikim” thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërsa për Besnik Muçi, i cili nuk njeh shkarkimin e tij dhe tha se ishte betuar para Metës, deklaroi se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje në rrugë ligjore. Ai tha se rivlerësimi nga KPA ishte diskriminues ndaj tij, por që do të respektonte çdo veprim që do të ndërmerrte Kushtetuesja dhe Presidenti.

Muçi i deklaroi Presidentit Meta se, procesi i rivlerësimit kalimtar i kryer në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ka qenë tepër diskriminues edhe për faktin e qëndrimeve të tij si gjyqtar kushtetues. Muçi i shprehu Presidentit Meta se nuk është politikan, por një jurist dhe duhet të veprojë si i tillë deri në fund për të kërkuar të drejtat e tij pranë çdo gjykate ndërkombëtare, vendimi i së cilës ka juridiksion ndaj Republikës së Shqipërisë. Megjithatë Muçi e garantoi Presidentin Meta se do të mirëkuptojë çdo veprim të mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës, për të vijuar procesin midis tyre në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese” është shprehur Besnik Muçi para Presidentit Meta.

Gjithashtu Meta ka vendosur që shorti për zgjedhjen e KED do të bëhet nga Presidenti më 5 dhjetor për krijimin e një KED të re. Emërimet për Gjykatën Kushtetuese sollën një përplasje të fortë mes Presidencës dhe kryetarit të KED, që përfundoi me një padi penale ndaj Ardian Dvoranit nga institucioni i Presidentit. Meta akuzoi Dvoranin për shpërdorim detyre dhe se ka tentuar t’i marrë kompetencat atij.

Meta nxjerr Berishën nga “bunkeri”

Kreu i Shtetit Ilir Meta zhvilloi një takim 45 minuta në Presidencë me ish kryeministrin Sali Berisha, duke e nxjerrë atë nga “bunkeri” në të cilin ishte futur.  Ish kryeministri Berisha, pas një heshtje të gjatë disa javore, mbajti një fjalë të gjatë për gazetarët duke i dalë në mbrojtje Ilir Metës. Me të njëjtin qëndrim dhe fjalë, Berisha sulmoi Dvoranin se po tenton të marrë kompetencat e Presidentit duke i vjedhur kandidaturën e tij. Berisha tha se këto lojëra bëhen për të kapur Gjykatën Kushtetuese duke quajtur çdo veprim të presidentit Meta si “mbrojtje të Kushtetutës.”

“Në këtë takim me presidentin u diskutua gjerësisht për krizën madhore që mafia e Edi Ramës me përpjekjet për të kapur të gjithë sistemin krijoi edhe në organin që me ligj është garant i Kushtetutës së Shqipërisë. Tani është një moment kyç dhe vendimtar për çdo qytetar shqiptar por dua të theksoj se media ka një rol të rëndësishëm. KLP drejtohet nga kunati i ndrikullës së radarëve. Aty kërkohet që të jetë magjistrat dhe jo kunat, por është për t’i shërbyer Edi Ramës. Kush dyshon i bëj vetëm një pyetje, shqiptar apo të huaj, i them se në 320 gjykatës në historinë  30 vjeçare të këtij vendi ka shkelur në mbledhjet partiake të PS, ai është vetëm një, Ardian Dvorani. Reforma dhe integrimi është bllokuar dy vite me parë. E mbajtën peng deri sa nxorën Dvoranin në krye. Ligji e përcakton se për çdo vend duhet të ketë tre kandidatura, por çfarë bëri kapo-mafia që shndërron KED-in në një shpellë të vërtetë mafie, sjell në vend të 12 kandidaturave vetëm 4 dhe këta i ndanë 3 nga 3 duke i përsëritur 3 herë në lista. Kam qenë unë që kam propozuar një gjykatë me skemën 3-3-3, pasi është më e pavarur se kur i emëron vetëm njëri. Tani o burra ti marrim presidentit kandidaturën. Thonë se presidenti kërkon të kapë gjykatën se është vetë në gjykim, por Komisioni i Venecias shpreh të kundërtën; se parlamenti duke vendosur presidentin në hetim do të bëjë gjithçka për të kapur gjykatën. Shumica po bën çdo gjë për të kapur Kushtetuesen, presidenti po bën gjithçka për ta mbrojtur” tha Berisha.

Incidenti Borchardt, nga sot Ilir Meta “robi ma i fort n’kët ven!”

Mbi 45 minuta thuhet se ka vazhduar diskutimi në OSBE, përpara se delegacioni i lartë të shkonte të takonte Ilir Metën. Kreu i shtetit kreu një akt ende të paprecedentë, së paku zyrtarisht, duke shpallur non grata Brenda “shtetit” të tij të Presidencës, ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt. Argumenti i Presidentit kapërceu dhe aktin simbolik – por duhet thënë dinjitoz – të Bashës, i cili zgjodhi të ishte pak kohë më parë politikisht korrekt, kur priti, por nuk i dha dorën zotit Borchardt, kur ai erdhi si pjesë e një delegacioni po të OSBE, në zyrën e tij në Partinë Demokratike. Them dinjitoze, pasi deri diku, Basha ka të drejtë të mbrojë zërin e protestës dhe të opozicionit në vend, pasi është lideri i opozitës. Njëkohësisht gjesti i Borchardt, është i qortueshëm dhe i gabuar. Ai gjest do ishte i dënueshëm, nëse OSBE do të kishte parë me vend, ndërprerjen e mandatit të tij (një mandat që në fakt kishte mbaruar, por ishte zgjatur me një vit, me kërkesë të tij). Në fakt OSBE u mjaftua me një tërheqje vërejtjeje dhe e la Borchardt në detyrë. Sa kohë që OSBE vendosi kështu, autoritetet shqiptare – ministria e jashtme dhe qeveria – u mjaftuan këtu. Por akti i Ilir Metës, sigurisht i ka vendosur përfaqësuesit e OSBE në siklet, pasi vinte nga kreu i shtetit, që merr në drejtim OSBE, në 1 janar 2020. Mbledhja urgjente 45 minutëshe thuhet ka qenë e tensionuar, por në fund të saj, është vendosur që në takim të shkohet, edhe pa zotin Borchardt, që thuhet pas saj, ka qenë tepër i frustruar. Por ndërsa frustrimi i zotit Borchardt është i kuptueshëm, pasi ai të hënën pasdreke de facto është shkarkuar nga ambasador, mbetet për të kuptuar, përse OSBE e ndërmori këtë veprim? Duket se përgjigja është e thjeshtë: OSBE nuk mund të futet në konflikt me Shqipërinë (se ata ashtu e konsiderojnë me të drejtë Presidentin Ilir Meta), një vend që merr kryesinë e saj pas një muaji e gjysmë, edhe nëse Ilir Meta luan mendsh (dhe këtu padrejtësisht përfshijnë dhe Shqipërinë, edhe zotin Borchardt).

Hera e fundit që një president ka bërë një akt të tillë, daton vitin e largët 1996, kur një prej zyrtarëve më të lartë amerikanë, nuk takoi dot Presidentin e Republikës së asaj kohe Sali Berisha, megjithëse takimi ishte i caktuar kohë më parë. Nga Presidenca erdhi atë kohë reagimi se “presidenti nuk mund ta takonte (zyrtarin), pasi kishte një agjendë të ngjeshur”. Por edhe atëherë, presidenti Berisha pati mirësinë diplomatike të mos nxirrte në shesh hapur luftën me SHBA. Në rastin e Borchardt hapet një precedent i ri, që duhet të merret me seriozitet, pasi me siguri, nuk do jetë akti i fundit i Presidentit aktual ndaj trupit diplomatik në vend.

Pak ditë më parë kreu i shtetit foli për diplomatë të korruptuar që shkelin në zyrën e tij. Hera e fundit zyrtare që kjo ka ndodhur përpara kësaj deklarate, është kur u betua anëtari i tij për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë ceremoni mungoi zoti Borchardt, por ishin ambasadorët e BE, të Francës, të Gjermanisë dhe zëvendës ambasadori i SHBA. Por vetëm pak ditë më vonë, kur u betuan tre anëtarë të tjerë, këta ambasadorë mungonin. Jo se nuk donin të shkonin, por sepse ishin përjashtuar. Shumë kush mund të pyesë përse, por gjatë atyre ditëve, këta diplomatë kishin thënë gjëra, që presidentit tonë, mund të mos i kishin pëlqyer. Kujtojmë se zoti Meta i sugjeroi amerikanëve të shkojnë në Kore të Veriut po të duan dhe të japin mend, kur SHBA foli hapur pro zgjedhjeve në 30 qershor. Por ata u kufizuan me një takim me të në zyrë, ku pasi e falënderuan për këshillën “tunduese”, i thanë se kishin vendosur të rrinin në Shqipëri, ku do të ruanin reformën në drejtësi nga minuesit e saj, me gjasë dhe nga interlokutori i tyre përballë.

Sot Presidenti me të njëjtin argument të 30 qershorit, “dënoi” ambasadorin e OSBE, megjithëse duhet të them se me gjithë tkurrjen e kujtesës, nuk kujtohet që zoti Borchardt personalisht të ketë folur për këtë çështje në vetë të parë. Por edhe sikur, s’do ketë thënë asgjë më shumë (në mos më pak) sesa amerikanët. Atëherë mos vallë duhet të presim të njëjtën sjellje ndëshkuese të Presidentit, edhe me ta? Dhe kjo, ku do e radhiste më pas Shqipërinë?

Të martën Presidenti takon partitë e opozitës sikur të jetë kryetari i tyre. “Për shkak të gjendjes së krijuar” thotë, dhe mesa duket po ja kërkon atyre shpejt “dëmshpërblimin” për dekretin Xhaferllari. Gjendja e krijuar në gjendjen paraplegjike të institucioneve shtetërore, ka sigurisht edhe autorësinë e tij. Por veprimet e suksesshme po i japin Ilir Metës të “drejtë” në radhën e përgjegjësive, të ndëshkimeve të tij. Fillimisht ndëshkoi reformën, pastaj kushtetutën, pastaj maxhorancën dhe tani në fund, i ka ardhur radha edhe Komunitetit Ndërkombëtar. Pikëpyetjet tani ndaj veprimeve të Ilir Metës sa vijnë e shterojnë dhe pakkush tashmë dyshon jo vetëm arsyet, por edhe planin e tij. Por ndërsa prej një viti Presidenti bën ç’të dojë me Dekretet për Ministra, me Kushtetutën, me Gjykatën Kushtetuese, me gjuhën e lëshuar ndaj të gjithëve, përballë maxhorancës të çmeritur nga ‘’llëqet” e tij, por të mpirë nga pamundësia subjektive për t’i qëndruar luftës që ai u ka hapur, është e habitshme sesi komuniteti ndërkombëtar gjithashtu, po i jep të drejtë Presidentit me sjellje të tilla, si ajo me zotin Borchardt.

Do të kishte qenë më e ndershme që OSBE, pas kësaj letre, të  kishte shkarkuar zotin Borchardt – ose edhe ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen – dhe më pas të shkonte në takim te Meta. Në të kundërt, nëse kërkon ta mbajë sërish zotin Borchardt ambasador, duhet së paku të kishte quajtur letrën e Presidentit të papranueshme, dhe maksimalisht, të refuzonte ta takonte atë. Por me përjashtimin e ambasadorit nga ky takim, OSBE bëri një gabim fatal. Në përpjekje për të ruajtur formalisht raportet me Shqipërinë, Presidenten e ardhshme të saj (të OSBE) më shumë në interes të Shqipërisë, ajo iu nënshtrua Presidentit të saj (të Shqipërisë), më shumë për interesa të tij vetë. Nëse mirëkuptohet kujdesi i tyre për Shqipërinë përballë arrogancës së drejtuesve të saj, precedenti që ata hapën është i rrezikshëm. Me fjalë të tjera ata e morën gishtin simbolik të zotit Borchardt dhe i gjetën vend… diku mes tyre. Kjo ishte fitorja e radhës e Ilir Metës, i cili sot zgjedh kë të dojë ministër, kë të dojë anëtar të Gjykatës Kushtetuese, shpall e ç‘shpall zgjedhje kur t’i teket, vendos vetë kush do jetë ambasador i Shqipërisë jashtë dhe tashmë vendos ai, se kush nuk mund të jetë më ambasador i huaj, edhe në Tiranë.

Në fund të fundit, fituesit i duhet njohur merita e fitores, sidomos kur përballë ka të gjithë, përfshirë edhe Arbitrat. Dikush mund të thotë që fituesi është “çmendur” politikisht dhe kjo mund të jetë edhe e vërtetë. Por me incidentin diplomatik “Borchardt”, s’mund të thuhet se ai nuk është sot, njeriu më i fortë në vend. Vetëm me një zëdhënës e një këshilltar juridik, ai është më i fortë se maxhoranca dhe se kryeministri, pasi ministrat i “zgjedh” ai, më i fortë se Opozita, pasi që nesër Opozitën e “drejton” ai. Ilir Meta është sot, më i fortë se Reforma në Drejtësi, se reformën e ka futur në sirtar dhe tashmë sirtarin e ka kyçur me çelës e çelësin e ka hedhur në Lanë. Gjithashtu nga sot ai është më i fortë se Ndërkombëtarët, pasi një gisht të tyre e mori dhe ua futi atyre vetë.

Dikush mund të thotë se kjo është një luftë dhe se lufta nuk humbet, kur humbet një betejë. Dikush mund të thotë se Ilir Meta ka humbur me shqiptarët. Por Ilir Meta po fiton shumë beteja. Dhe vjen një moment kur nuk gjykohen fituesit, por humbësit. Dhe shqiptarët e kanë këtë ves: bëhen shumë shpejt me fituesin. Pavarësisht emrit të tij. /Realstory.al

“Meta shkeli Kushtetutën”. Sot miratohet projekt-rezoluta e Kuvendit

Kuvendi mblidhet këtë të premte në seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të miratohet një projekt-rezolutë që e konsideron nul dekretin e Ilir Metës për Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Të enjten u bë publike dhe përmbajtja e kësaj projekt-rezolute ku theksohet se dekreti i Presidentit është nxjerrë në mungesë të kompetencave.

“Dekreti i Presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit është absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.” 

Në projekt-rezolutë të zbardhur nga RealStory.al, theksohet se presidenti ka marrë edhe kompetencat e KED, i cili është organi i vetëm që përcakton renditjen. Kuvendi e cilëson emërimin e Marsida Xhaferllarit të pavlefshëm dhe se dekreti i presidentit pas përfundimit të afatit të tij kohor  “është nul dhe nuk ka ekzistuar asnjëherë”.

“Duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Dispozitat kushtetuese si dhe ato të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me emërimin dhe zgjedhjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të interpretohen në tejkalim të misionit që ato kanë: të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit efikas dhe të pacenueshëm të një organi kushtetues të rëndësisë së veçantë, siç është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë” shkruhet në projekt-rezolutën që pritet të miratohet të premten në Kuvend.

Kuvendi përmes projekt-rezolutës i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve që janë të ngarkuara nga ligji në lidhje me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të mos zbatojnë dekretin nul të presidentit Meta dhe të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat sipas ligjit dhe Kushtetutës. Gjithashtu Kuvendi i bën thirrje Presidentit Meta që të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me betimin e anëtareve të zgjedhura sipas ligjit Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës  nr.11350, datë 13.11.2019. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e  fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. “ shkruhet në projekt-rezolutën e Kuvendit.

Kuvendi deklaron se për të shmangur raste të tilla bllokuese dhe abuzive do të kryej rishikim të legjislacionit si dhe i bën thirrje Presidentit Meta të heq dorë nga tentativat bllokuese të reformës në drejtësi dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të reflektojë duke mos shkelur Kushtetutën duke marrë vendime tej kufijve të kompetencave të njohura nga Kushtetuta.

“Kuvendi i bën thirrje Presidentit të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës. Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.” shkruhet ndër të tjera në projekt-rezolutë.

Një projekt-rezolutë e tillë nga Kuvendi ku dekreti i Presidentit shpallet nul është marrë edhe në lidhje me dekretin e tij të 13 tetorit, për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, duke mos njohur vlefshmërinë e saj. Dhe në fakt, më 13 tetor nuk pati zgjedhje.

Xhaferllari, PS: Dekreti i Metës antiligjor, zgjodhi gjyqtare mbrapa liste

Dekretimi i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Meta si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, solli reagimin e zëdhënëses së qeverisë, Elisa Spiropali. Ajo e cilësoi aktin e Presidentit anti-ligjor dhe një sulm ndaj Reformës në Drejtësi. Spiropali tha se ky vendimi i Metës ishte shembulli më i mirë për të kuptuar se kush mbështet Reformën në Drejtësi dhe kush i trembet e është kundër saj. Spiropali shtoi se përveç shkeljes së ligjit, Meta zgjodhi një gjyqtare mbrapa liste.

“Edhe njëherë Ilir Meta iu kundërvu Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, duke dekretuar kundër ligjit dhe kundër qëndrimit të tyre, me zero legjitimitet kushtetues e ligjor, një gjykatëse mbrapa liste. Edhe njëherë kundërvënia brutale e Ilir Metës ndaj prioritetit themelor të vendit, drejtësisë, na bën të ndjehemi keq për Presidentin e Republikës. Edhe njëherë, Ilir Meta dha një shembull spektakolar për ta kuptuar kush ende nuk e ka kuptuar, se Reforma në Drejtësi ndan thellë e qartë shumicën qeverisëse dhe parlamentin e vendit, nga fronti i atyre që me në krye Ilir Metën, i bashkon kundër nesh Frika nga Drejtesia”, shkruan Spiropali.

Ndërsa kryetarja e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj tha se Presidenti Meta e trajton Kushtetutën si lojë shahu dhe se emërimi i Marsida Xhaferllarit ishte i pritshëm. Felaj tha se Presidenti shkaktoi debatin para përfundimit të afatit kohor pikërisht për të justifikuar zgjedhjen e tij dhe të krijonte përplasje me Kuvendin. Gjatë një interviste për Report TV, Felaj tha se Xhaferllari nuk e ka kaluar Vettingun dhe se zgjedhja e saj ishte e tjetër kujt, jo e presidentit Meta.

“Pritej , madje dhe debati që shkaktoi Meta ishte në vetvete një debat që të justifikonte këtë zgjedhje. Një zgjedhje e detyruar për shkak se lista që presidenti ka zgjedhur kandidaten në fjalë, përbëhej nga 3, ai duhet të zgjidhte 3 anëtarë. Lista ka qenë e njëjtë edhe me kuvendit, që kjo mbetej kandidatja e vetme. E pa ligjin si lojë shahu. Do ishte më e moralshme që të kishte ndjekur kriterin e ligjit. E kaloi në heshtje kandidaturën e Vorpsit, të përçonte një konflikt në Kuvendin që nuk ishte. Tejkaloi afatin 30 ditor, normalisht kandidatja Vorpi do të kalonte automatikisht. Ligji në vetvete ta imponon që ta respektosh, një sjellje e presidentit që morali nuk ka luajtur asnjë lloj roli. Unë e kam pasur një qëndrim edhe më herët, që Meta nuk do e bllokonte procesin e situatës Kushtetuese. (…) Xhaferllari nuk ka kaluar vettingun. Diferenca e dytë është kjo: Nëse do të ishte zgjedhur dikush që të kishte një lidhje me mazhorancën, qoftë edhe lidhjen më të largët, ju sot do të kishit përfaqësuesit e opozitës që të hidhte baltë mbi ne, ne nuk e kemi bërë këtë sjellje. Edhe pse nuk jemi indiferentë të lëvizjeve që janë bërë për të shkuar në emërimin e kandidatëve të veçantë. Ishte zgjedhje e tjetër kujt, jo e presidentit Ilir Meta”, tha Felaj.

Presidenti Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese pas përfundimit të afatit kohor. Arta Vorpsi u zgjodh nga ligji si e renditura e para në listën e KED, duke plotësuar vakancën e dytë të Presidentit, por vetë Meta zgjodhi të fliste me vonesë, jashtë çdo afati kohor duke dekretuar Marsida Xhaferllarin për të njëjtën vakancë. Kjo sjell një përplasje dhe ngërç të ri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese.

Negociata, shqetësohet Meta dhe Basha (më në fund)

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta, më në fund nisën të shqetësohen në lidhje më të ardhmen evropiane të vendit. Si Basha, ashtu dhe Meta u shprehën se Shqipërisë i duhen hapur negociatat duke pranuar se çelja e tyre do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës në vend dhe forcimin e institucioneve demokratike. Gjatë konferencës së mbajtur për 10 vjetorin e “Fondacionin Korad Adenauer”, Basha tha se hapja e negociatave do të ishte mënyra më e mirë që vendi të dilte nga kriza dhe me ndihmën e Gjermanisë ëndrra për “Shqipërinë si Europa” do bëhet realitet. Basha kërkoi ndihmë e Gjermanisë që të lobojë pranë vendeve skeptike për të mundësuar hapjen e negociatave.  

Ne u bëmë thirrje miqve tanë gjermanë që, me gjithë gjendjen e rëndë në vend, shkaktuar nga hapat prapa në lidhje me ekonominë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes, vetëm hapja e negociatave garanton një vëmendje të shtuar të Bashkimit Europian në Shqipëri, një kontroll më të fortë të funksionimit të institucioneve, ndarjes së pushteteve, zgjedhjeve të lira dhe barazisë para ligjit, si garanci për qytetaret e këtij vendi se liritë dhe të drejtat e tyre do të respektohen. Falë qëndrimit të drejtë dhe parimor dhe mbështetjes së fortë të Kancelares Merkel dhe CDU për Shqipërinë, Bundestag ka propozuar rrugën drejt hapjes së negociatave, që është edhe udhërrëfyesi ynë për daljen nga kjo krizë. Ndaj, unë jam plot besim se bashkë me shqiptarët dhe me ndihmën e miqve tanë, do t’ia dalim ta bëjmë “Shqipërinë si Europa”. – tha Basha

Edhe presidenti Meta theksoi se negociatat duhet të hapen për Shqipërinë pasi vendi ynë nuk bën dot pa Europën. Meta theksoi se shpreson shumë që vendet skeptike t’i bashkohen vendimi pro hapjes së negociatave të Bundestagut dhe se palët politike në vend të ulen dhe të zgjidhni “krizën artificiale” që po mbizotëron në vend.

Gjermania është një vend mik. Edhe prezenca e fondacionit mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e forcimit të këtij bashkëpunimi. Shumë kohë kemi humbur si komb dhe harrojmë mbi të gjitha se Europa bën edhe pa ne, se ka bërë edhe në të kaluarën por ne nuk bëjmë dot pa Europën. Duhet një reflektim të thellë dhe serioz. Këto ditë ne presim vendimin, shpresojmë pozitiv mbi negociatat. Uroj dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend që ka shqetësimet e tij konkrete ti bashkohet qasjes së Bundestagut për të nxitur vendin që të përmbushë kriteret.  Duhet të gjejnë kurajën dhe të reflektojnë për ta vendosur vendin në shinat kushtetuese për t’i dhënë fund kësaj krize artificiale, që ende mbizotëron. Ne kemi shumë ç’të mësojmë nga bashkëpunimi politik në Gjermani. Çelësi i suksesit në duart e politikës shqiptare” tha Meta.

Skip to toolbar