Xhaferllari, PS: Dekreti i Metës antiligjor, zgjodhi gjyqtare mbrapa liste

POLITIKË


Dekretimi i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Meta si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, solli reagimin e zëdhënëses së qeverisë, Elisa Spiropali. Ajo e cilësoi aktin e Presidentit anti-ligjor dhe një sulm ndaj Reformës në Drejtësi. Spiropali tha se ky vendimi i Metës ishte shembulli më i mirë për të kuptuar se kush mbështet Reformën në Drejtësi dhe kush i trembet e është kundër saj. Spiropali shtoi se përveç shkeljes së ligjit, Meta zgjodhi një gjyqtare mbrapa liste.

“Edhe njëherë Ilir Meta iu kundërvu Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, duke dekretuar kundër ligjit dhe kundër qëndrimit të tyre, me zero legjitimitet kushtetues e ligjor, një gjykatëse mbrapa liste. Edhe njëherë kundërvënia brutale e Ilir Metës ndaj prioritetit themelor të vendit, drejtësisë, na bën të ndjehemi keq për Presidentin e Republikës. Edhe njëherë, Ilir Meta dha një shembull spektakolar për ta kuptuar kush ende nuk e ka kuptuar, se Reforma në Drejtësi ndan thellë e qartë shumicën qeverisëse dhe parlamentin e vendit, nga fronti i atyre që me në krye Ilir Metën, i bashkon kundër nesh Frika nga Drejtesia”, shkruan Spiropali.


Ndërsa kryetarja e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj tha se Presidenti Meta e trajton Kushtetutën si lojë shahu dhe se emërimi i Marsida Xhaferllarit ishte i pritshëm. Felaj tha se Presidenti shkaktoi debatin para përfundimit të afatit kohor pikërisht për të justifikuar zgjedhjen e tij dhe të krijonte përplasje me Kuvendin. Gjatë një interviste për Report TV, Felaj tha se Xhaferllari nuk e ka kaluar Vettingun dhe se zgjedhja e saj ishte e tjetër kujt, jo e presidentit Meta.

“Pritej , madje dhe debati që shkaktoi Meta ishte në vetvete një debat që të justifikonte këtë zgjedhje. Një zgjedhje e detyruar për shkak se lista që presidenti ka zgjedhur kandidaten në fjalë, përbëhej nga 3, ai duhet të zgjidhte 3 anëtarë. Lista ka qenë e njëjtë edhe me kuvendit, që kjo mbetej kandidatja e vetme. E pa ligjin si lojë shahu. Do ishte më e moralshme që të kishte ndjekur kriterin e ligjit. E kaloi në heshtje kandidaturën e Vorpsit, të përçonte një konflikt në Kuvendin që nuk ishte. Tejkaloi afatin 30 ditor, normalisht kandidatja Vorpi do të kalonte automatikisht. Ligji në vetvete ta imponon që ta respektosh, një sjellje e presidentit që morali nuk ka luajtur asnjë lloj roli. Unë e kam pasur një qëndrim edhe më herët, që Meta nuk do e bllokonte procesin e situatës Kushtetuese. (…) Xhaferllari nuk ka kaluar vettingun. Diferenca e dytë është kjo: Nëse do të ishte zgjedhur dikush që të kishte një lidhje me mazhorancën, qoftë edhe lidhjen më të largët, ju sot do të kishit përfaqësuesit e opozitës që të hidhte baltë mbi ne, ne nuk e kemi bërë këtë sjellje. Edhe pse nuk jemi indiferentë të lëvizjeve që janë bërë për të shkuar në emërimin e kandidatëve të veçantë. Ishte zgjedhje e tjetër kujt, jo e presidentit Ilir Meta”, tha Felaj.

Presidenti Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese pas përfundimit të afatit kohor. Arta Vorpsi u zgjodh nga ligji si e renditura e para në listën e KED, duke plotësuar vakancën e dytë të Presidentit, por vetë Meta zgjodhi të fliste me vonesë, jashtë çdo afati kohor duke dekretuar Marsida Xhaferllarin për të njëjtën vakancë. Kjo sjell një përplasje dhe ngërç të ri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese.




Skip to toolbar