Sulmet ndaj ndërkombëtarëve, Meta “bën miq” në Greqi, dekoron ambasadoren greke

Pas sulmeve drejtuar ndërkombëtarëve, presidenti Ilir Meta ka veçuar nga shënjestra ambasadoren greke Eleni Sourani, të cilën e ka dekoruar të mërkurën me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Në ceremoninë e dekorimit ka marrë pjesë edhe kreu i kishës Autoqefale Orthodokse, Antastas Janullatos, të cilit Meta pak kohë më herët i dha nënshtetësinë shqiptare. I mbetur pa asnjë mbështetje ndërkombëtare pas sulmeve drejtuar atyre si për reformën në drejtësi ashtu edhe për faktin se ata nuk njohën rolin e Metës në anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Presidenti po bën përpjekje për të gjetur mbështetje nga Greqia.

Në motivacionin që e shoqëron titullin e akorduar për ambasadoren greke shkruhet se ambasadorja Sourani vlerësohet për aktivitetin  saj diplomatik në Shqipëri.

“Në vlerësim të veprimtarisë së spikatur diplomatike dhe kontributit të çmuar për avancimin e gjithanshëm dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helenike, në pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy popujve tanë fqinj, si dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë”, shkruhet në motivacion.

Ndërsa Presidenti Meta në fjalën e tij ka vlerësuar fqinjësinë me Greqinë. “Shqiptarët dhe grekët jetojnë historikisht krah për krah njëri-tjetrit si fqinj ndaj na duhet të jetojmë dhe të punojmë së bashku për paqen, prosperitetin, stabilitetin në vendet tona dhe në mbarë rajonin, si dhe për të ardhmen e përbashkët në Europën e Bashkuar”, është shprehur ai.

Gjatë muajve të fundit ambasadorët e huaj në Tiranë kanë qenë në qendër të sulmeve nga presidenti Ilir Meta, për shkak se ata nuk njohën dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe mbështetën zhvillimin normal të procesit zgjedhor.

Në një shkrim fakt mbledhës të publikuar nga realstory më herët, rezultojnë të paktën 20 sulme drejtuar ndërkombëtareve nga presidenti Meta vetëm gjatë dy muajve të fundit.

Në qendër të sulmeve kryesisht në këtë drejtim ka qenë ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe ai i OSBE-së, Borschardt. Ambasadorët gjithashtu janë sulmuar nga Meta edhe për Reformën në Drejtësi, por këtu në shënjestër ka qenë veçanërisht ambasada amerikane e cila vijon pa reshtur të mbështesë reformën duke dhënë mesazhe përmes videove që publikon në facebook, siç ishte rasti i videos së të martës për funksionimin e SPAK dhe vendosjen para drejtësisë të politikanëve të korruptuar./realstory.al

Skip to toolbar