Meta shpjegim me “seks” për shumimin e votave

Presidenti Meta prej kohësh ka filluar të ripostojë postime të të tjerëve në faqen e tij zyrtare duke dhënë mesazhe të ndryshme apo duke goditur procesin zgjedhor apo edhe ndërkombëtarët.

Meta duket se ka gjetur “shpjegimin shkencor” se si numri votave në kuti ishte më i madh se sa pjesëmarrja e qytetarëve në votime. Duke uruar një të diel relaksuese, Meta fton qytetarët që të kuptojnë se kush është arsyeja shkencore dhe logjike e rritjes së numrit të votave duke ripostuar një postim të dikujt tjetër.

“ Të dashur miq! Duke ju uruar një të diele sa më relaksuese e çlodhëse ju ftoj të gjithëve të gjeni një shpjegim shkencor të shumimit të votave mbi numrin e pjesëmarrësve të votimeve të 30 qershorit! “ shkruan Meta

Ndërsa postimi i tij shoqërohet me shkrimin “ Kanë bërë seks votat me njëra tjetrën brenda kutive dhe janë shumuar.”

Të dashur miq! Duke ju uruar një të diele sa më relaksuese e çlodhëse ju ftoj të gjithëve të gjeni një shpjegim shkencor të shumimit të votave mbi numrin e pjesëmarrësve të votimeve të 30 qershorit! 😅

Gepostet von Ilir Meta am Sonntag, 7. Juli 2019

E hëna e “nxehtë” e korrikut, nga shkarkimi i Metës te protesta e opozitës

Dita e hënë pritet të jetë tepër e nxehtë, jo vetëm për shkak të temperaturave por edhe për situatën politike në vend. Më 8 korrik pritet që në Kuvend të diskutohet shkarkimi i presidentit Meta si dhe do të mbahet protesta e 10 kombëtare e opozitës. Që pas djegies së mandateve të opozitës vendi ka kaluar në një krizë politike që sa vjen dhe është thelluar. Djegia e mandateve u shoqërua me protesta të dhunshme, sulme ndaj disa KZAZ dhe me bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Sot opozita duket sikur ka ngelur ne një udhë pa krye. Edhe pse protestoi për 5 muaj rresht për të ndaluar zgjedhjet (që u zhvilluan mjaft të qeta) dhe për të rrëzuar qeverinë Rama ( qeveri e kapur nga krimi sipas opozitës)  ajo nuk arriti asnjë nga qëllimet e saj.  Dështimet e arritjes së qëllimeve të tyre deri tani, kanë sjell një luftë të brendshme brenda PD, e cila për herë të parë pas rreth 30 vitesh ka mbetur pa asnjë lloj pushteti.

Me 8 korrik në orën 20:00 opozita ka thirrur protestën e 10 kombëtare. Por këtë herë kërkesat e saj kanë ndryshuar. Opozita tashmë kërkon për të dënuar vjedhësit e votës pas përgjimeve të BILD dhe të largohet Kryeministri Rama.  Si Lulzim Basha ashtu edhe Monika Kryemadhi kanë deklaruar se ajo do te jetë paqësore duke ftuar gra, femra e fëmijë të bëhen pjesë e saj. Në këtë protestë ato i kanë bërë thirrje të bashkohen edhe 85% të qytetarëve, që refuzuan të merrnin pjesë në zgjedhjet farse dhe nul të 30 qershorit sipas opozitës.

Një tjetër situatë e nxehtë është edhe ajo e shkarkimit të Presidentit Meta, i cili thelloi edhe më tej krizën duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit me arsyetimin e shmangies se një përplasje civile. Ky dekret në fakt ishte si t’i hidhje benzinë zjarrit pasi tensionoi edhe me tej situatën duke nxitur jo vetëm dhunën e militantëve të PD ndaj policisë dhe KZAZ, por thelloi krizën institucionale e politike në vend. Të hënën Kuvendi pritet të mblidhet në orën 17:00 për të diskutuar ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtojë raportin e hartuar nga Komisioni i Ligjeve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në raport argumentohen  9 shkeljet e Kushtetutës nga Meta me firmosjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ky raport është bërë publik me herët nga RealStory.al dhe do paraqitet në Kuvend për miratim për t’i hapur më pas rrugën procedurave të tjera parlamentare, si ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit. Vendimi përfundimtar do të merret nga Gjykatës Kushtetuese që pritet të jetë funksionale deri në fund të korrikut.

Të gjitha këto zhvillime do të ndodhin gjatë ditës së hënë dhe priten me interes të madh jo vetëm nga qytetarët dhe partitë politike, por dhe ndërkombëtarët, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë thirrje për dialog mes palëve politike.

Pse Presidenti “u çmend” me dashje

Nga Çapajev Gjokutaj

Performanca e presidentit të republikës, zotit Ilir Meta, në konferencën e fundit për shtyp s’ishte si zakonisht. Prej 5-6 vitesh shfaqjet e tij në publik u janë nënshtruar disa motove të artikuluara shkurt dhe të ndërtuara mbi të njëjtën strukturë si: ‘me qetësi dhe dashuri’, ‘me qetësi dhe përgjegjshmëri’, ‘me qetësi dhe shqiptari’ etj.

Këto moto bazike përsërisnin gjithnjë fjalën ‘qetësi’ që, në këtë kontekst jept e merr me kuptimet: gjakftohtësi, maturi, vetpërmbajtje. Performancës së fundit të z. President i mungonte pikërisht qetësia dhe dukej e mbingarkuar me agresivitet ose, siç shkruante Lapsi.al ‘i ngjante një kapsolleje që shtinte në rreze 360 gradë’.

Dukej që përtej se kjo dalje publike shënonte braktisje të qetësisë dhe maturisë, thenë më përgjithshëm shenonte një ikje nga norma. Në shkencë dhe sidomos në disiplinat që merren me ligjërimin, ikja nga norma ngjall kureshtje dhe nxit hulumtimin. Nuk është e rastit që humbjen e qetësisë dhe agresivitetin e vunë re shumica e opinionistëve dhe natyrshëm u përpoqën ta analizonin, t’i gjenin rrënjët dhe të zbulonin synimet e pasojat.

Siç ndodh rëndom një pjesë jo e vogël e opinionistëve, mbështetur në orientimin e tyre politik qëmtuan elementët që u vinin hosh dhe ndërtuan realitete të ndryshme, madje edhe diametralisht të kundërta. Kështu opinionistët pranë opozitës thanë se agresiviteti i z. President shprehte forcë, kurse ata pranë qeverisë shpallën të kundërtën: performanca agresive shprehte frikë dhe dobësi.

Në fakt argumentat e të dyja palëve, megjithëse të kundërta, mbështeteshin mbi të njejtin fakt: pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit. Për të parët pjesëmarrja 20 e ca përqind ishte dëshmi se masa e qytetarëve iu kundërvunë këmbënguljes së kryeministrit për të mos shtyrë zgjedhjet dhe automatikisht dolën në mbështetje të presidentit. Ky i fundit, duke parë gati 80 përqind të shqiptarëve në mbështetje të tij u ndie i fortë.

Opinionistët pranë qeverisë bënin një tjetër lexim. Sipas tyre 20 e ca përqind e qytetareve që dolën në zgjedhje ishin diç më shumë se ata që e kishin votuar PS-në në 2017, gjë që dëshmon se maxhoranca mbetet maxhorancë edhe në mes të mandatit të dytë pas shumë përplasjesh e skandalesh. Jo vetëm kaq, shtonte kjo palë, por shqiptarët, përfshirë këtu edhe abstenuesit, nuk mbështetën skenarët me dhunë e përplasje sociale.

Në këtë lojë shifrash të dyja palët linin në harresë elektoratin gri, dmth atë pjesë të qytetarëve që, të velur dhe të neveritur nga konflikti çerekshekullor mes maxhorancave dhe opozitave që kanë alternuar njera tjetrën në pushtet duke mbetur në thelb po ato, i kanë kthyer krahët politikës dhe shpresëhumbur ose rropaten t’i zgjidhin hallet me përpjekje individuale, ose mezi presin rastin të ikin dhe ta sigurojnë jetesën në dhera të huaj. Dhe s’janë pak por diç më shumë se një të tretën e elektoratit. Po të shtosh këtu edhe masën e emigrantëve që de facto janë përjashtuar nga votimet, rezulton se si maxhoranca ashtu dhe opozita i bëjnë hesapet dhe kegjtimojnë veten duke injoruar shumicën dërmuese të votuesve.

2.

Përtej kësaj loje luftrash mes përkrahësve të maxhorancës dhe atyre të opozites, artikulimet e z. President në konferencën e fundit për shtyp përmbajnë disa elementë tekstorë që, në varësi të pëlqimeve politike të opinionistëve mund të lexohen edhe si shprehje force, edhe si dëshmi frike. Fjala është për dy miniarrativa: identifikimi me figura historike dhe komplotet.

“Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot. Jam i racës së Avni Rustemit, Mic Sokolit, Vojo Kushit”, citohet të ketë thenë z. President. Gjëja e parë që tërheq vemendje në këtë deklarate është qendrimi i tejndezur nacionalist, qendrim që shpie në kundërvenie mes dy ‘racave’ apo, më saktë, mes dy etnive: asaj shqiptare dhe asaj maqedonase. Eshtë padyshim një lapsus, një lajthitje pa vetdije, por që gjithsesi shenon një ikje nga vetja, ikje e papërfytyrueshme për botvështrimin e një të majti, siç e klasifikoi veten z. President.

Mes qindra heronjve që mund të përdoren si ikona të shqiptarësisë, z. President zgjodhi vetëm tre që shquajnë sa për guxim aq edhe për vendosmëri që shpie në vetmohim. Dëshira për t’u përqasur deri në identifikim me figura të tilla sa heroike aq dhe tragjike, mund të lexohet si shenjë vendosmërie në rrafsh retorik, por në rrafsh psikologjik rezulton të jetë tregues frike e dobësie.

Identifikimi me të tjerë është prirje mbarëhumane që shfaqet tek individi qysh në hapat e para të konstruktimit të vetes, thonë psikologët. Në nënvetdije, foshnja realizon se nuk i del dot zot as trupit të vet, s’është veçse një grumbull procesesh biologjike mbi të cilat nuk ka kurrfarë autoriteti. Rrjedhimisht ndër detyrat e para të çdo foshnje është të formojë, gradualisht e nëpër vite, një personalitet koherent që mbledh e bën bashkë gjithë këto copëza fragmentare. Rruga më e natyrshme për këtë është të huajë modele nga bota që e rrethon.

Parë kështu prirja për t’u identifikuar me të tjerë qofshin këta prindërit, të afërmit dhe, ca më pas, mësuesit, heronjtë etj. zë fill mbi ndjesinë e dobësisë, është mjet për t’i dhenë vetes kurajo dhe për të dëshmuar koherencë dhe forcë në sytë e të tjerëve. Thonë se ky huq foshnjor vazhdon gjithë jetën, vetëm se shumicën e herëve ngjan me lumenjtë e shkretëtirës, del në sipërfaqe vetëm në periudha trazimesh emocionale si frikë, ngazëllim etj.

Sado i vërtetë të jetë ky shpjegim, do të tingëllonte vulgar e naiv po të përdorej për të thenë se humbja e qetësisë nga z. President dhe shfaqja e tij publike me tone të dukshme agresive dëshmon pasiguri e frikë përballë kërcënimeve për shkarkim që po i bën maxhoranca.

3.

Gjasat janë se kemi të bëjmë me një strategji komunikimi. Duke e përqasur veten me Mic Sokolin e Vojo Kushin, z. President syonte dhe, përgjithësisht ia arriti, të krijojë një shtjellë në ligjërimin mediatik dhe të tërheqë vemendjen e publikut që në kësi rastesh nxitet të interpretojë e të hamendësojë nenkuptime. Përmendja e atdhetarit dhe atentatorit Avni Rustemi duket se i shërben edhe më shumë nxitjes së hamendjeve dhe interpretimeve, ashtu siç kishte shërbyer kohë më parë Salvador Alende.

Edhe pretendimi për komplote mund të lexohet si dëshmi frike në rrafsh psikologjik, por në rrafshet e retorikës dhe të strategjive të komunikimit rezulton si mjet i parapëlqyer për të ngjallur diskutime e për të tërhequr vemendje.

Prirja për t’i shpjeguar gjerat me komplote dhe teori konspirative, thonë psikologët, i ka rrënjët tek frika dhe pasiguria. Njeriu, duke u ndier i përkohshëm dhe i dobët i trembet deri në llahtar rastësisë dhe kaosit. Teoritë konspirative janë mjet për t’i mbushur mendjen vetes se kjo botë s’është aq kaotike sa duket, rrjedhat e saj përcaktohen nga vullnte njerëzore, qofshin dhe okulte.

Gjithsesi mininarrativa e konspiracionit, që u shfaq britshëm në daljen e fundit publike të z. President, ngjan të jetë kryekëput strategji komunikimi. Përfolja e komploteve është mjet i parapëlqyer për të tërhequr vemendjen e publikut dhe për të ngjallur vemendje dhe diskutime.

Humbja e qetësisë dhe agresiviteti që, hera herës u përzie edhe me nervozizëm të dukshëm, si në rastin e sulmeve kundër Sokol Ballës psh, vështirë se mund të lexohen si shenjë force. Sipas shumicës së gjasave kemi të bëjmë me një strategji komunikimi që synonte të përforconte mesazhin se z. President, i gjendur përballë ndërmarjeve të maxhorancës për ta shkarkuar, nuk ka për të ndenjur duarkryq.

Parë nga interesat e vendit ky mesazh ngjan të jetë lajm i keq. Muajt në vijim palët politike, plus presidenca, mediat etj. do të vazhdojnë të merren me konfliktet politike dhe vështirë se do të kujtohet kush të flasë për punët dhe për njerëzit. ‘ Rroftë e qoftë politika, popullit le t’i bjerë pika’ këndoi ai sazexhiu.

Jo vetëm kaq. Janë të gjitha gjasat që gërmëri total që pritet të gjenerojë ky sherr i hapur në zemër të shtetit, të përbaltë gjithçka, përfshirë dhe reformën në drejtësi.

Pa bërë orakullin për të parashikuar se cila palë do të dalë fituese, një gjë duket thuajse e sigurt. Vazhdimi i këtij sherri pa principe por edhe pa arbitër, herët a vonë do t’i shërbejë rotacionit politik. Dy parti e gjysëm që kemi do t’ia dalin të çimentojnë më tej vazhdimësinë e monopolit të pushtetit, kurse shoqëria, qytetarët e thjeshtë do të dalin më shpresëvrarë, me më pak ëndrra e projekte për të jetuar në këto troje dhe me një dëshirë dramatike e në rritje për të shpëtuar me këmbë.

“Nëse njohin 30 qershorin, Rama gati për tryezë me Bashën e Metën”

 “Në rast se Meta, Basha e Kryemadhi njohin rezultatet e 30 qershorit atëherë patjetër, të njohin zgjedhjet dhe të vazhdojnë përpara”. Është kjo përgjigjia që dha Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali në studion e ABC News.

E pyetur nëse Rama do të ulej në tryezë me Metën President e Bashën, kryetar të PD, Spiropali tha:  “Presidenti është në proces shkarkimi, derisa të shkarkohet ne e respektojmë si President të Republikës. Ju e keni dëgjuar gjuhën e Presidentit, ajo nuk është gjuhë për dialog. Në rast se Meta- Basha e Kryemadhi e Berisha njohin rezultatet e 30 qershorit atëherë patjetër. Të njohin zgjedhjet dhe të vazhdojnë përpara. Ne e kemi theksuar gjithmonë që tryeza është ajo ku bëhen diskutime”.

Edhe kryeministri Rama e bëri të qartë në fjalimin që mbajti në përfundim të zgjedhjeve të 30 qershorit në selinë e PS-së se është gati t’i shtrijë dorën e dialogun dhe bashkëpunimit opozitës, veçanërisht për reformën zgjedhore që është një kusht i ndërkombëtarëve. I vetmi kusht që vuri Rama dhe që tha se është e panegociueshme dhe e padiskutueshme është reforma në Drejtësi. “Reforma në drejtësi nuk diskutohet, ajo zbatohet”, tha Rama.

Pavarësisht gatishmërisë së maxhorancës për dialog, si presidenti ashtu edhe opozita e kanë bërë të qartë se nuk e njohin 30 qershorin dhe rezultatin e zgjedhjeve, kështu që zhvillimi i një tryeze të tillë s’ka gjasa të mbahet.

Pas “sëmundjes” së heshtjes, Berisha: “kryengritje” por nuk bërtet “fitore”

Ish kryeministri Berisha është shfaqur të enjten në selinë blu, në një dalje të parë para mediave pas heshtjes së gjatë para zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai ka sulmuar ashpër Reformën në Drejtësi duke përdorur të njëjtat fjalë që përdori dhe presidenti Meta, që shpesheherë e përmend “Doktorin” në fjalën e tij, si për t’i çuar sinjal që vetëm ata të dy e dinë.

Berisha e cilësoi reformën në drejtësi, një pseudoreformë të Sorosit. Njëlloj si Meta që i dërgoi një mesazh filantropistit amerikan të cilin e akuzoi për ‘komplot kundër demokracisë në Shqipëri”.

“Ishte pseduoreforma e Sorosit që do t’i jepte Ramës të gjitha pushtetet dhe e shndërroni drejtësia në narkodrejtësi, mafia nuk heton veten e vet, ndaj edhe shqiptarëve mos u sugjerojnë gjëra galante sikur është vend me demokraci të plotë, por me drejtësi dhe gjithë pushtetet të kapura, që meriton të quhet Edvin Kristaq Avdyli, lala etj”, tha Berisha.

Ai tha sot se PD do të “vazhdojë kryengritjen popullore të fuqishme gjer në rivendosjen e pluralizmit politik dhe shporrjen e monstrës së pluralizmit Edvin Kristaq Rama”.

Por ajo që ra në sy ishte se thirrja për kryengritje popullore erdhi nga Berisha dhe jo nga Basha, i cili një natë më parë njoftoi se opozita do të zhvillojë të hënën më 8 korrik protestën e 10 kombëtare. Por në asnjë rresht të fjalës së tij Basha nuk përmendi fjalën kryengritje, por ndryshe nga Berisha bëri ftesë për protestë kundër diktaturës dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Rama “urim” Metës në ditëlindjen e vet

Kryeministri Rama i ka kthyer përgjigje presidentit Meta dhe akuzave të tij për Reformën në Drejtësi. Rama shkruan të enjten se presidenti do ta marrë përgjigjen për reformën në drejtësi nga aleanca strategjike Shqipëri-SHBA-BE, aleancë të cilën Meta e cilësoi të martën si një grup i strukturuar që ka marrë peng Shqipërinë në përpjekje për të ndërtuar një shtet paralel.

“Sot duhet t’i mësojmë Presidentit të Republikës se Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti më i lartë në këtë vend dhe kush guxon të pengojë Reformën në Drejtësi, do të marrë përgjigjen frontale të aleancës strategjike Shqipëri – SHBA – BE”, shkruan Rama të enjten, teksa publikon fjalën e kreut të grupit parlamentar Taulant Balla në Kuvend. Balla u shpreh se Meta duhet të lirojë zyrën urgjentisht.

Një ditë më herët, Presidenti Meta publikoi disa reagime që lidheshin me reformën në drejtësi ku akuzonte Ramën për kapjen e saj bashkë me ndërkombëtarët e Euraliusit. Reformën në drejtësi Meta e quan si Ramareforma, një timonier që s’ka frena, ndërsa ndërkombëtarë e Euraliusit i akuzonte për shkelje të kushtetutës dhe kompetencave të presidentit në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. I ndodhur në kushtet ku maxhoranca pritet të votojë në kuvend shkarkimin e tij dhe pa mbështetje ndërkombëtare, presidenti Meta kërkon emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë në prag të ikjes.

Reforma në Drejtësi ka dhënë rezultatet e para me vettingun në gjyqësor, gjë që është përshëndetur nga ndërkombëtarët. Por tani me ngritjen e strukturave të reja, siç janë SPAK dhe BKH do t’i vijë rradha edhe politikanëve. Ndaj dhe është kjo situatë e ndezur politike.

ERTV Live😊: Sot në Kuvend – Sot duhet t’i mësojmë Presidentit të Republikës se Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti më i lartë në këtë vend dhe kush guxon të pengojë Reformën në Drejtësi, do të marrë përgjigjen frontale të aleancës strategjike Shqipëri – SHBA – BE🇦🇱🇺🇸🇪🇺Fjala e kryetarit të grupit Taulant Balla

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 4. Juli 2019

Deputeti socialist i sugjeron Metës të dalë në pension

Ka nisur me diskutime seanca parlamentare e së enjtes ku po diskutohet kthimi për shqyrtimin e dekretit të Presidentit për Përmbarimin Gjyqësor. Deputeti socialist Alket Hyseni u shpreh se Meta e ka kthyer ligjin për përmbarimin privat, pasi është i frikësuar nga drejtësia.

Socialisti deklaroi se institucioni i presidentit përfaqësohet nga një njeri që ka frikë reformën në drejtësi.

“Në valën e shumë vendimeve të papërgjegjshme nuk është çudi e madhe edhe kthimi i këtij ligji. Institucioni i presidentit përfaqësohet nga një njeri që ka frikë reformën në drejtësi. Ai nuk e bën se e i dhemb shumë për përmbarimin, por tmerri për reformën në drejtësi.  Kujdes ju që jeni të frikësuar, se ju erdhi ora. Unë jo vetëm do të votoj raportin por do të jem edhe aktiv në çdo veprim për t’i dhënë mundësi këtij zotërie që të dalë në pension dhe të hipi majë plehut ku ka qejf që të kakarisë”, u shpreh Alket Hyseni.

Gjatë të mërkurës Presidenti Meta u mor gjerë e gjatë me reformën në Drejtësi ndërsa akuzoi Ramën për kapjen e saj. Ai gjithashtu mori në pyetje ambasadorin Soreca dhe në një letër drejtuar KLGJ sulmoi Euralius dhe e akuzoi për shkelje të Kushtetutës dhe të kompetencave te presidentit në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pra Meta zbuloi se synimi i tij është emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë.  

Sulmoi Soros, Meta tani gjithë shpresat te Trump

Në konferencën e së martës Presidenti Meta sulmoi hapur ambasadën amerikane në Tiranë, ndërsa të enjten (sot) ai ka bërë publike një letër drejtuar presidentit amerikan Donald Trump me rastin e 4 korrikut, festës së Pavarësisë së SHBA-së.

Një letër që është praktikë pune e presidentëve për t’ia dërguar homologëve të tyre me rastin e festave Kombëtare dhe ku përdoret një gjuhë e zbutur urimesh dhe gatishmërie për bashkëpunim dhe partneritet mes dy vendeve tona.

Pra ajo që bën përshtypje është zbutja e presidentit i cili vetëm dy ditë më herët sulmoi dhe hodhi akuza të ashpra në drejtim të ambasadës amerikane, sikur ajo të mos jetë pjesë e qeverisë amerikane.

Përveç ambasadës, Meta sulmoi edhe miliarderin George Soros duke e akuzuar atë për komplote kundër demokracisë në Shqipëri.

Presidenti tha se Rama bashkë me miqtë e tij ambasadorë (ku futet dhe SHBA) janë pjesë e një grupi të strukturuar PPPd që kërkojnë ndërtimin e një shteti paralel.

“Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera ku është prezent ky fenomen i rrezikshëm i shtetit paralel dhe axhendave të nëndheshme, është një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Prej kohësh ua kam bërë të qartë zotit Basha, zonjës Kryemadhi, madje dhe mikut tim Doktorit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd! Është një grup i strukturuar që punon sipas parimeve të “deep state-t”, që synon “total capture state’ në Shqipëri, që kanë gjetur dhe njeriun e duhur për këtë çështje, i cili nuk vjen në takim me Presidentin, por lahet në pishinë”, tha Meta në konferencën e sa martës.

Ndër të tjera ai iu referua ambasadës amerikane me ftesën që të bëjë ndonjë propozim për zgjidhjen e krizës dhe të mos nxisë sherre në Shqipëri. “Në qoftë se ka ndonjë propozim ndonjë ambasadë që flet për dialog, por që nxit sherr në Shqipëri, le ta bëjë, ta dëgjojmë!”, tha Meta.

Ndërsa në letrën dërguar Trump ai shkruan se: “Çdo shqiptar beson fort në aleancën solide që qëndron mes dy vendeve tona, bazuar mbi themelet historike të bashkëpunimit dhe miqësisë së vërtetë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, në vitet e vështira të sundimit të diktaturës dhe të partisë-shtet, shembull i madh frymëzimi dhe mbështetje për ta përmbysur atë 30 vjet më parë dhe për të vendosur në Shqipëri, pluralizmin, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e veçanërisht lidershipi Juaj, Zoti President, vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar dhe mësim se sa të shtrenjta janë liritë themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi sot përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë”.

Letra e plotë e Presidentit Meta dërguar Presidentit Trump

I nderuar Zoti President,Me rastin e 243-vjetorit të Ditës së Pavarësisë dëshiroj t’Ju përcjell në emrin tim dhe të…

Gepostet von Ilir Meta am Donnerstag, 4. Juli 2019

Pavarësia e Amerikës. Meta injoron ambasadën dhe përgëzon… emigrantët

4 korriku është Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj dhe kryeministri Rama dhe Presidenti Meta e kanë nisur mëngjesin e së enjtes me një urim të veçantë. Rama (i cili ka ditëlindjen e tij sot) i cilëson SHBA-të si miq dhe aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë.

“Në këtë ditëlindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve e aleatëve më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ju priftë e mbara të gjithëve”, shkruan Rama.

MIRËMËNGJES 😊 dhe në këtë ditëlindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve e aleatëve më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ju priftë e mbara të gjithëve🇦🇱🙏🇺🇸

Gepostet von Edi Rama am Mittwoch, 3. Juli 2019

Edhe presidenti Meta ka postuar një urim, por në asnjë rresht nuk i cilëson SHBA-të aleatë, por më shumë është përqëndruar tek komuniteti shqiptar në Amerikë, që sipas tij është shumë i shqetësuar për krizën pa rrugëdalje ku ndodhet vendi ynë.

“Gëzuar Festën e SHBA! Një rast i mirë sot në veçanti për të uruar të gjithë komunitetin e mrekullueshëm shqiptar që jeton në SHBA dhe që kontribuon fuqishëm për të përforcuar lidhjet dhe marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, në mënyrë që raportet shqiptaro-amerikane t’i shërbejnë jo vetëm interesave reciproke strategjike, por edhe rritjes së kredencialeve demokratike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, që në zemrën e saj ka demokracinë, por edhe si një vend i denjë për të çelur negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Shqiptarët e Amerikës sot nuk ndihen të lumtur me krizën pa rrugëdalje ku ndodhet vendi ynë. Ndaj bëjnë thirrje për reflektim dhe përgjegjshmëri”, shkruan Meta i cili ka bashkëlidhur edhe një artikull të shkruar nga Frank Shkreli, ish-drejtor i Zërit të Amerikës me titull “Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!”, të cilin na fton ta lexojmë.

Mirëmëngjes të gjithëve dhe Gëzuar Festën e SHBA!Një rast i mirë sot në veçanti për të uruar të gjithë komunitetin e…

Gepostet von Ilir Meta am Mittwoch, 3. Juli 2019

Në daljen e tij të fundit për mediat, presidenti Meta sulmoi ashpër faktorin ndërkombëtar në Shqipëri dhe veçanërisht ambasadën e SHBA-ve. Sipas Metës, Rama bashkë me ndërkombëtarët kanë krijuar një juntë apo “një grup të strukturuar PPPd, që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit”. Të gjitha këto akuza, vetëm për faktin se as amerikanët dhe as BE nuk njohu dekretet e tij dhe mbështetën që vendi të zhvillojë zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat sot përmes artikullit që na fton të lexojmë, presidenti i cilëson, si një poshtërsi për qeverinë shqiptare dhe një turp për ndërkombëtarët, pra edhe për SHBA.

Sokol Balla pret sot Metën në Real Story

Gazetari Sokol Balla i kujton presidentit Meta ftesën e hapur për intervistë në emisionin Realstory.

Balla ka postuar një foto nga Taj Mahal, të cilën e cilëson si monument të Qetësisë dhe Dashurisë, një referencë indirekte ndaj shprehjes dikur të famshme të Presidentit Meta.

“Një monument Qetësie dhe Dashurie. (Në pritje të përgjigjes së Presidentit)”, shkruan Balla krahas fotos.

Skip to toolbar