Pas dhënies së sinjalit të Bashës se Gjermania mund të jetë negociatorja mes opozitës dhe qeverisë për të ulur palët në dialog duket se e kanë vënë presidentin Meta në punë duke iu rikujtuar palëve se zgjidhja e vetme nuk vjen nga jashtë, por ajo është 13 tetori, zgjidhje që e kanë pasur gjithmonë para syve. Duke mos dashur të largohet nga roli i protagonistit dhe i negociatorit “që do të sjell sërish paqen dhe qetësinë në vend” Meta vijon të këmbëngul se 13 tetori është alternativa e vetme dhe më e mira për palët, për zgjidhjen e krizës.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë takimit që pati me Zëvendës Kryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, deputeten gjermane Katja Leikert. Meta bën sërish thirrje që 13 tetori të zbatohet, përndryshe kriza do të thellohet edhe më shumë në vend. “Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mësojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, – tha Meta
Zëvendës Kryetarja e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Katja Leikert, u takua një ditë më herët me kryedemokratin Basha dhe kryeministrin Rama, takime që lanë të kuptohet se është folur për një mënyrë për të zgjidhur krizën politike dhe palët të ulen në tryezën e dialogut. Takime që kurrsesi nuk mund të priten mirë nga Meta, i cili ka gjatë gjithë sezonit veror “që bërtet me statuse në facebook” për të treguar se ai është personi i vetëm që mund të jap zgjidhjen e krizës dhe se roli i negociatorit i takon atij, pasi është në krye të shtetit.
13 tetorit është njohur vetëm nga ish partia e tij, LSI dhe disa aleatë të vegjël të opozitës, që vendosën të regjistroheshin në këto zgjedhje, ndërsa për PD, ajo shihet si data e vetme kushtetuese për zgjedhjet vendore, por që Basha sërish vendosi të mos regjistrohet, pasi deklaroi se “nuk do të marrë pjesë në asnjë palë zgjedhje me Ramën kryeministër.”
Duke e ndjerë veten të lënë mënjanë si nga zgjidhja e krizës, të cilin e thelloi edhe më shumë e dekretin për anulimin e 30 qershorit, ashtu edhe nga vetë aleatët dhe bashkëpunëtorët e tij, Basha e Berisha, që nuk e përkrahën për13 tetorin, kanë bërë që Meta të shfrytëzojë takimet me ato pak ndërkombëtarë, të cilat më së shumit janë takime kortezie apo përfundimi të mandatit të tyre në Tiranë, për t’u bërë protagonist edhe ën sytë e ndërkombëtarëve dhe të tregojë se ai vërtet kërkon zgjidhjen e krizës në vend.