Meta replika me MAS: Ndiq procedurën ligjore për Mynyr Konin

Pas vendimit të Metës për të lënë në detyrë Mynyr Konin, ka pasur retorika edhe nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Mirëpo Presidenca ka pasur një tjetër reagim duke sqaruar se ka bërë një arsyetim të gjatë ligjor se pse nuk mund të pranonte shkarkimin e Konit. Gjithashtu në reagim thuhet se MAS duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e reformës në arsimin e lartë.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni ka folur me argumenta ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër. Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentat ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.” -thuhet në reagimin e presidencës

Meta lë në detyrë Konin, PD: Garantoi autonominë universitare

Ish deputetja e PD-së Albana Vokshi ka reaguar pas vendimit të Metës për lënien në detyrë të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Vokshi e cilësoi këtë vendim të drejtë dhe ka mbrojtur autonominë e Universiteteve, duke mos e lënë në duart e Ramës.

“Përshëndes vendimin e Presidentit për të mos lejuar shkarkimin e paligjshëm nga qeveria të Rektorit Mynyr Koni. Vendimi i Presidentit është në mbrojtje të autonomisë universitare dhe lirisë akademike, që u cënuan rëndë nga akti i paligjshëm i Ministres së Arsimit.

Është shumë i drejtë dhe i saktë argumenti i Presidentit se Ministrja Shahini nuk ka ushtruar kompetencat e saj në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente.

Autonomia universitare duhet mbrojtur me çdo kusht për të mos e lënë edhe Arsimin e Lartë, edhe jetën akademike në duart e një Kryeministri që kontrollon gjithçka tjetër: Gjykatat, prokurorinë, mediat dhe të ashtuquajturën shoqëri civile.

PD është e përkushtuar ta garantojë autonominë universitare me një ligj të ri për arsimin e lartë, që do ta hartojmë së bashku me pedagogët e studentët.” – shkruan Vokshi

Pershendes vendimin e #Presidentit për të mos lejuar shkarkimin e paligjshëm nga qeveria të #Rektorit Mynyr Koni….

Publiée par Albana Vokshi sur Lundi 6 mai 2019

Meta kundër MAS, lë Mynyr Konin ende në detyrë

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar rrëzimin e propozimit të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ka qenë vetë Ministrja e Arsimit, Besa Shahini që në një deklaratë për mediat shkarkoi rektorin Mynyr Koni dhe kërkoi nga Meta që të miratonte këtë vendim.

Mirëpo presidenti përmes një arsyetimi të gjatë ka shpjeguar pse nuk e pranon shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës duke e lënë atë ende në detyrë.

Meta sqaron se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta. Gjithashtu ai vlerëson se palët duhet t’i drejtohen gjykatës kompetente për të zgjidhur këtë konflikt dhe nëse ende nuk e kanë bërë, ato mund t’i drejtohen aktualisht.

DEKRET PËR RRËZIMIN E PROPOZIMIT TË MINISTRIT TË ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, Z. MYNYR KONI

Në mbështetje të neneve 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, nenit 39, pika 8, 10 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, pasi shqyrtova propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019,

Dekretoj;

Neni 1

Rrëzimin e propozimit nr.4158/2 prot, datë 12.04.2019, të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Neni 2
Vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr.9609, datë 26.05.2016.

Neni 3
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 11183
Tiranë, më 06.05.2019

Pezullon rektorin Mynyr Koni, Shahini kërkon shkarkimin e tij

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka pezulluar rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nga posti i tij dhe ka kërkuar në mënyrë publike shkarkimin e tij nga presidenti Ilir Meta.

Gjatë një deklarate për mediat, Shahini tha se i vjen keq që i është dashur të marrë një vendim të tillë, por janë vërejtur probleme serioze në zbatimin e ligjit të arsimit në universitet.

“Më ka bërë përshtypje që edhe publikisht, profesor Koni është ankuar për dekanët dhe pjesën administrative, por nuk ka ardhur kurrë me një kërkesë të mirëargumentuar që t’ia miratojmë shkarkimin e dekanëve. Unë nuk kam në dorë asnjë mjet tjetër ligjor përveçse të pezulloj Rektorin e UT-së dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës, shkarkimin e tij. Më vjen keq për profesor Konin pasi ka qenë shumë korrekt me mua, por përsos kësaj unë jam një udhëheqëse që duhet të sigurohem që reforma po zbatohet në të mirë të gjithë vendit. Është e vështirë të kërkosh pezullim të një personi, që është zgjedhur me votat e institucionit që përfaqëson dhe më vjen keq që kemi arritur në këtë pikë. Vendimin për shkarkim e merr presidenti dhe ai do të ketë në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit, që ta ndihmojë të marrë këtë vendim.”

Shahini shtoi se moszbatimi i ligjit ka çuar në keqmenaxhim të universitetit duke sjell probleme tek të gjithë studentët.

“Universiteti është keqmenaxhuar dhe kjo ka sjellë probleme serioze për një gjeneratë të tërë të studentëve. Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës.” –përfundon deklaratën e saj ministrja Shahini.

Skip to toolbar