Thaçi tregon se e kujt ishte ideja e korrigjimit të kufijve

Është folur gjatë dhe hedhur akuza të ndryshme lidhur me korrigjimin e kufijve të Kosovës, por duket se Presidenti Hashim Thaçi e ka sqaruar këtë gjë njëherë e mirë se kush ishte iniciatori i saj.

Thaçi tha në “Opinion” ku ishte i ftuar se ideja ka lindur që në 1990 dhe që absolutisht nuk ka të bëjë me Vuçiç.

“Është qesharake të mendohet se ideja për përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit brenda Kosovës të jetë e Vuçiç, apo të jetë e ndokujt tjetër. Të gjitha takimet e mia me liderët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit janë të regjistruar. Edhe ata janë në favor të një korrigjimi. Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike është e imja personale, jam angazhuar edhe në Berlin edhe sot në këtë Samit në Tiranë. Të thuhet se Vuçiç është ideator është naivitet. Dallimi në mes shkëmbimit të territoreve që ka qenë ide e liderëve të caktuara shqiptarë dhe idesë sime për korrigjim ka dallim shumë të madh. Kurrë nuk kam pranuar shkëmbimin e territoreve. Kjo ide lindi nga një bashkëbisedim, në zyrën time. Ideja ka lindur herët, që në vitet 1990 për të bashkuar Bujanov, Preshevë dhe Medvegjë.” – tha Thaçi

Haradinaj ul tonet: Ramën e kam si vëlla

Pas përplasjeve në media dhe akuzave të bëra ndaj kryeministrit Rama se po bën komplot për copëtimin e Kosovës, duket se Ramush Haradinaj ka preferuar të ul gjakrat dhe të qetësojë gjendjen.

Në një deklaratë për mediat, Haradinaj tha se Ramën e ka si vëlla, por kjo nuk e pengon të thotë të vërtetën e tij.

“Kryeministri i Shqipërisë është institucion, për të cilin unë kam shumë respekt. Kryeministri Edi Rama është vëlla i imi ashtu sikurse janë krejt shqiptarët kudo që janë. Të vërtetën do ta them pa marrë parasysh kujt i pëlqen ose jo. Unë kam thënë të vërtetën për Samitin e Berlinit”.

Një ditë më parë, në konferencën me Mogherinin, Rama i quajti këto akuza si gënjeshtra dhe budallallëqe të rrezikshme.

Ndarja e Kosovës, Rama: Gënjeshtra të rrezikshme

Kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të Haradinaj për pjesëmarrje në komplot për ndarjen e Kosovës, duke i cilësuar si gënjeshtra dhe budallallëqe të rrezikshme.

“Komploti për copëtimin e Kosovës dhe krijimin në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës më kujton shprehjen “sa pa dal facebook-u budallain e njeh vetëm shtëpia e vet.” Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe. Nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë, bëje të pabesueshme, thoshte një shprehje. Sot është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë, për masakruar karaktere personalitet në të gjitha nivelet, duke përfituar nga facebook dhe mundësia për të torolisur të gjithë dynjanë me gënjeshtra marramendëse dhe budallallëqe të rrezikshme. ” – ka thënë Rama

Akuzat për ndarjen e Kosovës, Mogherini: Më shumë mençuri nga liderët

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe akuzave të Haradinaj se ekziston një plan për ndryshimin e kufijve të Kosovës, Mogherini ka thënë se roli i saj është si lehtësuese për krijimin e kushteve dhe atmosferës ku dy palët të takohen, por se çfarë vendoset mes tyre është plotësisht në dorë të Kosovës dhe Serbisë. Mogherini tha se taksa e Kosovës 100% për mallrat serbë ka sjell dhe ngërçin në dialog, ndërsa bëri thirrje për më shumë mençuri dhe zgjuarsi pasi askush nuk del i përfituar nga mungesa e dialogut.

“Dialogu ka sjellë rezultate të rëndësishme për vite me radhë si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën, por edhe për rajonin. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë dhe kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte hyrë e gjitha në një fazë negocimesh më intensive dhe objektivi jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë, objektivi i të arriturit në një marrëveshje ligjore të dakordësuar për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë muajve të fundit vendimi i qeverisë së Kosovës 100% tarifa për mallra që vinin nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë krijuar një ambient që nuk është frytdhënës për dialogun dhe është dhe në shkelje të marrëveshjeve që ka nënshtruar Kosova.

Nga ana jonë e BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte menjëherë kushtet që të rifillonte dialogu. Unë jam e bindur se në rast se do të hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut dhe kjo do të ishte e vështirë dhe e dhimbshme si zakonisht por ndoshta produktive. Në mungesë të këtij mjedisi unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë.

Përgjegjësia është në duart e vendimmarrësve në Kosovë. Natyrisht që një mjedis ushqyes që sjell këtë gjë do të thoshte dhe pezullimin e fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga lehtësimi i dialogut. Nuk jemi pjesë e ndonjë plani të caktuar. Roli i lehtësuesit do të thotë të krijosh kushtet, atmosferën, ambientin, mundësinë, hapësirën që të dyja palët të bëhen bashkë.

Dialogu është i tyre, nuk është i yni, nuk na përket ne. Jo vetëm që e respektojmë pozicionet dhe qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht dhe rolin tonë. Unë e marr seriozisht dhe rolin tim personal të të mos përcaktimit të përmbajtjes së marrëveshjeve të ardhshme por lejimin e asaj që do të jetë një marrëveshje ligjore dhe për normalizimin e marrëdhënies.

Ne duhet të rikrijojmë këtë hapësirë, këtë mundësi. Shpresoj të dominojë mençuria dhe zgjuarsia pasi askush nuk do të fitonte nga ky ngërç i vazhdueshëm në dialog, as Kosova, as Serbia por as pjesa tjetër e rajonit. Pajtimi dhe normalizimi, ashtu siç e ka përjetuar dhe vetë BE, është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin, unë e di sa e rëndësishme është kjo për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Askush nuk mund të nënvlerësojë interesin e të gjithë ne për rifillimin e këtij dialogu në mënyrë të respektuar ndaj të gjithëve.” – tha Mogherini

Skip to toolbar