SHBA: Mbështesim hapjen e negociatave për Shqipërinë

Vendet kanë bërë progres në zbatimin dhe forcimin e shteti të së drejtës. Kjo na bën të mbështesim hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.”  ka deklaruar drejtori i Ballkanit në DASH, David Kostelancik gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin e Sigurisë në Beograd të Serbisë .

Kostelancik tha se SHBA mbështet hapjen e negociatave për të dy vendet duke shprehur edhe vlerësim për reformat e ndërmarra nga ato. Për SHBA integrimi i Ballkanit Perëndimor do të thotë një rajon më i fortë, më i qëndrueshëm krah BE-së. Ai shprehu mbështetjen e SHBA për të dy vendeve për të nxitur reformat pavarësisht çdo vendimi që mund të marrë BE.

Bie dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian. Dy shtetet kanë ndërmarrë reforma të mira dhe të domosdoshme për forcim të shtetit të së drejtës. Vendet kanë bërë progres dhe reforma domethënëse. Marrëveshja e Prespës është një shembull shumë i mirë. SHBA mbështet fuqimisht hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht nga vendimi që Këshilli Evropian do të marrë, SHBA do të vazhdojë të inkurajojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të ndjekin reformat. Një Ballkan Perëndimor më i fortë do të thotë partneritet më i fortë i BE dhe Euroatlantik. Ne jemi të interesuar për sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit në këtë rajon.” tha Kostelancik  

Sassoli: BE të mbajë premtimin, të hapen negociatat

David Sassoli, presidenti i Parlamentit Europian, është një tjetër zë pozitiv që renditet pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sassoli tha se BE duhet të tregojë të njëjtin angazhim që kërkon nga të dy vendet me përpjekjet e tyre për të ndryshuar dhe zhvilluar demokracinë. Gjatë mbledhjes së Këshillit Europian, Sassoli tha se KE mbështet hapjen e negociatave për të dy vendet dhe se puna e sakrifica e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet vlerësuar dhe respektuar nga BE. Presidenti i PE tha se Europa duhet të ruajë besueshmërinë e saj në rajon dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor për të shmangur ndërhyrjet e jashtme.

Evropa duhet të luajë një rol edhe më të spikatur në botë. Për ta bërë këtë ne duhet të investojmë në unitetin dhe besueshmërinë e tij. Kur u bëjmë thirrje vendeve fqinje të bëjnë një përpjekje shtesë për të ndryshuar dhe ata e bëjnë këtë, është detyra jonë të bëjmë një përpjekje të ngjashme.

Kjo është arsyeja pse ne mbështesim fillimin e menjëhershëm të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Komisioni Evropian është në favor të kësaj dhe ne do ta kemi të vështirë t’i shpjegojmë njerëzve të atyre vendeve pse po e vonojmë atë. Shqipëria dhe Maqedonia janë dy vende që puna dhe sakrifica e tyre duhen respektuar nga ne.

Sigurisht, mbetet shumë për të bërë dhe negociatat e pranimit janë një rrugë e gjatë. Ata nuk do të përfundojnë brenda natës, dhe ekziston një kufi se sa mund të kushtojë kjo, por përfundimi i tyre i suksesshëm gjithashtu duhet të shihet si një formë e sigurimit për Bashkimin Evropian. Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm është thelbësor për sigurinë tonë, pasi siguron që e ardhmja e rajonit, dhe Evropa në tërësi, nuk është formuar nga ndërhyrjet e jashtme.” tha Sassoli.

Në Këshillin Europian po diskutohet në lidhje me hapjen apo jo të negociatave, ndërsa përpjekjet e vendeve pro hapjes së tyre vijojnë për të bindur Francën skeptike në këto orë vendimtare për Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut.

Papandreu: Pro Shqipërisë, të pakënaqur me “veton” e Francës dhe Holandës

Ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreu ka shprehur mbështetjen e tij për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke u dal në krah vendeve si dhe duke dënuar “veton” që kërkon të vendos Franca dhe Holanda me bllokimin e tyre. Papandreu bëri thirrje për hapjen e menjëhershme të negociatave  si dhe BE të respektojë angazhime t ndaj ne rajonin e Ballkanit.

 “Udhëheqësit e BE-së duhet të dërgojnë një mesazh të fortë që respekton angazhimet tona në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në një kohë kur vlerat tona evropiane dhe themelet demokratike, të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore, janë duke u vënë në dyshim. Fillimi i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë është rezultat i faktit se Ballkani Perëndimor i përket familjes tonë, historisë dhe ardhmërisë sonë të përbashkët. Kam pakënaqësi për “veton” e Francës dhe Holandës në Këshillin e Punëve të Jashtme.” tha Papandreu.

Presidenti francez Macron tha të mërkurën pasdite se BE ka nevojë për shumë kohë për të marrë vendimin dhe se kërkon një reformim të mënyrës së hapjes  së negociatave. Ndërsa parlamenti holandez ka venduar më herët se do të shoh qëndrimin e vendeve të tjera për të dhënë një vendim përfundimtar.

Zaev, BE-së: Nëse s’vlerësoni Shkupin, mos prisni zgjidhje të Kosovës

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se nëse BE nuk vlerëson marrëveshjen e Prespës dhe të hapë negociatat për vendin, atëherë nuk mund të pres që të gjejë zgjidhje përmes marrëveshjeve me vendet e tjera të rajoni si çështja mes Serbisë dhe Kosovës. Zaev tha se BE e ka vlerësuar me nota pozitive marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë,  por nëse ky vlerësim nuk reflektohet edhe në hapjen e negociatave, atëherë ky do cilësohet si “ndëshkim” nga maqedonasit.

Nëse BE nuk e merr vendimin për fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, kjo praktikisht do të thotë se nuk e vlerëson Marrëveshjen e Prespës. Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës tani është një nga marrëveshjet më të mira në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE-ja “ndëshkon” këtë marrëveshje dhe Maqedoninë e Veriut duke shtyrë negociatat e pranimit, si mund të pritet që Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi të gjejnë zgjidhjen për çështjen e Kosovës, ose si do t’i motivojnë liderët e Bosnjës dhe Hercegovinës për të gjeni zgjidhjen për formimin e qeverisë? Unë shpresoj se BE do të na japin me motivimin për të vazhduar me punën e madhe për reformat dhe të ardhmen ”, tha Zaev në një intervistë për “Tanjug”.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin vendimin që vendet e BE do të marrin në lidhje me negociatat. Liderët e vendeve anëtare pritet të mblidhen më 17 dhe 18 tetor, ku pritet të ketë diskutime të nxehta në lidhje me hapjen apo jo të negociatave, sidomos nga vendet skeptike si Franca, Holanda apo Danimarka.

Ditën e mërkurë, kryeministri Rama por edhe ai maqedonas Zaev udhëtuan drejt Brukselit për të lobuar për hapjen e tyre.

Negociatat, Hungaria: Një “Jo” e BE, katastrofike për rajonin

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Levente Magya e cilësoi katastrofike nëse BE vendos të shtyjë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi rrezikon stabilitetin e rajonit të Ballkanit. “Nëse ky vendim merret” tha Magya, “atëherë BE do të humbasë të gjithë besueshmërinë e saj”. Ministri hungarez shtoi se hapja e negociatave do të sillte dhe ulje të fluksit të emigrantëve nga i Europës. Megjithatë  ministri Magya tha se Hungaria do të përpiqet gjithmonë që të ndal çdo zhvillim negativ në Ballkanin Perëndimor nëse BE dështon me negociatat.

“Është katastrofike që Bashkimi Evropian ka vendosur të shtyjë më tej hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me vendimin e saj, BE po kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka humbur dhe ka shkatërruar plotësisht besueshmërinë e saj në sytë e të dy vendeve. Hapja e negociatave me dy shtetet ballkanike, Hungaria e konsideron të rëndësishme edhe për parandalimin e valëve të refugjatëve që vijnë nga jugu i Evropës. Qeveria Hungareze do të bëjë gjithçka për të reaguar ndaj çdo zhvillimi negativ në Ballkanin Perëndimor nëse BE dështon me negociatat.” tha ministri i jashtëm hungarez.

Këto deklarata ministri hungarez i bëri pas përfundimit të mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje për hapjen e negociatave për dy vendet, por vendimi u la në dorën e liderëve të vendeve anëtare të BE, të cilët do mblidhen më 17  dhe 18 tetor.

Nëse nuk hapen negociatat, do ketë pasoja në Ballkan

Komisioneri për Zgjerim në largim i BE, Johannes Hahn, paralajmëron pasoja të rënda nëse vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk do t`i hapin negociatave për anëtarësim Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatë një konference për shtyp, mbajtur të mërkurën me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Johanes Hahan u shpreh se një vendim negativ do të shërbente në situatën në rajon.

“Nëse Maqedonia Veriore nuk shpërblehet siç duhet, nuk do të ketë nxitje që Serbia dhe Kosova të hyjnë në dialog kuptimplotë për bashkëjetesën e ardhshme të dy vendeve, sepse mënyra e vetme për ta bërë këtë është me një perspektivë të BE”, paralajmëroi Johannes Hahn. Ndërkohë, ai shtoi se BE nuk duhet të humb kredibilitetin në asnjë vend të botës. Ndaj u bëri thirrje liderëve të BE-së që të japin dritën jeshile për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk duam të humbasin asnjë kredibilitet në asnjë vend të botës. E përsëris, nuk kërkojmë çeljen e menjëhershme të bisedimeve. U kërkoj liderëve të japin dritën jeshile. Do të bisedojmë me liderët e tjerë të BE-së për të përmirësuar metodologjinë tonë. Por duhet të vazhdojmë me proçesin e zgjerimit. Kjo do të cënonte kredibilitetin tonë të vendet e tjera’’, u shpreh Johannes Hahn, ndërsa paraljmëroi se me Kryeministrin Edi Rama do të takohet të enjten në mëngjes.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili u shpreh se mungesa e dritës jeshile nga BE, do të sillte interesin e palëve të treta në Ballkan. “Ne kemi nevojë për vendimin tani dhe menjëherë. Ndryshe besueshmëria e BE do të shkatërrohej, por gjithashtu do të ngjallte interesin e palëve të treta në vakumin që do të krijonte BE”.

Ndërkohë, ekspertët e pohojnë se veprimi i Francës dëshmon besueshmërinë e saj në Ballkanin e Perëndimor. “Bllokada franceze dëmton besueshmërinë e BE në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në Maqedoninë veriore dhe Shqipërinë, por në fund të fundit për njëzet vjet politika evropiane është bazuar në afrimin me BE në forcimin e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe zgjidhjen e konflikteve të hapura. Kjo ofertë nuk është më e besueshme prej të martës”, tha kreu i Qendrës për Evropën Juglindore në Universitetin e Graz, Florian Bieber, për DerStandard, duke iu referuar “vetos” së Francës në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të BE të mbajtur në Luksemburg.

Minxhozi në “Real Story”: As gëzim e as dështim, hapja ose jo e negociatave

Analisti Skënder Minxhozi, u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se nëse nuk hapen negociatat, nuk do të jetë as gëzim dhe as dështim. “Hapja e negociatave, si do që të shkojë puna, nuk është një gëzim nëse do hapen, dhe nuk do jetë dështim nëse nuk do hapen. Veç variantit më të keq të ndarjes nga Maqedonia”, u shpreh ai.

Sipas analistit, vendi nuk është gati për hapjen e negociatave. Megjithatë, nëse do të merret një vendim “pro”, ai do të jetë dhe duhet të jetë thellësisht politik. “E para Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Vendimi në rastin tonë, për mendimin tim, do të jetë thellësisht politik dhe pozitivisht politik, për hapjen e negociatave”, u shpreh Minxhozi.

Në fund, Skënder Minxhozi shtoi se me liberalizimin e vizave, nocioni i integrimit në BE për shumicën e shqiptarëve, ka humbur kuptimin klasik. “Tani, Monika thotë me të drejtë: më mirë brenda se të kontrollojnë, se të jesh jashtë. Arsyeja e dytë, është se për mendimin tim, që nga viti 2010, kur ne kemi marë regjimin e vizave, çështja e integrimin për shqiptarin e zakonshëm, e ka humbur nocionin klasik për kapitujt. Hajde shpjegoi ti shqiptarit këtë”, tha Minxhozi. /Realstory.al/

Negociata, shqetësohet Meta dhe Basha (më në fund)

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta, më në fund nisën të shqetësohen në lidhje më të ardhmen evropiane të vendit. Si Basha, ashtu dhe Meta u shprehën se Shqipërisë i duhen hapur negociatat duke pranuar se çelja e tyre do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës në vend dhe forcimin e institucioneve demokratike. Gjatë konferencës së mbajtur për 10 vjetorin e “Fondacionin Korad Adenauer”, Basha tha se hapja e negociatave do të ishte mënyra më e mirë që vendi të dilte nga kriza dhe me ndihmën e Gjermanisë ëndrra për “Shqipërinë si Europa” do bëhet realitet. Basha kërkoi ndihmë e Gjermanisë që të lobojë pranë vendeve skeptike për të mundësuar hapjen e negociatave.  

Ne u bëmë thirrje miqve tanë gjermanë që, me gjithë gjendjen e rëndë në vend, shkaktuar nga hapat prapa në lidhje me ekonominë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes, vetëm hapja e negociatave garanton një vëmendje të shtuar të Bashkimit Europian në Shqipëri, një kontroll më të fortë të funksionimit të institucioneve, ndarjes së pushteteve, zgjedhjeve të lira dhe barazisë para ligjit, si garanci për qytetaret e këtij vendi se liritë dhe të drejtat e tyre do të respektohen. Falë qëndrimit të drejtë dhe parimor dhe mbështetjes së fortë të Kancelares Merkel dhe CDU për Shqipërinë, Bundestag ka propozuar rrugën drejt hapjes së negociatave, që është edhe udhërrëfyesi ynë për daljen nga kjo krizë. Ndaj, unë jam plot besim se bashkë me shqiptarët dhe me ndihmën e miqve tanë, do t’ia dalim ta bëjmë “Shqipërinë si Europa”. – tha Basha

Edhe presidenti Meta theksoi se negociatat duhet të hapen për Shqipërinë pasi vendi ynë nuk bën dot pa Europën. Meta theksoi se shpreson shumë që vendet skeptike t’i bashkohen vendimi pro hapjes së negociatave të Bundestagut dhe se palët politike në vend të ulen dhe të zgjidhni “krizën artificiale” që po mbizotëron në vend.

Gjermania është një vend mik. Edhe prezenca e fondacionit mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e forcimit të këtij bashkëpunimi. Shumë kohë kemi humbur si komb dhe harrojmë mbi të gjitha se Europa bën edhe pa ne, se ka bërë edhe në të kaluarën por ne nuk bëjmë dot pa Europën. Duhet një reflektim të thellë dhe serioz. Këto ditë ne presim vendimin, shpresojmë pozitiv mbi negociatat. Uroj dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend që ka shqetësimet e tij konkrete ti bashkohet qasjes së Bundestagut për të nxitur vendin që të përmbushë kriteret.  Duhet të gjejnë kurajën dhe të reflektojnë për ta vendosur vendin në shinat kushtetuese për t’i dhënë fund kësaj krize artificiale, që ende mbizotëron. Ne kemi shumë ç’të mësojmë nga bashkëpunimi politik në Gjermani. Çelësi i suksesit në duart e politikës shqiptare” tha Meta.

Tre vendet që s’na duan në Europë, s’ka marrëveshje në BE

Nuk është vetem Franca, por edhe Danimarka e Holanda. Takimi i Ministrave të Jashtëm të 28 vendeve anëtare të BE, përfundoi pa një marrëveshje për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konferencën për shtyp, mbajtur  pas takimit, Ministrja e Jashtme e Finlandës Tytti Tuppurainen, që drejtoi mbledhjen në Luksemburg, u shpreh se pati diskutime pozitive, por nuk u arrit një marrëveshje. Sipas saj, shumica e vendeve anëtare janë “pro” hapjes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Por tre vendet e mesiperme jo. Dy lëkunden akoma. Franca gjithnjë e më pak.

“Shumica e vendeve anëtare të Europës janë “pro” hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bëmë më të mirën e mundshme për të arritur një marrëveshje. U përpoqëm të gjenim një mundësi, por nuk arritëm dot një marrëveshje. Nëse këshilli merr vendim pozitiv për të hapur negociatat, nuk do të thotë se ato do të hapen menjëherë”, tha Tuppurainen.

Megjithatë, ajo konfirmoi se optimizmi për hapjen e negociatave është i lartë, ndërsa shprehu qëndrimin se BE duhet t`i përmbahet detyrimeve. “Jam optimiste që vendimi do të jetë pozitiv për të dy vendet. Shumica dërrmuese e vendeve ishin pro hapjes së negociatave. Tani është koha që ne t’i përmbahemi detyrimeve tona”, tha ministrja e Finlandës.

Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, u shpreh se 25 vende anëtare janë pro hapjes së negociatave. “Shpresoj të bindim vendet skeptike. 25 vende janë në favor të hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE. Ajo që na duhet është një sinjal pozitiv për të përgatitur hapjen e negociatave. Tani na duhet një sinjal politik, vendet e kanë bërë punën e tyre. Të gjithë vendet anëtare kanë rënë dakord me rregullat tona, në mënyrë unanime, për të vendosur një listë me kushte që duhen përmbushur”.

Ai u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet, ndërsa shtoi se gjatë vendimit final, disa vende mund të shfaqin dhe kërkesa politike, që nuk janë pjesë e vlerësimit teknik. “Ndonjëherë i shikojmë gjërat nga ana teknike. Sipas vlerësimit tonë ata i përmbushën. Sigurisht, vlerësimi final nga vendet e anëtare përfshinë dhe element politik, që nuk janë pjesë të këtij vlerësimi teknik. Situata politike në Shqipëri nuk ishte e kënaqshme për të gjithë. Kam ende besim se liderët e BE-së se do të reflektojnë për këtë vendim. Nëse vendimi do të jetë negativ për momentin, unë dua t`i nxisë të gjithë që të mos dorëzohen”, tha ndër të tjera Hahn.

Tashmë, vendimi përfundimtar për negociatat mbetet në dorën e liderëve të 28 vendeve anëtare të BE-së, të cilët do të takohen në datat 17 dhe 18 tetor. Franca është vendi që është shprehur kundër negociatave, ndërsa Hollanda dhe Danimarka janë të lëkundura në qëndrimin e tyre. Gjithësesi, Komisioneri në largim Johanes Hahn, u bëri thirrje këtyre vendeve që të reflektojnë dhe të vlerësojnë reformat që janë ndërmarrë. /Realstory.al/

Propozimi i Finlandës për të izoluar refuzimin francez

Presidenca finlandeze e Bashkimit Europian, propozoi që të veçohet vendimi për Maqedoninë e Veriut, nga ai për Shqipërinë, në lidhje me hapjen e negociatave. Lajmi është dhënë nga agjencia Radio Evropa e Lirë, që raporton se propozimi është bërë nga ministrja e Finlandës, Tytti Tuppurainen, që kryeson takimin e ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg.

Megjithatë, ministrja e Finlandës, pavarësisht propozimit, është shprehur se në “tërësi mbështesim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, megjithëse, shton ajo, “duhet pritur vendimi unanim i vendeve anëtare të BE”.

Në fakt, sipas këtij pohimi, Finlanda duket se është më fleksible në qëndrimet e saj, ashtu si Hollanda, që pavarësisht se është shprehur kundër fillimit të negociatave ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Megjithatë, ky propozim izolon Francën, që është e palëkundur kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për momentin, por që nuk lidhet me plotësimin e kushteve nga vendet kandidate.

Franca, propozon ndryshime në metodologjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, ndërsa në Komisionin Evropian janë përgjigjur se metodologjia mund të ndryshohet kurdo, por kjo nuk do të duhej të mbante peng vendimet për nisjen e negociatave.

Më herët, diplomatë të vendeve të Bashkimit Europian, janë shprehur se do të ishte zhgënjim një vendim kundër negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, Franca duket se nuk shqetësohet për këtë, pasi së pari kërkon reformimin e vetë BE-së, para se të mendojë për zgjerimin.

Franca është e vetme në këtë nismë, pasi shumica dërrmuese e vendeve të bashkimit Europian kërkojnë hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit, pavarësisht se kërkojnë të plotësohen disa kushte.

Në mbledhjen e tyre në qershor, ministrat miratuan konkluzionet për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke premtuar se do të marrin një vendim “jo më vonë se tetori i vitit 2019”.

Skip to toolbar