Sokol Balla: Rudina, Pasqyra e trishtë e Partisë

Nga Sokol Balla

Të mërkurën pasi emisioni Real Story përfundoi, një miku im më shkruajti me shaka: “Emisionit i ra audienca, se Rudina s’bën më gafa”. Kjo rritje e shpejtë eksponenciale e kësaj vajze në dukje të brishtë, por me forcën që i imponon Tropoja dhe logjikën Uashingtoni, m’u kujtua kur të enjten, pak orë pas emisionit një djalë i ri sulmoi verbalisht por vetëm nga pak centimetra larg, një i ri militant i PD, Rudina Hajdarin. T’i thuash Rudinës a e njeh të atin, është t’i kujtosh asaj kur ishte vetëm dhjetë vjeç dhe e tërhiqnin të hutuar në shesh në 14 shtator, pas arkivolit të të atit, që partia e tij e përdori deri në fund atë ditë, për të shembur derën e Kryeministrisë dhe tentuar të merrte pushtetin me dhunë. I riu që e sulmoi me siguri nuk e njeh Azem Hajdarin dhe historinë e tij rebele në partinë që ai vetë themeloi e që ja vodhën pak ditë më vonë. Që prej 14 shkurtit 1991 kur Sali Berisha u zgjodh me një procedurë të diskutueshme përballë tij dhe Meksit, i ndjeri Hajdari nuk pushoi përpjekjen e tij për një parti tjetër nga ajo që krijoi, që e përjashtoi së paku dy herë dhe e përdori edhe të vdekur.

Sot, 21 vjet nga ikja e tij, sjellja e PD nuk ka ndryshuar, por ajo e familjes politike Hajdari, po. Raporti i Rudinës në pasqyrën politike të familjes, është i qetë dhe normal. Ajo është sot bashkëkryetare e dy komisioneve, një politik dhe një kuvendor dhe drejton një grup deputetësh, që kur zgjohen në mëngjes, vishen si është koha në Uashington dhe jo në Tiranë. Brenda dy vjetësh reputacioni i saj, është forcuar, ndryshe nuk do të “meritonte” sulme të personalizuara si ai në shkollën në Shkodër. Rëndësia e saj është e tillë, saqë zyrtarë ndërkombëtarë që vizitojnë Tiranën, takojnë atë dhe jo Presidentin e Republikës. Në kushte të ngjashme me Partinë, i ati i saj 25 vjet më parë, pinte birra i trishtuar vetëm me drejtorin lokal të fondacionit Kondrad Adenauer. Rudina është në rregull dhe më partinë që themeloi i ati. Ajo është pasqyra ku krerët përgjegjës për aksionin “revolucionar” të këtij viti, shohin gjërat që nuk duhet të kishin bërë. Ose më saktë sjelljen që duhet të kishin, por që nuk e kanë dot, para një ndryshimi thuajse “normal” pushteti pas tetë vitesh të PS. Dhe kjo sigurisht është frustruese.

Frustrimi i të riut demokrat, është pjesë e frustrimit kolektiv të PD dhe militantëve të saj, përballë dështimit të madh të një aksioni që do sillte revolucionin, por që siç e tha idhët dhe bukur Manjani, “nxori Opozitën nga Parlamenti, për ta futur (të mërkurën), në një hotel. PD, ashtu si 21 vjet më parë, mendon që faji nuk është i lidershipit të PD, që mori vendimin, por i Hajdarit që e theu atë dhe sot jo vetëm është në Kuvend, por është vendimtare, bashkë me të sajët, në pika delikate të Reformës në Drejtësi, që u lanë ashtu nga partia që pasi e përjashtoi, tani po e sulmon. Është vendimtare gjithashtu edhe në reformën zgjedhore, në të cilën Hajdari është kryetare bashkë me Gjiknurin e PS, aq të anatemuar nga selia blu për vjedhje votash, sa atij dhe jo Rudinës, të mërkurën Ivi Kaso i la në dorë propozimet e opozitës.

Frustrimi i të riut demokrat është thellë thellë aprovimi frojdian që ai i bën dikujt që ka qenë në partinë e tij, që bën diçka që prodhon rezultat, pavarësisht sa i kontestueshëm mund të jetë ai. Është një thuajse-duartrokitje përballë asgjësë që akoma vjen nga Selia Blu, lidershipi i së cilës mburret në mëngjes nga amerikanët për një akt të pandodhur, dhe që nuk ndodhi sërish: rikthimi në sistem. Frustrimi i të riut shkodran, është i justifikueshëm pasi demokratët konservatorë nuk dinë akoma nëse partia e tyre do kthehet në sistem, ku siç tha dje Grida Duma “është rruga e vetme për të mundur Edi Ramën”, apo me luftë siç tha Doktori nga llogorja e Çim Pekës.

Rudina Hajdari e brishtë, e ftohtë dhe e qetë, është pasqyra e Lulzim Bashës, aty ku si tek pasqyra e përrallës së Borëbardhës, i thotë atij se është ende larg së qeni më i miri me i bukuri, dhe gati për të qenë kryeministër.

Ndaj në pamundësi për ta mundur pasqyrën, po mundohen ta thyejnë atë. Ndoshta jo me urdhër, por me klimën negative të sulmeve fatva, me mallkime politike, që kthehen pastaj në urdhra në psikikën e lodhur të një të riu të frustruar nga dëshira për revolucionin e tij të munguar.

I riu duhet mirëkuptuar, ndërsa PD nuk e ka më luksin ta keqkuptojmë. Ajo na duhet dhe na duhet si Rudina. Por me nxitim (për të), qetësi dhe dashuri.

Në çdo rast Rudinën tashmë e kemi.

Jozi, kush është shahisti i katërt?

Jozefina Topalli është shfaqur rrallë në publik së fundi, por sa herë shkruan apo bën deklarata, ato janë gjithmonë lajm. Të mërkurën, ish-kryetarja e Kuvendit në qeverisjen e PD-së, u nderua me Çmimin e Karrierës në Universitetin e Shkodrës. Më shumë se sa vlerësimi, lajmi ishte mesazhi sa i koduar aq dhe i drejtpërdrejtë i Jozefina Topallit ndaj politikës shqiptare.

“Pas 3 dekadave politika është në krizë; vendi është pa përfaqësim. Ekonomia nuk ec. Nuk ka as qeveri dhe as opozitë. Ata kanë deformuar demokracinë e brishtë. Ata ose bëjnë pazare ose bëjnë shantazhe ndaj njëri -tjetrit. Është më mire të ikin 4 shahistat e të rrijnë shqiptarët. Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetem një zgjidhje: Një levizje e Re. Lëvizje për ndryshim”,- u shpreh Topalli.

Po cili është mesazhi më i fortë i Topallit? Cilët janë emrat që sulmon ish-kryeparlamentarja e PD? Ndonëse nuk i përmend me emër, duke u nisur nga konteksti aktual i zhvillimeve politike në vend, sulmet i drejtohen Metës, Bashës, Ramës dhe…. Kryemadhit?

I pari është patjetër Lulzim Basha. Ai vuri firmën në atë që ajo e theksoi si “largim i parakohshëm i saj nga politika në kulm të aktivitetit@. Antipatia e saj për Bashën daton vitin 2004 kur u shfaq në korridoret e PD dhe derisa ai u bë kryetar.

I dyti është Edi Rama, të cilin ajo e fajëson për ikjen e shqiptarëve dhe për keqqeverisje.

Kryetarja historike e Kuvendit njihet për antipatinë e saj për LSI dhe n ga kjo, s’mund të shpëtojë çifti historik drejtues i saj. Me Metën që nga ndryshimi i Kodit Zgjedhor në korrik 2008, kur ai iu hodh mbi tavolinë, e ndajnë shumë gjëra përfundimtare. Por Për shumë arsye Topalli s’do harxhonte frymë ndaj një tjetër gruaje në politikë, pasi njihet se për këtë, e ka listën shumë të shkurtër. Aq më pak ndaj Monika Kryemadhit, kryetares shtëpiake të Ilir Metës në LSI. Mjafton një goditje për familje, plus Monika është e aftë për dam, por jo për shah politik. Atë e bën burri i saj shumë mirë.

Atëherë kush është i katërti? Logjika dhe aritmetika të çon vetëm tek një emër: Sali Berisha. Por janë emocionet që nuk lejojnë në arritjen e një përfundimi. Ose më saktë emocionet e zonjës së Hekurt ndaj liderit historik të PD. Ajo pas përjashtimit nga lista e deputetëve në 2017, tha se nuk e besonte kurrë që autorësia do ishte e Sali Berishës. Por a mund të ketë ndryshuar ajo mendje? A është tashmë pjekur në kokën e saj, se nuk duhet thjesht kryetar i ri por një PD e re?

Sinjalin e dha Topalli. “Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetem një zgjidhje: Një levizje e Re. Lëvizje për ndryshim”, u shpreh ajo në Shkodër. Ky nuk është një mesazh i koduar, por i qartë, që tregon se ajo po kërkon të rikthehet në jetën politike në vend. Këtë e ka konfirmuar përsëri përpara studentëve, madje, ndër rreshta, lë të kuptohet se e mërkura e 25 shtatorit, mund të jetë pikënisja e rikthimit të Jozefina Topallit në politikë. 

Topalli ka mbështetur në distancë lëvizjen Basha Ik, bile me thëniet e saj kundër kryetarit, e ka frymëzuar atë. Me mesazhin e mësipërm duket se ajo lë të kuptohet se tashmë largimi i Bashës nuk është rruga e vetme. Ka dhe një tjetër rrugë: një parti e re. Dhe nëse Topalli po mendon krijimin e një partie të re, sigurisht lufta nuk është më me Bashën, por me Berishën. Ai është pronari i vërtetë i PD.

Sigurisht më mirë se të gjithë, kush është shahisti i katërt e di vetëm zonja Topalli. Dhe Real Story e ka pyetjen e thjeshtë: “Jozi, cili është emri i tij?”

Britania “shuplakë” PD: Drejtësia funksionon

Ambasadori i Britanisë së madhe në Tiranë, Duncan Norman, ka reaguar në Twitter në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që dënoi Saimir Tahirin me 3.5 vite burg për “Shpërdorim detyre”. Britania e Madhe shprehet se ky vendim tregoi rritjen e pjekurisë së sistemit ligjor në Shqipëri. “Dënimi i Saimir Tahirit tregon se sistemi ligjor i Shqipërisë po maturohet”, shkruan Duncan.

Kjo është përgjigja tjetër kundër deklaratave të Lulzim Bashës, që u shpreh mbrëmjen e të enjtes se “drejtësia është e kapur”. Më herët, Ishte SHBA, që me anë të një deklarate për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, u shpreh se “dënimi i Tahirit tregoi pavarësinë në rritje të sistemit të drejtësisë”. Më tej, SHBA e quante këtë vendim një “hap përpara”, megjithëse shprehej se ishte shkurajues fakti që “Tahiri nuk u dënua për akuzat e ngritura nga Prokuroria”.

Në këtë linjë është dhe Britania, ku nëpërmjet ambasadorit Duncan Norman shprehet se “Dështimi për të dënuar Saimir Tahirin për akuzat më serioze, shtron pikëpyetje dhe tregon rëndësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi deri në fund”, thotë Britania e Madhe.

Ajo që vihet re, qoftë në reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkura dhe të  Britanisë së Madhe, është fakti se të dyja e nisin reagimin e tyre duke përshëndetur vendimin e gjykatës dhe duke cilësuar “pavarësinë e sistemit të drejtësisë”. Ky është një mesazh i fortë ndaj partive politike dhe skeptikëve në radhët e tyre për Reformën në Drejtësi, madje për vetë PD dhe kreun e saj Lulzim Basha, që është shprehur se do të përgatitet një “draft për ndryshime në sistemin e drejtësisë”.

Akuzat e PD, Babani: Jam personi më transparent në botë

Pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike, që i kërkonte Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e figurës së kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, ka ardhur dhe reagimi i kryebashkiakut socialist. Në një prononcim për Report Tv, Babani është shprehur se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar. Ai ka treguar fillimet e periudhës së emigrimit, nga puna në fabrikën e peshkut deri te puna në hotel, duke u shprehur se asnjëherë nuk është ndaluar nga policia apo të ketë ndërruar emrin.

“Kam luftuar gjithë jetën të jem krenar, të bëj veten e familjen dhe vendin tim. Jam i gatshëm të përballem me këdo, është turp i atyre që hedhin këtë lloj ideje ndaj meje pa asnjë motiv. Unë kam ikur më 6 mars 1991 në Itali, fati na çoi në Siçili ku kam jetuar në një kamp dy muaj deri sa u shpërndamë dhe në fund të vitit 1991 deri në vitin 1994 kam punuar në një fabrikë peshku. Pastaj kam punuar në një hotel deri në `95. Me këtë firmën që kam punuar, kemi bërë një shoqëri të përbashkët në Shqipëri, ndërmarrja dhe sot ka marrë përmasa të mëdha, eksportojmë prodhimet tona në të gjithë botën. Asnjëherë në jetëm time nuk kam pasur ndonjë ndalesë nga policia, nuk kam ndërruar as emrin”, ka thënë Babani.

Më tej, Mark Babani ka sqaruar edhe një detaj tjetër, atë të mbiemrit, nga Babani në Babaj. Sipas tij, kjo ngatërresë është bërë në gjendjen civile, ndërsa ai shprehet se është i datëlindjes 24 dhjetor 1966, por është rregjistruar në gjendje civile në 8 janar të vitit 1967. “Kam lindur më 24 dhjetor 1966 dhe jam regjistruar më 8 janar 1967. Në diplomë e kam në `66. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1993 dhe kemi marrë pasaportat e para, me mbiemrin Babaj, por në shkollë e kam pasur Babani. Dhe unë kam marrë pasaportën Mark Babani 8 janar 1967. Nuk kam pasur në jetën time të bëj me asgjë, kam qenë me leje qëndrimi deri në vitin 2003. Në këtë vit nuk kisha mundësi të ikja se po ndërtoja fabrikën e re. Unë kam hyrë e kam dalë në Itali dhe Evropë, dhe në të gjithë botën”, shprehet Babani.

Më tej, ai ka sqaruar edhe rastin e Maqedonisë së Veriut, ku përsëri ka sqaruar se ka shkuar disa herë në këtë shtet. “Maqedonia s`ka lidhje absolutisht, kam qenë 4 herë. Një herë për punët e mia në vitet e para. Vjet në Maqedoni kisha ftesë të ministrisë për investim atje, menduam të zgjeronim aktivitetin në këtë vend. Asnjë lloj problemi, janë trillime. Turp të kenë ata që bëjnë trillime për figurën time. Figura ime është e pastër, këto që po them këtu do t`i them gjithkund, pjesa ime është e verifikueshme se unë jam person që lëviz, jam personi më transparent që mund të ketë bota”, ka thënë Mark Babani.

I dënuar në Itali, PD kërkon verifikim për kryebashkiakun e Ramës me 3 emra

Partia Demokratike i ka dërguar një tjetër kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë verifikimet për Mark Babanin e Bashkisë së Vaut të Dejës, pasi dyshohet se ai ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i  ka dërguar prokurorisë të gjithë informacionin që disponon Partia Demokratike për kryebashkiakun e tretë të Edi Ramës, që rezulton, sipas PD-së, me të kaluar kriminale.  

Shkresën drejtuar Prokurorisë, PD ia ka nisur për dijeni ambasadës amerikane në Tiranë, delegacionit të BE-së dhe ambasadave të vendeve anëtare në BE.

Sipas PD-së, Mark Babani ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, pasi ka fshehur se ka qenë i arrestuar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. “Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003”,- thuhet në shkresën e Partisë Demokratike.

Sipas PD-së, nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.

Partia Demokratike vë në dijeni Prokurorinë edhe për të paktën 3 indentitete të tjera që Mark Babani, nuk i ka deklaruar në formular.

“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka mbajur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme sipas indicieve të bëra publike më parë, se ky shtetas, gjithashtu në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:

1.    Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965

2.    Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967

3.    Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968”, njofton PD.

Më herët PD zbuloi të dhëna se kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri kishte qenë i dënuar më parë në Itali. Kjo solli dorëheqjen e Pjetrit nga posti i kryetarit të bashkisë së Shkodrës. PD gjithashtu i ka kërkuar prokurorisë verifikimin për kryebashkiakun  e Vorës, Agim Kajmaku, i cili dyshohet se ka qenë i dënuar më parë në Greqi. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se pret përgjigje nga Italia dhe Greqia për dy rastet në fjalë.

Qarkorja, Topallaj: PD, si ai që ankohet te mjeku se i dhemb trupi, por që ka vrarë gishtin

Anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës nga radhët e partisë Bindja Demokratike, Fabian Topallaj ka komentuar qarkoren e PD kundër mediave. Duke përdorur ironinë, Topallaj i kujton Bashës se fajin nuk e kanë mediat, por vetë ai dhe partia e tij.

“Kjo historia që i konsideron të gjithë armiq, përfshi dhe të gjitha mediat dhe gazetarët në vend, ngjan me atë anektodën që ‘vajti njëri te mjeku duke u ankuar se i dhimbte trupi kudo që e prekte’. Shikoni se mos e keni dhe ju gishtin e vrarë ore”, shkruan Topallaj.

Qarkorja e Partisë Demokratike i shpallte disa media në vend ‘armike’, që sipas Bashës ato “janë të paguara nga Rama kundër opozitës”. Mes mediave që sulmonte Basha, ishte dhe Realstory.al. Kundër qarkores së PD kanë folur disa nga analistët në vend, ndërsa ish drejtues të PD e kanë quajtur ‘turp’ qarkoren kundër mediave.

Një letër që duhet të dëshpërojë mbështetësit e opozitës

Nga Mero Baze

Lulzim Basha ka lëshuar “një qarkore” kundër asaj që e quan “media armike” në vend, duke porositur gjithë mbështetësit e opozitës të mos i besojnë ato që shkruajnë e lexojnë aty.

Përtej anës qesharake të “strategjisë” që kreu i opozitës ka ndërtuar për t’i mbijetuar medias, ka disa gjëra në atë letër që duhet të shqetësojë mbështetësit e Lulzim Bashës.

Të parët që duhet të jenë të shqetësuar duhet të jenë gazetarët që ai mbron, jo ata që sulmon. Duke i marrë në mbrojtje, dhe duke teatralizuar historinë e tyre, ai çon dëm mbështetjen e tyre për ta, dhe i rreshton ata si ushtarë të tij.

Vetëm një mendje-thatë mund të bëjë, që në një kohë kur në opinion debatohet nëse i ka hequr qeveria apo jo dy emisione nga një televzion, që është boll i afërt me Lulzim Bashën, ky i fundit ta bëjë zero këtë debat, duke treguar se ai e ka shumë më të madhe listën e armiqve se dy emisione që ja vesh Edi Ramës. Ai ka në listen e armiqve televizionet e mëdha e të vogla dhe gazetarë me emra të përveçëm.

Tani sikleti i atyre që ai mbështet, është shumë herë më i madh, pasi ata duken si viktima që persekutohen pse mbështesin Lulin dhe jo pse mbrojnë të vërtetën, apo kritikojnë qeverinë.

Është një nga ilustrimet brilante se si ky njeri dhe kur ka ndonjë debat në favor, e fundos veten dhe baltos çdo kauzë që mund ta jetë në favor të opozitës.

Të paktën të më kishte lënë mua dhe ndonjë tjetër si “armiq”, që të barazohej me dy gazetarë që i ka caktuar armiq të Ramës, se me këtë listë, i bie që Rama i ka gazetarët kritikë “në gryk të pushkës”, por ky i ka “në grykë të topit”.

Problemi tjetër që hap ky koncept primitiv i kreut të opozitës për shtypin, është frika që ky rrezaton ndaj shtypit dhe përballjes me problemet që shtypi ngre për opozitën.

Ajo çfarë i ka bërë Basha opozitës nuk janë ndonjë problem për shtypin, por për popullin opozitar. Shtypi që Basha nuk ka nën kontroll, thjeshtë i tregon ato probleme.

Shtypi që ka Basha nën kontroll, ja quan arritje gjithë dështimet që ka, përfshi dhe faktin që sot PD nuk ka më asnjë deputet, asnjë bashki dhe asnjë njeri në pushtet.

Por Lulzim Basha nuk ka asgjë në dorë të ndalojë gazetarët të shkruajnë për problemet e tij dhe akoma më pak ka në dorë, të bindë opozitën të mos lexojnë gazetarët kritikë me të. Ai po të kishte fuqi të bindte dikë, kishte fituar zgjedhjet.

Ndaj më lehtë e ka të bëjë sikur reflekton dhe të bëjë sikur do të ndryshojë, se sa të detyrojë opozitarët të ndryshojnë dhe të mos lexojnë gazetat apo të mos shikojnë TV-të që ai i quan armike.

As Enver Hoxha nuk i ndalte dot të shikonin televizionet armike shqiptarët. Dhe ata e gjenin një kanaçe, jo më tani që të nxjerrin sytë se janë me shumicë.

Së fundmi kjo “qarkore” tregon dhe sa budalla dhe dëshpërues është për opozitën ky njeri.

Kur vendos të vish në pushtet, gjithë energjitë shpenzohen se si të bëhesh miqësor me të gjithë, si të bëhesh i pranuar, si të demonstrosh aftësinë për pajtim dhe ndryshim dhe jo si të bëhesh si një plakë e çmendur që zë me gurë këdo që kalon në sokak.

Letra është një ilustrim i paranojës, frikës dhe urrejtjes, që ai ka për këdo, që nuk e ka nën kontroll.

Dhe është për t’u dhimbsur, pasi nuk është se dëmton mediat që sulmon. Thjeshtë u tregon mbështetësve të vet sa keq i kanë punët, dhe se duhet të vazhdojnë “të punojnë e jetojnë si në rrethim”, derisa të vijë dita që ky t’u presë kokën, gjithë këtyre armiqve të shtypit.

Mos i gënje kot Lulzim se nuk ke për ta na prerë kokën. Jo se mund të mos vish kurrë në pushtet, me këto mend që ke, por dhe po u përmbys bota e erdhe, do na durosh ose do na lëpish.

Kemi prit e përcjellë dhjetra si puna jote që nga koha kur ti ishe emigrant, dhe u riatdhesove duke ju lëpirë Argitës, e deri kur të ikësh përsëri emigrant, duke i lënë lamtumirën.

PD konfuze, ‘qan’ dorëheqjen e drejtorëve në Shkodër, por i quan ‘bandë’

Partia Demokratike ka shpërndarë një deklaratë të degës lokale në Shkodër, ku reagon në lidhje me dorëheqjen masive të drejtuesve të institucioneve në Shkodër, pas urdhrit të kryeministrit Rama. Sipas PD, dorëheqja masive e drejtuesve të institucioneve rajonale është antiligjore, ndërsa sipas Selisë Blu, me këtë veprim, Rama po e lë Shkodrën në dorën e Tom Doshit.

“Edi Rama, kryetari i sektit të Rilindjes, orët e fundit po imponon një proces tërësisht antiligjor, diskriminues dhe në gjurmët e etërve të tij biologjikë e politikë. Edi Rama po vendos PS Shkodër, në administrimin e Tom Doshit, personit i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por fillimisht, po i spastron “fushën” duke i lënë në dorë të gjitha drejtoritë rajonale në Shkodër. Me një urdhër të paprecedent në historinë edhe të vendeve më të prapambetura të Afrikës, Edi Rama ka nisur instalimin e partisë – shtet duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945” shkruan PD.

Sipas Partisë Demokratike, largimi masiv i drejtuesve të institucioneve është në shkelje të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të  Punës, ndërsa e cilëson këtë lëvizje, si zëvendësimin e  ‘një bande me një tjtetër’. “Urdhri për dorëheqje në bllok të të gjithë drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës, është totalisht antiligjor dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës. Me një urdhër të tillë, Rama po zëvendëson njërën bandë me një bandë tjetër.  Pasi të lirohen postet e drejtorëve, do të jetë “mëkëmbësi” i Edi Ramës në Shkodër, Tom Doshi, që do të emërojë drejtorët e rinj rajonal, në koordinim të plotë me kreun e bandës së Rilindjes, kryeministrin e fatkeqësisë kombëtare”, shkruan PD në deklaratën shpërndarë mediave.  

Më tej, konfuzioni i Partisë Demokratike, të cilët i kategorizon drejtuesit e dorëhequr të institucioneve në Shkodër, si ‘bandë’, shkon dhe më tej, duke u shprehur se ‘dorëheqjet e detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti”. “Bindja e verbër ndaj urdhrave antiligjorë, për ndëshkime kolektive përmes dorëheqjeve të detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti, pranim i tutelës partiake në vend të zbatimit të ligjit, nënshtrim ndaj një individi psikopatik. Një lëvizje e tillë e Edi Ramës, bëhet edhe për ti hedhur “hi syve” shkodranëve. Është një përpjekje e dështuar për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Shkodrës, ku me 30 qershor kandidoi një të inkriminuar, ashtu siç bëri me Vorën dhe me bashki të tjera që do të evidentohen në ditët në vijim”, shkruan PD.

Në fund Partia Demokratike shprehet se ‘Shkodra e Shqipëria kanë një arsye më shumë për tu angazhuar në largimin një orë e më parë të Edi Ramës kësaj fatkeqësie kombëtare që nuk ndalet duke krijuar probleme për shkodranët e shqiptarët. Të gjithë bashkë, pa dallime partiake kemi detyrë para të sotmes dhe të ardhmes, të ngrihemi e ta shporrim një sahat e më parë! Rama ik”, përfundon deklarata e degës së PD në Shkodër.

PD dorëzon dokumentet për Kajmakun, Prokuroria: Po i përkthejmë nga greqishtja

Partia Demokratike i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, dokumentet, që sipas Selisë Blu, vërtetojnë akuzat e saj për dënimin që ka Agim Kajmaku në shtetin grek. Zyra e shtypit e PD ka njoftuar se të dhënat për Kajmakun ‘i janë dërguar prokurorisë, përmes dy letrave të ndryshme, njëra ditën e hënë me dokumentat e bëra publikë sipas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës greke, tjetra me dokumentin e nxjerrë nga TIMS, që tregon se Agim Kajmaku është i njëjti me personin Jorgo Toto, i arrestuar në në Greqi në 2003 dhe me numër pasaporte Z 0148497”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.

Ndërkohë, nëse i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme dokumentat që disponon për Agim Kajmakun, PD ankohet për procedurën që po ndjek organi akuzës për verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Vorës. “Partia Demokratike dhe shpreh shqdetësimin e thellë të PD për procedurën antiligjore që po ndjek prokuroria për marrjen e shenjave të gishtërinjve”, shkruhet në reagimin e PD, e cila vijon më tej duke shprehur mosbesimin te depozitimi i shenjave të gishtërinjve të Agim Kajmakut. Sipas Selisë Blu, kjo procedurë e ndjekur nga organi akuzës, ngre hije dyshimi për manipulim të rezultatit të verifikimit.

“Procedura e ndjekur nga ana juaj, përveçse shkakton vonesa të panevojshme në procesin e verifikimit, ngre edhe dyshimin e arsyeshëm për një tentativë të mirëorganizuar për manipulimin e rezultatit të verifikimit. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi apo tentativë për manipulimin e saj, përveçse do të dështojë, përbën edhe një konfirmim të rreshtimit në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike”.

Megjithë mosbesimin e Partisë Demokratike ndaj organit të akuzës, mësohet se Drejtoria e Dekriminalizmit në Prokurorinë e Përgjithshme është duke mbledhur prova që vërtetojnë ose jo akuzat e ngritura nga PD në drejtim te Agim Kajmakut. Këtë gjë, e bën të ditur vetë Prokuroria në letrën dërguar PD, ku i kërkon dokumentacionin për Agim Kajmakun. Në këtë letër thuhet ndër të tjera se “ka kërkaur nga KQZ formularin e vetëdeklarimit të Agim Kajmakut”, ndërsa procesi për verifikimin e tij është duke u zbatuar ‘sipas afateve ligjore’, citohet nga letra e Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, më herët, të premten e javës së kaluar, një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme i tha Realstory.al, se pas mbërritjes së kërkesës së PD për verifikimin e Kajmakut, organi i akuzës do të niste letërporsi pranë autoriteteve greke, për të kërkuar prova rreth akuzave që ka ngritur PD për kryebashkiakun e Vorës. Mësohet se hetimet janë në proces e sipër, pasi Prokuroria, menjëherë pas marrjes së vendimit të vënë në dispozicion nga PD për shtetasin Jorgo Goro, që selia Blu pretendon se është i njëjti me Agim Kajmaku, ka nisur përkthimin e tij nga gjuha greke në shqip. Nëse akuzat e PD do të vërtetohen, Agim Kajmaku nuk rrezikon vetëm postim e kryetarit të bashkisë, por dhe burgun për shkak të mashtrimit në formularin e dekriminalizimit.

Pas lobimit rus, Basha nuk deklaron financimet për 53 degët e PD

Ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur një hetim lidhur me lobimin rus në SHBA për periudhën zgjedhore të vitit 2017, ku kryedemokrati është marrë i pandehur për fshehjen e një financimi prej 650 mijë dollarë. Pavarësisht kësaj, Basha nuk ka deklaruar as financimet dhe shpenzimin për 53 degët e PD-së në të gjithë vendin gjatë vitit 2018.

Çdo degë ka një administratë të saj të vogël që ushtrojnë veprimtarinë në bazë të statutit të partisë, me një kosto të caktuar financiare. Konkretisht, çdo degë e PD ka kryetarin e saj, nënkryetarin, një sekretar, katër sekretarë funksionalë, një bord me këshilltarë, një aparat administrativ si dhe një bord financiar bashkë me kryetarin e tij. E gjithë kjo administratë ka një kosto financiare. Por sipas raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Partisë Demokratike për vitin 2018, kjo e fundit nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 53 degëve të saj.  Në raportin e auditimit për 2018 që Shqiptarja.com ka siguruar thuhet se “Partia Demokratike nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime për degët e saj. Ne kemi audituar pasqyrat financiare të PD, të cilat përbëhen nga bilanci kontabël i datës 31 dhjetor 2018, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe pasqyra e flukseve të parave për vitin që mbyllet në këtë datë si shënimet për pasqyrat financiare, përfshirë një përmbledhje të politikave kontabël më të rëndësishme. Sipas opinionit tonë, me përjashtim të parregullsive më sipër, pasqyrat financiare japin një pamje të vërtetë dhe të sinqertë të PD me 31 dhjetor 2018, të rezultatit të saj financiar dhe të flukseve të parave të saj për vitin e mbyllur financiar, në përputhje me kuadrin financiar të raportit të partive politike.”

Mirëpo këto degë kanë secila një kosto të caktuar financiare shuma e të cilës përcaktohet nga statuti i Partisë Demokratike, në nenin 43 të saj. Ky nen parashikon mënyrën e financimit të strukturave vendore të PD, duke përfshirë edhe administratën e degëve.

Kjo shumë për strukturat vendore të PD përcaktohet nga shuma në formë granti që akordon Kryesia qendrore, kuotizacioni i anëtarësisë së territorit përkatës, të cilat shpërndahen sipas niveleve të ndryshme të organizimeve territoriale sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren financiare, kontributi që derdhin të zgjedhurit vendor e në qendër, shumë e cila përcaktohet nga Kryesia e rrethit dhe burime të tjera financiare që autorizon ligji për partitë politike. Kryetari i Bordit Financiar të Degës emërohet nga Kryesia, pasi ka marrë pëlqimin paraprak të PDSH-së në qendër. Ai është përgjegjës përpara Kryesisë për fondet që ka në ngarkim. Bordi financiar i organeve vendore të partisë përbëhet nga një numër anëtarësh sipas vendimit të Kryesisë përkatëse. Ai zbaton me rigorozitet në ushtrimin e detyrave të tij rregulloren e brendshme financiare të Partisë.

Mosdeklarimi i shpenzimeve për degët e partisë krijon një kontrast të madh në atë që Basha bën me vepra dhe atë që thotë me fjalë. Në një kohë kur nuk deklaron shpenzimet dhe financimet për 53 degët e Partisë Demokratike, në fund të 2018, Basha del më një platformë ku kërkon ndarjen e politikës nga krimi   financimin e partive 100 % nga shteti në fushatat zgjedhore. “Gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës me krimin. Financimi i partive, financim shtetëror 100% i fushatës, ndërkohë që kompanitë që financojnë partitë e kandidatët të përjashtohen nga tenderat e koncesionet.” ka thanë Basha gjatë prezantimit të platformës së tij në fund të 2018 për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Skip to toolbar