Policia e Shtetit
ka reguar zyrtarisht në lidhje me sulmin ndaj makinës së gazetarit Fatos
Lubonja. Nëpërmjet një deklarate shpërndarë mediave, Policia njofton zyrtarisht
se mjeti, i cili është sulmuar të dielën, nuk i përket gazetarit Lubonja, por të
vëllait të tij. Gjithashtu, në reagimin zyrtar, policia ka sqaruar dhe dinamikën
e ngjarjes, duke saktësuar se agresori ka qenë një person me probleme mendore,
ndërsa para se të sulmonte makinën, ai ka kërcënuar disa qytetarë me mjete prerëse.
“Në pergjigje të
zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F.
Lubonja, Policia e Shtetit sqaron: Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit
Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po
kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar,
shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të
pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50 vjeçarin, nga Tirana”, shkruan
Policia e Shtetit.
Por jo vetëm kaq,
Policia thekson se personi në fjalë, ka ushtruar dhunë në familje, të cilën e
ka denoncuar bashkëshortja e tij, dhe ka sqaruar se personi vuante prej vitesh
nga shëndeti mendor. “Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe
bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti
mendor. Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F.
Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin
e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore”.
Ndaj këtij shtetasi
janë ngritur pesë akuza për vepra të ndryshme penale, ndërsa policia shprehet
se hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në
drejtim të punës së saj, duke u shprehur se për këtë ngjarje, uniformat blu kanë
qenë tërësisht profesionale.
“Materialet i kanë
kaluar Prokurorisë për ”Dhunë në familje“, “Kanosje”,
“Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike” dhe
“Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta”. Me
këtë rast, Policia e Shtetit hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të
gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, e cila, edhe në këtë rast,
ka qenë plotësisht profesionale”.
Rasti i goditjes së
mjetit të vëllait të gazetarit Fatos Lubonja, u përdor politikisht nga opozita
dhe Presidenti i Republikës, të cilët nxituan për ta cilësuar sulmin si politik
“nga çunat problematik”. Megjithatë, ky reagim i uniformave blu, rrëzon
deklaratat politike të Metës, Kryemadhi, Bashës dhe Berishës në lidhje me
rastin në fjalë, për më tepër, mjeti nuk ka qenë në përdorim të gazetarit, por
të vëllait të tij.