Policia: Një person me të meta mendore sulmoi makinën e vëllait të Lubonjës

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka reguar zyrtarisht në lidhje me sulmin ndaj makinës së gazetarit Fatos Lubonja. Nëpërmjet një deklarate shpërndarë mediave, Policia njofton zyrtarisht se mjeti, i cili është sulmuar të dielën, nuk i përket gazetarit Lubonja, por të vëllait të tij. Gjithashtu, në reagimin zyrtar, policia ka sqaruar dhe dinamikën e ngjarjes, duke saktësuar se agresori ka qenë një person me probleme mendore, ndërsa para se të sulmonte makinën, ai ka kërcënuar disa qytetarë me mjete prerëse.

“Në pergjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja, Policia e Shtetit sqaron: Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50 vjeçarin, nga Tirana”, shkruan Policia e Shtetit.


Por jo vetëm kaq, Policia thekson se personi në fjalë, ka ushtruar dhunë në familje, të cilën e ka denoncuar bashkëshortja e tij, dhe ka sqaruar se personi vuante prej vitesh nga shëndeti mendor. “Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor. Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore”.

Ndaj këtij shtetasi janë ngritur pesë akuza për vepra të ndryshme penale, ndërsa policia shprehet se hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, duke u shprehur se për këtë ngjarje, uniformat blu kanë qenë tërësisht profesionale.

“Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ”Dhunë në familje“, “Kanosje”, “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta”. Me këtë rast, Policia e Shtetit hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, e cila, edhe në këtë rast, ka qenë plotësisht profesionale”.

Rasti i goditjes së mjetit të vëllait të gazetarit Fatos Lubonja, u përdor politikisht nga opozita dhe Presidenti i Republikës, të cilët nxituan për ta cilësuar sulmin si politik “nga çunat problematik”. Megjithatë, ky reagim i uniformave blu, rrëzon deklaratat politike të Metës, Kryemadhi, Bashës dhe Berishës në lidhje me rastin në fjalë, për më tepër, mjeti nuk ka qenë në përdorim të gazetarit, por të vëllait të tij.




Skip to toolbar