Pusteci fitohet nga Partia Socialiste

Bashkia e Pustecit është fituar nga Partia Socialiste pas 12 vitesh. Kandidati i PS, Pali Kolevski ka marrë 1505 vota ndaj 859 votave të kundërshtarit të tij Edmond Themelko, në 8 kutitë e votave në këtë bashki.

Kështu, bashkia e Pustecit, e cila ka popullsi kryesisht të minoritetit maqedonas në vedin tonë, do të drejtohet në katër vitet e ardhshme nga Partia Socialiste.

Pusteci bëhet e para bashki ku numërimi i fletëve të votimit për kryetar bashkie përfundon pak orë pas mbylljes së procesit të numërimit. Në total në bashkinë e Pustecit votuan 2417 votues ose 55.4% e personave me të drejtë vote.

Njëherazi, kjo bashki e vogël në juglindje të vendit, ishte dhe njësia e pushtetit lokal me përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e 30 qershorit.

 Nga të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në procesin elektoral të së dielës së 30 qershorit, votuan rreth 771863 votues, një numër i konsiderueshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

PS fiton nëse zgjedhjet bëhen sot, PD pëson “humbje” në përqindje

Nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin sot, Partia Socialiste do të fitonte me 55-59% të votave. Sipas  GPF Inspiring Research,  Partia Socialiste ka pësuar rritje të theksuar me 5% , krahasuar me sondazhin e kryer një muaj më parë.

E kundërta ka ndodhur me Partinë Demokratike duke pësuar një rënie në përqindje, pasi mbështetja për të ishte 30-34% ,  por gjithashtu shënon një rritje të saj krahasuar me zgjedhjet e 2017, ku mori vetëm 28.9 %  të votave.  Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, nën drejtimin e Monika Kryemadhit, vijon të humbasë mbështetjen e shqiptarëve, që në sondazhin e fundit rezulton 4-5% të votave.

Shkarkimi i Metës, të hënën në Kuvend. PS dorëzon 55 firma

Ditën e hënë socialistët do të dorëzojnë në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Meta. Lajmi është bërë i ditur të premten nga kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, Ulsi Manja i cili tha se të hënën kërkesa “futet në furrë”.

“Ditën e hënë futet në furrë. Ka qenë në ngrirje, fillon dhe shkrihet nga e hëna”, tha Manja gjatë takimit me banorët e njësisë 11 në Tiranë ku i pranishëm në tryezë ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Pak ditë më parë realstory.al i ka shpjeguar të gjitha hapat ligjorë që ndërmerren në një rast të tillë.

Kjo është e parashikuar në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit.

Për të nisur procedurat e shkarkimit mjaftojnë 35 firma, por PS-ja ka mbledhur 55, mes të cilëve mësohet se janë edhe deputetë nga opozita e re.

Sipas Rregullores pasi dorëzohet kërkesa në Kuvend, mblidhet komisioni i ligjeve i cili shqyrton nëse kërkesa është e motivuar dhe e bazuar në ligj. Më pas komisioni i ligjeve ka të drejtë të vendosë nëse duhet ose jo të ngrihet komision hetimor për këtë çështje. “Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve”, thuhet në rregullore

Pasi Komisioni i Ligjeve harton raportin, ai votohet nga Kuvendi në seancë plenare. Kështu në rast se “Ligjet” propozojnë vazhdimin e procedurës së shkarkimit dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor ndaj presidentit, kjo duhet të miratohet nga Parlamenti. Në rast se raporti rrëzohet nga shumica e deputetëve atëherë procedura e shkarkimit ndërpritet.

 Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit të Ligjeve brenda 2 ditëve ngrihet një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vetëm pasi përfundojnë të gjitha etapat e mësipërme arrihet në votim në seancën plenare, ku do të duhen të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota.

Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është I detyruar ta dëgjojë atë.

Në fund të votimit sqarohet se: “Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij”. Pra pas kësaj procedure vendimi përfundimtar merret nga Gjykata Kushtetuese.

Shkarkimi i Metës, Grupi i PS udhëzohet para seancës. Ja MEMO e plotë

Deputetëve të Partisë Socialiste u është shpëndarë një MEMO në të cilën renditet i gjithë argumentimi ligjor i aktit të Presidentit Meta i cili anuloi datën e zgjedhjeve përmes çdekretimit, term të cilin nuk e njeh Kushtetuta e Shqipërisë.

MEMO mësohet se është shpërndarë një ditë para seancës së të enjtes në mënyrë që deputetet të kenë kohën e mjaftueshme për t’u njohur me përmbajtjen e saj.

Në MEMO shkruhet se akti i presidentit është i paprecedentë dhe tejet i rrezikshëm.

“Akti i Presidentit që ka vendosur shfuqizimin e dekretit të mësipërm, është një akt absolutisht i pavlefshëm, dhe si i tillë konsiderohet një akt nul që nuk mund të prodhojë asnjë pasojë”, shkruhet në dokument.

MEMO e plotë

Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Arsyetimi kundër Aktit të Presidentit të datës 8 Qershor 2019 që shfuqizoi Dekretin e Nëntorit 2018 për caktimin e datës 30 qershor 2019 si ditën e zgjedhjeve vendore

1. SITUATA

Në datën 05.11.2018, Presidenti i Republikës me dekretin nr. 10928 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” ka vendosur datën 30 Qershor 2019 si ditën për organizimin e zgjedhjeve vendore. Këtë dekret Presidenti e nxjerr në bazë të gërmës gj, neni 92 i Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor (neni 8, 9 dhe 10).

Në datën 10.06.2019, Presidenti ka vendosur shfuqizimin e dekretit të mësipërm, duke kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit dhe legjislacionit që regullon në mënyrë të posaçme zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë.

Ky është një akt absolutisht i pavlefshëm, pasi është nxjerrë nga organi publik jashtë kompetencave të tij si dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin, (neni 108 e vijues i K.Pr.Administrative) dhe si i tillë konsiderohet një akt nul dhe nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Ky akt është dhe një atentat ndaj Kushtetutës së vendit pasi bie në kundërshtim flagrant me një sërë dispozitash kushtetuese sic shpjegohet më mirë në seksionin 3 më poshtë.

2. SFONDI HISTORIK DHE POLITIK

– Akti i paprecedentë i Presidentit për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve të 30 Qershorit, vjen në momente të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe në kohën kur vendi po vijon me reforma të rëndësishme për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, konkretisht:

 Vendi është në pritje të vendimit të Këshillit Europian pas rekomandimit pa kushte të shprehur në raport progresin e Komisionit Europian të datës 29 Maj 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit me

BE, vendim që pritet të merret brenda qershorit 2019;

 Në Kuvend, Komisioni i Reformës Zgjedhore po punon për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të pranuar gjerësisht nga aktorët politikë në vend, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR pasqyruar në raportet e monitorimit për zgjedhjet e mëparshme si dhe në harmoni të plotë me standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të barabarta;

 Reforma në drejtësi është në procesin e zbatimit të saj; ngritja e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, hapat e ndërmarrë për plotësimin e shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, etj jo vetëm janë vlerësuar nga BE dhe partnerët ndërkombëtarë me nota shumë pozitive, por në raport progresin e Komisionit Europian të datës 29 Maj 2019, Shqipëria u veçua si shembull për t’u ndjekur nga të gjitha e vendet e Ballkanit Perëndimor, për reformën në drejtësi si një reformë unike dhe efektive për reformimin e pushtetit gjyqësor; kjo reformë po jep rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizur.

– Akti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve nxirret në një kohë kur ish deputetë të PD dhe LSI kanë djegur mandatet; këta ish deputetë kanë braktisur mekanizmat parlamentarë duke organizuar protesta të dhunshme të mbështetur nga militantët e tyre dhe kërkojnë shtyrje të zgjedhjeve, qeveri teknike pa Kryeministrin Edi Rama. Është pranuar gjerësisht nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe në raportin e Komisionit Europian të Majit 2019 se bojkoti i opozitës ka ndikuar negativisht në ecurinë e reformave kyce, por pavarësisht kësaj Shqipëria ka vazhduar të shënojë progres të rëndësishëm në të gjithë drejtimet dhe se dorëheqja nga mandatet e disa deputetëve opozitarë është një akt kundër parimeve të demokracisë dhe parlamentarizmit, që i bie ndesh përgjegjshmërisë politike, kushtetuese dhe institucionale ndaj vendit dhe qytetarëve; Protestat e dhunshme të opozitës jashtëparlamentare dhe dhuna sistematike ndaj rendit institucional në Shqipëri, që janë kritikuar ashpër nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtare, impaktojnë negativisht imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; në raport progres 2019 thuhet se vakancat e krijuara në kuvend u plotësuan dhe kuvendi ia doli të ruante funksionalitetin e tij, ndërsa të gjithë partnerët ndërkombëtarë, së bashku me BE dhe SHBA, konsiderojnë parlamentin dhe qeverinë si legjitimë, të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme të gjithëpranuara nga subjektet politike, (përfshi opozitën e sotme të rrugës), si dhe OSBE/ODHIR, KiE, dhe

3. ARGUMENTAT

• Mungesa e kompetencës

Presidenti nuk ka kompetencë për të nxjerrë këtë akt

Presidenti, referuar parashikimeve kushtetuese, në lidhje me zgjedhjet, ka vetëm një kompetencë, atë të dekretimit të datës së zgjedhjeve, prej të cilit ndërvaren një seri vendimmarjesh të KQZ. Kjo e fundit sapo merr dijeni për dekretin e datës së zgjedhjeve fillon veprimtarinë për organizimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor.

Kjo kompetencë ushtrohet nga Presidenti vetëm një herë për cdo zgjedhje, sipas parashikimeve kushtetuese dhe të legjislacionit në fuqi për zgjedhjet (neni 92/gj dhe neni 94 i Kushtetutës dhe nenet 8, 9, 10 të K.Zgjedhor). Ndryshimi i datës së zgjedhjeve administrative nuk është një prerogativë e Presidentit e parashikuar në Kushtetutë apo kod zgjedhor.

Sipas nenit 94 të Kushtetutës Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të njohura shprehimisht në Kushtetutë dhe ligj. Akti që del në mungesë të kompetencës është nul dhe konsiderohet që nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Përvec kësaj cdo akt duhet të dalë në bazë të kushtetutës ose ligjit dhe kjo nënkupton parimin e ligjshmërisë mbi bazë të të cilit ushtron funksionet organi publik (Neni 4 i K.Pr.Administrative – Organet publike ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe legjislacionin e zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë, brenda kufijve të kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë këto kompetenca). Nuk është parashikuar as në kushtetutë, as në ligj shtyrja e zgjedhjeve në mënyrë eksplicite, si dhe rrjedhojë akti i Presidentit përvec se është nxjerrë në mungesë të kompetencës bie ndesh dhe me parimin e ligjshmërisë.

• Shkeljet kushtetutese

Akti i Presidentit është një atentat kushtetues që shkel një sërë nenesh ku mishërohen parime të rëndësishme të demokracisë.

 Cënon rëndë të drejtën e zgjedhjes së shtetasve (neni 45 i Kushtetutës)

Zgjedhjet janë e drejta e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë periodike përfaqësuesit e tyre dhe mundësia e partive politike për të garuar e për të fituar cilësinë e përfaqësuesit të popullit npm votës. Kushteta dhe ligji ngarkojnë organet publike me detyra te veçanta per realizimin e kësaj te drejte nga shtetasit. Presidenti ka vetëm nje detyre – të caktojë datën e zgjedhjes; me kryerjen e kësaj detyre e ka mbaruar misionin e tij në zgjedhje; janë organet e tjera që vijojnë realizimin e detyrave të tjera për ushtrimin efektiv nga shtetasit të së drejtës së votës.

Anullimi i datës së zgjedhjeve, nga Presidenti në mungesë të kompetencës për një akt të tillë mohon realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, pasi tenton të ndërhyjë në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, që është në fakt realizuar në mbi 80% të tij nga data kur është nxjerrë dekreti i Nëntorit 2018 e deri më sot.

 Presidenti shkeli parimin e unitetit kombëtar (neni 86 i Kushtetutës)

Presidenti është neutral, i paanshëm dhe i pavarur. Pavarësia e tij garantohet në mishërimin e parimit të përfaqësimit të unitetit të popullit, që nënkupton se Presidenti është i të gjithë popullit, pa iu referuar ndonjë orientimi politik të caktuar dhe se në vendimarrjen përkatëse nuk duhet të mbajë kahje politike.

Me vendimin e tij, Presidenti mbajti qartësisht anën e opozitës jashtëparlamentare që ka djegur mandatet dhe kërkon prej kohësh shtyrjen e zgjedhjeve. K.Europian, nmp zëdhënëses Kocijanic shumë qartë dje theksoi: “…Siç është thënë tashmë, ne konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare dhe jo për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale seriozisht pengojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare. Përfaqësuesit e opozitës janë zëvendësuar në Parlament, i cili funksionon plotësisht. Tani është thelbësore që të ruhet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale…”.

Qartësisht Presidenti mbajti anën e opozitës, veprimet e të cilës janë të qëllimshme dhe të papranueshme në demokraci, dhe ai (presidenti) nuk përfaqëson më gjithë popullin.

 Shkeli parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (neni 1, prg 3 i Kushtetutës)

Në Shqipëri qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Periodiciteti është 4 vjet. Shtyrja e zgjedhjeve dhe për më tepër pa datë e cënon periodicitetin pasi lë në detyrë organet e zgjedhura (në rastin konkret të pushtetit vendor) më shumë se 4 vjet.

 Presidenti shkeli parimin e sovranitetit të popullit (neni 2, prg 1 dhe 2 i Kushtetutës)

E drejta e sovranitetit është e popullit që e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve (të zgjedhurve deputetë në Kuvend apo të zgjedhurve në pushtet lokal apo direkt (referendume). Këtë të drejtë populli do e ushtrojë në 30 qershor. Me shtyrjen e datës nga Presidenti, kjo e drejtë mohohet.

 Presidenti i zgjati organeve vendore mandatin tej afatit kushtetues (neni 109 i Kushtetutës)

Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe sepse ka vendosur të zgjasë mandatin e organeve zgjedhore tej mandatit të tyre kushtetues. Sipas Kushtetutës (neni 109), “Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.”.

Sipas të dhënave zyrtare rezulton se, Vendimi i KQZ për organet vendore ekzistuese mban datën 10 Gusht 2015. Si rrjedhojë data 10 Gusht 2019, është dhe dita e mbarimit të mandatit të organeve vendore. Presidenti i Republikës, duke anuluar zgjedhjet e datës 30 qershor ka shtyrë mandatin e organeve vendore tej datës 10 Gusht 2019. Përvec sa më sipër, organet e qeverisjes vendore në largim nuk mund të ushtrojne tagra pushteti pas përfundimit të mandatit të tyre si organe të zgjedhura. Me mbarimin e mandatit katër vjeçar, në Shqipëri nuk mund të ketë më as kryetarë, as këshilla bashkie, sepse në këtë mënyrë do të qeverisej pa zgjedhje

 Presidenti shkeli traditën kushtetuese të konsultimit të palëve

Nuk mund të ketë ndryshim të datës së zgjedhjeve pa pëlqim paraprak të partive politike, që janë palët në procesin zgjedhor, aq më tepër kur procesi është gati në përfundim të tij. Në rastin e ndryshimit të datës së zgjedhjeve në vitin 2007 dhe 2017 ishte një situatë krejt tjetër, sepse palët u dakortësuan për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Në këto raste, Presidenti me konsensusin e tyre vendosi të shtyjë datën në një datë tjetër, por pa cenuar ligjin si dhe mandatin e organeve të zgjedhura. Shtyrja e datës u bë brenda kufijve të ligjit pa cenuar atë që konsiderohet periudhë zgjedhore. Në rastin konkret çështja është krejt ndryshe, sepse data zgjedhore shkon pas 15 shtatorit 2019.

Vetë dekreti që Presidenti tentoi të shfuqizojë i është nënshtruar me rigorozitet kësaj procedure kushtetuese.

 Presidenti synon të zgjidhë një pseudo krizë institucionale që e analizon në diskutimin e tij për të justifikuar anulimin e zgjedhjeve

Së pari: nëse ka krizë, kjo është një krizë dhe luftë për mbijetesë e opozitës që doli në rrugë, që ka humbur besimin e elektoratit të vet dhe që braktisi institucionet demokratike duke vepruar haptazi në kundërshtim me parimet demokratike. Kjo opozitë po synon të destabilizojë vendin me protesta të dhunshme dhe me aktin e tij presidenti mori kahje të qartë nga opozita duke shkelur betimin e tij si përfaqësues i unitetit kombëtar.

Së dyti: edhe nëse ka ndonjë problematikë institucionale, nuk do të zgjidhej kurrsesi me një akt të pavlefshëm absolutisht dhe që cënon të drejtat e shtetasve për të zgjedhur, sic është akti për shfuqizimin e dekretit të presidentit me të cilin cakton 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore dhe nuk është ai institucioni i vetëm që kujdeset për shtetin.

 Presidenti deklaroi se nuk mund të bëhen zgjedhje pa pjesëmarrjen në garë të aktorëve politikë (Presidenti bëri analizë të përqindjes së votave që subjektet politike kanë fituar në zgjedhjet e mëparshme për të justifikuar që nuk mund të ketë zgjedhje nëse ata nuk regjistrohen si subjekte zgjedhore)

Përvecse, Presidenti mbajti anën e opozitës, veprimet e të cilës janë të qëllimshme dhe të papranueshme në demokraci, dhe ai (presidenti) nuk përfaqëson më gjithë popullin, duke shkelur parimin e unitetit kombëtar, Presidenti mori përsipër të japë leksione demokracie që nuk ekzistojnë në asnjë vend demokratik. Zgjedhjet janë për popullin e jo për partitë. Një shtetar i përgjegjshëm duhet të shqetësohet nëse cdo shtetasi i krijohet mundësia reale të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtën e tij kushtetuese të zgjedhjes. Gjithashtu rëndësi ka që shteti t’i krijojë kushtet optimale dhe të barabarta të gjithë partive dhe subjekteve politike për të garuar në zgjedhje, por zgjedhja e tyre për të mos marrë pjesë në garë elektorale e për të mos u regjistruar si subjekte zgjedhore nuk mund të cënojë procesin zgjedhor. Ky i fundit sic pranohet gjerësisht nga gjithë partnerët është i vlefshëm dhe pa pjesëmarrjen e partive të opozitës jashtëparlamentare.

Partitë nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje, nuk kanë arsye të ekzistojnë, por kjo është punë e tyre dhe nuk ka pse të jetë shqetësim i presidentit?!

Po partive të tjera, që janë regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit, e që kanë votat e tyre në elektorat nuk u cënohen të drejtat kur presidenti anulon zgjedhjet – a nuk jemi këtu në një situatë ku subjektet politike trajtohen në mënyrë të pabarabartë nga kreu i shtetit?! A është kjo sjelle e denjë e një presidenti??!!

Prandaj çmohet se ndërhyrja e Presidentit në këtë fazë të procesit zgjedhor ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës.

 Presidenti tenton të justifikojë aktin e tij me arsyetimin e sigurisë kombëtarë – kur nuk e ka përgjegjësi direkte këtë cështje

Është e qartë se në bazë të legjislacionit tonë siguria kombëtare është një kompetencë e pastër e pushtetit ekzekutiv dhe aspak përgjegjësi direkte e Presidentit.

Presidenti në një republikë parlamentare si kjo e jona, është një organ neutral, i paanshëm dhe i pavarur, që qëndron në të gjitha pushtetet dhe që nuk bën pjesë në to, është institucion që nuk mund të jetë aktiv në proceset vendimmarrëse politike dhe ka kompetenca formale dhe jo thelbësore dhe vendimmarrëse.

 Argumentat që solli presidenti janë një hartim i neneve kushtetuese që nuk legjitimojnë aktin e tij

Gjithçka që deklaroi Presidenti në deklaratën e tij të datës 10 qershor dhe në argumentat që jep për të bazuar qëndrimin e tij të aktit që anulon zgjedhjet janë thjesht citime të parashikimeve ligjore kushtetuese dhe parime të përgjithshme të një shoqërie demokratike, të cilat nëse vendosen jashtë cdo konteksti real kthehen në deklarata të nje shkelje të rëndë të Kushtetutës.

 Precedenti i rrezikshëm

Presidenti me këtë veprim krijoi një precedent të rrezikshëm për republikën tonë parlamentare, ku presidenti më së shumti ka rol protokollor. Me logjikën e Presidentit i bie që ai mund të anullojë apo shfuqizojë cdo dekret për emërimë, shkarkime etj … Kjo do të cënonte rëndë veprimtarinë shtetërore të tre pushteteve të shtetit, ku sic thamë më sipër presidenti merr pjesë, po nuk bën pjesë.

Mendoni një moment sikur KQZ ta kishte pranuar për zbatim dekretin e datës 10 qershor. Cdo ndodhte me pasojat që kishte krijuar dekreti qe caktonte 30 qershorin si datën e zgjedhjeve? Janë kryer veprime administrative, janë harxhuar para nga buxheti i shtetit, janë marrë përsipër detyrime e përgjegjësi nga ai dekret. Kush do mbante përgjegjësi për pasojat, shkeljen e të drejtave, dëmet ekonomike etj… Të mendosh pasojat shkojmë në kufijtë e abuzimit me pushtetin dhe papërgjegjshmërisë së lartë të organit publik që e kanalizon te përgjegjësia penale…

Si përfundim,

Dekreti i Presidentit që cakton ditën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit është i vetmi akt i ligjshëm i nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.

Akti i Presidentit që ka vendosur shfuqizimin e dekretit të mësipërm, është një akt absolutisht i pavlefshëm, dhe si i tillë konsiderohet një akt nul që nuk mund të prodhojë asnjë pasojë.

Bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, asnjë organ publik nuk ka detyrimin dhe nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo cfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin.

Nëse ky dekret shfuqizimi gjen zbatim e fillon të prodhojë pasoja ai bëhet objekt shqyrtimi në gjykatë administrative ose kolegj zgjedhor, sipas disponimit të palës që e kundërshton në rrugë gjyqësore.

PS, të enjten shkarkon Ilir Metën nga posti i Presidentit

Kryesia e Partisë Socialiste vendosi që të enjten të nisë procedurën për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali, tha të hënën pas mbledhjes së kryesisë se në seancën e së enjtes do të zhvillohet debat dhe do të diskutohen të gjitha shkeljet që ka bërë Ilir Meta. Ajo tha se pavarësisht se nuk ka Gjykatë Kushtetuese kjo nuk ia heq të drejtën PS të nisë procedurën për shkarkimin e tij, ndërkohë që vendimi i Metës për të anuluar zgjedhjet do të diskutohen nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

“Kryesia vendosi që të të enjten në seancë plenare të zhvilloje një debat të gjatë duke shteruar të gjithë argumentet sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziton askund, të quajtur çdekretim. Në fund i takon KQZ apo kolegjit zgjedhor ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion. Kuvendi do të nisë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit. Kjo procedurë do të nisë të enjten. Është detyra jonë për të mbrojtur kushtetutën dhe rendin kushtetues në vend”, tha Spiropali e cila tha dhe njëherë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.

Deputetja e PS: Basha të zgjohet nga ëndrra për karrigen e Kryeministrit

“Ai zgjidhjen e sheh veç te karrigia e kryeministrit. Mbase dikush duhet ta zgjojë Z. Basha.” Kështu ka deklaruara deputetja socialiste Edlira Bode gjatë një intervistë për gazetën “Tema”. Bode ka folur për situatën politike duke e cilësuar si një gjendje të krijuar artificialisht nga PD për të justifikuar humbjen e tyre në zgjedhje. Opozita terrorizon shqiptarët me protestat e saj dhe minon ëndrrat për t’u anëtarësuar në BE ka thënë Bode, e cila shton se në asnjë vend, opozita nuk ka protestuar për të mos u zhvilluar zgjedhjet.

Pjesë nga intervista

Gazetari: Znj. Bode, gjendemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe situata politike në vend vijon të jetë e tensionuar. Ju si e shihni zgjidhjen për të dalë nga kjo gjendje?

Të jem e sinqertë me ju, ndjej shqetësim kur ma adresojnë këtë pyetje. Edhe pse është një situatë e tensionuar artificialisht, jo veç që ka terrorizuar shqiptarët, por po minon edhe ëndrrën tonë për ta ngritur flamurin kuq e zi në oborrin e Bashkimit Evropian. Me aq sa e kam ndjekur politikën, nuk di ndonjë rast tjetër në botë ku opozita proteston apo ka protestuar për të mos u zhvilluar zgjedhjet.

Gjykoj, se pseudo-kauza e liderit të opozitës jashtë parlamentit po pompohet pasi ai nuk ka më çfarë justifikimi të japë për humbjen e radhës e cila sinjalizohet nga çdo sondazh. Por ky është problemi i tyre dhe jo i yni. Shqetësimi im janë protestuesit që ndjekin urdhrat qorre të liderëve të opozitës, pasi edhe ata që i janë bashkuar aksionit guerrilas janë shqiptarë dhe natyrisht nuk mund të ndjehemi mirë kur i shohim të përleshen rrugëve të kryeqytetit.

-Po zgjidhja?

Nuk ka asnjë dyshim që zgjedhje do të ketë dhe ato do të mbahen në datën 30 Qershor. Jo sepse kështu do Partia Socialiste, por sepse kështu thotë Kushtetuta e vendit dhe minimumi kemi detyrim për ta respektuar. Përvoja tregon, që sa herë është eksperimentuar me shkeljen e saj, ka pasur kosto të madhe për shëndetin e demokracisë së vendit. Çdo parti është e lirë të zgjedhë nëse do të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, por askush, individ apo parti qoftë, nuk ka të drejtën të pengojë zhvillimin e tyre.

Kërcënimet e aktorëve kryesorë të opozitës për ta penguar garën elektorale me metoda luftarake, duken të pakuptimta në sipërfaqe, por në thelb shërbejnë si mburoja për t’i shpëtuar drejtësisë së re. Kodi Zgjedhor, për të cilin edhe vetë PD është investuar për ta hartuar e miratuar, parashikon si vepër penale pengimin e zhvillimit të zgjedhjeve. Ata i dinë, nëse do jetë nevoja për t’i rikujtuar, data më e afërt do të jetë 30 Qershori ku institucionet do të bëjnë detyrën.

-Zonja Bode, natyrisht që secila palë ka pretendimet e saj, por pyetja ime është se si dilet nga kjo gjendje?

Në mjekësi, çdo lloj kure e vendosur nga mjeku për të sëmurin, nuk funksionon nëse edhe vetë pacienti nuk ka vullnetin për t’u shëruar. Ai zgjidhjen e sheh veç te karrigia e kryeministrit? Është e vërtetuar shkencërisht që një person nuk mund të shohë kurrë ëndrrën që sheh një tjetër. Dua të them me këtë, që për ëndrra jemi duke folur, ndaj dikush mbase duhet ta zgjojë Z. Basha.

Boçi ngatërron ndihmat për ramazan me miell për blerje votash!

Gjatë ditës së shtunë, ish-deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi publikoi një reagim në rrjetin e tij social Facebook, ku shkruante se Partia Socialiste në Elbasan ishte duke shpërndarë ndihma ushqimore me lista, në ditën që u bë hapja zyrtare e fushatës elektorale.

“Ja si e hap fushatën elektorale PS në Elbasan. Fillon e blen vota që ditën e parë. Me anë të Bashkisë me mbikqyrjen e policisë bashkiake, me lista, shpërdajnë qeset me ushqime për t’i marrë më të vobektëve më pas votën. Pamjet shokuese janë marrë tek qendra ekonomike e arsimit. Gjithçka në mes të ditës e në mes të njerëzve”.

I gënjejnë me një grusht ushqimesh sot për t’i marrë erzin, shpirtin, jetën e gjithçka nesër, këtyre e gjithë shqiptarëve. Kjo pra është faza e parë e blerjes së votës. Faza e dytë është me para kesh në dorë. Këto janë zgjedhjet demokratike që kërkon të imponojë regjimi”, shkruante ish-deputeti Boçi.

Pas këtij shkrimi, ka ardhur dhe reagimi nga shoqata Qatar Charity, me përfaqësues të saj Shkëlqim Hasula. Ai ka reaguar po në rrjetin social Facebook, ku përgënjeshtron statusin e ish-deputetit të PD dhe tregon të vërtetën rreth shpërndarjes së ndihmave gjatë të ditës së shtunë në Elbasan.

Ramazani është muaji i mirëkuptimit, paqes dhe mëshirës hyjnore. Gjatë këtij muaji Shoqata Qatar Charity ka impementuar projekte të ndryshme duke qenë pranë familjeve me fëmijë jetimë, pranë familjeve në nevojë e më gjerë. Kjo për të zbutur sadopak varfërinë dhe për të rritur frymën e solidarizmit. Shpërndarjet janë bërë në bashkëpunim me disa Bashki, por duke theksuar në çdo kontratë se: shpërndarja nuk do të ketë asnjë përfitim politik”.

“Zonat ku janë lidhur Kontrata Dhurimi janë: Tirana, Durrësi, Kavaja, Kamza, Vora, Shijaku e për ta mbyllur sot me Elbasanin. Po e shkruaj këtë postim nē përgjigje të statusit të z. Luciano Boci. Forma më e keqe e falënderimit është kur puna jote humane keqpërdoret politikisht”, shkruan Hasula.

PS nis fushatën, Rama: Kush prek zgjedhjet, luan me zjarrin!

Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Pas prezantimit të disa prej kandidatëve për kryetar bashkie në disa qarqe të vendit, fjalën kryesore të hapjesë së fushatës e ka mbajtur Kryeministri Edi Rama. Që në nisje të fjalës së tij, Edi Rama u shpreh se opozita politike e vendit ka frikë nga ballafaqimi demokratik, ndërsa u shpreh se zgjedhjet pa opozitën janë anti-ligjore, vetëm atëherë kur opzitës i pengohet pjesëmarrja në zgjedhje.

“Ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin rrugëvee dhe kërcënojnë. Kanë frikë nga ballafaqimi demokratik, dhe betohen se do të imponojnë një përplasje anti demokratike. Sot unë u them se zgjedhjet janë të cdokujt prej jush dhe kush e con ndërmend tu pengojë duhet të mendojë dy herë para se ti bjerë me kokë gurit themelor. Ata që vendosën që të dalin nga binarët e sistemit nuk mund të vendosin për asgjë më shumë përves njeri tjetrit. Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë anti demokratike kur pengohet jo kur vendos që të mos hyjë vetë” tha Rama.

Duke vijuar në këtë linjë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se opozita ka frikë nga Reforma në Drejtësi, duke shtuar se opozita nuk ka asgjë tjetër në dorë, përveç se të vetëvritet politikisht.

Ata kanë të drejtë që të bërtasin dhe ulërasin, të na shajnë dhe mallkojnë, por është e drejta e tyre për të sabotuar çeljen e negociatave, por ta harrojnë se kanë në dorë gjë tjetër përvecse të vetëvriten politikisht dhe të nxijnë faqen e tyre dhe Shqipërinë me gënjeshtrat dhe shpifjet skandaloze. Ata kanë një problem, janë pak, ne jemi shumë. Ata janë dembelë dhe të paaftë për të drejtuar, ne jemi punëtorë. Ata janë frikacakë dhe të alarmuar nga reforma në drejtësi, ne jemi guximtarë dhe të vendosur për të bërë shtet, ku drejtësia është e barabartë. Ata janë në panik prandaj i drejtohen dhunës. Ata janë të verbuar” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur përsëri opozitës, në lidhje me deklaratat e artikuluara nga kjo e fundit se “nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor”. Rama u shpreh se askush të mos guxojë të bëjë një maskarallëk të tillë ndaj vendit.

“Kjo nuk është fushatë pa kundërshtarë, por betejë me kundërshtarët e zgjedhjeve. Një plak i marrë dhe i marrë fund që është mësuar që të luajë me zjarrin, që e ka djegur njëherë Shqipërinë, dhe erdhi në pushtet duke përfituar nga përçarja jonë dhe kujton se na bën shantazh me zjarrin e urrejtjes së tij dhe atë pinokun e vogël që ka në krye të partisë së tij. Ne nuk do të kërkojmë votën, por qytetarinë, përgjegjshmërinë kombëtare, përgjegjësia. Kundërshtari kërkon njerëz lart e poshtë për një turp që do ta dëmtonte shumë rëndë Shqipërinë, që do ta bënte këtë vend skenë barbarie për të marrë peng zgjedhjet nga bandidizmi. Do ta damkoste këtë vend në mbarë Europën. Mos guxojë kërkush që të mendojnë një maskarallëk të tillë ndaj vendit, që nuk është i asnjë partie, por i të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Të dalësh kundër zgjedhjeve fizikisht do të thotë të dalësh kundër Kushtetutës”.

Kush e merr qetësinë për tulatje dhe na kujton akoma këtë vend si sheshin e vjetër për përsheshin e një plaku të marrë dhe kush gënjehet nga vetëpërmbajtja jonë luan me zjarrin. Nuk duam të shohim asnjë pas hekurave për hesap të një plaku të marrë, prandaj do u dalim borxhit. Do u themi sa keq mund të përfitojë një individ që dënohet për krime zgjedhore, duke humbur lirinë në SHBA dhe bashkë me gjithë anëtarët e familjes së tij, kush nuk beson le të shkojë të pyes plakun, po ashtu edhe të hyrjes në BE”, tha ndër të tjera Rama.

Hapja e fushatës, Veliaj: Të mendojmë për gjeneratën e ardhshme, SHQUP-it i ka mbetur ora

Pasditen e kësaj të shtune, në parkun “Olimpik” në Tiranë, Partia Socialiste nisi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Gjatë prezantimit të tij, kryetari i bashkisë Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se zgjedhjete  30 qershorit janë për gjeneratën e re. “Kjo është Tirana jonë. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë, kjo është fitorja jonë e madhe, një mirëseardhje për të gjithë miqtë nga Shkodra, Kukësit, Elbasanit dhe të gjitha qarqeve të tjera. Sot është 1 Qershori, PS-ja ka menduar për gjeneratën e ardhshme dhe jo zgjedhjet e ardhshme, gjithmonë. Edhe sot po takohemi në një hapësirë që është për të rinjtë dhe fëmijët. Para katër vitesh bashkisë së Tiranës i kishte ngecur ora, tani i ka ardhur ora, por SHQUP-it i ka mbetur ora”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj u shpreh se pas katër javësh duhet të fitojë Shqipëria dhe fëmijët kudo që janë. Ai tha se më 30 qershor qytetarët shqiptarë e kanë vetë në dorë për ti dhënë fund tranzicionit. “Ne nuk mund tu themi fëmijë se Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje dhe do të bllokohet, se një grup fëmijësh të parritur nuk janë gati për betejë. Prandaj në 30 Qershor duhet të fitojë Shqipëria dhe fëmijët kudo që janë. Shqipëria ka bërë progres, ama në 30 qershor e kemi vetë në dorë që ti japim fund tranzicionit dhe të jemi vendi dinjitoz. Gjatë këtyre viteve jemi mundur që ku ka pasur një mundësi dhe nevojë. Me Edi Ramën dhe të gjithë bashkitë atë që kemi bërë në Tiranë do të bëjmë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Erion Veliaj.

Në fund, ai ftoi dy artistë, Eneda Tarifa dhe Gazmend Paja si dhe dy sportistët, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, të cilët shrpehën mbështetjen e tyre për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që kandidon në këto zgjedhje për një mandat të dytë.

“Sot me ne nuk janë vetëm socialistët, pasi besojnë se vetëm PS-ja mund ta qeverisë cdo bashki me dinjitet. Për të gjithë ata për të cilët fëmijë është më i rëndësishëm se partia dhe nuk duan të kthehen në 1997 dhe e duan Shqipërinë si gjithë Europa, është Partia Socialiste. Ka njerëz të cilët mendojnë se vetëm ne socialistët e kemi këtë opinion, por ftoj dy miqtë e mi sportisë dhe artistë. Para se Edi të fillojë, i kemi dëgjuar edhe të tjerët, nuk kanë ide dhe vizion thonë vetëm ‘Rama ik’. Si provë e faktit që i kemi dëgjuar, ca herë jemi dakord, po Rama duhet të ikë përpara fort për të drejtuar Shqipërinë”, përfundoi Veliaj.

Rama nuk lëviz nga 30 qershori, nesër nis fushata

Kryeministri Rama këmbëngul sërish se data e zgjedhjeve nuk do të lëvizë nga 30 qershori, pavarësisht gatishmërisë së Presidentit Ilir Meta për të rishikuar dekretin për datën e zgjedhjeve.

Në një postim në Facebook, ku njofton çeljen e fushatës për zgjedhjet vendore, Rama shkruan i vendosur: 30 qershor dhe pikë!

PS pritet të çelë nesër fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të planifikuara më 30 qershor. Çelja e fushatës do të kryhet në 16:00 në Parkun Olimpik në Tiranë.

Real Story kishte njoftuar më herët se fushata do të nisë pikërisht nga “shtëpia” e Erjon Veliajt, ndërkohë që pjesëmarrës në këtë takim hapës do të jenë të gjithë kandidatët e Partsisë Socialiste për kryetarë të 61 bashkive në vend.

30 QERSHOR dhe PIKË!

Gepostet von Edi Rama am Freitag, 31. Mai 2019
Skip to toolbar