Rama veçon mesazhin e SHBA për tërmetin: Do t`ia tregoj Zahos. Përlotet Moses-Ones

Kryeministri Edi Rama zhvilloi mbrëmjen e të mërkurës takimin e fundvitit me ambasadorët e huaj në Shqipëri. Mes dilemës nëse duhet të organizohej apo jo ky takim, Rama u shpreh se u vendos që takimi të zhvillohej, njëlloj siç u vendos edhe për zbukurimin e qyteteve të prekura nga tragjedia e tërmetit. Me një fjalim prekës, Rama fillimisht foli për mesazhet që ambasadorët i kishin dërguar për solidarizim pas tërmetit. Ai u shpreh se nuk do t`i publikojë kurrë ato mesazhe, por tha se njërin prej tyre, mesazhin e të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, e veçoi, me qëllim që kur djali i tij, Zaho, të pyes për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai t`i tregojë këtë mesazh.

“Përballë gërmadhave dhe lotëve të 26 nëntorit detyra juaj ishte të raportonit atë ditë nga ambasadat tuaja në qytetet respektive, ndërkohë që unë e di që nuk pritët as të zbardhte mirë dita për të na ofruar solidaritet dhe ndihmë. Nuk kam ndërmend t’i publikoj ndonjëherë mesazhet tuaja që vijnë në telefonin tim dhe as i ruaj në ndonjë aktiv, por mesazhin e Lejlës e kam nxjerrë në një folder të veçantë dhe kur im bir sot 5 vjeç, Zaho, të rritet dhe pak e të bëjë pyetjen e parë për SHBA unë do t’i lexoj atë mesazh për ta prezantuar si shqiptarë me Amerikën”.

“Ashtu sikundër nëse, kur im bir do inatoset me BE, kush nuk inatoset me BE, unë do t’i tregoj historinë e zbarkimit të trupave të kërkim-shpëtimit mbrëmjen e 26 nëntorit dhe heroizmat e atyre burrave e grave veshur me uniforma që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetë shqiptarësh”.

“Do jetë shumë më e lehtë hyrja në histori me fqinjët, duke ia nisur jo nga ngatërresat politike, por nga rrëfimi i nxjerrjes prej gërmadhave pas thuajse 24 orësh të një djali shqiptar nga trupat fantastike greke të kërkim-shpëtimit, apo rrëfimi i një beteje të përbashkët të trupave nga Serbia e Kosova për të shkëputur nga kthetrat e vdekjes të shqiptarëve. Ishte e gjitha një mrekulli. Dhe kalorësit italianë, krahas atyre turq, që rrethuan gërmadhat e kthyera nga kështjella të vdekjes dhe nxorën prej aty jetë shqiptare”, tha Rama.

E duke mbajtur këtë fjalim Kryeministri Edi Rama, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë Leyla Moses-Ones u përlot. Më tej, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për të gjitha vendet që u angazhuan me misionet e kërkim-shpëtimit të jetëve të mbetur në rrënoja, Rama u bëri thirrje për ndihmë ambasadorëve. Ai tha se Shqipëria do ta përballojë së bashku me vendet mike faturën e rindërtimit pas tërmetit.

“Për procesin e rindërtimit kemi nevojë të vijojmë t’u kemi në krah dhe të jemi së bashku. Proces ika nisur, kemi krijuar një komitet dhe po punojmë pa pushim dhe orar për të përgatitur planet e rindërtimit. Kemi parashikuar si fillim 200 mln dollarë për nisjen e procesit të rindërtimit, që do të kërkojë më tepër se kaq. Bota e realiteteve ka kufijtë e saj, por e imagjinatës nuk i njeh, duhet të jemi realistë dhe ne jemi”.

“Nga njëra anë e dimë se për ta përmbyllur procesin e rindërtimit duhet më shumë, por nuk duam të bëhet në kurriz të së ardhmes. Për këtë arsye nuk kemi parashikuar asnjë taksë të re, asnjë ndërprerje të investimeve madhore dhe asnjë rritje të borxhit. As buxheti i mbrojtjes nuk do të preket dhe si anëtarë të NATO-s kemi marrë një angazhim dhe nuk mund që justifikimin e madh të rindërtimit ti bëjmë bisht asaj tryeze me vendet e tjera”, tha ai.

Rama, Bashës: Gabim që refuzon ftesën për tryezën

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur të dielën Lulzim Bashës, në lidhje me planin me 5 pika që kreu i PD propozoi për rimëkëmbjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti. Rama shkruajti në Twitter, ku shprehej se porpozimet e Bashës për bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga Kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

“Lulzim Basha, një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe Ministrja e Financave. Por vazhdoj të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, shkruan Rama.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Edi Rama i bëri disa herë ftesë publike Lulzim Bashës, për t`u ulur së bashku e për të diskutuar rreth masave që duhen marrë përballimin e sitautës.

Basha e ka refuzuar ftesën për t`u ulur në tryezë me kryeministrin, megjithatë, ai ka bërë propozime për përballimin e situatës. Në lidhje me rimëkëmbjen e biznesit, Basha propozoi pesë pika.

Ato kanë në thelb përjashtimin e biznesit nga pagesa e disa taksave dhe tarifave, pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përjashtimin nga tvsh dhe pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe ujit gjatë kohës së gjendjes së fakteqësive natyrore.

Qytetari i kërkon të ulet me Ramën, Basha: Qeveria ka detyrat e saj, ne tonat

Lulzim Basha ishte të premten në Durrës për të parë disa ngabanesat e prekura nga tërmeti. Ai u ndal në lagjen 17 në qytetin e Durrësit, ku një pallat, sipas banorëve ende nuk është vlerësuar nëse është apo jo i banueshëm. Gjatë takimeve në Durrës, një banor i kërkoi kryedemokratit të pranojë ftesën e Kryeminsitrit Edi Rama për t`u ulur së bashku dhe diskutuar rreth mundësive për përballimin e situatës emergjente. “Bashkërendohuni me pushtetin. Uluni, i lëmë ndasitë politike. Unë jam plotësisht dakord që jeni opozitë dhe keni frontet të ndara, keni vizionin tuaj. Unë jam i forcës kundërshtare me ju, dhe ju falënderoj që më dëgjon me respekt dhe të falënderoj që je këtu mes nesh”, i thotë banori Bashës.

Kush mendoni se duhet t`i riparojë pallatet e dëmtuara nga tërmeti?

Por, kryedemokrati iu përgjigj banorit duke i thënë se qeveria ka detyrat e veta, ndërsa opozita të vetat. Sipas Bashës, roli i opozitës është të përcjelli zërin dhe shqetësimet e qytetarëve. “Qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karriken tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë”, tha Basha.

Më tej, Basha tha se kërkoi nga qeveria që të shohet grupi i inxhinierëve për të bërë rivlerësimin e dëmeve. Ndërsa tha për banorët në zonat rurale, qeveria t`u japë para në dorë qytetarëve.  “Çfarë kemi kërkuar: E para, që vlerësimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë profesionale Për këtë kemi këshilluar që të shtohet numri i inxhinierëve, përndryshe vlerësimi shtyhet, e shtyhet, e shtyhet… E dyta, të caktohen fondet, sepse vlerësimi pa fonde është zero. Sot në mëngjes, kanë pranuar një sugjerim që ua kam dhënë gjatë tre ditëve të fundit: që banorëve të zonave rurale që janë me shtëpi, t’u japin para në dorë, ta bëjnë vetë. Sepse koha nuk pret, dimri sapo ka filluar. Çfarë do të bëni, do të rrini me muaj të tërë kështu? Nuk mund të ndodhë kjo”, tha Basha ndër të tjera.

Shqipëria merr Presidencën e OSBE, Rama: Drejtimi i saj, nder e përgjegjësi

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministri në detyrë për Punët e Jashtme Gent Cakaj, ndodhet në Bratislavë ku Shqipëria do të marrë zyrtarisht drejtimin e Presidencës së OSBE-së për vitin 2020.

Pak para takimit dhe mbajtjes së fjalës së marrjes së kryesisë se OSBE për vitin 2020, Rama ka publikuar një video në të cilën diskuton për fjalimin që do të mbajë duke përgatitur detajet e fundit dhe thekson përgjegjësinë e madhe që drejtimi i kësaj organizate i jep vendit.

Nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE”, shkruan Rama.

Bratislavë, Sllovaki – Pak përpara fjalës së marrjes së kryesisë së OSBE për vitin 2020 🇦🇱 Nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkēlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE🙏 #ShqipërianëKrye🇦🇱

Gepostet von Edi Rama am Freitag, 6. Dezember 2019

Edhe ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka thënë se Shqipëria është plotësisht e gatshme të udhëheq një kryesi të tillë pas një pune të madhe përgatitore.

Sot në Ministerialin e OSBE-së në Bratislavë Shqipëria zyrtarisht merr Kryesinë e OSBE-së. Pas një pune kapitale përgatitore në rrafshin politik e programatik, si dhe organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive”, shkruan Cakaj

Shqipëria u bë anëtare e OSBE në verën e vitit 1991 dhe në 2020 merr për herë të parë drejtimin dhe presidencën e saj. OSBE mbetet organizata më e madhe në botë, e orientuar nga siguria. Ajo u krijua në vitin 1975, në kohën e Luftës së Ftohtë, si një forum Lindje-Perëndim. Mandati i OSBE-së përfshin edhe kontrollin e armëve, promovimin e të drejtave njerëzore, lirinë  e shtypit dhe zgjedhjet e ndershme. OSBE angazhohet gjithashtu në parandalimin e konflikteve dhe menaxhimin e krizave. Aktualisht 57 shtetet e saj anëtare shtrihen në Europë, Azi dhe Amerikën Veriore.

Dëmet nga tërmeti, Rama, qytetarëve: Do flas në NATO për ju

Kryeministri Edi Rama niset drejt Londrës, ku do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s. Par nisjes, kreu i Qeverisë reagoi me një video-mesazh në rrjetet sociale. Kryeministri u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të prekur nga tërmeti, që këto 24 orë që ai nuk do të jetë në terren, të mos kenë asnjë merak sepse gjithçka do të jetë si në ditët e tjera. Ndërsa shton se Samitin e NATO-s do ta shfrytëzojë për të folur për dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

 “Nesër pasdite do të nisem për Tiranë, por me një ndalesë, pasi do jem në një intervistë në “Porta-Porta”, në Romë. Pastaj do kthehem në Tiranë, ku do jem në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë. Samitin e NATO-s do ta shfrytëzoj me sa të mundem për të folur për ju. Asnjë merak për këto 24 orë, sepse do jemi në komunikim dhe në terren gjithçka do të vazhdojë po njëlloj, sipas planit”.

“Hotelet do presin qytetarët që lëvizin nga zonat urbane, ndërsa ata që nuk lëvizin dot nga toka, do vijojmë t’i pajisim me çadra. Ne nuk kemi ndërmend të flemë gjumë pa mbuluar me strehë nevojtarin e fundit dhe pa përfunduar për të gjithë programin e rindërtimit, në një banesë më të mirë se ajo që kishit. Ju lutem, sa më pak televizor, hiç portale. Siç thotë një shprehje popullore “Lavdia më e madhe nuk është të mos rrëzohesh asnjëherë, por të ringrihesh pasi rrëzohesh”. Shqipëria e plagosur kaq keq do ringrihet më fort”, tha Rama.

“Prokuroria të nxjerrë fajtorët”, Rama: Propozimet e Bashës, gajasje

Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar mëngjesin e së martës, kryeministri Rama ka kërkuar që prokuroria të nxjerrë fajtorët dhe përgjegjësit për shembjen e pallateve gjatë tërmetit, ndërsa ka komentuar edhe propozimet e Bashës për përballimin e kësaj situate. Rama tha se opozita është tronditur nga tërmeti dhe nuk ka fantazi në propozimet që bën, duke i cilësuar ato, gajasje.

“Opozita që pretendon të qeverisë vendin jo vetëm që nuk ka pranuar të ulet në tryezë për të ballafaquar idetë dhe nëse janë më të mirat do të marrim idetë e tyre. Deri tani jemi njohur me tre pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është një komponent i gjithë ekranit të madh që dita fillon duke qarë dhe mbaron duke qeshur. Tre pikat janë ushqim për buzëqeshje, nuk dua të them gajasje se nuk dua të ndihen keq kolegët e opozitës. Por të thuash të mblidhen 500 inxhinierë, po pse 500 dhe jo 600? Pika e dytë, të bëhet urgjent identifikimi i dëmeve, po por bëhet, është bërë Durrësi si ajo lagja para OKB-së që dëgjon të gjitha llojet e gjuhëve dhe sheh të gjitha racat. Edhe ajo pika e tretë është qamet, të mos financohen oligarkët, vijon loja…dhe 150 milionë të mos i marrin oligarkët. Po çfarë janë këto para, të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë, të ndalojmë dializën, financimin për instrumentet mjekësore, të marrim makina qepëse për të qepura barqe për ata që duhet të operojnë mëlçinë. Dhe t’u themi se kemi ca të pastrehë prandaj barkun po ua hapim me gërshërë dhe qepim me makinë qepëse. Do të ndalojmë analizat edhe të fusim edhe një sistem për të hedhur fall për të thënë se shiko se më duket e ke diku poshtë problemin se më del një kupë me kokë poshtë dhe se më duket se shtatzënë. Të ndalojmë edhe kantierin e Rrugës së Arbrit. Pse sepse nuk kanë fantazi më shumë se kaq. I mirëkuptoj se edhe ata kanë problemet e tyre nga tërmeti. I ftoj me përulësi të vijnë në tryezë të diskutojmë për idetë”, deklaroi Rama.

Kryeministri ra dakord me kërkesën e presidentit, se prokuroria duhet të nxjerrë fjatorët e kësaj situate, ndërsa ironizoi justifikimet e ndërtuesve që kanë falimentuar dhe nuk mund të kryejnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

“Paralelisht sikur e kemi diskutuar dje në Këshillin e Sigurisë të thirrur nga Presidenti, urojmë që prokuroria të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse.

I bëj thirrje të gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë. Mos gënjejnë veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur. Disa prej tyre më kanë çuar mesazh duke nxjerrë lloj- lloj bishtash por më ka bërë përshtypje arsyetimi se jemi të falimentuar, të shesin shtëpitë e tyre, të marrin  kredi, të bëjnë ç’të duan, por liria është më e shtrenjtë se pasuria dhe nëse nuk reagojnë me humanizëm dhe përgjegjshmëri mund ti humbin të dyja”, theksoi Rama.

Kryeministri ngarkoi ministrin e Brendshëm që së bashku me policinë kriminale të përpilojë raporte për dëmet e shkaktuara dhe listën e personave shtëpitë e të cilëve do të riparohen.

“Ministri i Brendshëm duhet të ndjekë edhe procesin e identifikimit dhe të vënies së përgjegjësisë me policinë kriminale dhe të gjitha strukturat e tjera që përfshihen. Nga institutit i ndërtimit që duhet të japë indikacionet dhe me prokurorinë sa të jetë e mundur. Dua edhe raportin për çdo kat që është mbi lejen e ndërtimit brenda perimetrit të emergjencës. Duhet të kemi një listë shumë të saktë të personave që do të futen te rindërtimi. Të fillojmë të kthejmë në shtëpi nga hotelet ata që janë nga frika dhe nuk e kanë banesën e dëmtuar. Kujdes nga të moshuarit, nëse shikoni se nuk janë mirë, mos insistoni, prandaj duhet edhe psikologët të japin opinionet e tyre. Ashtu sikur edhe ata që janë të pastrehë më pare”, tha Rama.

Kryeministri më tej vlerësoi punën e bërë nga grupet ndërkombëtare në terren për identifikimin e godinave që kanë nevojë për riparime, ndërsa tha se edhe kancelarja gjermane Merkel, i kishte premtuar ekspertë nga Gjermania.

“Është bërë një punë voluminoze nga grupet e inspektimit. Grupet ndërkombëtar kanë qëndruar me orë të zgjatura në terren duke kuptuar nevojën tonë për një intensitet të lartë. Grupe të tjera do të vijnë sot dhe në vijim. Dje Merkel ka kërkuar edhe nga të gjithë landet që të përfshihen në këtë operacion për të dërguar ekspertët për të verifikuar standardet e sigurisë së godinave”, tha Rama.

Të pastrehët nga tërmeti, Rama: Do ndërtojmë tre lagje të reja

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të ndërtohen tre lagje të reja për të pastrehët e tërmetit. Ai tha se në Tiranë, Durrës dhe Kurbin do të ndërtohet qyteza të reja. Rama tha se këto ndërtime nuk do të jenë si banesat sociale.

“Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi im është që të arrijmë në një program rindërtimi, që rezultati të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani, që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë për gjithë jetën. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, të jetë më e bukura pas 1990. Një lagje të re nga e para në Durrës, me infraskturë, kanalizime, ujësjellës, kopësht, çerdhe, etj”.

“Në Tiranë kemi në skenar për të ndërtuar një lagje të re dhe një tjetri për të ndërtuar dy më të vogla, do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit ministria e Kulturës me arkitektë të huaj të famshëm me kontribut. Edhe në Kurbin do të ndërtojmë një lagje të vogël të re”.

“Kemi një objektiv për 10 mijë apartamente, sepse mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë të prekur por edhe ata me probleme sociale, por edhe të mos bëjmë gabim, që ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi tensione të vijueshme. Kujtoni Francën që është përballur nga revolucione dhe vandalizëm nga këto lagje, prandaj duhet të jenë mikse. Të përzihen njerëzit e të gjitha shtresave”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se gjatë dy viteve të ardhshme do të ketë kufizim në investime, duke përqëndruar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit  do të shkojnë për ndërtimin e lagjeve të reja për të pastrehët e tërmetit.

“Të bëhet një rishikim tërësor për bllokun e investimeve në buxhetin e 2020 për ti orientuar projektet në vazhdim. Pavarësisht se do të ishte receta e qeverive të shkuara. Dhe përveç projekteve që kanë të bëjë me ujitje dhe kullimin asnjë projekt tjetër i ri të mos bëhet. Sepse duhet ta shohim këtë si një domosdoshmëri që në fund të 2020 në Vitin e Ri 2021 ne të kemi jo projekte, por këto lagje të reja që të flasin vetë. Këto do të jenë lagjet e Rilindjes në kuptimin më konkret të fjalës pas situatës së vdekjes dhe traumës kombëtare. Do të bëjmë ndërtime që do të jenë shembullore do të vendosin një standard, si qeveria mund të ndërtojë. Jo projekt financimi të ardhurash si blerje apartamentesh, por edhe si ata që e blejnë vetë një apartament është pjesë e skemës duke u studiuar”, tha Kryeministri.

Dëmtimet, Rama: Do t`i riparojnë ndërtuesit e tyre

Kryeministri Edi Rama kërkoi që të gjithë ndërtuesit e pallateve që kanë pësuar dëme nga tërmeti në Durrës, do t`i riparojnë ato vetë. Rama tha gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave se ndërtuesit duhet të paraqiten brenda të hënës në Bashkinë e Durrësit dhe duhet të riparojnë dëmtimet vetë, nën supervizimin e rreptë të grupeve të inspektimit. “Sot brenda ditës të merret në bashkinë e Durrësit lista e ndërtuesve të pallateve të ndërtuara dhe të gjithë të njoftohen nëse nuk paraqiten që të marrin përsipër dhe të riparojnë të gjitha dëmet e shkaktuara nën supervizimin e rreptë të grupeve të inspektimit” tha Rama.

Më tej, Kryeministri u shpreh se këtë të hënë do të vendoset edhe për buxhetin. Ai u shpreh se do të jetë një barrë e jashtëzakonshme, duke bërë shumë ndryshime nga project-buxheti i parashikuar më herët.  “Sot kemi një takim me ministrinë e Financave dhe Kryetarin e Komitetit të Rindërtimit për të parë si do të riorganizojmë buxhetin, pasi duhet të miratohet në parlament në datën 5 dhe duhet të ketë brenda edhe atë fokusin tek fatkeqët dhe rindërtimin. Buxheti ka një barrë të jashtëzakonshme për të mbajtur të gjitha nevojat, sepse jeta normale do të kthehet dhe dielli do të dalë prapë dhe asgjë nga ato që bëhen nuk mund t’u privohet njerëzve. Idetë janë të mira dhe skema që po formësohet është fituese, buxhet-donatorë dhe kontributet e njerëzve që janë të papërfillshme në raport me të tërën, por janë të nevojshme” tha Rama.

Ndwrkohw, shefi i Qeverisw foli edhe pwr strehin e tw prekurve nga twrmeti deri nw rindwrtimin e banesave. Rama tha se pas vitit tw ri, tw gjithw tw prekurit do tw strehohen nw hotele dhe apartamente me qira. “Kam një merak për ata që janë në zonat rurale për nevojën për t’u garantuar cilësi maksiamle. Duhet të fillojë identifikimi i apartamenteve që shteti do të marrë me qira, ku do të qëndrojnë deri kur të bëhet rindërtimi, që do të zgjasë, nuk bëhet sa hap dhe mbyll sytë. Pasi të kalojën Krishtlindjet edhe Vitin e ri në hotele si njerëz dhe në janar të kalojnë në apartamente që të ketë minumimin jetik, jo të shtrihen përtokë në çimento, por me pajisjet e nevojshme, me dyshekë. Mendoj që brenda 2020 duhet të jenë të gjithë të sistemuar, masa e madhe që i kanë banesat e dëmtuara që mund të riparohen, ndërkohë që ata që do të rindërtohen totalisht, do të jetojnë në kushte normale deri kur të kthehen në shtëpitë e tyre, ku do të bëhen të reja ose diku tjetër” tha ai.

Ndërtimet abuzive, Rama: Po hetohen nga anti-korrupsioni, do ndiqen penalisht

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama njoftoi se njësia special kundër korrupsionit nisi punën për identifikimin e ndërtimeve abuzimeve. Rama tha se po punohet njëkohësisht edhe në kuadrin ligjor për të identifikuar përgjegjësit në godina problematike.

“Jemi duke punuar edhe për kuadrin e ri ligjor dhe penal për abuzimet në ndërtim. Ndërkohë që njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë hartën e veprimeve për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike, por dua të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe që sot hyjnë te godinat e dëmtuara, por jo të rrezikshme, që të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar vetë godinat një për një riparimet”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se kush do t`i shmanget këtij detyrimi do të mbajë përgjegjësi penale. “Shumë shpejt do të jetë vonë për ta, kush do i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtpërdrejt përpara drejtësisë dhe do ta çojmë ne në akuzë dhe do të kërkojmë burgim për papërgjegjshmëri. Bëhet fjalë për dëmtime që nuk kërcënojnë qëndureshmërinë e godinës, por që vënë në pamundësi dhe që kanë të bëjnë me abuzime dhe të ardhura gjatë ekzekutimit të lejes së ndërtimit. E vërteta e sigurt që ndërtimet e reja nga mesi i viteve 90 dhe më pas kanë qëndruar” tha ai.

Dorëheqja e Sakos, Rama: Në këto momente të japim energji pozitive

Kryeministri Edi Rama nuk komentoi dorëheqjen e kryetares së Bashkisë Durrës, Valbona Sako. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë ngjarje, shefi i Qeverisë u shpre se është momenti të përcillet energji pozitive. Gjithashtu, Rama i quajti disa media si “gjeneratorët” e tmerrit, që japin debate e kronika që trembin, sipas tij, qytetarët. Megjithatë, Rama vlerësoi punën e gazetarëve të terrenit që gjatë këtyre ditëve kanë raportuar tragjedinë që preku Shqipërinë.

 “Ajo që mendoj se është me rëndësi, është që në këto momente të jepni sa më shumë energji pozitive. Mos të merremi me këto histori anësore. Ju jeni heronj në terren, por ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe të mbledhin në darkë lloj lloj sharlatanët, pasi njerëzit janë të tmerruar”.

“Një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim. Janë ekrane ku jepen kronika sikur në çdo shtëpi ka rënë bomba. Ndaj është misioni juaj që të thoni; nuk ka rëndësi fare nëse ka plasur apo jo muri, por rëndësi ka që; a janë prekur apo jo kolonat? Nëse nuk na ndihmoni, mos na e bëni punën të vështirë duke hedhur helm. I luajtët mëndsh njerëzit. Jo ju që jeni këtu në terren, por përmes ekraneve”, tha Rama.

Skip to toolbar