Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj
në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet të respektohen afatet
kohore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Sipas Haradinajt, nuk ka arsye që
mbajtja e zgjedhjeve të vonohet. Për të ruajtur stabilitetin e vendit, sipas
tij zgjedhjet duhet të mbahen brenda 2 muajve.
“Nuk besoj se ka arsye të vonohet shumë. Është
me rëndësi, jo sepse ka vakuum qeverisës, por që t’i jepet sovranit mundësia
për të vendosur sa më shpejt. Nuk bën që t’i vonohet popullit e drejta për të
vendosur për më tutje. Do të ishte me rëndësi që në afatet kohore – diku rreth
dy muaj – të ndodhin zgjedhjet. Kështu janë ato dinamikat prej këtu e tutje.
Shpresoj të rrjedhin kështu. Kohë merr edhe konstituimi i Parlamentit pastaj,
edhe formimi i qeverisë së ardhshme. Është me rëndësi që të gjitha këto të ndodhin
në afate të duhura kohore”, tha Haradinaj të hënën.
Haradinaj gjithashtu tregon arsyet që e çuan
atë që të heqë dorë nga posti i shefit të ekzekutivit ndërsa sqaron se nuk ka asnjë
akt akuzë ndaj tij, por vetëm ftesë për t’u pyetur për krime lufte.
“Unë kam marrë ftesë, i përgjigjem, pra kryej
obligimet e mija ligjore që më takojnë, por ka qenë për mua e papranueshme që
kryetarin e Qeverisë, në këtë rast shefin e ekzekutivit dhe sovranitetin –
sepse unë jam shef i ministrit të Mbrojtjes, i ministrit të Rendit, i
Drejtësisë – nuk kam mundur ta çoj shtetin para hetuesve. Për këtë arsye edhe
kam dhënë dorëheqje, pra që ta ruaj nderin e shtetit dhe të kryetarit të
Qeverisë. Ne jemi shtet i ri, por po krijojmë, ta quaj, doktrinën e shtetit
tonë dhe nuk kam dashur që Kosovës t’i shkruhet në një moment të caktuar.
Pastaj, ka të bëjë edhe me nderin tim personal, nderin e luftëtarit shqiptarë.
Unë e kam dëshmuar pafajësinë dy herë edhe për këtë arsye e kam marrë këtë
vendim”, është shprehur Haradinaj.
Kryeminstri i dorëhequr Haradinaj duket se ia
ka dalë të mbajë premtimet e tij, një prej të cilave ka qenë se largohet nga
posti i kryeministrit dhe taksën ndaj mallrave serbe nuk e heq, sikurse po
ndodh tani. Harandiaj i bën apel forcave politike në Kosovë të bashkohem në dy çështje
kryesore, të mos lejojnë heqjen e taksës pa u njohur Kosova nga Serbia si dhe të
mos lejojnë krijimin e një “Dodik Republike”, pra një shteti me ndikim nga Rusia
dhe Serbia.
“Kam deklaruar po ashtu që një “Dodik
Republikë” ose një republikë me ndikim të Rusisë është e papërballueshme për
Kosovën dhe nuk është specifika e tillë. Njëkohësisht kam thënë që taksa nuk
bën të hiqet deri në njohje.
Në këto qëndrime unë pres një përkrahje, një
unitet pa marrë parasysh që ne garojmë kundër njëri-tjetrit për pushtet. Këto
nuk janë qëndrime të pushtetit, janë qëndrime të interesave nacionale.
Pra, të mos heqim taksën pa njohje. Këto janë
qëndrimet për të cilat unë pres respekt dhe nuk ka lidhje çka mendojnë për mua,
por këto janë qëndrime që pres respekt për interesa të tyre, jo për të mijat
ose për interesa të partive të tyre. Në këto qëndrime, pra i ftoj të gjithë që
të bashkëpunojmë, pa marrë parasysh se çka kanë thënë atë ditë apo do të thonë
një ditë tjetër”, tha Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës dha dorëheqjen nga
posti për t’iu përgjigjur thirrjes nga gjykata speciale e Hagës për krimet e luftës
në Kosovë, çështje kjo për të cilën Haradinaj është gjykuar dhe ka dalë i pafajshëm
dy herë.