Soreca, Metës: Reforma në Drejtësi, e pakthyeshme

Ndryshe nga sa tha presidenti Meta dy ditë më parë, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca është shprehur sot se Reforma në Drejtësi në Shqipëri është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe po jep rezultatet e para. Ai ka thënë se kjo reformë ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme dhe që duhet të mbështetet nga të gjithë politikanët. Soreca gjithashtu u shpreh sot në Konferencën për  Monitorimin e Integritetit Gjyqësor se shumica e shqiptarëve janë pro reformës dhe presin rezultate konkrete prej saj.

“Reforma në drejtësi i ka dhënë një shtysë të re pjesëmarrjes së shoqërisë civile që jo vetëm monitoron sistemin, po janë aktorë të vetë sistemit. Ibrahimi dhe Llagami janë shembulli kryesorë, psai janë në krye të dy këshillave. Kjo reforma ka bërë një ndryshim të madh për sistemin e drejtësisë. Mesazhi im kyc sot është që t’u inkurajoj që të jeni pjesë aktive e sistemit të drejtësisë, është i juaji dhe përgjegjësia juaj për ta përforcuar. Dje në rastin e përvjetorit të vdekjes së Falcone-s citova një mesazh të të tij ‘një botë më e mirë nuk është thjeshtë ëndërr, por përgjegjësia e të gjithë neve’. BE-ja është partneri juaj kryesor dhe si BE bëjmë të pamundurën që të keni të gjitha burimet e mjaftueshme financiare. Ne do të vijojmë që të japin mbështetjen tonë si partneritet në sistemin e drejtësisë. Kjo do të jetë një fushë kyce për mbështetjen tonë duke  menduar krerët 23 dhe 24 për integrimin. Shoqëria Civile është pjesë kyce e imunitetit të trupës gjyqësore. Sistemi do të duhet që të mbrohet, kjo punë na përket të gjithëve ne.

Çdo qytetar të refuzojë që të japë apo marrë ryshfet. Shumica e shqiptarëve janë për reformën dhe duan të shihin rezultatet. Është arritur një përparim i madh përsa i përket integritetit si në vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Reforma e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin, reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme, të gjitha institucionet shqiptare duhet ta mbështesin atë. KE do të publikojë pas pak ditësh raportin e progresit, do të shikojmë atë që është bërë dhe atë që duhet bërë. Do të shikojmë edhe tranzicionin. Ne nuk duhet të harrojmë çmimin dhe koston që paguhet dhe do të kishim paguar pa këtë reformë. Reforma në drejtësi dhe integrimi është përparësi për çdo politikan, arsyeja për t’u bashkuar dhe jo për t’u ndarë” tha ambasadori i BE-së, Soreca.

Dy ditë më parë Presidenti Ilir Meta kritikoi misionin e BE-së, Euralius që është marrë me hartimin e reformës në drejtësi duke thënë se kjo reformë nuk është europiane dhe nuk është as e suksesshme.

Drejtësia, Meta sulmon reformën… dhe Euralius

Ndërsa Rama e cilëson të sukseshme reformën në Drejtësi, krejt ndryshe mendon presidenti Meta. Një lum kritikash ka hedhur ndaj ndërkombëtarëve presidenti Ilir Meta, veçanërisht ndaj misionit të Euralius  që është marrë me Reformën në Drejtësi. Meta është shprehur sot se kjo reformë në drejtësi, përveçse nuk është e suksesshme, nuk është as europiane. Ai madje ka thënë se Euralius ka marrë urdhër politik që të mos marrë pjesë në një takim të thirrur nga Presidenti i Republikës për të biseduar për hedhjen e shortit për anëtarët e KED-së.

“Ne do të flasim për sukseset e mëdha të reformës në drejtësi. I jam shmangur publikisht. Por po bëhen tre vite nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të them që nëse do të ishte vërtetë një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presion, por me standarde, nëse duhet me emra asnjëherë nuk është e qëndrueshme, por forma të reja për kapjen e institucioneve. Të vijmë te rasti i Gjykatës Kushtetuese se nuk mund të jem i qetë pa e nxjerrë këtë merak. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor për reformën në drejtësi. Kam bërë përpjekje të mëdha që gjithcka të bëhet sipas Kushtetutës. Herën e dytë si President, një papërgjegjshmëri totale dhe nga ndërkombëtarët. Kam folur hapur, më takon të hedh shortin, por e dimë se çfarë ka ndodhur dhe hajde të ftojmë institucionet jashtë kamerave për të unifikuar qëndrimin e përbashkët, që të mos kemi debate dhe kontestime.

Dhe Euralius i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi, po ky Euralius si e jep një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është drejtësi europiane. Këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe dëgjoni, reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime nga SHBA, Britania dhe të tjera. U bëjmë të qartë kujtdo se Kushtetutën tonë nuk mund ta dhunojnë, as Presidenti dhe asnjë ambasador, diplomat apo komisioner. Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin Denilson që jemi pa gjykatë Kushtetuese. Prandaj kam kërkuar një mision zbatimi të reformës për të garantuar që kjo është histori suksesi për ne dhe për ju”, tha Meta.

“Dënimi i Balilit, shembull se drejtësia po funksionon”

Përfaqësuesja e OPDAT, Mishel Lakomi mbajti një fjalim gjatë aktivitetit të kryer në kudër të “Ditës Kombëtare të Drejtësisë”.

Lakomi tha se drejtësia në Shqipëri po fillon të funksionojë dhe Reforma në Drejtësi është një nga prioritetet kryesore për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, për luftimin e korrupsionit dhe grupeve kriminele. Dënimi i Klement Balilit është një shembull se si procesi dhe drejtësia ka funksionuar tha Lakomi.

“Ndoshta keni dëgjuar për rëndësinë e transparencës dhe se ngjarje të tilla na ofrojnë përfitime. Kështu që ju mund të kuptoni si funksionon drejtësia. Ne jemi fokusuar në ndërtimin e SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Duhet forcuar KLP-ja dhe KLGJ-ja. Puna e OPDAT është vetëm një pjesë e punës së Ambasadës Amerikane. Siç mund ta keni dëgjuar se reforma në drejtësi është një nga prioritetet kryesore. Reforma në drejtësi përfaqëson një të ardhme më të shndritshme për shqiptarët. Lufta ndaj korrupsionit është luftë e rëndësishme. Që nga momenti që erdha në Shqipëri takova shumë njerëz të zhgënjyer nga korrupsioni dhe për mënyrën se si veprojnë kriminelët. SHBA kane një mesazh; ndryshimi është rrugës. Dënimi i fundit i Klement Balilit është një shembull se si procesi dhe drejtësia ka funksionuar. Ky kriminel u vetëdorëzua dhe pronat e tija u konfiskuan. Ai mori një ndeshim të drejtë.” – tha Lakomi

Skip to toolbar