Debate në Kuvend, opozita e re akuza qeverisë: Po flirtoni me Bashën

Kuvendi ka nisur me debate seancën parlamentare, ku në fokus të diskutimeve është reforma zgjedhore. Dora e shtrirë e mazhorancës për një tryezë dialogu me Bashën, po lexohet si një flirtim dhe marrëveshje pazari nga opozita parlamentare. Deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni paralajmëroi mazhorancën se nëse do të ketë një tjetër pakt me Bashën për reformën zgjedhore, atëherë opozita parlamentare është e unifikuar në qëndrimin e saj për të votuar kundër. Gjoni tha se nuk do të lejohen të kryhen më pazare në kurriz të shqiptarëve, por bashkëpunimi për reformën zgjedhore duhet të jetë e thellë për të ndryshuar në rrënjë sistemin zgjedhor.

Vota e shqiptarëve është e blerë dhe e tjetërsuar. Në vend që ne të jemi seriozë në komisionin për reformën zgjedhore, këta vijojnë dashuriçkat dhe flirtimet me njëri-tjetrin, mazhoranca me rrugën. Që sot e tutje fillon një tjetër epokë dhe sezon parlamentar, ne duhet të ndajmë shapin me sheqerin. Doni marrëveshje në kurriz të shqiptarëve, apo të jemi seriozë dhe të fillojmë reformimin e sistemit zgjedhor? Prezenca jonë mban këtë shumicë në këmbë, kryeministri po flirton me opozitën në rrugë dhe është pranë një marrëveshje. Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk ndryshon pa votën tonë këtu. Nuk ka shans të reformohet sistemi pa votën tonë këtu.” tha Gjoni në Kuvend, duke i bërë të ditur jo vetëm mazhorancës por edhe opozitës rrugore se pa votën e tyre nuk ka mundësi që Reforma Zgjedhore të votohet dhe se opozita e re është aty për të prishur pazaret Rama-Basha nëse i bëjnë realitet.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe deputeti dhe njëherë nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, i cili tha se “sistemi aktual zgjedhor është kancer dhe se ka nevojë për një ndryshim të thellë të tij dhe jo riparim.”  

Por duket se shqetësimet e opozitës parlamentare për një pakt Rama-Basha, i ka shuar paksa kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili siguroi se nuk ka asnjë dashuri për PD. Thirrja për dialog dhe bashkëpunim në Reformën Zgjedhore, tha Balla bëhet në respekt të dialogut politik gjithëpërfshirës.

Harroje se paskam dashuri për Lulzim Bashën, por kam respekt për dialogun politik gjithëpërfshirës. Në komisionin e reformës i është lënë edhe një karrige bosh PD-së për të ushtruar të drejtën e saj për propozime. Nëse nuk duan, nuk do të thotë se reforma zgjedhore do të mbetet peng. Do të kemi një kod të ri zgjedhor pas këtij procesi” u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.

Reforma Zgjedhore është një nga pikat kryesore të Kuvendit për këtë sezon të ri parlamentar, ku mazhoranca i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit opozitës rrugore, për të cilën Basha ende nuk ka pranuar të bashkëpunojë. Megjithatë, partitë politike nuk duhet të harrojnë rolin vendimtar të opozitës parlamente, e cila ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese përmes votës së saj./ RealStory

Reforma zgjedhore, të gjithë i tremben një marrëveshje Rama-Basha

Frika e një marrëveshje Basha-Rama për reformën zgjedhore, pa marrë parasysh kërkesat reale të partive të vogla për të ndryshuar sistemin ka rritur mosbesimin e LSI dhe aleatëve të tjerë të Partisë Demokratike. Pikërisht kjo frikë bën që LSI por edhe partitë e vogla aleate me PD, të këmbëngulin të jenë pjesë e mundshme e tryezës së dialogut. Disa ditë më parë Edmond Panariti i LSI por edhe kreu i PR, Fatmir Mediun e bën të qartë se nuk duhet të ketë më një pakt Rama-Basha, por në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore duhet të ketë një përfaqësimin të gjerë të opozitës.

“Dialogu do të jetë si grup opozitar, përfaqësim të integruar të opozitës në bisedën me qeverinë për të gjetur një zgjidhje nga kjo krizë, në fakt jo me qeverinë, por me PS-në. Basha besoj se ka nxjerrë mësime nga një negociatë e ngushtë, që nuk i ngjante një kompromisi, por një pazari.”- ka thënë Panariti në një intervistë, ndërsa një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili kërkon që opozita të mos humbë kohë por të ulet me mazhorancën për të dhënë idetë e saj për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. “Opozita nuk mund të hyjë në dialog, duke vendosur kushte. Unë e kam thënë me bindje se nuk ulemi me Edi Ramën, por do ulemi me Partinë Socialiste. Këtu duhet të marrë fund historia do ulet Basha me Ramën, këtu duhet të fillojë të ulet pozita dhe opozita, të cilët zgjedhin përfaqësuesit e tyre.” është shprehur Mediu.

Mirëpo kësaj frike përveç aleatëve të PD, e ka edhe opozita parlamentare, e cila disa herë është shprehur  se nuk do të lejojë krijimin e një marrëveshje të re Rama-Basha për interesa të tyre personale. Më herët, ka qenë vetë Rudina Hajdari që iu tremb një marrëveshje të tillë duke deklaruar se, “ky marrëveshje e tretë do të ishte fundi i Bashës duke i dhënë pavdekshmërinë në pushtet Ramës”.

Mirëpo nga se lindi kjo frikë për një marrëveshje të re Rama-Basha? E gjitha nga një sinjal që dha Basha  për shenja të mundshme dialogu kur foli për një platformë kombëtare mes palëve, ndonëse tentoi të thoshte se nuk ka marrëveshje me Ramën. Frika e arritjes së një marrëveshje mes dy partive të mëdha pa ndryshuar sistemin zgjedhor do të ishte fatale për partitë e vogla. Kërkesa themelore e të gjitha partive dhe grupeve politike për reformën zgjedhore është ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke implementuar korrektimin kombëtar të votave. Ky propozim parashikon rritjen e përfaqësimin e partive të vogla në Parlament, duke dobësuar në të njëjtën kohë pozitat e dy partive të mëdha, PD-PS. Korrektimin kombëtar parashikon që votat e parive të vogla nuk shkojnë për të dy partitë e mëdha, por mblidhen në të gjitha zonat dhe prodhojnë mandat. Me sistemin aktual, nëse një parti ka vetëm një votë më pak se sa numri i domosdoshëm për të prodhuar një mandat, të gjitha votat shkojnë për partinë e madhe në koalicion ose për partinë që merr më shumë vota.

Megjithatë duket se partitë politike harrojnë rolin vendimtar të opozitës parlamente. Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese, kjo është opozita parlamentare, votat e të cilës kanë vlerë në Kuvend. Opozita parlamentare është e vetmja që mund të ndalë një marrëveshje Rama-Basha dhe e përpjekja për ta injoruar atë mund të rezultojë një dështim.

Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodh realisht me Reformën Zgjedhore dhe tryezën e mundshme të dialogut, ku Basha ende bën sikur nuk do të ulet në tryezë, ndërsa Rama është shprehur i gatshëm të pranojë çdo propozim që merr miratimin nga OSBE/ODIHR./ RealStory.al

VOA: Ndërhyrjet në sistemin zgjedhor, të pamundura të realizohen në pak javë

Në Shqipëri parlamenti nisi sot pasdite sesionin e tij të ri, në një sallë e cila do të vijojë të ketë 18 vend bosh, pas largimit të opozitës në muajin shkurt, dhe djegien e mandateve të 58 përfaqësuesve të saj. Vetëm 40 prej tyre u zëvendësuan nga emrat që ndodheshin në listat e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja socialiste për integrim, të cilët nuk ju nënshtruan vendimit politik të drejtuesve të tyre.

“Parlamenti përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale si asnjëherë gjatë tre dekadave u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konstitucionalizmi si tendencë solide e saj. Si asnjëherë në historinë e pluralizmi, Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi. Rreth 70% e mandateve janë zëvendësuar shumë shpejt nga deputetët e rinj të opozitës, gjë që ndihmoi në rikthimin e normalitetit të Parlamentit”, deklaroi në fjalën e tij hapëse kryetari Gramoz Ruçi duke ju referuar pikërisht situatës së paprecedentë të krijuar në vend.

Emëruesi i përbashkët i diskutimeve të përfaqësuesve të të gjithë krahëve politikë në sallë, ishte reforma zgjedhore. Komisioni i Posaçëm ka afat deri në muajin tetor. Shumica, siç e ka bërë të qartë kryeministri Edi Rama synon përmbylljen e saj në javët e ardhshme, në mënyrë që të realizojë rekomandimin e vitit të kaluar të Këshillit europian, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky Këshill pritet të thotë fjalën e tij në mesin e muajit të ardhshëm si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut.

Shumica, siç u shpreh dhe kryetari Ruçi por dhe drejtuesi i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i mbetet ftesës për ta realizuar këtë reformë dhe me Partinë Demokratike, duke i lënë asaj sërish përfaqësim në Komision së bashku me të drejtën e vetos. Por megjithatë, miratimin e Reformës, shumica do të duhet ta bëjë me votat e opozitës në sallë. Përfaqësuesit e kësaj të fundit i kanë mëshuar idesë së ndryshimit të sistemit zgjedhor. Dhe këtë e theksoi me forcë dhe drejtuesja e grupit Demokrat Rudina Hajdari. “Reforma zgjedhore do ti japë fund këtij sistemi që ka mbytur demokracinë e brendshme. Nuk do kemi qeverisje të mirë me një qeveri autokratike. Ndryshimi i sistemit duhet të jetë kryefjala e ndërhyrjes në reformën zgjedhore. Si opozitë jemi pro ndryshimeve kushtetuese për një sistem të ri që ofron kandidatë të denjë dhe konkurrencë të drejtë”, u shpreh zonja Hajdari, e cila përmendi gjithashtu dhe nevojën e depolitizimit të administratës zgjedhore, dhe garantimin e votës së emigrantëve.

Por ndërsa për këto dy pikat e fundit, mund të gjendet dakordësia me shumicën, ndërhyrjet në sistemin zgjedhor që kërkojnë dhe ndërhyrje kushtetuese, duken të pamundura për t’u realizuar në harkun e pak javëve. Edhe kryetari i grupit Socialist Balla nënvizoi faktin se reforma duhet të mbështetet te rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Deputetët do të nisin punën në këtë sesion me një sërë projektligjesh të rrëzuara nga Presidenti Ilir Meta, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Akademinë e Shkencave.

Shumica ka paralajmëruar rivotimin e tyre, ndërsa nesër do të rifillojë nga puna dhe Komisioni hetimor i ngritur për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Parlamenti i është drejtuar Komisionit të Venecias, një delegacion i të cilit pritet të mbërrijë në Shqipëri në fillim të javës së ardhshme. Opinioni i këtij institucioni pritet të jetë vendimtar, ndërkohë që procesi në vetvete do të dojë kohë, pasi fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të mund të plotësohet ende më numrin e nevojshëm të anëtarëve që do të lejonin funksionimin e saj./VOA

Rama: Socialistët në provë, presim opozitën për dialog

Partia Socialiste ka zhvilluar Asamblen Kombëtare, ku është bërë analiza e zgjedhjeve të 30 qershorit brenda kësaj partie. Gjatë fjalës së mbajtur nga kryeministri Edi Rama, ai shprehur falënderimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas shefit të qeverisë, u bën garante që Shqipëria të mos rrëzohej në 30 qershor. Gjithashtu, Rama u bëri kritika të forta disa deputetëve që në zgjedhjet e 30 qershorit u angazhuan pak, duke i vënë në provë të zgjedhurit e tij në dy vitetet e ardhshme. “Kush nuk do të jetë në ritmin e 30 qershorit, do të përjashtohet nga PS”, ishte ky mesazhi i prerë i Ramës për deputetët socialistë. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, Rama shprehu dhe njëherë gatishmërinë për të dialoguar me opozitën, atë jashtë parlamentit dhe atë brenda tij. Në rastin e parë, Rama tha se “opozita jashtë parlamentit ka një vend në komisionin e reformës zgjedhore, duke i ofruar edhe “veton”, por me kushtin që dialogu të mos kushtëzohet me ndryshime në Reformën  në Drejtësi. Ndërkohë, në fund të fjalës së tij, Rama bëri propozoi dhe disa ndryshime për drejtuesit politikë të qarqeve dhe sekretariateve.

Rama falënderon SHBA: Nuk lejuan që Shqipëria të rrëzohej në 30 qershor

Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë Kombëtare, e paralajmëruar për zhvillimin e një analize të gjerë brenda socialistëve pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Ishte Kryeministri Edi Rama ai që mbajti fjalën e hapjes në asamble, duke e nisur diskutimin e tij me një falënderim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas shefit të qeverisë, garantuan mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe nuk lejuan që Shqipëria të rrëzohej.  “Shqipëria u lëkund por nuk u rrëzua. Kjo dhe falë mbështetjes së SHBA ndaj shqiptarëve, në mbështetje të lirisë së zgjedhjeve dhe të të drejtës të çdo qytetari për të zgjedhur. Kështu që ma ha mëndja, se kur të flitet për këtë moment, nuk do të harrohet roli i aleatëve tanë, për të cilin nuk do të jetë kurrë mjaftë falënderimi për gjithçka bën. Shqipëria sot është çliruar nga makthi i gjithë gjysmës së parë të vitit, por mbetet në një plagë të hapur, por mbetet në nevojë për shumë kujdes politikë”.

Më pas, Rama foli për zgjedhjet e 30 qershorit dhe atë që do të ndodhë pas tyre, kryesisht në bashkitë e djathta, që tashmë do të qeverisen nga socialistët. Kryeministri u shpreh se shqiptarët e bën të tyren më 30 qershor, ndaj tashmë është radha e Qeverisë, për të treguar përgjegjshmëri dhe përulësi ndajndaj vullnetit të shqiptarëve.  “Qytetarët shqiptarët e bën të tyren mësëmiri, qoftë ata që votuan, në numra që kaluan edhe pritshmëritë më optimiste për mënyrën se si u zhvillua gjithë procesi deri në 30 qershor, dhe në në një numër votash për kandidatët tanë, që është një bazë shumë domethënëse për të vijuar më tutje. Por tani është radha jonë që të bëjmë tonën, duke e ndjerë forcën e vullnetit të rishprehur të shqiptarëve, jo si një arsye për tu ndierë ne më të fortë, por si një arsye për tu përulur shumë më tepër ndaj tyre, për të reflektuar sa më shumë ndaj tyre”, tha Rama.

Ndërkohë, duke folur pak për kundërshtarët politikë, Rama u shpreh se 30 qershori është një ditë historike, pasi pas kësaj date nuk do të ketë më djegie mandatesh apo molotov. Sipas tij, ata që guxuan të bëjnë këtë gjë, e kanë pësuar përgjithmonë. “Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, nuk do të shoh më parti molotovësh, nuk do shoh më as fronte politike kundër. Ata e guxuan dhe e ndërmorën këtë aventurë e pësuan jo vetëm për vete por edhe për të gjithë ata të tjerë që vijnë pas, besoj përgjithmonë. Por ne nga ana jonë është shumë e rëndësishme që ta besojmë deri në fund, se ne nuk fituam nga që kemi bërë vetëm punë shumë të mira”, tha Rama duke shtuar: “Nuk fituam as sepse kemi bërë aq sa mjafton, se ne nuk kemi bërë shumë punë të mira, sepse kemi bërë edhe punë që më mirë të mos i kishim bërë fare. Sepse i kemi bërë gabim, ndonjë edhe keq. Sidoqoftë punët e bëra deri këtu nuk mjaftojnë më pas 30 qershorit, rendimenti ynë qeverisës nuk mjafton aspak pas 30 qershorit, sidomos niveli i shërbimit të njerëzve të zakonshëm, jo vetëm nuk mjafton, por nuk na nderon fare. Dhe duhet të na shqetësojë shumë fare, të gjithëve. Dhe kjo është gjëja që ne duhet ta kuptojmë thellësisht dhe me të cilën duhet të jetojmë çdo ditë”shtoi kryeministri.

Sipas Edi Ramës, e vetmja meritë e PS për 30 qershorin ishte qëndresa në anën e duhur të historisë. “Ne kemi vetëm një meritë, në fitoret historike të shetit dhe qytetarëve në 30 qershor. Kemi meritën që qëndruam në anën e duhur të historisë, që bëm zgjedhjen më të vështirë. Kjo meritë është padiskutim një shprehje e natyrshme e asaj që ka qenë dhe duhet të jetë Partia Socialiste. Këtë herë PS nuk ju shmang mundësisë së përplasjes sy më sy dhe dhëmbë më dhëmbë. 30 qershori është histori, ndërsa dy vitet e mbetura të mandatit tonë qeverisës, janë një borxh më i madh se sa ishte për ne si histori. Janë një borxh i shumëfishuar ndaj të gjithë atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e 30 qershorit”, tha Rama.

Rama ‘dajak’ deputetëve të PS: Kush s`doli në fushatë, nuk do jetë më pjesë e jona

Gjatë analizës për zgjedhjet e 30 qershorit në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat për disa deputetë të PS, të cilët sipas tij u kujtuan për qytetarët vetëm javën e fundit të fushatës elektorale. “Është koha që secili në këtë sallë të bëj kilometrat e vetë. Dua ta them se sot nuk mund të ketë më deputetë që marrin malet për të takuar njerëz, deputetë që marrin njerëzit në krahë për tu zgjidhur një hall, dhe nga ana tjetër deputetët, që edhe në fushatën e 30 qershorit, kanë shkuar tek njerëzit javën e fundit. Nuk mund të ketë më anëtar të asamblesë së PS, që kujtohen për partinë vetëm me ftesa në mbledhjen e asamblesë, dhe që nuk shfaqen tek njerëzit”, u shpreh Rama. Kreu i PS dha një mesazh të fortë në këtë drejtim, duke u shprehur; “Kush nuk i përgjigjet ritmit që kërkon 30 qershori, nuk do jetë më në projektin tonë politikë në vitin 2021. Do të dalë nga projekti politik i vitit 2021. Sot, është gjëja e fundit që dua të ndodh, do dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike, cdo kryebashkiak që do bëj gabimin të mendojë se tani që po merr mandatin, mund të bëj pa njerëzit dhe mund të bëj pa ne”, tha Rama.

Duke nisur nga muaji shtator Partia Socialiste do të futet në zgjedhjet e brendshme të saj, të cilat do të përfundojnë në janar të vitit 2020. Në këtë drejtim, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky proces do të shërbejë si një proces debati kombëtar, për të folur e dëgjuar e më pas për të adresuar korrigjimet e nevojshme në qeverisjen në nivel qendror dhe vendor. “Tani PS do të hyjë në zgjedhjet e veta të brendshme nga shtatori deri në janarin e ardhshëm në kongres. Ndaj me ju bindjen se objektivi ynë për këto zgjedhje të brendshme duhet të jetë realizimi i një procesi të thellë i komunikimit dhe hapjes së PArtisë Socialiste, që kemi realizuar më parë në zgjedhjet. Kjo kërkon që gjithë lidershipi i partisë, të zbresim në tokë në kuptimin e plotë të fjalës. Në mënyrë që çdo organizatë socialiste, në 5500 që janë, të kenë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejt me ne. Në mënyrë që të krijohet mundësia e komunikimit të drejtpërdrejt të njerëzve me ne, debat në cdo organiztë me anëtarët e partisë. Debat me simpatizantët dhe cdo qytetar që do të marrë pjesë, pavarësisht bindjeve. Zgjedhjet tona të brendshme nuk mund ti ngjajnë zgjedhjeve tona të brendshme të mëparshme, por duhet të jenë një proces debati kombëtar jo vetëm partiak, për të folur e dëgjuar dhe adresuar korrigjimet e nevojshme në qeverisjen në nivel qendror dhe vendor”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u kujtoi përsëri bashkiakëve të rinj, që do të drejtojnë bashkitë që më parë drejtoheshin nga të djathtët, se nuk duhet të prekin asnjë grua që punon në administratë. “Janë jo pak ata që kaluan vijën e kuqe të ligjit më 30 qershor, dhe sot që flas nuk flenë në shtëpi. Por, dua ta them shumë qartë, kush ka thënë thjesht një viktimë e presionit për të ardhur në bulevard, nuk duhet të preket dhe nuk ka pse të preket për këtë arsye në të drejtën e tij për të vazhduar punën në bashkitë që ne nuk i fituam me kundërshtarë, por që 30 qershori na i ka lënë si barrë për të treguar kush jemi. E kam thënë shpesh herë në fushatë, dhe dua ta dëgjojnë shumë mirë kryetarët e bashkive që janë këtu, asnjë grua, asnjë vajzë, nuk do të largohet na puna në asnjë nga bashkitë e djathta që nuk janë më në duart e kryebashkiakvë të djathtë. Largqoftë që mund të dalë ndonjë që do bëj të kundërtën, por ne do bëjmë cmos që asnjë revansh politik mbi administratën të mos lejohet”, tha Rama.

Rama i prerë: I japim opozitës “veton” për reformën zgjedhore, drejtësia s`preket

Kryeministri Rama ka bërë sërish ftesën e tij drejtuar opozitës joparlamentare për të dialoguar dhe arritjen e një marrëveshje që do të sjell paqen politike për Shqipërinë dhe jo për karriget e pushtetit. Rama, me një ton të but dhe bashkëpunues, bëri thirrje që opozita të ulet dhe të diskutojë për reformën zgjedhore, madje duke thënë se i japin në dorë edhe “veton” që t’ia vendosë edhe vetë PS nëse e mendojnë të duhur, por tregon zero tolerancë për sa i përket reformës në drejtësi. Kryeministri gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS, tha se reforma në drejtësi nuk preket dhe nuk bëhet pjesë e asnjë marrëveshje politike që pengon drejtësinë  të merret me këdo që mund të jetë subjekti i saj, si majtas apo djathtas qoftë.

“Patjetër që duam paqe politike për Shqipërinë që duhet të nisë me Shqipërinë dhe jo me karriget dhe duhet të bitiset për Shqipërinë. Dora ime mbetet e shtrirë, gati për të shkruar prapë, kur të vijë momenti. Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së dhe KE-së mbetet sfidë e përbashkët me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare e cila ka edhe një vend të lirë bosh që e pret në komision. Është e mirëpritur, madje ka edhe veton. Ky është ndryshimi mes nesh dhe atyre, ata me molotov ne u japim edhe veton që të na vënë veton ne.

Ndërsa reforma në drejtësi as nuk negociohet dhe as nuk diskutohet, vetëm mbështetet. Nuk kam disponimin minimal për asnjë marrëveshje për të ndjekurat e politikanëve dhe për asnjë marrëveshje që rrezikon ose mund të rrezikojë të pengojë drejtësinë të merret me këdo që të jetë subjekt i drejtësisë qoftë djathtas, majtas, në këtë sallë apo kudo tjetër. Borxhi që na ka futur ku na ka futur populli në 30 Qershor nuk shlyhet dot. Qoftë ata që përfunduan aty ku e meritojnë. Ata që kanë hesape me drejtësinë qoftë edhe në këtë familje, i ka individuale dhe duhet ti trajtojë individualisht. Partia jonë nuk ka gatishmëri të mbrojnë, justifikojë, tolerojë askënd që mund të ketë hesape me drejtësinë”.

Rama i beson Tiranën Spiropalit, në Lezhë shkon Sandër Lleshaj

Kryeministri Edi Rama ka propozuar disa ndryshime lidhur me drejtuesit politik të qarqeve, por edhe në sekretariatet e Partisë Socialiste. Rama propozoi që në Shkodër të jetë Valdrin Pjetri drejtuesi i ri politik i Shkodrës, ndërkohë që Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati do të drejtojnë qarkun e Tiranës. Në Lezhë nuk do të jetë më Lindita Nikolla drejtuese politike, e cila do të marrë një post tjetër, ndërsa vendin e saj do e zërë Sandër Lleshaj.

“Jam gati të propozoj disa ndryshime në udhëheqjen e qarqeve. Në Shkodër qarkun do ta drejtojë kryetari i ri i bashkisë (Valdrin Pjetri). Në Tiranë për më shumë rezultat do ta drejtojnë bashkërisht Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati (ne vendin e Blerina Gjylametit)”.

“Përsa i përket sekretariatit, kemi rënë dakord që të bëjmë disa ndryshime të nevojshme. Së pari kemi menduar të kemi një sekretar që të koordinojë punën e këtyre këshillave dhe rezultatet që dalin dhe nevoja për t’u adresuar nga qeveria apo institucionet e tjera. Për këtë ngarkojmë Ilir Beqjan që të bëjë këtë punë” tha Rama.

Reforma Zgjedhore, në shtator. Sfidë, listat e hapura

Reforma Zgjedhore pritet të jetë tema që do të mbizotërojë në skenën e politikës shqiptare në nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator.

Maxhoranca dhe kryeministri Rama e kanë dhënë dakordësinë e tyre për t’u ulur në një tryezë bisedimi si me opozitën parlamentare ashtu edhe me opozitën jashtëparlamentare për të diskutuar mbi këtë reformë. Edhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla njoftoi në seancën parlamentare të së enjtes së shtatori do të sjellë zhvillime të reja në drejtim të reformës zgjedhore.

“Shtatori po vjen, dua t’iu them se në shtator na pret një punë shumë intensive që t’i japim Shqipërisë një kod elektoral që të mos ketë më problematika si në gjithë këto vite”, tha Balla.

Por cila do të jetë sfida e partive politike për të gjetur konsensusin për Kodin e ri zgjedhor?

Deri tani janë lexuar qartë kërkesat e opozitës parlamentare madje edhe kërkesat e aleatëve të Bashës, por ende nuk kemi një qëndrim të qartë të dy partive të mëdha. Maxhoranca thotë se është gati të diskutojë gjithçka që lidhet me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa nga PD deri tani nuk ka ndonjë qëndrim të qartë për reformën zgjedhore.

Pritet që sfidë e ndryshimeve në KOD të jetë kërkesa për lista të hapura të deputetëve.

Opozita e re me në krye Rudina Hajdarin e cila është bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, është shprehur se ndryshimi i madh do të vijë përmes listave të hapura. Pra, kërkesa e saj është që kryetari i Partisë të mos e këtë më në dorë se kush futet në parlament, ku kandidati për deputet vihej në një listë dhe në varësi të votave për partinë futeshin në Kuvend të parët në lista.

“Ndryshimi i sistemit zgjedhor është një nevojë imediate per popullin shqiptar. Ne duhet të implementojmë sa më shpejt rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe të luftojmë fenomenin e shitblerjes së votës. Duhet të shikojmë me vëmendje se nga vijnë burimet financiare të çdo partie, që tashme duket sikur janë kthyer në korporata që janë në shërbim të kryetarëve të tyre. Mungesa e demokracisë brenda tyre ka sjellë një përçarje të elektoratit dhe spektrit politik”, është shprehur Hajdari.

Edhe aleatët e Bashës kanë kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor dhe lista të hapura deputetësh. Nuk dihet ende nëse kjo kërkesë e tyre do të pranohet nga dy partitë e mëdha dhe nëse Rama e Basha do të pranojnë të heqin dorë nga privilegji për të përcaktuar deputetët në listë. Pra duket se kjo do të jetë sfida e dy partive të mëdha.

Ndërkohë komisioni i posaçëm parlamentar parlamentar për Reformën Zgjedhore e ka mandatin deri në nëntor të këtij viti. Sipas kalendarit të këtij komisioni, brenda 30 shtatorit do të përmbyllet shqyrtimi i çështjes së votës së emigrantëve dhe teknologjitë e reja në procesin e votimit.  Deri më 31 Tetor komisioni do të ketë një produkt për çështjen e financimit të partive politike. Brenda 28 Nëntorit, komisioni do duhet të ketë përmbyllur edhe diskutimet mbi çështjen e sistemit zgjedhor.

Shumë të shqetësuar për problemet e rënda që sistemi zgjedhor në tërësinë e tij mbart. Mospërfaqësimi i vërtetë i…

Gepostet von Rudina Hajdari am Freitag, 24. Mai 2019

Rudina Hajdari parti të re? Jam ne pd. ne kuvend per ndryshimin e sistemit

Në emisionin “Real Story”, drejtuesi i emisionit Sokol Balla pyeti kryetaren e grupit parlamentar të deputetëve të djathtë në parlament, nëse ajo dhe deputetë të tjerë janë duke ndërmarrë nismën e një krimijimit të një partie të re. Hajdari, ndonëse nuk dha një përgjigje të prerë, u shpreh se kjo nismës, sipas saj, kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor, me qëllim që nëse kjo nismë do të konkretizohet, futja në farë të jetë në kushte të barabarta.

“Formimi i një lëvizje të re kërkon dryshimin e sistemit, sepse kështu nuk bëhesh dot pjesë e garës. Grupi jonë parlamentar, pjesa më e madhe e opozitës që është në parlament, kushdo që do ti bashkangjitet kësaj lëvizje për të ndryshuar sistemin, është puna jonë. Fundja kemi pasur komisionin e reformës zgjedhore që nuk ka pasur asnjë rezultat. Nuk duhet të harrojmë, pa pasur dakordësinë dhe pa përfshirë opozitën në parlament…”.

Sido që të shkojë marrëveshja, zgjidhja do kalojë në rrugë institucionale. Reforma zgjedhore është kusht jo për të zgjidhur krizën, por se ne do kryesojmë OSBE/ODIR.  Unë nuk kërkova të dilja jashtë nga PD, madje nuk kam asnjë letër që të më thotë që kam dalë nga PD. Unë jam anëtare e PD-së, nuk isha unë ajo që zgjodha të isha jashtë Partisë Demokratike. Unë vazhdoj të përfaësoj demokratët”.

Do shikojmë situatën, po patjetër që po, por që Shqipërisë i duhet një alternativë reale. Nuk kam parë diçka konkrete apo një platformë të Bindjes Demokratike. Unë do doja një platformë që të bazohej në disa pika që ka nevojë rinia shqiptare apo ekonomia. Kështu që mendoj se ka disa hapësira ku mund të punohet fortë”, ka thënë Rudina Hajdari. /Realstory.al/

Opozita parlamentare kërkon tryezë për reformën zgjedhore

Opozita e re parlamentare e përbërë nga 38 deputetë kanë firmosur një kërkesë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ku kërkojnë një tryezë të hapur për diskutimin e reformës zgjedhor. Ka qenë vetë deputetja Rudina Hajdari dhe njëherësh kryetarja e Grupi Parlamentar Demokrat në parlament që ka bërë publike këtë kërkesë.

Mospërfaqësimi i vërtetë i popullit në organet e zgjedhura, përqendrimi i pushtetit në një rreth të ngushtë personash dhe shit-blerja e votës kanë qenë disa nga problemet që Hajdari ka listuar.

“Shumë të shqetësuar për problemet e rënda që sistemi zgjedhor në tërësinë e tij mbart. Mospërfaqësimi i vërtetë i popullit në organet e zgjedhura, përqendrimi i pushtetit në një rreth të ngushtë personash, shit-blerja e votës, partizimi i procesit zgjedhor (administrimi politik/partiak i zgjedhjeve), barazia reale e votës qytetare, keq-përdorimi i burimeve shtetërore janë ndër problemet më themelore që duhet të adresohen përmes reformës elektorale. Defiçencat e sistemit zgjedhor janë drejtpërdrejtë defiçenca për “Demokracinë e Shtetin e së Drejtës”. Eventualisht këto janë pasoja tepër të dëmshme për qytetarët Shqiptarë, organizimin institucional e shoqëror në tërësi.”

Hajdari tha se forcimi i demokracisë përmes sistemit zgjedhor është një ndër objektivat e opozitës në parlament.

“Grupi Parlamentar Demokrat ka ndër objektivat e tij kryesore: “reformimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri” me synim forcimin e demokracisë, evropianizimin e procesit elektoral (në tërësinë e tij) rritjen e besimit publik në organet e zgjedhura, rritjen e pjesëmarrjes qytetare në procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve e të demokracisë aktive. Në këtë drejtim 38 deputetë të opozitës nënshkruan një kërkesë ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe mazhorancës për të mbledhur një tryezë me forcat e ndryshme politike dhe shoqërinë civile për të hapur një diskutim të gjerë publik për reformimin e sistemit zgjedhor.”

Shumë të shqetësuar për problemet e rënda që sistemi zgjedhor në tërësinë e tij mbart. Mospërfaqësimi i vërtetë i…

Gepostet von Rudina Hajdari am Freitag, 24. Mai 2019

Mblidhet komisioni i Reformës Zgjedhore, Hajdari: Të ndryshojmë sistemin aktual

Është zhvilluar sot mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, nën drejtimin e Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdari, pas arritjes së marrëveshjes në parlament.

Gjiknuri tha se bashkëpunimi do të sjlell një produkt më të mirë dhe zgjedhje më cilësore.

“Uroj të krijojmë një klimë të mirë bashkëpunimi. Bashkë kemi mundur, kur ishim në opozitë, të bisedojmë, të gjejmë marrëveshjet e duhura dhe të kalojmë reforma konsensuale. Zgjedhjet këtë vit kanë përmirësime. Me kimën e mirë të bashkëpunimin do kemi mundësi të kemi produktin më të mirë. Kërkoj mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe atyre që janë këtu për të na mbështetur qoftë me një kontribut modest. OSBE e ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë asistencë, ne e mirëpresim. Presim dhe donatorët e tjerë për bashkëpunim dhe mbështetje”, tha Gjiknuri.

“Ndaj opinion të ndryshëm nga Gjiknuri, por kjo nuk do të thotë që nuk do bashkëpunojmë, pasi jemi këtu për një arsye të vetme, ndryshimi i sistemit politik.” tha Hajdari gjatë fjalës së saj. Ajo tha se zgjedhjet janë kthyer në shit-bjerje të votës dhe se opozita dhe pozita duhet të sigurohen që të krijojnë një sistem që nuk është i kapur nga partitë politike.

“Sistemi aktual është i dominuar nga anti-kushtetueshmëria, klasa politike nuk është e përfaqësuar nga njerëzit, por përfaqësohet në mënyrë të padrejtë në Kuvend. Shqiptarët janë të interesuar për këtë reformë. Kjo reformë kërkon vullnet të gjerë politik. Në këto tri dekada komisionet nuk kanë prodhuar reforma të mira. Duke marrë parasysh sfidën e madhe që kemi përpara, fakti që jemi ulur këtu tregon se ka një konsensus të gjerë për diskutim për ndryshimin aktual të sistemit. Zgjedhjet kanë qenë problematike dhe janë përdorur shumë nga partitë e mëdha, dhe sistemi aktual ka qenë gracka e kësaj, duke mos i dhënë prioritet popullit. Kemi arritur në një pikë ku një mandat kushton gati te 1 milion euro. Sot nuk mund të futesh në Kuvend pa pasur fond të caktuar. Tregu i zgjedhjeve është kthyer në treg të zi të shit-blerjes së votës. Ne do të bazohemi në tri pika kryesore. Ne duhet të gjejmë një sistem që nuk është i kapur nga partitë politike, që ua zvogëlon atyre mundësinë për të qenë pronarët e tyre dhe ju jep mundësi përfaqësuesve të jenë të zgjedhur nga populli. Zgjedhja e opozitës jashtë për të mos qenë pjesë e këtij komisioni nuk na pengon të garantojmë votën e lirë e të ndershme për të gjithë shqiptarët.” – deklaroi Hajdari

Arsyeja pse PD refuzon të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit në emër të kryetarit Gramoz Ruçi i dërgoi një shkresë zyrtare Partisë Demokratike, përmes të cilës e ftonte të merrte pjesë në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike i ka kthyer përgjigje negative ftesës së Kuvendit duke dhënë edhe arsyet pse PD refuzon të marrë pjesë në këtë komision.

Në shkresën zyrtare Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruan se “asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”.

Të martën mblidhet komisioni për Reformën Zgjedhore. Ruçi fton PD-në

Ditën e martë do të zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit të ri Parlamentar për Reformën Zgjedhore që drejtohet nga Damian Gjiknuri për PS-në dhe nga Rudina Hajdari për PD-në. Por kryetari i kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër edhe selisë blu që nuk ka asnjë përfaqësues në parlament për shkak të djegies së mandateve, që të marrë pjesë në komision.

“PD të caktojë përfaqësuesin në Komision”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e PS-së. Mbledhja e Komisionit do të zhvillohet më 7 maj, ora 17:00.

Skip to toolbar