Kuvendi ka miratuar të enjten dhënien me koncesion për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Kontratat koncensionare parashikojnë që kompanitë të ndërtojnë dy akset rrugore me paratë e tyre dhe më pas të shlyhen nga buxheti i shtetit pas disa vitesh.
Kuvendi ka miratuar me 79 pro, 26 kundër, 3 abstenim projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”.
Aksi Milot-Balldren, i gjatë 17.2 kilometër do të ndërtohet me paratë e koncesionari ANK dhe do të paguhet nga shteti me këste për 13 vjet. Kosto e saj kap një vlerë pre 256 milionë euro me TVSH, në të cilën përfshihet nderimi por edhe mirëmbajtja e saj në 13 vite. Kjo kontratë ka ngjallur debate me opozitën, që ka denoncuar rastin për konton e lartë që ka marrë kjo rrugë.
Por jo vetëm opozita. Miratimi kontroversial i këtij aksi, që pritet të ketë një kosto për taksapaguesit prej gati 15 milion eurosh për kilometër, për 13 vjet, është goditur të enjten pasdite nga gazeta më e madhe në vend Panorama. Sipas burimeve mediatike dhe politike, koncesioni i është dhënë një firme të afërt me grupin mediatik Klan.
Panorama
“Brenda vitit, Rama i jep mikut të tij 526 milion euro”- Vokshi: Koncesioni Milot-Balldre, rekordi i korrupsionit Lexo të plotë
Milot-Balldren është vepra e tretë e paketës “1 Miliard” euro, e programit të investimeve në periudhën afatmesme 2019-2021 ku synohet përfundimi i pesë akseve rrugore nacionale: Rruga e Arbrit, Thumanë–Vorë–Kashar, Kashar–Rrogozhinë; Milot–Balldren; Orikum–Dukat, nëpërmjet partneritetit publik-privat.
Ish-deputetja Albana Vokshi, reagoi gjatë të enjtes duke denoncuar koncesionet e reja për dy akse rrugore në vend që do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 328 mln euro. Vokshi tha se koncesioni i aksit Milot-Balldre jepet për dy persona të njohur për lidhjet e ngushta familjare me Edi Ramën, duke shtuar se me këtë koncesion, kryeministri thyen çdo rekord korrupsioni dhe klientelizmi.
“Brenda 1 viti, Edi Rama i ka dhënë familjes së mikut të tij personal, Ndue Kola, 526 milion euro ose gati 5% të Prodhimit Kombëtar nëpërmjet koncesiont të sotëm dhe atij të rrugës së Arbrit, që ndërtohet nga e njëjta familje. Koncesioni Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat është pjesë e projektit kriminal “1 miliardë euro”, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista, koston e së cilës e paguajnë qytetarët shqiptarë.” – tha Vokshi
Kuvendi miratoi edhe koncesionarin për rrugën Orikum –Dukat me 77 vota pro dhe 23 vota kundër. Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”” parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro, në të cilin përfshihet ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës.
Kjo rrugë do të ketë një gjerësi 7 metra, me dy korsi. Së bashku me bankinën, gjerësia e seksionit të rrugës arrin në 10 metra. Për tre vitet e para, kompania Gjikuria do të shpenzojë 25% nga fondet e saj për ndërtimin e rrugës dhe më pas fillon shlyerja.