Balla: KLP edhe KLGJ të hetojnë gabimet procedurale

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla e ka cilësuar të turpshëm vendim e gjykatës për pushimin e çështjes me lobimin rus në SHBA, ku i akuzuar kryesor ishte kryedemokrati Lulzim Basha së bashku me ish-Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani dhe financierin e PD, Ilir Dervishi.

Balla tha se një vendim i tillë tregon se gjyqtarët që nuk kanë kaluar ende vettingun po zbatojnë parimin e “kap ç’të kapësh” me teatro të tilla, ndërsa paralajmëroi se do të ketë apelim të çështjes duke i bërë thirrje Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të hetuar gabimet procedurale që janë bërë me dashje për këtë çështje.

“Prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë” tha Balla duke shtuar se përfituesi i parave Nik Muzin duhet të merret në pyetje dhe kjo dosje e rëndë nuk mund të mbyllet pa u hetuar në themel.

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.

Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.

Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin ‘kap çfarë të kapësh’, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë.

Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, shkruan Balla në facebook.

Gjykata e Tiranës pushoi të hënë çështjen në ngarkim të kreut të PD, Lulzim Basha dhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të PD Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, në lidhje me lobimin rus në SHBA me pretendimin se nuk ekzistojnë prova.

Rezoluta e Kuvendit, Rusia kërcënon Shqipërinë

Një ditë përpara se në Kuvend të miratohet projekt-rezoluta “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, reagoi ambasada e Rusisë në Tiranë. Me anë të një komunikate në faqen e saj zytare, ambasada ruse kërcënon autorët e rezolutës por dhe Shqipërinë, se kjo nuk do të kalojë pa u vënë re në Rusi.

“Është e qartë se Shqiperia po përballet me «tentativa nga aktorë të huaj (…) për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut…” (pika а) preambul i dokumentit). Po ç’hyn këtu Rusia? Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla  nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi”.

“Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta  të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin Evropian”, shkruan ambasada.

Ambasada pretendon se në rezolutën që do të miratohet nga Kuvendi, Rusia përmendet pa provën më të vogël. “U njohëm me projekt-rezolutën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare». Rusia përmendet sërish. Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

Më tej, ambasada e Rusisë në Tiranë vijon me sulmet e saj, duke u shprehur se “projekt-rezoluta” është plagjiaturë e asaj të Parlamentit Evropian. “Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap “si një virus” tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Evropian”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës ruse.

Ky është sulmi i radhës që ambasada e Rusisë në Tiranë i bën Shqipërisë dhe deputetëve të Kuvendit, që kanë hartuar rezolutën për ndërhyrjet e huaja. Më herët, kur kjo rezolutë u diskutua në komisionet parlamentare, ambasada e Rusisë përdori tone kërcënuese për deputetët apo partnerët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Në 10 tetor të këtij viti, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të ngjashme për ndërhyrjet në fushata elektorale të vendeve të huaja dhe për dizinformimin. /Realstory.al/

Euro 2020/ Tripleta e Hazard dhe Lukaku, shkatërrojnë Rusinë

Belgjika duket se do të marrë 30 pikë në eleminatoret e Euro 2020, pasi mundi Rusinë në ndeshjen e parafundit në Grupin I me rezultatin 4-1. Me tripletën e Hazard që gjeti tre herë rrjetën në pjesën e parë, dhe golin e Lukakut në të 72`, Belgjika mori një fitore bindëse përballë Rusisë që shënoi në të 79` me Dzhikiya golin e nderit në këtë sfidë. Tre pikët e mbajnë Belgjikë në vendin e parë me 27 pikë, ndërsa Rusia kualifikohet pasi ndodhet në vendin e dytë me 21 pikë.

Skuadra belge luan dy ditë më pas takimin e fundit në grup ndaj Qipros, duke pasur shanset që marrë një tjetër fitore dhe t`i mbyllë kualifikueset me 30 pikë, si asnjë ekip tjetër. Ndërkohë, Skocia fitoi përballë Qipros me rezultatin 2-1 në këtë grup, duke shkuar 12 pikë, por që mbeten për statistikë pasi kualifikimi është çështje e mbyllur.

Uellsi mundi Azerbajxhanin në Grupin E, duke u ngjitur në vendin e tretë në grup dhe rritur shanset për kualifikim, pasi do të ketë në sfidë direkte Hungarinë në ndeshjen e fundit. Aktualisht, situata në këtë grup është e tillë; Kroacia kryeson dhe ka siguruar kualifikimin me 17 pikë, Hungaria në vendin e dytë ka 12 pikë, ndërsa Uellsi me 11 pikë ndodhet në vendin e tretë.

Rusia sulmon Bushatin pas deklaratës në Real Story

Ambasada e Rusisë në Tiranë reagoi pas deklaratave të deputetit socialist në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, ku foli për rezolutën kundër ndërhyrjeve të huaja në Shqipëri, që po përgatitet për miratim në Kuvend. Bushati u shpreh në Real Story se “Shqipëria nuk është imune ndaj virusit rus”. Ambasada Ruse e sulmon ashpër deputetin socialist, duke e cilësuar analfabet, madje i rekomandon atij të lexojë një studim për sigurinë e informacionit, botuar në Rusi.

“Pasi kemi dëgjuar argumentet e autorit të rezolutës, z. Ervin Bushati për një farë virusi, me anë të të cilit rusët mund të “infektojnë” gjithë kompjuterët në rajonin e Ballkanit, u bindëm për analfabetizmin kompjuterik të krijuesve të kësaj “vepre”. Me këmbëngulje u rekomadojmë të lexojnë librin “Siguria Ndërkombëtare e Informacionit” të sapobotuar në Rusi të një prej specialistëve më të mëdhenj të MPJ-së ruse në këtë fushë”, shkruhet në deklaratë.

Por, sulmet e Ambsadës së Rusisë në Tiranë nuk janë vetëm ndaj Bushatit, por edhe ndaj aleatit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkura të Amerikës. Sipas ambasadës ruse në Tiranë, sa herë që Rusia është akuzuar  për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, sipas saj, nuk ka pasur fakte konkrete. Ajo shkruan se autoritetet shqiptare po trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” e brendshme, ndërsa akuzon se e “gjitha kjo po ndodh nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

 “Sa herë që jemi akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Tiranës, ne kemi pritur me padurim të paktën edhe një provë për këtë. Por, miqtë tanë shqiptarë nuk kanë mundur të paraqesin as edhe një provë. Është fatkeqësi që autoritet shqiptare trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” ekzistuese në politikën e brendshme, nga të cilat ne qëndrojmë larg. Është për të ardhur keq që e gjitha kjo po ndodh dukshëm nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve (ah po, kjo nuk quhet ndërhyrje në punët e brendshme)”, shkruhet gjithashtu në deklaratën e Ambasadës së Rusisë në Tiranë.

Mediu në Real Story: Rusia përpiqet të infiltrohet kudo

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, u shpreh në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se diskutimi për influencën ruse në vend është i vonuar. “Jemi vonë në diskutimin për influencën ruse. Gjuha e projekt-rezolutës për ndërhyrjet e huaja ëhstë e përgjithshme. Mendoj se do ishte shumë e rëndësishme që të kishte një burim të qartë informacioni nga strukturat informative”, tha Mediu.

Sipas tij, Shqipëria ka shumë sektorë që janë vurnerabël ndaj influencave të huaja. Ai u shpreh se Rusia ka ndryshuar qasje në raport me Ballkanin. “Ka sektor shtetëror që janë shumë vurnerabël ndaj influencave të huaj. Rusia ka ndryshuar qasje me Ballkanit. Ajo përpiqet që të infiltroj kudo që të jetë e mundur, në media, në ekonomi”, tha Mediu.

Sipas kreut të PR, problemi më i madh është influenca ruse dhe ajo kineze në ekonomi. Sipas tij, SHBA ka një ligj të veçantë që parandalon këto influenca, ndërsa Shqipëria nuk ka filtra parandalues. “Paraqitja e kësaj rezolute, do të thotë që ne kemi një kërcënim të sigurisë kombëtare. Një nga problemet më të mëdha janë investimet që vijnë nga Rusia dhe Kina. Në SHBA ka një ligj të veçantë që për investime që cënojnë sigurinë kombëtare të Amerikës, nuk lejohen të zhvillohen. Ne nuk e kemi një filtër të tillë. Nga fjalë ne duhet të kemi institucione që funksionojnë”, tha Mediu. /Realstory.al/

SHBA masakron BE: I hapët rrugën Rusisë në Ballkan

SHBA kritikon ashpër vendet e Bashkimit Europian që dolën kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në raportimin përpara Komitetit të Punëve të Jashtëme në Senat, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, shprehet se mosveprimi i Këshillit Europian lumturoi Rusinë dhe Kinën.

“Mosveprimi i Këshillit Evropian javën e kaluar rrezikon besueshmërinë e BE jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Evropën dhe globalisht. Duke mos njohur në mënyrë të qartë arritjet e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe vazhdimi i ngecjes së zgjerimit, Këshilli Europian u dërgoi një sinjal negativ aspirantëve të tjerë, se dera për në Evropë është e mbyllur”.

“Ai gjithashtu dobëson argumentet që pohojnë dobinë e miratimit të reformave të vështira dhe bërjen e kompromiseve të guximshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet rajonale dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit demokratik. Më në fund, krijon një boshllëk udhëheqës që Rusia, Kina dhe të tjerët janë më shumë se të lumtur për të mbushur”, tha Palmer.  

Mathew Palmer shtoi se ky mosveprim i Këshillit Europian për të njohur progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është zhgënjyes për Shtetet e Bashkaura të Amerikës.

“Jemi zhgënjyer thellësisht nga dështimi i vendeve anëtare të BE-së për të aprovuar hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë javën e kaluar në Bruksel. Edhe pse ne nuk jemi anëtarë të BE-së, ne jemi dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian më 29 maj se të dy vendet kanë bërë përparim të rëndësishëm të reformave, duke përmbushur kushtet e Këshillit Evropian dhe duke krijuar një themel të fortë për të vazhduar reformat gjatë hapjes dhe mbylljes së kapitujve të acquis”, thotë Palmer./Realstory.al/

Euro 2020/ Rusia ndjek Belgjikën. Hungaria mbetet në garë

Rusia siguroi kualifikimin në Euro 2020, pasi mundi Qipron në shtëpi me rezultatin 5-0. Skuadra ruse siguroi 21 pikë, duke mbajtur vendin e dytë të Grupit I, ndërsa vendi i parë mbahet nga Belgjika me 24 pikë, teksa janë ende për tu luajtur dhe 2 ndeshje. Ndërkohë, Qipro mbetet përkohësisht në vendin e tretë në këtë grup me 10 pikë.

Sa i përket ndeshjes mes Qipros dhe Rusisë, miqtë kaluan në avantazh që në minutën e nëntë me Cheryshev, ndërsa Osdoev dyfishoi në të 23`. Qipro mbeti me dhjetë lojtarë në minutën e 28, pasi doli Laifis me karton të kuq. Ndërkohë, në pjesën e dytë, Rusia shënon dhe tre gola të tjerë.

Dzyuba në të 79`, Golovin në të 98` dhe Cheryshev në të 90+2`, vulosën takimin duke i siguruar skuadrës ruse kualifikimin. Takimi tjetër i këtij grupi ishte ai mes Socisë dhe San Marions. Skocezët shënuan gjashtë herë në portën kundërshtare, me tripletën e McGinn në pjesën e parë, dhe Shankland në të 65`, Findlay në të 67` dhe Amrsong në të 87`, i dhanë tre pikë skuadrës së Skocisë. Megjithatë, pikët vlejnë për statistikë pasi dy vendet e para në grup siguruan kualifikimin.

Hungaria fitoi 1-0 ndaj Azerbajxhanit në Grupin E. Një gol i shënuar në minutën e dhjetë nga Korhut, i dha tre pikë të rëndësishme skuadrës hungareze, që ngjitet në vendin e dytë në grup me 12 pikë. Vendi i parë mbahet nga Kroacia me 13 pikë, ndërsa në lojë është dhe Sllovakia që ka 10 pikë.

Trump dhe Macron, dakord që Rusia të ftohet në samiti e G-7

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord se Rusia duhet të ftohet për të marrë pjesë në samitin e G-7s vitin e ardhshëm, megjithëse udhëheqësi francez dëshiron që ftesa të jepet me kusht që Rusia të bëjë përparim në bisedimet për paqen në Ukrainë.

Rusia duhet të jetë pjesë e G7s, thotë Presidenti Trump, duke fajësuar ish-presidentin Barack Obama për pezullimin e Rusisë nga ky grup në vitin 2014.

“Për shkak se Putini ia hodhi, Presidenti Obama mendoi se nuk ishte gjë e mirë që Rusia të ishte pjesë e grupit, prandaj kërkoi daljen e saj,” tha Presidenti Trump.

Ajo që dihet është se ish-Presidenti Obama dhe një shumicë e vendeve të G-8s donin daljen e Rusisë, pasi Presidenti rus Vladimir Putin aneksoi Krimenë nga Ukraina

Sugjerimi i zotit Trump për ta rikthyer Rusinë në tryezë nuk ishte befasi për shumicën e analistëve.

“Mendoj se deklaratat e presidentit janë në përputhje me përpjekjet e tij për ta kthyer gradualisht Rusinë në bashkësinë ndërkombëtare pa kushte paraprake. Mendoj se është kundër-produktive dhe e rrezikshme që t’i dërgohet Rusisë sinjali se në thelb ajo mund të ftohet përsëri në klubin e lojtarëve të respektuar ndërkombëtarë, edhe pse vazhdon të mbajë të mbajë të pushtuar jo vetëm Krimenë, por edhe Ukrainën Lindore,” thotë Mark Simakovsky i Këshillit Atlantik në Uashington.

Në një bisedë telefonike me zotin Trump, Presidenti francez Macron ra dakord se pezullimi i Rusisë duhet të hiqet, por me një parakusht shumë të qartë: që të ketë përparim në bisedimet e paqes për Ukrainën.

Disa në bashkësinë diplomatike besojnë se arritja e rezultateve të prekshme në këto bisedime duhet të përcaktojë nëse G-7 mund të bëhet përsëri G-8 me pjesëmarrjen e Rusisë në vitin 2020.

“Është e qartë se Franca është shumë e përfshirë dhe e angazhuar në dialogun e Minskut, për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Mendoj se deklaratat e zotit Macron janë një joshje që Federata Ruse të arrijë ndonjë përparim pozitiv për paqen në Ukrainë,” thotë Mark Simakovsky.

Në Moskë, kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës së Shtetit, Leonid Slutsky, i tha agjencisë së lajmeve TASS se kthimi në G-8 nuk është qëllim në vetvete për Rusinë.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se Presidenti Trump pritet ta ngrejë çështjen nëse Rusia duhet të kthehet në tryezë kur G-7a të mblidhet në Francë këtë fundjavë./VOA/

Rusi, autoritetet përndjekin opozitën në prag të zgjedhjeve

Autoritetet ruse kanë thirrur për të marrë në pyetje tetë politikanë të opozitës, pasi burgosën për 30 ditë kundërshtarin kryesor të Kremlinit, Alexei Navalny. Opozita ka protestuar për skualifikimin e disa kandidatëve të pavarur që synonin të kandidonin për këshillin bashkiak të Moskës në zgjedhjet e 8 shtatorit, duke sfiduar kështu kontrollin e partisë në pushtet në këtë organ legjislativ lokal. Siç njofton Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës, zgjedhjet në Moskë mund të influencojnë politikat mbarëkombëtare prandaj Kremlini mban kontroll të rreptë mbi procesin.

Opozita organizoi një tubim të madh në Moskë më 20 korrik dhe pritet të mbajë një tjetër ditën e shtunë, për të protestuar kundër heqjes së rreth 30 kandidatëve të pavarur nga fletët e votimit. Zyrtarët zgjedhorë thanë se kandidatët e refuzuar nuk kanë sjellë firmat e mjaftueshme nga votuesit për t’u kualifikuar. Sidoqoftë, në listën e kandidatëve të kualifikuar mungojnë qartazi kritikët e Kremlinit.

“Jemi të zemëruar për paligjshmërinë. Qeveria po ndalon kandidatët e pavarur. Është e pamundur që për të 30 të pavarurit të kishte probleme me firmat e mbledhura”, thotë studenti Alexander Polovinkin.

Udhëheqësi kryesor i opozitës ruse, Alexei Navalny, u arrestua të mërkurën, me sa duket për të pebguar tubimin e ardhshëm. Arrestimi i tij u pasua nga një sërë bastisjesh gjatë natës në shtëpitë e kandidatëve të opozitës. Bastisjet u bënë pas tubimeve të fundit përpara zyrave të komisionit zgjedhor dhe kërcënimeve të supozuara të bëra ndaj zyrtarëve zgjedhorë.

Tetë kandidatë u thirrën për t’u marrë në pyetje të enjten. “Është një përpjekje për të na trembur. Kërkojnë të kufizojnë të drejtat tona zgjedhore duke na sakatuar. Nuk do ta tolerojmë këtë gjë!”, thotë Ilya Yashin, kandidat i opozitës.

Presidentja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, u tha kandidatëve të refuzuar se protestat në rrugë nuk do të sjellin ndonjë ndryshim. “Mund të duket e padrejtë, por sipas ligjit të ri, nuk mund të regjistrohet kushdo”, thotë zonja Pamfilova. Njëra prej kandidatëve të skualifikuar, juristja anti-korrupsion Lyubov Sobol, reagoi duke thënë se protestat janë e vetmja zgjidhje që i ka mbetur opozitës.

“Ishim të gatshëm të luftonim përmes programeve tona politike dhe ideve tona, përmes një procesi të ligjshëm. Por, nuk na lejuan. As emrat tanë nuk gjenden në fletët e votimit. U veprua në mënyrë aq të keqe, saqë tani banorët e Moskës nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të luftojnë për të drejtat e tyre në rrugë”, thotë zonja Sobol, kandidate e opozitës.

Grupet e të drejtave të njeriut e përkufizuan “jotransparent” procesin e verifikimit të mbledhjes së firmave dhe u bënë thirrje autoriteteve zgjedhore të lejojnë regjistrimin e të gjithë kandidatëve që patën mbledhur numrin e kërkuar të firmave për të marrë pjesë në zgjedhje. Në të kundërt, thonë ato, qeveria ruse rrezikon të izolohet nga populli./VOA/

Gjermani – Rusi, tentativa për të “ngrohur” marrëdhënien

Pavarësisht mosmarrëveshjeve Gjermania dhe Rusia duan tё afrohen pёr zgjidhjen e konflikteve ndёrkombёtare. Kёtё e sinjalizuan ministrat e jashtëm Heiko Maas dhe Sergej Lavrov nё takimin nё Petersberg.

Ministri i Jashtёm gjerman Heiko Maas dhe homologu i tij rus Sergej Lavrov theksuan domosdoshmёrinё pёr bashkёpunimin mes dy vendeve. “Vetёm pёrmes diskutimit tё hapur dhe dialogut ne mund tё arrijmё rezultate, qё i ҁojnё vёrtetё pёrpara vendet tona”, tha Maas. Sipas tij “nuk ka pothuajse asnjё nga ҁёshtjet emergjente tё politikёs botёrore”, qё mund tё zgjidhet pa Rusinё.

Lavrov sёrish sinjalizoi njё takim tё ri tё nivelit tё lartё mes Rusisё, Ukrainёs, Gjermanisё dhe Francёs lidhur me konfliktin e ngrirё nё Ukrainё. Por ai nuk pёrmendi njё datё konkrete. Takimin e parё tё kёshilltarёve tё politikёs sё jashtme tё tё katёr shteteve ai e vlerёsoi si hap konstruktiv. Por asnjёri nga ministrat nuk sinjalizoi rifillimin e konsultimeve qeveritare gjermano-ruse tё ndёrprerja prej krizёs sё Ukrainёs. Maas dhe Lavrov morёn pjesё nё Dialogun e Petersbergut nё Königswinter pranё Bonit. Nё forumin ruso-gjerman tё diskutimit merrnin pjesё 300 pёrfaqёsues nga politika, ekonomia, kultura dhe fusha tё tjera shoёrore. Me takimin e ministrave tё jashtёm pёr herё tё parё qё pas krizёs sё Ukrainёs u zhvillua njё kontakt i kёtij niveli tё lartё qeveritar. Kjo konsiderohet si shenjё e ҁtensionimit nё marrёdhёnit gjermano-ruse.

Dialogu i Petersbergut u themelua nё vitin 2001 nga presidenti i Rusisё Vladimir Putin dhe ish-kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder. Qysh atёherё ky takim zhvillohet ҁdo vit me pёrjashtim tё vitit 2014, kur Rusia aneksoi Krimenё. /DW

Skip to toolbar