Basha e quan sulm politik, kallëzimin penal ndaj kryebashkiakut

IKMT kallëzoi penalisht një ditë më parë, kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, por sipas kryetarit të PD-së, Lulzim Basha ky është një sulm politik i Ramës.

Sipas IKMT-së, Sakja së bashku me dy persona të tjerë në bashkinë e Kavajës kanë dhënë 7 leje ndërtimi në kundërshtim të hapur me ligjet.

Por Basha thotë se ky është një sulm i pastër politik i Ramës, i cili “mbron Vangjush Dakon që pasurinë publike ua dha kriminelëve”.

DEKLARATA E BASHËS

Kallëzimi penal kundër Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, është sulm politik kundër kundërshtarit politik, i parathënë nga Edi Rama disa javë më parë. Ky sulm politik është i orkestruar nga një kryeministër hakmarrës, që nuk e pranon dot se qytetarët në Kavajë nuk drejtohen më nga një përdhunues dhe trafikant droge apo grabitës pronash në bregdet.

Kallëzimi politik penal kundër Isa Sakjas vjen nga i njëjti kryeministër i korruptuar dhe i lidhur me krimin që vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, i cili betonizoi Durrësin dhe plazhin e tij, duke u dhënë pasuri publike kriminelëve me të cilët bleu votat. Kallëzimi është urdhëruar nga kryeministri i Qazim Sejdinit, që komandon trafikun e drogës në Elbasan dhe e ka bërë qytetin plaçkë betoni të bandave. Sulmi politik ndaj kryebashkiakut të Kavajës vjen nga i njëjti kryeministër që, bashkë me shërbëtorin e tij, Erion Veliaj, kanë betonizuar Tiranën, duke e shndërruar në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan.

As kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën. Kryeministri më i korruptuar sot në Europë e ka humbur Kavajën dhe, shumë shpejt, ka për të humbur gjithë Shqipërinë!

Skip to toolbar