Policia e Vlorës ka zhvilluar një aksion të
gjerë kundër paligjshmërisë dhe veprave të ndryshme penale, duke arrestuar të
paktën 7 persona në kushtet e flagrancës. Nëpërmjet një komunikate për mediat,
Policia e Vlorës ka njoftuar se ka arrestuar dy shtetas rusë, të cilët po
mundoheshin të transportonin naftë kontrabandë në Sarandë. Sipas policisë, mësohet
se dy shtetasit rusë, emrat e të cilëve jepen me inicialet M.SH., 47 vjeç dhe
K.V., 43 vjeç, janë arrestuar të shtunën në jahtin e tyre.
Dy shtetasit rusë, mësohet se në bashkëpunim me
njëri-tjetrin, me jahtin e tyre, jashtë pikës
doganore të Sarandës, në vendin e quajtur “Berdenes”, kanë transportuar 1477
litra naftë, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe ligjore. Ndërkohë,
policia e vlorës ka vënë në pranga tre persona. Konkretisht P.XH., 23 vjeç,
K.Xh., 21 vjeç dhe D., 31 vjeç, të tre banues në Dhërmi. Këta shtetas janë
arrestuar në flagrancë për “Vjedhje në bashkëpunim”. Të tre këta shtetas, janë
kapur pasi kanë vjedhur 50 mijë lekë të rinj në lokalin e shtetases V.C., në Dhërmi.
Gjithashtu, për vjedhje me dhunë dhe shitje të
lëndëve narkotike, në Ksamil është arrestuar një i ri 18-vjeç, me inicialet
P.S. Ky shtetas, në bashkëpunim me shokun e tij, kanë kanosur me thikë
shtetasin D.P., duke i marrë 2500 mijë lekë të rinj. Në momentin e arrestimit,
18-vjeçarit i është gjetur në trup një sasi lënde narkotike kabaisë, dhe një
dorezë metalike prej hekuri. Po për akuzat e vjedhjes, në Sarandë është
arrestuar një shtetas nga Tirana. Ai është 39-vjeçari me inicialet E.G., i cili
dyshohet se në një supermarket në lagjen nr.4 Sarandë, ka vjedhur një kompresor
ajri me vlerë 20.000 lekë të rinj.