Vizita e Dritan Dajtit te dentisti në Bllok, furtunë shkarkimesh në Burgje

Nxjerrja nga burgu i Dritan Dajtit për një vizitë mjekësore në zonën e Bllokut në Tiranë, ka shkaktuar një furtunë shkarkimesh në burgje me vendim të Ministrisë së Drejtësisë për shkelje të rëndë nga ana e tyre. Një vizitë te dentisti i Dritan Dajtit i ka kushtuar postin drejtorit të Policisë së Burgjeve Bardhyl Kaçorri, drejtorit të IEVP-së Peqin, Emin Shpata si dhe shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici, të akuzuar për shkelje të rënda. Gjithashtu është shkarkuar nga puna mjeku i burgut të Peqinit, Andi Andoni, ndërsa janë paralajmëruar mjekja e DPB, Ermira Qirinxhi si dhe inspektori i IEVP Peqin, Mefat Shehu.

Në vendimin e marrë nga Ministria e Drejtësisë thuhet se strukturat drejtuese dhe të kujdesit shëndetësor në burgun e Peqinit si dhe strukturat shëndetësore e policore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve nuk kanë ndjekur procedurat ligjore dhe rregulloret e brendshme për vlerësimin e kërkesës së të dënuarit për kontrolle mjekësore jashtë institucionit të burgjeve.

Duke qenë se stafi nuk ka kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës dhe nuk është kryer procesi i vlerësimit të riskut dhe mundësinë e kryerjes së vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike, “është konkluduar qartazi se në lidhje me rastin e Dritan Dajtit ka shkelje flagrante me ligjin.”

Nga hetimi është konkluduar se është shkelur neni 33 i ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, dhe i nenit 106 të rregullores së përgjithshme të burgjeve parashikohet se të paraburgosurit dhe të dënuarit mund të kërkojnë që të vizitohen, me shpenzimet e tyre, nga një mjek i zgjedhur nga ata. Por kjo kërkesë vlerësohet nga strukturat përkatëse duke vlerësuar mundësitë për marrjen e trajtimit të specializuar të të dënuarit nga spitali i burgjeve dhe organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

Pavarësisht mundësisë së marrjes së këtij shërbimi në organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë duke përfshirë spitalet publike, asnjë nga strukturat përgjegjëse nuk e ka vlerësuar dhe konsideruar kontrollin mjekësor në strukturat publike shëndetësore, por është dhënë aprovimi për kontrollin mjekësor në një klinikë private okulistike”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të 4 oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Por me vendimin e Apelit të tre gjyqtarëve që i pranuan gjykimin e shkurtuar, rrjedhimisht e shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm, dënimi u ul në 25 vjet heqje lirie.

“Fshesa” e Zaev pastron 75 zyrtarë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka shkarkuar mbi 75 drejtorë të ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore, për shkak të mungesës së rezultateve me këto ndërmarrje. Shkarkimet do të prekin 31 drejtori, 40 borde dhe 3 agjenci inspektoratëve.

Këto shkarkime ishin paralajmëruar edhe më herët nga Zaev, i cili tha se këto institucione nuk kanë treguar rezultate pozitive në arritjen e objektivave të tyre. Institucionet e prekura nga shkarkimin, janë ndër më të rëndësishmet në vend, ndërsa drejtuesit e larguar ishin pjesë e thuajse të gjitha partive politike, përfshirë edhe shqiptarë.

Këto shkarkime vijonë si pjesë e riformatimit të qeverisë, pas akuzave që qeverisja Zaev ka marrë për mospërmbushje të premtimeve dhe mungesë të rezultateve.

Ikën dhe Gjykata e Lartë, shkarkohet gjyqtari

Gjykata e Lartë i është bashkuar fatit të Gjykatës Kushtetuese duke dal jashtë funksioni pasi ka mbetur vetëm me dy anëtarë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjykatësin Edmond Islamaj, duke e lënë institucionin e Gjykatës së Lartë me dy anëtarë.

Edmond Islamaj nuk kaloi dot procesin e vettingut, pasi nuk justifikonte një pjesë të pasurisë së tij. Islamaj ishte konfirmuar më herët në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u shkarkua ditën e sotme nga KPA.

Prefekti Elbasanit dhe Shkodrës me detyra të reja

Këshilli i Ministrave vendosi gjatë mbledhjes së sotme të shkarkojë nga detyra prefektin e qarkut të Elbasanit, Gledian Llatja dhe prefektin e Shkodrës, Valdrin Pjetri.

Të dyve Llatja dhe Pjetrit iu është besuar një detyrë e re nga Partia Socialiste, nga prefekt në kandidatë për Kryetar Bashkie.

Ato janë kandidatë zyrtar të PS-së për kreun e bashkive të qyteteve përkatëse në Elbasan dhe Shkodër në zgjedhjet e 30 qershorit.

Shkarkohet nëndrejtori i ISHP-së

Taks-forca antikorrupsion ka gjetur parregullsi gjatë inspektimit të punës së Inspektoriatit të Shëndetit Publik Tiranë. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila është edhe koordinatore e taks-forcës antikorrupsion tha se janë gjetur parregullsi në prokurorimin e tenderit për dezinfektimin e zonave bregdetare dhe urbane. Kjo ka çuar në shkarkimin nga detyra të nëndrejtorit të ISHP-së.

“Strukturat antikorrupsion kane verifikuar në ISHP Tiranë zbatimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura gjatë procesit të prokurorimit të një shërbimi shumë të rëndësishëm siç është dezinfektimi në zonat bregdetare dhe urbane për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. U konstatuan disa shkelje të ligjit për prokurimin publik veçanërisht në kuadër të procesit për vlerësimin e ofertave sikundër dhe në fazën e shqyrtimit të ankesave. Nuk janë përdorur të njëjtat kritere për vlerësimin e ofertuesve. Janë rekomanduar 8 masa disiplinore. Largim nga puna për anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, konkretisht nëndrejtorin e ISHP, përgjegjësin e sektorit të sëmundjeve infektive, për mjekun në sektorin e sëmundjeve infektive.

Po kështu janë rekomanduar masat vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për anëtarët e komisionit të shqyrtimit të ankesave për procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomikë, konkretisht përgjegjësin e departamentit të informimit shëndetësor teknologjisë dhe komunikacionit, dy specialistë si dhe vërejtje për përgjegjësin e laboratorit dhe specialistin entomolog.” – tha Gjonaj

Pezullon rektorin Mynyr Koni, Shahini kërkon shkarkimin e tij

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka pezulluar rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nga posti i tij dhe ka kërkuar në mënyrë publike shkarkimin e tij nga presidenti Ilir Meta.

Gjatë një deklarate për mediat, Shahini tha se i vjen keq që i është dashur të marrë një vendim të tillë, por janë vërejtur probleme serioze në zbatimin e ligjit të arsimit në universitet.

“Më ka bërë përshtypje që edhe publikisht, profesor Koni është ankuar për dekanët dhe pjesën administrative, por nuk ka ardhur kurrë me një kërkesë të mirëargumentuar që t’ia miratojmë shkarkimin e dekanëve. Unë nuk kam në dorë asnjë mjet tjetër ligjor përveçse të pezulloj Rektorin e UT-së dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës, shkarkimin e tij. Më vjen keq për profesor Konin pasi ka qenë shumë korrekt me mua, por përsos kësaj unë jam një udhëheqëse që duhet të sigurohem që reforma po zbatohet në të mirë të gjithë vendit. Është e vështirë të kërkosh pezullim të një personi, që është zgjedhur me votat e institucionit që përfaqëson dhe më vjen keq që kemi arritur në këtë pikë. Vendimin për shkarkim e merr presidenti dhe ai do të ketë në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit, që ta ndihmojë të marrë këtë vendim.”

Shahini shtoi se moszbatimi i ligjit ka çuar në keqmenaxhim të universitetit duke sjell probleme tek të gjithë studentët.

“Universiteti është keqmenaxhuar dhe kjo ka sjellë probleme serioze për një gjeneratë të tërë të studentëve. Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës.” –përfundon deklaratën e saj ministrja Shahini.

Nisin “spastrimet” në qeverinë Trump

Presidenti Trump ka nisur një proces “spastrimesh” nga qeveria e tij, ku pas largimi të Sekretares së Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, e cila dha dorëheqjen, ka larguar nga posti edhe drejtorin e Shërbimeve Sekrete, Randolph Alles.

Mendohet se shkarkimi i Alles vjen si pasojë e dorëheqjes së Nielsen, dhe të tjera shkarkime pritet të ndodhin, raporton CNN.

Trump ka gjetur edhe zëvendësuesin e Randolph Alles, që pritet të mbajë postin e drejtorit të ri të Shërbimeve Sekrete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se Trump ka zgjedhur James M. Murray, një zyrtar i USSS, për të zëvendësuar Alles dhe pritet të marrë rolin e tij në maj.

“Drejtori i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara Randolph ‘Tex’ Alles ka bërë një punë të shkëlqyeshme në agjenci gjatë dy viteve të fundit dhe Presidenti është mirënjohës për shërbimin e tij mbi 40 vjet në vend. Trump ka përzgjedhur James M. Murray, një anëtar i karrierës së USSS, për të marrë përsipër pozicion e drejtorit të ri.” – tha Sanders

Skip to toolbar