Rezistenca e Voltanës: Tani rrezik pesë herë burg

Zgjedhjet e 30 qershorit u paraprinë nga tensione, të cilat kulmuan me sulmet ndaj KZAZ-ve në disa bashki të drejtuara nga përfaqësues të opozitës. Shkodra ishte pika më e nxehtë para ditës së procesit të votimit, ku për gati dy javë, kryebashkiakja Voltana Ademi urdhëroi pengimin e përdorimit të ambienteve publike në funksion të procesit zgjedhor. Gjithashtu, Voltana Ademi ka bërë dhe një kallëzim penal ndaj Policisë së Shkodrës, për hyrjen me forcë në ambientet publike të administruara nga kjo bashki. Megjithatë, Policia e Shkodrës nuk ka ndenjur duarkryq, pasi ka kallëzuar pesë herë penalisht Voltana Ademin për pengim të procesit zgjedhor. Ky është lajmi zyrtar që jep Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka publikuar një raport të martën në 2 korrik. Gjithashtu, një procedim penal është në ngarkim të një shtetasi, emri i të cilit jepet vetëm me inicialet Z.H.

Ndërkohë, në Prokurorinë e Laçit është regjistruar një procedim për veprën penale “Falsifikim i materialit zgjedhor dhe rezultatet të zgjedhjeve”. “Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë Kurbin. Sipas këtij referimi, shtetasi Edmond Piroli, kandidat për kryetar i Bashkisë Kurbin për subjektin  politik “Bindja  Demokratike”, në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019, pretendon se anëtarët e Komisionit të dy Qendrave të Votimit në fshatin Fushë-Kuqe, Kurbin kanë futur në kutitë e votimit fletë votimi dhe kanë nënshkruar në emër të votuesve, pa qenë prezent votuesit. Konkretisht, sipas kallëzuesit, në dy qendrat e votimit, nëambientin privat “Lokal i shtetasit Vasil Ulaj”, në Fushë-Kuqe, pretendohet të kenë votuar 6 shtetas, ndërkohë që në kutitë e votimit janë futur dhe gjenden rreth 60 fletë votimi në njërën kuti dhe rreth 120 fletë votimi në kutinë tjetër”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në Fier është regjistruar një procedim penal për veprën “Pengim i subjekteve zgjedhore”, në ngarkim të shtetasve Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha. Në materialin e referuar nga policia gjyqësore e Komisariatit të Policisë Fier, pretendohet se këta shtetas i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Materiali është në fazë verifikimi. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë ka në fazë verifikimi deklaratën për shtyp të kryetarittë Partisë Demokratike, dega Korçë, ku përmenden regjistrime video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit, rezultatet e të cilit do të raportohen në ditët në vijim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka regjistruar kallëzimin për veprën penale “Votimi më shumë se një herë” parashikuar nga neni 327/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit O.O.  Ky material është regjistruar mbi bazë të referimit të Komisariatit të Policisë Cërrik.

Prokuroria e Përgjithshme informon se, përveç informacioneve të mësipërme, prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore kanë informuar se, deri në këtë moment, asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim/denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, dhe se nuk janë filluar hetime kryesisht për materialet video të publikuara në media.

Lirohet me pinca një Qendër Votimi në Shkodër, asnjë rezistencë (Video)

Gjatë të shtunës është bërë shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ-të për qendrat e votimit në të gjithë vendin. Shkodra ka qenë bashkia e vetme që ka bërë “rezistencë”, pasi ka bllokuar disa qendra votimit, duke i kyçur ato me zinxhir. Megjithatë, ndonëse thirrjet e dëshpëruara të Voltana Ademit nuk kanë reshtuar, qendrat e votimit janë liruar gjatë pasdites të së shtunës, duke i hapur rrugë përgatitjes për procesin zgjedhor, që do të mbahet të dielën.

Një video e siguruar nga Realstory.al, tregon se si një nga qendrat e votimit në Shkodër është hapur pasditen e së shtunës. Në prani të forcave të policisë dhe përfaqësuesve të KZAZ-së së Shkodrës, është bërë i mundur zhbllokimi i derës së një shkolle, duke prerë zinxhirin me një darë, dhe në këtë mënyrë është lejuar futja e materialeve zgjedhore, të cilat do të përdoren të dielën për procesin e votimit në këtë qytet. Ajo që vihet re, në fakt është mungesa e reizstencës, nga ana e autoriteve lokale.

E vetmja rezistencë ka qenë thirrja e dëshpëruar e Voltana Ademit, që është shprehur e indinjuar pasditen e të shtunës për hapjen dyerve të shkollave dhe institucioneve të tjera publike, që do të përdoren si qendra votimit. KQZ nga ana e saj kërkoi bashkëpunim nga kryebashkiakja e Shkodrës, duke i kujtuar Voltana Ademit edhe penalitetet ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Mban peng QV, KQZ-Voltanës: Bashkëpuno ose…burg

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se materialet zgjedhore janë shpërndarë pothuajse në të gjithë vendin. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënsja e KQZ-së, njoftoi se materialet zgjedhore janë duke u shpërndarë nga 90-të KZAZ-të në të gjithë vendin, për 5417 qendra votimit. Sipas KQZ-së, deri në orët e pasdites të së shtunës, ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore nga 53 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, ndërkohë, sipas KQZ-së, në të gjitha KAZA-të e tjera procesi është drejt përfundimit.

Megjithatë, vetëm në KZAZ-në NR.6, bashkia Vau i Dejës, procesi shpërndarjes së materialeve të votimit në qendrat ku do të zhvillohet procesi të dielën, ka nisur me vonesë. Kryesja është djegia e materialeve të para zgjedhore nga militantët e PD-së tre ditë më parë, çka detoryi KQZ-në të riprintonte fletë të reja votimi dhe pajisje logjistike të nevojshme për votimet. Megjithatë, edhe në KZAZ-në e Vaut të Dejës, materialet zgjedhore do të shpërndahen brenda të shtunës në 53 qendrat e votimit të kësaj bashkie.

Qarku i Shkodrës mbetet më problematiku deri më tani sipas KQZ-së, pasi 50% e qendrave të votimit mbahen të mbyllura me forcë nga autoritetet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë thirrje Voltana Ademit që të heq dorë nga pengimi i zgjedhjeve, duke i kujtuar asaj se pengimi i zgjedhjeve konsiderohet vepër penale.

Megjithatë, edhe pse bashkia Shkodër dhe kryetarja e saj, Voltana Ademi kanë bllokuar qendrat e votimit, në disa prej tyre, ashtu siç konfirmoi KQZ-ja, materialet zgjedhore janë shpërndarë. Për këtë arsye, ka reguar kryebashkiakja e Shkodrës, e cila i ka quajtur “hapje me dhunë të institucioneve publike” dhe “njollosje të të drejtës së votës së lirë”, duke u shprehur se të gjitha, sipas Voltana Ademit, do të filmohen dhe do tu jepen autoriteteve të huaja, si OSBE-ODIHR.

Dhunë në Dibër, plagosen 6 policë dhe disa protestues. Policia: Po na sulmojnë 300 persona

Militantët e PD kanë sulmuar policinë dhe KZAZ-në numër 19 në qytetin e Dibrës, që ndodhet në palestrën e shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”. Militantet e PD-se pas protestës në rrugët e qytetit kanë sulmuar efektivët duke detyruar policinë që të hedhë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Në krye të protestuesve ndodhet edhe ish deputeti i PD-së, Xhemal Gjunkshi. Protestuesit janë duke quajtur me kapsolla dhe molotov në drejtim të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Nga përplasja dhe hedhja e gazit lotsjellës në Dibër, jashtë ambienteve të shkollës ku është vendosur KZAZ-ja , janë plagosur 6 efektivë policie dhe disa protestues. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe policia e shtetit, që thotë se rreth 300 persona po sulmojnë me kapsolla dhe bomba molotov për të hyrë brenda KZAZ-së.  

“Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku  rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambienteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore” – thuhet në deklaratën e policisë.

Dhuna në KZAZ, Lleshja: Verbëri politike që do marrë ndëshkimin e merituar

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshja ka regjura në lidhje me dhunë  e ushtruar në Dibër ndaj policisë dhe KZAZ së vednisur në atë qytet. Ai e ka cilësuar një dhunë të verbër politike por që do marrë ndëshkimin e merituar.

“Verbëria e dhunës politike po sulmon sot me molotov KZAZ e vendosur në shkollën “Nazmi Rushiti” dhe Policinë në Dibër, nën drejtimin e përfaqësuesve të lartë të opozitës. Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit!”

Shkodër, policia bashkiake përplaset me disa persona në KZAZ nr. 2, shoqërohen 5 persona

Policia bashkiake, me urdhër të Voltana Ademit, mban të mbyllura ambientet e KZAZ numër 2 e vendosur në pallatin e Sportit ‘Qazim Dervishi’. Kjo ka sjellë përplasjen e disa personave me policinë bashkiake, të cilët kanë kërkuar që të marrin materialet që kanë qenë brenda KZAZ numër 2 dhe kanë tentuar ta hapin atë me dhunë. Si pasojë qepenat e pallatit të sportit janë dëmtuar, nga hapja me forcë. Në lidhje me ngjarjen policia e shtetit ka shoqëruar 5 persona

Bllokimi i KZAZ nr.2 në Shkodër ka ardhur që më 18 qershor, ku policia bashkiake me urdhër të Voltana Ademit nuk lejuan që anëtarët e KZAZ të futen në ambientet e brendshme.

Duket se incidentet dhe dhuna nuk po mungon, sidomos në Shkodër, ku disa ditë më parë ju vu flaka shkollës “Shejnaze Juka” nga militantët e PD. Ndërsa mbrëmjen e së enjtes iu vu flaka shkollës “Ndre Mjeda” në Bushat.

Voltana Ademi :  Nuk e dhunuam ne KZAZ-në te Pallati i Sportit

Partia Demokratike e Shkodrës ka reaguar pas dhunës në godinën e Pallatit të Sportit duke u distancuar nga akte të tilla.

Përmes një deklarate për mediat thuhet se “Bashkia e Shkodrës dënon dhe denoncon me forcë aktin e rëndë të dhunimit të ndërtesës së Pallatit të Sportit nga persona vandalë, të cilët janë përleshur me punonjës të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, të cilët së bashku janë përpjekur të ndalojnë këta dhunues të pronave të qytetarëve shkodranë”.

Më tej theksohet se “ka qenë një veprim banditesk, i cili nga sa mund të kuptohet deri tani, frymëzohet edhe nga deklarimet e papërgjegjshme të qeveritarëve në Tiranë”.

Përplasen dy makina në Shkodër, një i vdekur, dy të plagosur

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në Kryebushat të Shkodrës. Dy makina janë përplasur mes tyre ku për pasojë ka humbur jetën  një prej pasagjerëve, ndërsa kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e mjeteve.

Përplasja ka rezultuar fatale për bashkëshorten e njërit prej drejtuesve të mjetit, shtetasja Nurie Bushaj, 74 vjeç. Të plagosur kanë mbetur bashkëshorti i viktimës, Ymer Bushaj, 67 vjeç dhe drejtuesi i mjetit tjetër. 74-vjeçarja ka ndërruar jetë në Spitalin e Shkodrës, duke mos i mbijetuar dot plagëve të marra.

Polica vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Voltana “Terminator” bëhet “goc e mirë”. Kundër zgjedhjeve, por me padi e ligje.

Dhuna e ushtruar pasdite e së enjtes në Shkodër mes protestuesve dhe forcave të rendit për të mos lejuar mbajtjen e një takimi elektoral të PS, Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë Shkodër, u tërhoq dhe bëri thirrje që protesta do të jetë paqësore. Sigurisht kjo thirrje ra në veshe të shurdhër, pasi pak pas përfundimit të takimit elektoral të PS, disa protestues gjuajtën me gurë mbi policinë. Ditën e premte ka venduar të flasë ndryshe, jo më me marshim protestë, por me akte ligjore dhe kallëzime penale në prokurori,  larg dhunës dhe gazit lotsjellës të një dite më parë që u zhvillua në pedonalen e qytetit.

Të premten, Voltana Ademi ka dorëzuar në Prokurorinë e Shkodrës një kallëzim penal ndaj drejtorit të Policisë së Shkodrës, KQZ-së dhe Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës, duke vijuar kështu betejën e saj për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor pas dekreti të presidentit Meta për shfuqizimin e tyre.

Bashkia e Shkodrës i akuzon për shpërdorimi detyre dhe mosrespektim të ligjit, duke mos zbatuar kërkesën për lirimin e KZAZ-ve, por kanë vijuar me paligjshmërinë duke dhunuar dhe duke i mbajtur ato të bllokuara, duke penguar Bashkinë Shkodër të ushtrojë lirshëm të drejtat e saj mbi pronat që ka në administrim.

Në shkresën e kallëzimit penal thuhet se Bashkia njeh dekretin e presidentit, i cili është akt normativ në fuqi dhe i zbatueshëm për të gjithë, por KZAZ-të kanë vazhduar ushtrimin e funksionit, duke konsumuar elementë të veprës penale. KQZ akuzohet se  nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë duke mos njoftuar Bashkinë Shkodër në lidhje me spostimin e tyre dhe duke mos liruar ambientet, ndërsa policia e Shkodrës i ka mbajtur të bllokuara këto mjedise duke mos lejuar bashkinë të bëj detyrën e saj. Shkolla “Shejnaze Juka” ku është vendosur KZAZ me numër 3 ka qenë një prej godinave të sulmuara ditë më parë nga militantët e PD-së, të cilës ju vu flaka edhe një klase, në përpjekje për të larguar materialet zgjedhore. Edhe pse në fakt mes tre liderëve kryesorë  Rama, Basha dhe Meta duker se gjuha është zbutur ndjeshëm, duke aluduar se mund të ketë edhe mundësi për arritjen e një marrëveshje, që të fusë opozitën në zgjedhje, Voltana duket e vendosur që të zbatojë dekretin e presidentit dhe të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Voltana ndryshon modelin e protestës, si modelin e flokëve: Ndaj Ramës marshim paqësor

Voltana Ademi ka bërë një hap pas, pasi pasditen e kësaj të enjten, vetëm pak orë nga nisja e mitingut elektoral që Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë në Shkodër, ka deklaruar se “është koha që gjithsecili ti thërrasë ndërgjegjes”.

Mesaduket, Voltana, që deri më tani ka qenë kryebashkiakja më aktive në aksionin opozitar për mos lejimin e zhvillimit të zgjedhjeve duke shkatërruar materialet zgjedhore, bëhet e para që i thërret arsyes, duket hequr dorë nga dhuna dhe barbaria e deritanishme, ku si pasojë u dogj dhe kati i parë i një shkolle në Shkodër.

Madje, Voltana deklaroi me gojën e saj se “kam biseduar me policinë të cilëve u kam thënë se do të jetë një marshim qytetar”, tha Ademi gjatë një lidhje direkte për një studio televizive në vend. Mesaduket, Voltana e ka kuptuar, ashtu sikundër dhe lideri i saj Lulzim Basha, se dhuna nuk është zgjidhje dhe as mjeti për të shkuar përpara.

Ndaj, edhe reagimi i saj fill pas deklaratës së Lulzim Bashës, që dukej sikur po shkon drejt rrugës së arsyes, tregon se opozita nuk mund të provojë forcën me shtetin dhe as mund të marrë përgjegjësinë për të rrezikuar jetët e pafajshëm të njerëzve, pavarësisht bindjeve politike.

Rritet tensioni në Shkodër, bashkiakët përplasen me policinë për KZAZ-në

Mëngjesi i së martës ka nisur me tensione dhe përplasje në qytetin e Shkodrës ku përfaqësues dhe militantë të PD-së kanë bllokuar sërish KZAZ-në në këtë qytet dhe janë përplasur me efektivët e policisë.

Përplasja ka ardhur për shkak se kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi e PD-së ka vendosur të respektojë dekretin e presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, pavarësisht se ky dekret është cilësuar nul dhe pa asnjë forcë ligjore nga KQZ që administron zgjedhjet.

Ashtu sikurse ndodhi të hënën në mesditë, edhe të martën, militantët e PD-së kanë bllokuar hyrjen në KZAZ të anëtareve të saj.

Në momentin që anëtarët e KZAZ-së kanë shkuar për të hapur derën, militantët e opozitës të mbështetur edhe nga policia bashkiake e Shkodrës i kanë bllokuar.

Ne këtë moment ka ndërhyrë policia e rendit për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve të KZAZ-s, teksa nuk kanë munguar debatet, tensionet dhe shtyrjet mes efektivëve.

Të gjitha bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës kanë kërkuar që të lirohen KZAZ-të pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Duket se ky është plani i opozitës për të shkaktuar destabilitet në vend, pra bllokimi i KZAZ-ve dhe pengimi i zhvillimit normal të procesit zgjedhor të paktën në bashkitë që ata drejtojnë.

Shkodër, përplasen dy makina, dy të plagosur rëndë

Dy makina përplasen kokë më kokë më njëra-tjetrën duke lënë të plagosur rëndë dy drejtuesit e tyre. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Trush, në rrugën Shkodër-Velipojë.

Të plagosurit, të identifikuar si Jetmir Bushaj dhe Arjan Lleshi, janë dërguar në spital, ku gjendja e tyre paraqitet e rëndë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Makina përfundon në kanal, humb jetën pasagjeri, plagosen rëndë dy të tjerë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Shkodër, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve.

Mësohet se viktima është Ndue Gjokaj i cili ishte pasagjer në automjetin me të cilin udhëtonin dhe dy persona të tjerë.

Aksidenti mësohet të ketë ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana e shoferit, duke bërë që automjeti të përfundonte në kanal. Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tij.

Skip to toolbar