Dermaku: Do jap maksimumin për Shqipërinë, vitin tjetër luaj në Serie A

Kastriot Dermaku është një nga lojtarët me më shumë minuta në këmbë për këtë sezon. Qendërmbrojtësi i Cosenzas ka luajtur titullar me ekipin e tij pothuajse në çdo ndeshje të sezonit në Serie B, duke bërë paraqitje të mira. Ai ka folur për disa tema, mes të cilave ka përmendur dhe atë që është çshtje kryesore për të, transferimin në një tjetër klub. Dermaku u shpreh se në drejtimt ë tij ka disa oferta, duke saktësuar se shanset janë që sezonin e ardhshëm të luajë në Serie A.

Skema e lojës – “Me Cozencan kemi luajtur me katër edhe tre mbrojtës. Ndihem mirë në të dyja sistemet e lojës. Të shohim çfarë mendon trajneri, cili do jetë moduli më i mirë me grupin që ka në dispozicion”.

E ardhmja e Shqipërisë –  “Duhet të japim maksimumin, të marrim pikë dhe të shohim deri ku mund të mbërrijë kjo kombëtare. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, por me rëndësi është që ta japim maksimumin”.

Konkurrenca – “Konkurrenca është e madhe dhe është pozitive. Nuk pres të jem titullar, do jap maksimumin. Nëse më jepet shansi do kërkoj të jap më të mirën time”.

Partneri në mbrojtje – “Nuk e di me kë dua të luaj. Me rëndësi është të luaj, me këdo. Me rëndësi është të kem minuta dhe të tregoj veten”.

Ndryshimi mes Rejës dhe Panuccit –  “Nuk jemi grumbulluar të gjithë që të jap një gjykim të rëndësishëm. Tani ka më shumë liri. Javën tjetër do jetë ndryshe. Mendimi për momentin është pozitiv”.

Ofertat – “Kemi biseduar me disa ekipe. Kontrata më mbaron në qershor. Ka shanse të luaj në Serie A. Më pëlqen me karakteristikat që ka, Pique i Barcelonës. Sot ka mbrojtës shumë të mirë, të rinj që po dalin, si Romagnoli. Edhe Chiellini më pëlqen”.

Bushi prezanton listën e U-21: Kemi mungesa, do mundohemi të luajmë mirë

Trajneri i Kombëtares U-21 Alban Bushi ka dalë në konferencë për shtyp ku ka prezantuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare ndaj Uellsit dhe Turqisë. Bushi ka shprehur shenja optimizmi gjatë fjalës së tij, pasi disa nga lojtarët kuqezinj kanë pasur më shumë minuta në këmbët e tyre gjatë dy muajve të fundit.

“Ndeshja me Turqinë? Është e vështirë dhe e rëndësishme dhe është ndeshja e tretë por kemi vetëm 1 pikë. Mund të kishim më shumë por kemi pak. Nëse nuk marrim rezultat pozitiv, Shpresat tona për vendin e dytë janë të pakta. Shanset janë të barabarta dhe e njohim Turqinë mirë pasi luan futboll. Nuk do të jenë 5 futbollistë si Ademaj, Mucolli, Selmani e Kryeziu. Lojtarët që kanë zëvendësuar janë në gjende të mirë dhe do të mundohemi të luajmë mirë, pastaj rezultati është çështje fati.

Të rinjtë? Me thënë të drejtën kemi lojtarë të rinj, si Kalajn, Bullarin e Ndreckën. Dëmtimet na kanë ndërlikuar situatën por janë lojtarë me perspektivë. Nuk ishin në planet tona për këtë ndeshje por janë lojtarë që plotësojnë grupin. Të gjithë kanë minuta siç është Bardhi. Janë 3 ndeshje edhe pse fokusin e kemi te Turqia dhe të rinjtë duhet të provohen.

Kombëtarja A? Bëmë një mbledhje kur Reja erdhi dhe shumë lojtarë nuk mund të ishin të gatshëm dhe U21 kishte problemet e veta pasi gjendja nuk do të ishte e mirë e tyre. Stërvitja me ekipin e parë u bën mirë atyre, por edhe trajnerit Reja. Ka mendim pozitiv për ta dhe i ka veçuar disa prej tyre. Pardje u dëmtua Kryeziu në stërvitje.

Minutat e pakta? Lojtarët e ekipit shqiptar kanë luajtur ndërsa të tjerët që luajnë jashtë kanë pasur problemet e tyre me minutat. Nuk duhet ta them gjithmonë se u lodha por do ta përgatisim, pasi edhe kur nuk luan 1 vit, një ndeshje e nxjerr. Te U21 është moshë delikate pasi te U17 ose U19 aktivizohen me ekipet e tyre por te ekipi i parë, shumica nuk e kapin vendin e parë. Jemi më mirë pasi shumë lojtarë kanë minuta por Bajramaj, Mucolli e Ademi na sjellin probleme. Rrimë 3 muaj përgatisim ndeshjen dhe në fund nuk i ke lojtarët është problem.

Panuçi? Jemi për të folur për Turqinë dhe Uellsin. Nuk kam çfarë them për të dhe i uroj suksese kudo që të shkojë.

Ekipi? I njoh lojtarët dhe kemi mungesa. Lojtarët e Superiores kanë minuta dhe ka 3 ndeshje ku do të luajnë të gjithë. Objektivi kryesor është që të marrim rezultat dhe të kualifikohemi por gjithsesi kur ke lojtarë që dëmtohen ke oshilacione me barazime. Këta lojtarë kanë bërë mirë”, tha Bushi

Shell konfirmon rezervat e larta të naftës në Shpirag-4

Kompania amerikane Shell ka arritur të zbulojë rezerva të mëdha nafte dhe gazi në Shqipëri, përkatësisht në pusin Shpirag-4. Shell vlerëson se pusi ka një potencial të madh të prurjeve të natës që do të çojë në rritje të investimeve të kompanisë në Shqipëri.

“Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri (struktura gjeologjike ku gjendet rezervuari i hidrokarbureve). Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri.” tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Shell për Eksplorimin.

Rezervat e posit u zbuluan pas një testimi disa ditor dhe prurjet e tij pritet të furnizojnë disa mijëra fuci nafte në ditë.

Zbulimi i Shqipragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike të njëjtë me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali, ku Shell ka një pozicion të rëndësishëm jo-operues.

Hapi tjetër në programin vlerësues është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre.

Debate në Gjermani për datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë

Deutsche Welle shkruan sot në një artikull se Bundestagu gjerman është përfshirë së fundi nga debatet për datën se kur do të votojnë çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Sipas Deutsche Welles, dy partitë më të mëdha parlamentare në Gjermani mbështesin hapjen e negociatave për Shqipërinë, por problem vazhdon të mbetet data, pasi disa kërkojnë shtatorin ndërsa të tjerë qershorin.

Shkrimi i plotë i Deutsche Welle-s

Në Gjermani kanë dalë në pah kohët e fundit dallimet mes Partisë Socialdemokrate dhe Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial. Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Welle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane. Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje. Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para do kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progresraporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

Shumica e Bundestagut pro anëtarësimit të Ballkanit në BE

Që shumica e Bundestagut është pro perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor në BE, kjo u vu re edhe nga një debat që u zhvillua para ca kohësh (9 maj) në plenum, kur Bundestagut iu desh të merrej me një kërkesë të partisë populiste djathtiste Alternativë për Gjermaninë (AfD). Partia në fjalë kërkonte që Ballkanit Perëndimor të mos i ofrohej anëtarësim, por vetëm “partneritet i privilegjuar”.

Siegbert Droese, folës i grupit parlamentar të AfD-së për çështje të jashtme, tha se sidomos në rastin e Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhej “të ndërgjegjësohej për prejardhjen e saj si një bashkësi ekonomike” dhe të orientohej në ekspertizën ekonomike”. Sipas AfD-së, Ballkani nuk i sjell asnjë përfitim ekonomik tregut evropian.”

Kërkesa e AfD-së tani është duke u shqyrtuar nga komisionet përkatëse, por në bazë të deklaratave të deputetëve mund të thuhet se këtë propozim nuk e mbështet asnjë parti e Bundestagut. “E Majta” është në përgjithësi kritike ndaj politikës së BE-së në Ballkan dhe për pasojë edhe kundër negociatave. Sevdim Dagdelen, deputetja e kësaj partie, e akuzoi BE-në se e trajton Ballkanin si “shesh konfliktesh ndërmjet fuqive të mëdha” dhe jo si “partner me të drejta të barabarta”.

Katër partitë e tjera të përfaqësuara në parlamentin gjerman janë më të moderuara dhe për pasojë pro çeljes së negociatave, edhe pse kanë përfytyrime të ndryshime përsa i përket momentit të nisjes së negociatave dhe shpejtësisë së zhvillimit të tyre.

Liberalët janë më neutralët në këtë pikë dhe nuk hyjnë në debatin se kur duhen çelur negociatat: Thomas Hacker, deputeti i kësaj partie, lavdëroi arritjet e Shqipërisë në procesin e Vetingut: Fakti që mbi 100 gjyqtarë janë kualifikuar, do të thotë se kjo reformë nuk është një tigër pa dhëmbë,” tha ai duke shtuar se “kjo dëshirë për reforma duhet marrë seriozisht”.

Të Gjelbrit, partia më e vogël opozitare, por që sipas sondazheve të deritanishme, pritet të pësojnë rritje në zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë gjithashtu, sikurse edhe ministri Roth, ndër përfaqësuesit më të flaktë të çeljes së negociatave: “Besueshmëria e BE-së është e lidhur me mundësinë faktike për të bërë hapa drejt Evropës”, tha raportuesi i kësaj partie për Ballkanin, Manuel Sarrazin. “Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedonisë qysh brenda këtij viti do të jetë prova e lakmusit”, tha Sarrazin.

Veç të Gjelbërve, ministri gjerman i shtetit gëzon edhe mbështetjen e kolegëve të partisë së tij, socialdemokratët, të cilët, siç i tha DË-së, në një intervistë raportuesi i kësaj partie për Ballkanin Perëndimor, Metin Hakverdi, janë për një trajtim njëherazi të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Skeptik ndaj rekomandimit të Komisionit

Këtë e kundërshton Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial, grupi parlamentar i të cilit është më i madhi në Bundestag: Siç mësoi Deutsche Ëelle pranë qarqeve të këtij Unioni, ai është marrë vesh brenda vetes që kjo temë të trajohet më 23 shtator, pra, jo në qershor.

Argumenti zyrtar, të cilin e përdori gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama në fund të prillit edhe zëvendëskryetari i këtij grupi parlamentar, Johann David Wadephul, dhe që ai e tha edhe në një intervistë me Deutsche Ëellen është mungesa e kohës për të shqyrtuar me kujdes progres-raportet që do të dalin më 29 maj.

Komisioneri Johannes Hahn ishte javën e kaluar personalisht në Berlin, por nuk arriti t’i bindte kolegët e CDU/CSU-së që ta ndryshonin mendimin, duke marrë parsysh rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave qysh në qershor që pritet të jetë si rezultat i raportit. Deputetët konservatorë gjermanë janë në përgjithësi skeptikë ndaj rekomandimeve të komisionit. Sipas tyre, rekomandimet e zbukurojnë gjendjen objektive që pasqyrohet në raporte. Prandaj edhe deputetët e CDU/CSU-së kërkojnë më shumë kohë për t’i mbledhur të gjitha faktet, që përmban raporti i Komisionit dhe për të nxjerrë konkluzionet, bëhet e ditur nga qarqet e CDU/CSU në Berlin. Të njëjtat burime nuk e përjashtojnë mundësinë që, ndërsa Maqedonia e Veriut të marrë një „po“ të plotë, Shqipërisë t’i formulohen disa kushte, që duhen plotësuar deri sa të çelet kapitulli i parë i negociatave. Edhe komisioneri i zgjerimit la të nënkuptojë në një intervistë me DW se Maqedonia e Veriut nuk mund të penalizohet, për shkak të Shqipërisë.

Koordinim me Francën

Siç ka ndodhur edhe më parë, deputetët gjermanë të partisë CDU/CSU, pritet ta formulojnë mendimin e tyre edhe pasi të jenë konsultuar më parë me Francën. E kjo është shumë skeptike sidomos ndaj Shqipërisë, bëjnë të ditur, burime të DW në Bruksel. Në parim, Franca, sikurse edhe Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial në Gjermani, duan që njëherë të bëhet konsolidimi i brendshëm i BE-së, e më pas zgjerimi. Po ashtu Franca e sheh zgjerimin si një çështje të brendshme të BE-së, e jo si çështje të jashtme e të sigurisë. Kjo u vu re edhe në Samitin e Berlinit, ku me insistimin e presidentit Macron, zgjerimi nuk u tematizua dhe nuk u ofrua si instrument për zgjidhjen e problemeve në rajon. „Franca është për negociata të shkurtra e efektive, në mënyrë që shtetet aspiruese të jenë më të përgatitura, kur të hyjnë në negociata”, iu tha DW-së nga qarqe diplomatike në Bruksel.

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, e cila së paku ka arritur të fitojë pikë me arritjen e marrëveshjes së emrit me Greqinë dhe shmangien e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke u bërë kështu edhe vendi i vetëm në rajon pa konflikte me fqinjët, Shqipëria, në sytë e Francës, ka humbur pikë, thonë diplomatët. Kjo, së pari, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të azilkërkuesve nga ky vend. Sipas statistikave të Eurostatit, në vitin 2018 Shqipëria ishte vendi i dytë i prejardhjes së azilkërkuesve në Francë, me 9600 azilkërkues, pas Afganistanit (10 270).

Së dyti, për shkak të „imazhit të keq“ të krijuar nga kontrolli i tregjeve ilegale në Evropë dhe lidhjet e “mafies shqiptare” me trafikime, bëjnë të ditur burimet diplomatike. Kjo është një gjë të cilën Maqedonia Veriore nuk e ka. Prandaj edhe qarqet diplomatike nga Brukseli, thonë se, nëse vjen deri te ndonjë vendim i negociuar politikisht, atëherë çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të jetë më e mundshme se ajo me Shqipërinë.

“Optimist për negociatat, opozita sinjal negativ në Bruksel”

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis e sheh me optimizëm hapjen e negociatave për Shqipërinë, por shton se largimi i opozitës nga parlamenti dhe mospjesëmarrja në zgjedhje janë një sinjal negativ në Bruksel.

Papadimoulis theksoi se palët duhet të punojnë për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe me reformat e tjera deri në marrjen e një vendimi në qershor tha ai për Tv Klan.

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE: Qeveria Tsipras dhe unë personalisht, si zv/president i Parlamentit Europian, jemi pozitivë sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por është e rëndësishme që gjatë kohës që ka mbetur (deri në fund të qershorit), të bëhen hapa për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, për trajtimin e problemeve të minoritetit grek (të drejtat e pronës, etj.), dhe gjithashtu të avancojë disa reforma që përfshihen në kartën e Kopenhagës. Gjithsesi, fqinjët tanë shqiptarë mund të jenë të sigurt se Greqia, me qeverinë Tsipras është një mike dhe mbështetëse e anëtarësimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.

Gazetari: Ndërkaq, në Shqipëri opozita ka djegur mandatet parlamentare, refuzon pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, dhe në anën tjetër kryeministri Rama insiston që zgjedhjet të zhvillohen. Gjithë këto, a mund të influencojnë në vendimin e Brukselit?

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE: Druaj se po. Dhe përgjithësisht, refuzimi i partive të opozitës për të marrë pjesë në procesin parlamentar dhe demokratik, nuk është një shenjë e mirë, nuk interpretohet si gjë e mirë nga Brukseli. Do të thoja që vetë forcat politike në Shqipëri të gjejnë një mënyrë që ta shtensionojnë këtë krizë dhe mënyra më e mirë është pjesëmarrja në proceset demokratike.

Franca i pret shpresat Shqipërisë, “JO” në BE

Partia aleate e Macron, “La République En Marche” e Nathalie Loiseau gjatë një interviste siguron se do të votojë kundër hapjes së negociatave për hyrjen në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Unë isha ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.” tha Loiseau, e cila shtoi pyetjen e saj “A duhet të hyjë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në Bashkimin Evropian?” Loiseau shtoi se dhe kreu i partisë “Les Républicains”, François-Xavier Bellamy është gjithashtu kundër.

“Ai që ka qenë për zgjerim, për vite me radhë është Laurent Wauquiez. Ai ka ndryshuar mendim dhe beson se njerëzit nuk kanë kujtesë”. Loiseau shton gjithashtu: “Unë shkova në Maqedoninë e Veriut për të thënë jo, sepse nuk jeni gati, sepse ne nuk jemi gati. Nuk do të ketë negocime në qershor. Ne do të jemi kundër, do të vazhdojmë të jemi kundër. Ata janë gjeografikisht në Europë, ne duhet t’i ndihmojmë ata, por jemi kundër zgjerimit të BE.”

Mori ftesë nga Edy Reja, talenti shkruan fjalë të mëdha për kombëtaren!

Kleandro Lleshi është një nga lojtarët e thirrur rishtazi në ekipin kombëtar nga trajneri Edy Reja. Talenti 19-vjeçar, që aktivizohet në Spanjë me ekipin e Leganes B, do të jetë një nga 12 lojtarët e U21, që do të vëzhgohet nga Edy Reja, për të vendosur më pas nëse do të jetë pjesë e grupit që do të grumbullohet me kombëtaren për dy ndeshjet zyrtare të muajit qershor.

Megjithatë, edhe ky grumbullim, për lojtarin është një arritje, një ëndërr e bërë realitet. Nesfushori i talentuar kuqezi ka shkruar një postim në rrjetet sociale, duke shprehur kënaqësinë që i është dhënë mundësia të grumbullohet me ekipin kombëtar. “Një ëndërr e nisur që në prekjen e parë të topit, në vrapimin e parë”.

“Të përfaqësosh kombin tënd është një ëndërr për çdokënd që e ndjek këtë rrugë, një dëshirë e papërshkrueshme. Çdo gjë duket larg dhe afër në të njëjtën kohë, deri në momentin që e prek atë moment, e ndjen atë ndjesi. Ndjen krenarinë që më parë mendoje që mund të jetoje në një të ardhme, por që arrinë të ta japë shumë shpejt kjo bluzë e këto ngjyra”, shkruan talenti kuqezi.

Krimineli i rrezikshëm rus, mund të fshihet në Shqipëri

Një kriminel i rrezikshëm mendohet se fshihet në Shqipëri, të paktën këtë dyshojnë autoritet ruse, të cilët janë vënë në ndjekje të Revaz Kakhmazov, 44 vjeç.

Revaz Kakhmazov akuzohet si pjesë e një grupi kriminal dhe autor i të paktën 21 grabitjeve dhe 20 viktimave, ndaj të cilit është dhënë urdhër arresti ndërkombëtar.

Sipas mediave ruse, Revaz Kakhmazov ka nënshtetësi të Republikës së Shqipërisë dhe mund të fshihet pikërisht në këtë vend.

Meta takon Limajn: Kosova i ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim zëvendës kryeministrin e Kosovës Fatmir Limajn me të cilin ka biseduar për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. Presidenti Meta shkruan se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe meriton heqjen e vizave për në BE.

“Takim i përzemërt me Zv/Kryeministrin e Kosovës, z.Fatmir Limaj, i cili më njohu me dakordësinë e arritur dje ndërmjet dy qeverive për zbatimin e një sërë marrëveshjesh që do ta forcojnë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.

Vlerësuam mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluara së fundmi në Kosovë.

Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian, duke i përmbushur tërësisht të gjitha kriteret.

Forcimi i mëtejshëm i partneritetit të Kosovës me SHBA dhe BE, garanton integrimin euroatlantik të saj dhe konsolidon sigurinë në rajonin tonë”, shkruan Meta.

Meta takon Haradinajn: Kënaqësi që ndaj pikëpamje të përbashkëta për…

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një takim mbrëmjen e sotme me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i shtetit ka publikuar në faqen e tij zyrtaren në Facebook një foto ku shfaqet me Kryeministrin e Kosovës në një ambient publik.

“Kënaqësi e veçantë të ndaja sërish me Kryeministrin, Ramush Haradinaj në Durrës pikëpamje mbi sfida të përbashkëta që forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët europiane”, shkruan Presidenti Meta në përshlrimin e fotos.

Publikimi i fotos vjen fill pas mbledhjes së sotme të grupit kordinues të punës mes dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, që kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta midis dy qeverive.

Në mbledhjen e sotme u ngritën shumë spekulime, pasi ajo u drejtua nga Zëvendës Kryeministri shqiptar Erion Braçe dhe ai i Kosovës Fatmir Limaj, në mungesë të kryeministrave Rama dhe Haradinaj.

Por, po mbrëmjen e sotme, në “Real Story”, Fatmir Limaj u dha fund spekulimeve për mungesën e Ramës dhe Haradinajt në mbledhjen e sotme.

Limaj saktësoi se kjo nuk ishte mbledhje midis dy qeverive, por e grupit të punës që kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më herët.

Pas publikimit të fotos nga kreu i shtetit shqiptar, të njëjtën gjë ka bërë dhe Kryeministri Haradinaj, i cili e shoqëron dhe me komentin: “Qëndrime unike me Presidentin Ilir Meta për temat me rëndësi për Kosovën e Shqipërinë”, shkruan Haradinaj në postimin e tij.

Skip to toolbar